Jump to content

Diskutim:The Da Vinci Code

Page contents not supported in other languages.
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kjo faqe këtu është vetëm për diskutim mbi artikullin The Da Vinci Code. Wikipedia nxit diskutimin mes vullnetarëve të saj dhe nuk do të censurojë komente bazuar në pikëpamjet ideologjike ose politike. Wikipedia nuk do t’i ndryshojë komentet. Ato ose do të publikohen, ose do të fshihen nëse nuk u binden rregullave kryesore.
Fillo një temë të re diskutimi.
Ju lutemi nënshkruani me: – ~~~~

Të gjitha komentet u nënshtrohen këtyre rregullave:

  • Përmbajuni temës!
  • Nuk lejohen: sharje, fyerje, fjalor i papërshtatshëm, gjuhë që përmban urrejtje, sulme personale, thirrje për dhunë apo çdo qëndrim tjetër jo i rregullt.

Mundet me me thene dikush a u botua ky roman edhe në gjuhën shqipe, nese po me cilin titull, apo me titullin të shqiptuar "Kodi i Da Vinçit". --(°-°) diskuto°) 2006 Maj 20 21:35 (UTC)

Mbi pa paragjykimshmerine dhe asnjanesine e Wikipedias (Wikipedianeve)

[Redakto nëpërmjet kodit]

Eshte mire qe artikujt te shkruhen sa te jete e mundur pa paragjykime dhe ndjenja vetjake, pra e te qenit asnjanes.

P.S. Pas shfaqjes se librit dhe filmit me te njejtin titull atehere "sekreti" eshte bere publik per gjithe boten, dhe kisha katolike s´ka patur ende ndonje katastrofe, apo le te presim ende. Leke Mjeku 2006 Maj 20 23:20 (UTC)

Ti po do me thone neutrale, nese e ke lexua mundesh me ndryshua, une jam duke lexuar, filmin kete jave shkoj e kqyri, mendoje nje, se libri eshte fiksion/fiktiv, dhe nuk ja drejtua kishës katolike në realitet por po flitet per ngjarjen në roman, qe e marra nga de.wiki. --(°-°) diskuto°) 2006 Maj 21 00:30 (UTC)


  • Jo un s´po du me than neutrale por asnjanëse, dhe ate pjese mbi perkufizimin e asnjanesise dhe pa paragjykimshmerine e Wikipedias une i kam perkthyer. Ti mundesh "me ndryshua" por jo si te te pelqeje ty. Une e di se çfare lloj libri e filmi ai eshte. Eshte vetem nje trillim i ulet dhe shpifes (qe s´ia vlen as te lexohet e as te shikohet per mendimin tim). Kjo shpjegon edhe pritjen jo te mire te filmit si nga kritika ashtu edhe nga publiku. "dhe nuk ja drejtua kishës katolike në realitet por po flitet per ngjarjen në roman"; ti do te thuash nuk i drejtohet kishes katolike ?!. A je me te vertete naiv apo ben naivin? Po pse atehere kisha eshte kunder bojkotimit te filmit? Po t´a them une. Sepse filmi mundohet te perhape rrena mbi figuren e Jezusit dhe ta diskreditoje ate dhe kishen e Tij te themeluar nga dishepulli i tij Pali. Pastaj ngjarjet ne roman kane lidhje te drejteperdrejte me kishen (ketu katolike). "qe e marra nga de.wiki." Per mua s´ka rendesi se ku mirret lenda por se si paraqitet ajo ketu. Tung! Leke Mjeku 2006 Maj 21 14:22 (UTC)
A jam këtu para gjyqit a qysh? Cfare mendimi Dan Brown ketu ka nuk e di, por filmi dhe romani eshte argetim, je keshtu e shoh une, ti po te djeg pak kjo teme, bojkotimet po i bojne ata anekund, edhe te Harry Potter, per shkak te magjisë të zezë, tani po del qe Jezusi ka pasur nje vajze me Magdalena, dhe disa teoria i ka be Dan Brown, kjo me katoliket eshte sikur puna me Bin Laden-in, muslimanet e fort mendojne se ai per islamet eshte duke bere, kjo nuk eshte ndryshe me kishen katolike, cka po ndin cka mendon nje prift apo ipeshkv. --(°-°) diskuto°) 2006 Maj 22 19:07 (UTC)



E vërteta për Kodin e Da Vinçit

[Redakto nëpërmjet kodit]
Nga Paul Garner

Kodi i Da Vinçit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. Që nga dita e botimit në prill 2003 ka shitur 40 milion kopje në 40 gjuhë dhe ka qenë për tridhjetë e pesë javë në listën e librave më të shitur të Nju Jork Tajmz-it. Së shpejti del si një film sensacional nga Columbia Pictures. Nga fundi i 2004-ës i kishte fituar autorit të tij, Den Braun, 140 milion paund. Është libri më i përfolur i kohëve të fundit.

Për se bën fjalë?

