Shko te përmbajtja

Bernard Kokalari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Bernard Kokalari (30 dhjetor 1934 – 3 dhjetor 2024)[1] ishte një regjisor dhe aktor shqiptar nga Gjirokastra. Ai konsiderohet si një nga personalitetet e njohura të regjisë së teatrit shqiptar dhe në kinematografi si aktor. Ai ka lënë një trashëgimi të pasur si regjisor në zhvillimin e artit dramatik shqiptar, veçanërisht në Gjirokastër. Si vlerësim për punën e tij është nderuar me Urdhërin "Naim Frasheri” klasi II; "Qytetar Nderi i Gjirokastrës", me motivacionin "Regjisor, aktor dhe figurë e shquar e kulturës gjirokastrite". Në mars 2017 Bernard Kokalari dekorohet nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani me titullin "Mjeshtër i Madh" [2] .

Jeta dhe karriera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bernard Kokalari u lind në Gjirokastër, 1934. Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme i ka kryer në qytetin e lindjes. Gjatë viteve 1957-1959 punoi si aktor dhe këngëtar në trupën e Estradës Profesioniste të qytetit. Në vitin 1959 pranohet si student në Shkollën e Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1963 mbaron studimet dhe emërohet aktor në Teatrin Popullor. Një vit më vonë, kthehet në Gjirokastër si aktor në Estradën Profesioniste të qytetit dhe në 1965 emërohet regjisor i saj. Në vitin 1968 u ngarkua të organizojë dhe regjisor në Teatrin Profesionist të porsakrijuar, sot Teatri "Zihni Sako", Gjirokastër. Për t’u specializuar në fushën e regjisurës, në vitin 1970 kryen kursin 1-vjeçar të regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve. Gjatë viteve të karrierës së tij të gjatë artistike ka punuar si regjisor i estradës, teatrit dhe grupeve amatore të qendrave të punës dhe shkollave të qytetit të Gjirokastrës, duke vënë në skenë dhjetra premiera. Ka marrë pjesë në organizimin e jetës koncertale të qytetit e sidomos në Festivalet Folklorike Kombëtare, si regjisor i grupit të konkurimit në Festival dhe i koncerteve të mirëseardhjes, koncert solemn, që zhvillohej në stadium ditën e mbërritjes së festivalistëve nga e gjithë Shqipëria në qytetin e Gjirokastrës. Përveç teatrit, ku ka shkruar dhe drama, ka kontribute edhe në kinemanë shqiptare, si aktor.[3]

Në 2019, Bernard Kokalari publikon librin "Gjirokastra në dritat e skenës" duke sjellë para lexuesve një historik të teatrit amator dhe profesionist të Gjirokastrës për periudhën kohore 1874-2013, duke lënë një dokument unik për jetën artistike teatrore të qytetit.[4]

Bernard Kokalari u nda nga jeta më 3 dhjetor 2024,[5] në moshën 90-vjeçare, në Detroit, Michigan, SHBA.

Regjisor teatri (veprat)[7]

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Shokët (Bashkim Kozeli) - 1968
  • Dasma e madhe e dritave (Dhimitër Xhuvani) - 1969
  • Një vit në kantier (Ferdinand Radi) - 1969
  • Qielli i kuq (Tefik Çaushi) - 1971
  • Një dimër i shkurtër (Sheri Mita) - 1971
  • Shtëpia në bulevard (Fadil Paçrami) - 1971
  • Rrënjët (fragmente dramash) (Kujtim Spahivogli, Naum Prifti) - 1972
  • Ushtari Hiks (autor i huaj) - 1972
  • Sipas ligjit (autor i huaj) - 1972
  • Njerëz mbi shkëmb (Kadri Pirro) - 1973
  • Ishte kohë lufte (Bernard Kokalari, dramatizim i novelës "Kohë lufte" nga Anastas Kondo) - 1974
  • Zani partizani (Naum Prifti) - 1975
  • Shtrëngatë në mal (ose "Ndryshe nuk mund të ndodhte") (Pirro Stefa, dramatizim i romanit "Zbulimi" nga Anastas Kondo) - 1975
  • Njeriu me top (Thanas Dino, dramatizim i romanit "Njeriu me top" nga Dritëro Agolli) - 1976
  • Fundi i sinoreve (Maku Pone) - 1977
  • Në ngjitje (Thanas Borodani) - 1977
  • Burrat e lirisë (Thanas Dino) - 1978
  • Fundi i një dredhie (Enver Isufi) - 1978
  • Gryka e nëmur (Teodor Laço) - 1978
  • Atje ne Ebro (Maku Pone) - 1979
  • 14 vjeç dhëndërr & Pas vdekjes (Çajupi) - 1980
  • Tinguj dhe krisma (Bekim Harxhi, dramë për fëmijë) - 1980
  • Pabesia (Leka Bungo) - 1981
  • Shqetësimet e Anës (Mihallaq Qilleri) - 1981
  • E fejuara ime (Fatmir Aliaj) - 1982
  • Fundi i botës (Viktor Eftimiu) - 1983
  • Për pak tokë dhe një grua (Dhimitër Xhuvani) - 1984
  • Dashuri e vërtetë (Thoma Milaj) - 1985
  • Këngë djepi e shitur (Halldór Laxness) - 1986
  • Erashka (ose "Ditë dashurie") (Carlo Goldoni) - 1988
  • Pranverë e vonuar (Hysni Koka) - 1989
  • I padjallëzuari (Dimitris Psathas) - 1990
  1. "Ndahet nga jeta aktori gjirokastrit Bernard Kokalari". Argjiroja. 3 dhjetor 2024. Marrë më 5 dhjetor 2024.
  2. Argjiroja (2017-03-09). "(Emrat) Kush janë personalitetet që dekoroi sot në Gjirokastër presidenti Nishani" (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-02-05.
  3. Papagjoni, Josif (2009). Enciklopedi e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare. Tiranë: Toena. fq. 226–227. ISBN 978-99943-1-456-0.
  4. "Kujtesë/ Artistët e Popullit Sandër Prosi dhe Pirro Mani midis artisteve te teatrit profesionist'Zihni Sako'të Gjirokastrës". Gjirokastra Onlīne (në anglishte amerikane). 2020-05-18. Arkivuar nga origjinali më 10 dhjetor 2024. Marrë më 2025-01-23.
  5. G. Gostivari, Dardan (3 dhjetor 2024). "Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur, Shehu: Arti shqiptar humb një vlerë të spikatur të tij". Gazeta Tema. Marrë më 5 dhjetor 2024.
  6. Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 381, 409. ISBN 978-9928-940-44-5.
  7. Kokalari, Bernard (2019). Gjirokastra në dritat e skenës (1874-2013 ). Durrës: 2M printing. fq. 81–209. ISBN 978-9928-253-44-6.