Jump to content

DEBATIK

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shih gjithashtu Debatik (Filmi)

DEBATIK (Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idealeve Komuniste) ishte një organizatë për fëmijët dhe adoleshentët e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën kujdesin e Partisë Komuniste të Shqipërisë[1]

DEBATIK u themelua më 10 shkurt të vitit 1942 nga një grup fëmijësh të moshave nga 10 deri në 14 vjeç, pjesa më e madhe nxënës të shkollës "Princi i Napolit" (sot "Lidhja e Prizrenit"). Vendimi për ngritjen e një organizate masive për fëmijët dhe adoleshentët u mor në 30 dhjetor 1941, në kuadër të takimeve të shoqërisë letrare "Rinia Shqiptare"[2]. Mbledhja e themelimit u mbajt në kodra e Saukut, gjatë fjalimeve u lavdërua lufta e Bashkimit Sovjetik[3]. Betimi i anëtarëve para flamurit u bë pas leximit të një trakti të Partisë Komuniste. Veprimtaria e Organizatës përfshinte propagandën gojore nëpërmjet shfaqjeve teatrale, mbledhja e informacionit, mbledhjen e ndihmave për Lëvizjen Nacional Çlirimtare si dhe shpërndarjen e trakteve të Partisë Komuniste[1].

Pjesëtarët e parë që organizuan mbledhjen e 10 shkurtit 1942 janë : Ahmet Godenca, Ali Anadolli, Agim Kalo, Agim Tugu, Bardhyl Erebara, Gaqo Marko, Gëzim Erebara, Josif Plaku, Perlat Bozgo, Petrit Mëzezi, Musa Anadolli, Selman Vaqari, Xhjevat Bozgo. Pas krijimit të kësaj Organizate rreth saj u grumbulluan me qindra fëmijë të tjerë adoleshent, që u organizuan në grupe të vogla dhe të manovrueshme për veprimtari klandestine.

Kjo Organizatë në të gjithë veprimtarinë e saj udhëhiqej nga edukatorë të Rinisë Komuniste si Ludovik Shllaku, Manush Alimani, Misto Mame, Alqi Kondi, Hamdi Sollaku, Skënder Begeja, etj. Edukatorët u vunë në krye të punës për organizimin e fëmijëve në kuadër të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Gjashtëmujori i dytë i vitit 1942 ishte kohë e një zgjerimi të madh të Organizatës së debatikasve, që i detyrohet punës së edukatorëve të dërguar nga ana e Organizatës së Rinisë. Me këtë zgjerim u shtua dhe veprimtaria e Debatikut ne çdo lagje e në çdo shkollë të Tiranës, madje dhe në të gjithë Shqipërinë.

  1. ^ a b Anadolli, Musa; Erebara, Bardhyl (10 shkurt 1977). "Të vegjël, por trima të vendosur". Gazeta Zëri i Popullit (publikuar 1977). fq. 3.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Vaqari, Selman. Historia e Debatikut. Tiranë: Medaur. fq. 37.
  3. ^ Vaqari, Selman. Historia e Debatikut. Tiranë: Medaur. fq. 45.