Për ata që nuk e kanë lexuar, ja një përmbledhje e subjektit. Libri fillon me një vrasje në Galerinë e Luvrit në Paris që i çon personazhet kryesorë- profesorin e Harvardit Robert Langdon dhe kriptologen frënge Sofi Nevë- në një vrapim të dëshpëruar në gjithë Francën dhe Anglinë, duke zgjidhur enigmë pas enigme. Ritmi i ngjarjeve është i shpejtë dhe subjekti tërheqës – ku pjesët më intriguese janë zbulesat e njohurive të fshehta dhe konspiracioneve që do të jenë fokusi ynë në këtë artikull.

Tregimi merr shkas nga kërkimi i lashtë për Kupën e Shenjtë – jo kupa e Darkës së Fundit – por, në universin alternativ të Den Braunit, Kupa e Shenjtë është "linja mbretërore" e përbërë nga pasardhësit e Jezu Krishtit dhe Maria Magdalenës që na thuhet, ishin të martuar dhe kishin një fëmijë.

Deklarata për saktësi historike

Megjithëse Kodi i Da Vinçit është trillim, ai pretendon se mbështetet mbi fakte historike.

'Fakt: Të gjitha përshkrimet e veprave të artit, arkitekturës, dokumenteve dhe ritualeve të fshehta në këtë roman janë të sakta.'

DEN BRAUN, Kodi i Da Vinçit, fq.15 (shënim i përkthyesit: citimet janë përkthime të drejtpërdrejta nga origjinali, dhe numri i faqeve është ai i origjinalit)

Braun i vendos shumë prej këtyre deklaratave në gojën e një personazhi, Sër Lei Tibing, që përshkruhet si historian me emër. Megjithatë, siç do ta shohim, një historian që do të bënte deklaratat që i atribuohen këtij personazhi do të mbetej në klasë! Ajo që dua të demonstroj këtu është që Kodi i Da Vinçit përmban pak fakte, dhe ato pak fakte që përmban kërkojnë shqyrtime serioze.

Pse i shqetëson të krishterët ky libër?

Të krishterët janë të shqetësuar në lidhje me këtë libër sepse ai sulmon shumë nga gjërat që ata kanë besuar sinqerisht mbi fakte të besueshme, në të gjitha kohërat:

Besueshmëria e Biblës Personi i Jezu Krishtit

Le të shqyrtojmë tani disa pretendime specifike të ngritura nga Den Braun në librin e tij. Do të paraqesim secilin pretendim me një citim nga Kodi i Da Vinçit dhe pastaj do t'i bëjmë një “provë realiteti” për të parë si u qëndron fakteve.

PRETENDIM 1: Teksti i Biblës nuk është i besueshëm

‘Bibla është produkt i njeriut, i dashur. Jo i Perëndisë. Bibla nuk ra nga qielli....ajo ka evoluar përmes përkthimeve, shtesave dhe rishikimeve të panumërta. Historia nuk ka patur kurrë një version përfundimtar të këtij libri.’ (fq.312)

PROVË REALITETI:

Teksti i Biblës nuk është i besueshëm – E RREME

Së pari duhet thënë se studiuesit e Biblës dhe të krishterët nuk besojnë se Bibla thjesht 'ra nga qielli'. Besimi i të krishterëve është që Shpirti i Shenjtë i drejtoi shkruesit njerëzorë të Biblës në mënyrë të tillë që ajo që ata shkruan ishte vetë Fjala e Perëndisë dhe pa gabime, megjithëse secili shkrues i frymëzuar përdori stilin dhe mënyrën e vet individuale. Këtë pretendon Bibla për veten. Për shembull, 2 Pjetrit 1:21 na thotë që 'njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.’

Pjesa që mbetet e deklaratës së Den Braunit është shumë e paqartë. Pa ngritur probleme specifike, është e vështirë të përgjigjesh në këtë pikë për 'përkthime, shtesa, dhe rishikime'. Megjithatë, ja disa komente të përgjithshme. Së pari, duhet të themi që çështjet e përkthimit nuk shkaktojnë më shumë vështirësi për Biblën sesa për çdo dokument tjetër. Patjetër, ka gjithmonë çështje të debatueshme kur përkthen një dokument por kjo nuk na pengon të japim një përkthim të mirë të asaj që është shkruar.

Së dyti, shtesat dhe rishikimet kanë të njëjtin ndikim si në çdo dokument tjetër. Studiuesit mbledhin dhe krahasojnë kopje të veprës në fjalë, gjejnë moshën e tyre të përafërt, dhe me anë të kësaj procedure vendosin cila do të kishte qenë përmbajtja e dokumentit origjinal. Teksti i Dhiatës së Re mbështetet nga mbi 24,000 kopje ose pjesë dorëshkrimesh, disa të shekujve të dytë dhe të tretë. Në kontrast me këtë, veprat e historianit romak Tacitit, që ka shkruar rreth vitit 100 Pas Kr. vërtetohen nga dorëshkrime që numërohen me gishta dhe datojnë nga shekulli i 11-të më i hershmi! Mbi këtë bazë është e vështirë t'i japësh të drejtë pretendimit se nuk kemi një ide "përfundimtare" të asaj që thuhej në Bibël në shkrimin origjinal, nëse nuk jemi të gatshëm të hedhim poshtë të gjitha dorëshkrimet e vjetra bashkë me të.

