Besim Bokshi
Besim Bokshi | |
---|---|
U lind më | 12 nëntor, 1930 Gjakovë |
Vdiq më | 16 gusht, 2014 Gjakovë |
Kombësia | Shqiptar |
Besim Bokshi (Gjakovë, 12 nëntor 1930 - 16 gusht 2014) ka qenë poet, gjuhëtar dhe filolog shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitet 2008-2011.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë,[2] ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm.
Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979). Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.[nevojitet citimi]
Vdiq më 16 gusht 2014.[3]
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Poezi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Në Pritje, Prishtinë, 1966
- Hije të këputura, Pejë, 1996
Gjuhësi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Rruga e formimit të sotëm nominal të shqipes, Prishtinë, 1980
- Prapavendosja e nyjes në gjuhët ballkanike, Prishtinë, 1984
- Pjesorja e shqipes: vështrim diakronik, Prishtinë, 1998
- Për vetorët e shqipes, Prishtinë, 2004.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Academy of Sciences and Arts of Kosovo". Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2010. Marrë më 4 maj 2010.
- ^ Elsie, Robert (2004). Historical dictionary of Kosova (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 29. ISBN 0-8108-5309-4.
- ^ Ndërron jetë akademik Besim Bokshi, varrimi të dielën në orën 17, Koha, 2014-08-16, arkivuar nga origjinali më 2016-02-06, marrë më 2016-01-28
Ky artikull në lidhje me një biografi individi është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
- Artikuj me deklarata pa burim informacioni
- Lindje 1930
- Artikuj të cunguar
- Biografi
- Vdekje 2014
- Poetë shqiptarë të shekullit 20
- Gjuhëtarë shqiptarë
- Filologë shqiptarë
- Akademikë shqiptarë
- Akademikë jugosllavë
- Shqiptarë në Jugosllavi
- Njerëz nga Gjakova
- Profesorë të Universitetit të Prishtinës
- Anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
- Absolventët e Universitetit të Beogradit
- Absolventët e Universitetit të Prishtinës