PRETENDIM 2: Shumë ungjij autentikë u mënjanuan nga Perandori Konstandin

‘Më shumë se tetëdhjetë ungjij u morën në konsideratë për Dhiatën e Re, por vetëm pak u zgjodhën për t'u përfshirë aty – Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni midis tyre.’ (fq.313)

PROVË REALITETI:

Shumë ungjij autentikë u mënjanuan nga Perandori Konstandin – E RREME

Braun po iu referohet këtu shkrimeve të të ashtuquajturve 'Gnostikë'. Cilët ishin Gnostikët? Fjala 'Gnostikë' vjen nga fjala greke gnosis që do të thotë 'njohuri'. Lëvizja e lashtë gnostike është e vështirë të përkufizohet, por, kryesisht gnostikët ishin të interesuar në kërkimin e njohurive të fshehta shpirtërore me anë të të cilave ata mendonin se mund të kishin hyrje të drejtpërdrejtë tek Perëndia. Dhe midis shkrimeve të tyre Braun pretendon se ka zbuluar 80 ungjij alternativë, 80 histori alternative të jetës së Jezuit.

Por ky është një tjetër gabim nga ana e Braunit. Nuk ishin 80 ungjij, por 52 rrotuj – vetëm pesë prej të cilëve pretendonin të ishin ungjij. Dhe, ndryshe nga ajo që thotë Den Brauni, ungjijtë gnostikë nuk ishin kandidatë asnjëherë për t'u përfshirë në Dhiatën e Re.

PRETENDIM 3: Ungjijtë gnostikë ishin dokumentet origjinale të krishtera

‘Për fatin e mirë të historianëve,’ tha Tibing, ‘disa nga ungjijtë që Konstandini u përpoq t'i zhdukte arritën të mbijetonin…Rrotujt nxjerrin në pah mospërputhje dhe falsifikime të mëdha historike, që konfirmon qartë se Bibla që kemi sot u hartua dhe u redaktua nga njerëz që kishin një axhendë politike – të reklamonin hyjninë e njeriut Jezu dhe të përdornin ndikimin e Tij për të forcuar bazën e pushtetit të tyre.’ (fq.317)

PROVË REALITETI:

Ungjijtë gnostikë ishin dokumentet origjinale të krishtera – E RREME

Ungjijtë gnostikë janë falsifikime: Ata i përkasin një date të vonë. Librat e Dhiatës së Re datohen edhe prej studiuesve më liberalë rreth 50-100 Pas Kr. Megjithatë, ungjijtë më të hershëm gnostikë nuk ishin shkruar deri në 100-200 Pas Kr., dhe disa datojnë nga shekujt e tretë dhe të katërt. Mësimet e krishtërimit ishin përfunduar në kohën që u shkruan dokumentet gnostike. Autorësia e tyre është e rreme. Për shembull, askush nuk e pranon që Thomai e shkroi 'Librin e Thomait' apo se Filipi shkroi 'Ungjillin e Filipit'. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar pse nuk u përfshinë në Dhiatën e Re. Çdo libër me autorësi të rreme hidhej poshtë automatikisht. Ata janë plot me thënie ezoterike (të fshehta) dhe legjenda. Ide të çuditshme, mistike vihen në gojën e Jezuit. Aty ku ka ndonjë diamant të rrallë urtësie pa përjashtim është kopjuar nga Dhiata e Re!

Prandaj, mbi çështjen e besueshmërisë së Biblës pretendimet e Kodit të Da Vinçit thjesht nuk qëndrojnë. Dhiata e Re ka mbështetje të shkëlqyer tekstuale dhe historike, në kontrast të plotë me ungjijtë “alternativë” falsë mbi të cilët Den Braun bazon një pjesë të madhe të librit të tij.

Tani dua t'i kthehem asaj që Kodi i Da Vinçit thotë në lidhje me personin e Jezu Krishtit. Disa nga deklaratat më të guximshme dhe krejt të pasakta në Kodi i Da Vinçit lidhen me këtë temë.

PRETENDIM 4: Jezui ishte thjesht njeri

‘E dashur,’ tha Tibing, ‘deri në atë moment në histori, Jezui shikohej nga ndjekësit e Tij si një profet i vdekshëm…një njeri i madh e i fuqishëm, por sidoqoftë njeri. I vdekshëm.’ (fq.315)

PROVË REALITETI (1):

Të krishterët e hershëm besonin se Jezui ishte thjesht një njeri i vdekshëm – E RREME

Tani kur Den Braun flet për “atë moment në histori”, ai i referohet një këshilli të kishës, Këshillit të Nikesë. Do të flasim për të pas pak, por për tani mbani mend datën kur u mblodh Këshilli – 325 Pas Kr. – sepse Den Braun pretendon se deri në atë kohë Jezui konsiderohej nga ndjekësit e Tij si një njeri i vdekshëm dhe asgjë më shumë. Të shohim faktet.

Së pari, kemi shkrimet e vetë apostujve, të atyre që e njohën Jezuin personalisht gjatë jetës së Tij dhe që ishin dëshmitarë okularë të Krishtit të ringjallur. Edhe studiuesit më liberalë e pranojnë që shkrimet e apostujve i përkasin një date të hershme, ndoshta midis viteve 40-80 Pas Kr. – patjetër shumë kohë më parë se Këshilli i Nikesë në 325 Pas Kr. Çfarë thonë ato?

Gjoni 1:1-3, 14: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi. Ai ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij dhe pa atë nuk u bë asgjë nga ato që u bënë.…Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne.” Jezui është i bashkëbarabartë dhe i bashkëpërjetshëm me Perëndinë dhe Krijues i të gjitha gjërave.

Gjoni 8:56-58: Jezui duke u folur farisenjve: “’Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua”. Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?” Jezui u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam!’” Jezui thotë se ka ekzistuar para Abrahamit (që jetoi rreth 2,000 vjet përpara lindjes së Krishtit) dhe përdor për veten emrin e Perëndisë në Dhiatën e Vjetër (shih. Eksodi 3:14 – “Perëndia i tha Moisiut, UNË JAM AI QË JAM. Këtë do t'u thuash bijve të Izraelit: UNË JAM- i më dërgoi.’’”).

Gjoni 20:27-28: “Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!” Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!” Thomai e rrëfen se Jezui është Zoti dhe Perëndia i tij.

Kolosianëve 2:9: “Sepse tek ai [Krishti] banon trupërisht tërë plotësia e Hyjnisë”.

Hebrenjve 1:3: “Ai [Biri] duke qenë shkëlqimi i lavdisë së Tij [Atit] dhe vula e qenies së Tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij...

Për më tepër, Dhiata e Re i jep Jezu Krishtit tituj që i përkasin vetëm Perëndisë – p.sh. “i pari dhe i fundit” (Zbulesa 1:17), “Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i zotërve” (1 Timoteut 6:15); dhe ai merr nderimin që i takon vetëm Perëndisë – p.sh. lutjen (Gjoni 14:14) dhe adhurimin (Mateu 28:17).

Është e qartë që apostujt e konsideronin Jezuin shumë më tepër se thjesht një njeri – ata e shikonin atë si Perëndia i mishëruar – dhe shumë kohë përpara Këshillit të Nikesë.

PROVË REALITETI (2):

Të krishterët e hershëm besonin se Jezusi ishte thjesht një njeri i vdekshëm – E RREME

Së dyti, ka dëshmi të shumta nga Etërit e Kishës, që ishin drejtues të krishterë që kanë shkruar që nga rreth 100 Pas Kr. dhe deri në shekullin e katërt: Ignati i Antiokisë (rreth35-107 Pas Kr.) – i referohet Jezuit si “Perëndia në mish” dhe “Krishti Perëndia”. Justin Martiri (rreth100-165 Pas Kr.) – duke mbrojtur besimin e krishterë ndaj një kritiku hebre, shkroi: “Sepse po ta kishit kuptuar çfarë është shkruar nga profetët nuk do të kishit mohuar se Ai [dmth Jezui] ishte Perëndia”. Klementi i Aleksandrisë (rreth150-215 Pas Kr.) – shkroi se “Ai [dmth Jezui] vetëm është edhe Perëndi, edhe njeri..” Tertuliani (rreth160-225 Pas Kr.) – “Perëndia vetëm është pa mëkat. I vetmi njeri që është pa mëkat është Krishti; sepse Krishti është edhe Perëndi”. Origeni (rreth185-254 Pas Kr.) – tha se “megjithëse [Biri] ishte Perëndi, ai mori mish; dhe duke u bërë njeri, ai mbeti çfarë ishte: Perëndi”. Është e qartë se edhe ata që erdhën pas apostujve e konsideronin Jezuin si më tepër sesa thjesht njeri. Me fjalë të tjera, Den Braun thjesht e ka gabim kur thotë se Jezui konsiderohej si i vdekshëm nga ndjekësit e tij deri në vitin 325 Pas Kr. E lidhur me këtë pretendim është ideja se Këshilli i Nikesë e sajoi konceptin e hyjnisë së Jezuit si rezultat i një votimi: PRETENDIM 5: Një këshill kishe e shpiku idenë se Jezui ishte Perëndi

‘Shpallja e Jezuit si “Biri i Perëndisë” u kundërshtua zyrtarisht dhe u votua nga Këshilli i Nikesë.’ ‘Prit. Ti po thua që hyjnia e Jezuit ishte rezultat i një votimi?’ ‘Dhe me shumë pak vota më tepër,’ shtoi Tibing. (fq.315)

PROVË REALITETI:

Këshilli i Nikesë (325 Pas Kr.) e shpiku hyjninë e Krishtit – E RREME

Braun bën disa deklarata të gabuara në lidhje me Këshillin e Nikesë, dhe kjo është një prej tyre. Shkurt historia e Këshillit të Nikesë: Këshilli i Nikesë lindi nga një dëshirë për t'i dhënë fund përçarjes dhe polemikave të shkaktuara nga një njeri i quajtur Ario. Ario (lind. rreth 260-80 Pas Kr.; vdek. 336 Pas Kr.) ishte një predikues nga Aleksandria. Rreth 319 Pas Kr. ai filloi të mësonte se Jezui nuk ishte plotësisht hyjnor, por ishte një perëndi më i vogël se Perëndia Atë. Ky besim u dënua nga një këshill lokal kishe në 320 Pas Kr., ku 98 nga 100 udhëheqësit e kishës të pranishëm votuan kundër pikëpamjeve së Arios. Por mësimet e Arios u përhapën shpejt, pjesërisht për shkak të përdorimit të tij të zgjuar të këngëve tërheqëse që shpallnin bindjet e tij. Ato sollën kaq shumë përçarje dhe rrëmujë saqë Konstandini vendosi të mblidhte një grup të madh udhëheqësish të kishës për t'iu dhënë fund polemikave. Në 20 maj 325 Pas Kr., 318 peshkopë u mblodhën në një këshill në Nike. Konstandini veproi si një lloj kryetari, duke ndihmuar që takimi të shkonte me qetësi dhe efektivitet. Në Kodi i Da Vinçit, Sër Lei Tibing, thotë që në Këshillin e Nikesë Jezui u shpall si “Biri i Perëndisë”. Në të vërtetë ky këshill vetëm sa konfirmoi edhe një herë në mënyrë të qartë e përfundimtare atë që kishte qenë gjithmonë besimi i kishës që nga kohët e hershme – dmth që Jezui ishte i bashkëbarabartë dhe i bashkëpërjetshëm me Perëndinë Atë. Sa për "shumë pak vota më tepër”, edhe ky është një tjetër sajim i imagjinatës së Den Braunit. Vetëm dy peshkopë, nga 318 delegatët votuan në favor të Arios. Den Braun bën edhe një numër deklaratash sensacionale në lidhje me marrëdhënien midis Jezuit dhe njërës prej ndjekëseve të Tij, Maria Magdalenës: PRETENDIM 6: Jezusi deshi që kisha të mbështetej mbi Maria Magdalenën

‘Sipas këtyre ungjijve të pandryshuar, nuk ishte Pjetri ai të cilit Krishti i dha udhëzime për ngritjen e kishës së krishterë. Ishte Maria Magdalena.’ Sofia e vështoi. ‘Po thua që Kisha e Krishterë do të drejtohej nga një grua?’ ‘Ky ishte plani. Jezui ishte feministi i parë. Ai kishte si qëllim që e ardhmja e kishës së Tij të ishte në duart e Maria Magdalenës.’ (fq.334)

PROVË REALITETI:

Jezui deshi që kisha të mbështetej mbi Maria Magdalenën – E RREME

Përsëri, një shqyrtim i fakteve tregon se ky pretendim është i pathemeltë. Braun përpiqet ta rishkruajë historinë e kishës së hershme duke u bazuar mbi tekste gnostike si Ungjilli i Thomait, Ungjilli i Filipit dhe disa të tjerë. Portretizimi i Maria Magdalenës që gjejmë në këto dokumente të rreme reflekton besimin gnostik se qeniet shpirtërore ekzistojnë në çifte mashkull-femër – prandaj zgjedhja e një gruaje si homologia shpirtërore e Jezuit ishte e pashmangshme.

Megjithatë, Den Braun shkon edhe më tej. Jo vetëm që kisha duhej të ishte mbështetur mbi Maria Magdalenën, por Maria ishte në të vërtetë gruaja e Jezuit!

PRETENDIM 7: Jezui ishte i martuar me Maria Magdalenën

Sër Lei Tibing ishte ende duke folur. ‘Nuk do t'ju mërzis me referencat e pafundme të lidhjes së Jezuit dhe Magdalenës. Kjo është shqyrtuar ad nauseam (deri në të përziera) nga historianët e sotëm.’ (fq.333)

PROVË REALITETI:

Jezu ishte i martuar me Maria Magdalenën – E RREME

Përshtypja që lihet këtu është se ka një sasi të madhe provash që e mbështesin këtë pretendim në shkrimet gnostike. Në fakt, në dokumentet gnostike nuk ka asnjë deklaratë të vetme që Jezui dhe Maria ishin të martuar. Megjithatë, Den Braun dhe historianë të tjerë kanë kërkuar në shkrimet gnostike për ndonjë gjë - sado të vogël - që mund të sugjerojë për një lidhje martesore. Dhe ata kanë gjetur dy pasazhe. Teksti i parë të cilit i referohet Kodi i Da Vinçit është një pjesë nga Ungjilli i Filipit. I dyti është një pasazh nga Ungjilli i Maria Magdalenës. Le të shikojmë secilin sipas rradhës.

PRETENDIM 8: Ungjilli i Filipit thotë se Jezui ishte i martuar

Sofia lexoi pasazhin: Dhe shoqëruesja e Shpëtimtarit është Maria Magdalena. Krishti e deshi atë më shumë se të gjithë dishepujt dhe e puthte shpesh në buzë. Dishepujt e tjerë ofendoheshin nga kjo dhe shprehnin mosaprovim. Ata i thoshin, 'Pse e do atë më shumë se ne të gjithë?’ Fjalët e çuditën Sofinë, dhe megjithatë ato nuk nxirrnin ndonjë përfundim. ‘Nuk thotë asgjë për martesë.’ ‘Au contraire.’ buzëqeshi Tibing, duke i treguar rreshtin e parë. ‘Siç mund të të tregonte çdo studiues i aramaishtes, fjala 'shoqëruese' në atë kohë do të thoshte fjalë për fjalë bashkëshorte.’ (fq.331)

PROVË REALITETI:

Ungjilli i Filipit thotë se Jezu ishte i martuar – E RREME

Ajo që Braun nuk iu thotë lexuesve të tij në këtë ekstrakt është se teksti i këtij të ashtuquajturit ‘ungjill’ është i dëmtuar dhe i paplotë – që do të thotë se askush nuk mund të jetë i sigurt 100% për atë që thotë ai. Ja teksti i vërtetë me gjithë mungesat:

Teksti i vërtetë

‘…dhe shoqëruesja e [hapësirë e vogël në tekst] Maria Magdalena [hapësirë e vogël] e deshi atë më shumë se gjithë dishepujt, dhe e puthte shpesh në [hapësirë]…’

PROVË REALITETI:

Ungjilli i Filipit thotë se Jezui ishte i martuar – E RREME

Pa dyshim që mund t'i mbushësh si të duash hapësirat! Shoqëruesja e kujt? Kush e deshi dhe ku e puthte? Pjesa kryesore e tekstit që do të na i thoshte këto mungon. Kjo është pika e parë.

Pika e dytë është që Ungjilli i Filipit nuk është një dokument i shekullit të parë, kështu që duhet të pyesim sa i besueshëm është ai. Studiuesit besojnë se Ungjilli i Filipit u shkrua në Siri në shekullin e tretë, rreth 200 vjet pas Jezuit. Nuk ka se si të jetë shkruar nga dishepulli Filip po qe se ai nuk do të ishte të paktën 310 vjeç!

Së fundi, në kundërshtim me thënien e Braunit, nuk ka prova se fjala “shoqëruese” do të thoshte “bashkëshorte” këtu; në fakt për këtë përdorej një fjalë tjetër. Dhe referenca e Braun për studiuesit e aramaishtes është një tjetër gabim – sepse Ungjilli i Filipit është në gjuhën koptike, jo në aramaisht.

Ky është burimi i parë i Den Braunit për pretendimin se Jezui dhe Maria ishin të martuar – jo shumë mbresëlënës. I dyti është Ungjilli i Maria Magdalenës.

PRETENDIM 9: Ungjilli i Maria Magdalenës thotë se Jezu ishte i martuar

Sofia nuk e kishte ditur se ekzistonte një ungjill në fjalët e Magdalenës. Ajo lexoi tekstin: Dhe Pjetri tha, Mos vallë vërtet Shpëtimtari foli me një grua pa dijeninë tonë? A mos vallë duhet që të gjithë të dëgjojmë atë? Mos e preferoi atë mbi ne?’ Dhe Levi iu përgjigj, ‘Pjetër, ti gjithnjë ke qenë gjaknxehtë. Tani e shoh se po flet me këtë grua si me një armik. Nëse Shpëtimtari e bëri atë të denjë, kush je ti për ta hedhur poshtë? Padyshim Shpëtimtari e njeh atë shumë mirë. Prandaj e deshi më shumë se ne.’ (fq.333)

PROVË REALITETI:

Ungjilli i Maria Magdalenës thotë se Jezu ishte i martuar – E RREME

Ungjilli i Maria Magdalenës është një tjetër tekst gnostik që nuk del më mirë në provim sesa të tjerët. Ai nuk e pasqyron me saktësi shoqërinë çifute të shekullit të parë, që nuk është çudi sepse studiuesit besojnë se ai nuk ishte shkruar deri në 180-200 Pas Kr. më e hershmja. Me fjalë të tjera, ky dokument gnostik nuk mund të jetë shkruar nga Maria Magdalena ose dikush tjetër që e njihte atë – ndryshe nga Dhiata e Re që u shkrua nga dëshmitarë okularë të ngjarjeve që përshkruan.

Por edhe sikur të supozonim që ky ‘ungjill’ është origjinal – që në të vërtetë nuk është – do të vini re se në këtë pasazh s'thuhet asgjë që Jezui dhe Maria Magdalena ishin të martuar. Dhe këto dy pasazhe janë provat më të mira që Den Braun na jep. S'ka asgjë tjetër. Me fjalë të tjera, pavarësisht nga pretendimet e guximshme në Kodi i Da Vinçit, nuk ka asnjë fije prove që Jezui ka patur ndonjëherë ndonjë marrëdhënie romantike me Maria Magdalenën – ose me ndonjë grua tjetër.

Megjithatë, asnjë nga këto s'ka rëndësi për Den Braunin, sepse ai beson se kisha ka qenë përfshirë në një konspiracion masiv për ta fshehur të vërtetën për Maria Magdalenën që nga kohët e vjetra:

PRETENDIM 10: Kisha e fshehu të vërtetën për Maria Magdalenën

‘Kisha, për të mbrojtur veten kundër pushtetit të Magdalenës, propagandoi imazhin e saj si prostitutë dhe i varrosi faktet e martesës së Krishtit me të, duke i dalë përpara çdo pretendimi të mundshëm se Krishti kishte trashëgimtarë të mishtë dhe ishte një profet i vdekshëm.’ (fq.340)

PROVË REALITETI:

Kisha e fshehu të vërtetën për Maria Magdalenën – E RREME

Patjetër, nëse kisha kishte ndërmend ta fshinte Maria Magdalenën nga Dhiata e Re, nuk bëri një punë të mirë. Bibla na tregon më shumë për Maria Magdalenën sesa për shumicën e dymbëdhjetë apostujve. Na thuhet që Jezui e çliroi Marinë nga shpirtrat e këqij, që ajo ishte një nga ata që e ndoqën dhe e mbështetën gjatë shërbesës së Tij publike, që ajo ishte e pranishme në kryqëzim (ndërkohë që shumë nga ndjekësit burra të Jezuit e braktisën), që ajo ndoqi grupin që e varrosi trupin e Jezuit dhe shkoi ta vajoste trupin e Jezuit me aroma të dielën në mëngjes. Për më tepër, Maria pati privilegjin të ishte e para që e pa Jezuin të gjallë dhe e para që u shpalli ringjalljen e Tij dishepujve.

Në fakt, gjatë gjithë librit, Den Braun duket se presupozon se kisha e hershme ishte kundër, jo vetëm Maria Magdalenës, por grave në përgjithësi – por nuk është ashtu. Në fakt, Dhiata e Re përmend në mënyrë pozitive një numër grash të shquara. Ndërkohë që kisha e hershme nuk ishte nje institucion egalitar (që u linte vend sa burrave, aq edhe grave, shën. i përk.), do të ishte gabim ta portretizoje atë si kundër grave.

Por Den Braun nuk ka mbaruar me pretendimin se Jezui ishte i martuar. Ai gjithashtu thotë se Jezui duhet të ketë qenë i martuar për të qenë pjesë e shoqërisë çifute të shekullit të parë:

PRETENDIM 11: Jezui duhej të ishte i martuar për të qenë pjesë e shoqërisë çifute

‘Rregullat shoqërore të asaj kohe praktikisht e ndalonin një burrë çifut të ishte i pamartuar. Sipas zakonit çifut, beqaria dënohej, dhe ishte detyrimi i babait të gjente një grua të përshtatshme për të birin. Nëse Jezui nuk ishte i martuar, të paktën një nga ungjijtë e Biblës do ta kishte përmendur dhe do të jepte njëfarë shpjegimi për gjendjen e tij të panatyrshme të beqarisë.’ (fq.330)

PROVË REALITETI:

Jezui duhej të ishte i martuar për të qenë pjesë e shoqërisë çifute – E RREME

Së pari nuk mund të themi se Jezui ishte i martuar thjesht sepse shkruesit e ungjillit nuk e mohojnë këtë.

Pika e dytë është që, megjithëse ishte zakon që mësuesit të ishin të martuar në atë kohë, kishte përjashtime, dhe në kundërshtim me atë që thotë Braun, nuk ishte e detyrueshme që të ishin të martuar:

Së pari, literatura rabinike vetë jep rregulla për përjashtime. Shtyrja e martesës iu lejohej studentëve të ligjit që të përqendroheshin në studime pa patur barrën e përkujdesjes për një bashkëshorte.

Së dyti, duhet të kujtojmë se judaizmi i kohës së Jezuit ishte një besim shumëfaqësh, me një numër sektesh dhe pikëpamjesh. Kishte grupe në atë kohë që, ose e kishin kusht beqarinë, ose e lejonin, p.sh. Esenët dhe Terapeutët.

Së treti, gjatë gjithë historisë çifute ishte një klasë individësh që lejohej, dhe shpesh pritej që të ishin beqarë – profetët. Shembuj janë Jeremia, Gjon Pagëzori, dhe ka mundësi edhe prototipi i Gjonit, Elia. Ky ideal profetik i beqarisë mund të gjendet edhe midis shkrimeve rabinike, pavarësisht theksit të tyre mbi martesën. Vetëm kjo mjafton që të mos kemi vështirësi ta shohim Jezuin si të pamartuar, sepse ai konsiderohej qartësisht si dikush me thirrje profetike.

Së katërti, siç ka vënë re një studiues hebre, megjithëse rabinët e shihnin me sy të keq beqarinë, vetëm një pakicë u bindej mësimeve të tyre dhe ndikohej nga predikimet e tyre.

Prandaj thjesht nuk është e vërtetë të thuash se rregullat shoqërore (ose çdo gjë tjetër) e ndalonin një burrë çifut të mbetej i pamartuar, dhe nuk është e vërtetë se beqaria dënohej nga të gjithë në kohën e Jezuit.

Në disa aspekte nuk do të kishte rëndësi nëse Jezui do të kishte qenë i martuar. Martesa shikohet si diçka e respektueshme në Bibël. Megjithatë, ka dy arsye të rëndësishme pse të krishterët mendojnë se Jezui nuk mund të kishte qenë i martuar. Së pari, Dhiata e Re flet për kishën si Nusja e Krishtit që një ditë do të bashkohet me Dhëndrrin e saj në banketin e dasmës (Zbulesa 19:7,9; 21:2,9; 22:17). Kjo është një tablo e të gjithë të krishterëve të bashkuar më në fund me Krishtin në qiell – por tabloja s'ka kuptim po qe se Jezui do ta kishte një grua! Por së dyti, dhe më e rëndësishmja, martesa do të kishte kërkuar që Jezui në kohën që ishte në tokë të bashkohej në mënyrën më intime me një mëkatare – dhe kjo thjesht nuk ishte mundësi për Birin e pamëkat të Perëndisë i cili kishte ardhur me një mision shpëtimtar për të shpëtuar mëkatarët.

Së fundi, dua të shikoj një nga pretendimet prej të cilave merr edhe titullin romani i Den Braunit:

PRETENDIM 12: Leonardo da Vinçi paraqet Marinë në Darkën e Fundit

Langdon buzëqeshi. ‘Siç del, Kupa e Shenjtë vërtet është e dukshme në Darkën e fundit. Leonardo i dha asaj një vend të dukshëm.’ ‘Prit pak,’ tha Sofia. ‘Ju më thatë se Kupa e Shenjtë është një grua. Darka e fundit është pikturë e trembëdhjetë burrave.’ ‘Vërtet?’ Tibing ngriti vetullat. ‘Shikoje me kujdes.’ (fq.327)

PROVË REALITETI:

Leonardo paraqet Maria Magdalenën në Darkën e Fundit – E RREME

Sipas romanit, Leonardo ishte një nga Mjeshtrat e Mëdhenj të Prioratit (Kuvendit) të Sionit, një shoqëri sekrete që e ka ruajtur gjatë gjithë kohës 'të vërtetën' në lidhje me identitetin e Maria Magdalenës si Kupa e Shenjtë. Për më tepër, na thuhet se Leonardo e kodoi këtë të fshehtë në njërën nga pikturat e tij më të famshme, Darka e fundit, që u përfundua në 1497.

Ka shumë probleme me këtë pretendim, pa marrë parasysh faktin se Priorati i Sionit as që ekzistonte në kohën e Leonardos. Ai u themelua në 1956, jo në 1099 siç pretendohet në libër, dhe lidhjet e tij me çdo gjë mesjetare dihet që janë fabrikime.

Detaj i Darkës së fundit

Por ç'mund të themi për pikturën e Leonardos Darka e fundit? Romani pretendon se figura e një djaloshi të ri pa mjekër në të djathtë të Jezuit në tavolinë në këtë pikturë nuk është, siç është supozuar gjithmonë, ajo e apostullit Gjon, por është vetë Maria Magdalena. Cilat janë faktet? E vërteta është se asnjë historian arti nuk ka sugjeruar ndonjëherë seriozisht se ajo figurë është ndonjë tjetër veç apostullit Gjon. Den Braun i vë shumë rëndësi pamjes së tij femërore, por kjo është e çuditshme vetëm për ata që nuk janë të njohur me artin e Rilindjes. Leonardo, dhe shumë piktorë të tjerë të Rilindjes, vazhdimisht i paraqitnin djemtë e rinj me një pamje mjaft femërore.

Patjetër, nëse figura është Maria Magdalena, atëherë pyesim cili nga apostujt mungon në darkën e fundit, sepse në tryezë janë vetëm trembëdhjetë figura bashkë me Jezuin – dhe Juda është qartazi njëri prej tyre; ai s'është larguar ende nga skena.

Për më tepër, në Venecia është skica origjinale e Darkës së fundit, dhe në skicë Leonardo e ka emërtuar këtë figurë si Gjoni apostulli. Edhe një kopje e fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë e emërton këtë figurë si Gjoni.

Dhe po qe se Leonardo kishte fshehur kuptime sekrete në pikturat e tij, çfarë vlere do të kishin ato? Është e vështirë ta konsiderosh Leonardon, që ka jetuar në shekullin e pesëmbëdhjetë, si udhërrëfyesin përfundimtar apo të besueshëm për ngjarje që kanë ndodhur në shekullin e parë! Për to duhet t'iu referohemi dokumenteve të kohës – të tilla si Dhiata e Re vetë.

Përfundime

Kodi i Da Vinçit pretendon të jetë i bazuar mbi fakte – por nuk është.

Ai e rishkruan dhe e keqinterpreton historinë e kishës dhe atë laike. Ai mbështetet në një punë të varfër studimore për të ngritur një sulm të pabazuar mbi Biblën. Ky libër është legjendë që e paraqet veten si histori – ai nuk është i besueshëm në asnjë mënyrë si informacion për origjinën e besimit të krishterë. Por lajmi i mirë është, në kundërshtim me pretendimet e Kodit të Da Vinçit, se ne mund t'iu besojmë të dhënave të Dhiatës së Re mbi jetën e Jezu Krishtit. Ato i qëndrojnë edhe analizës më kritike. Vazhdimisht fakte historike dhe dokumentare e kanë konfirmuar Dhiatën e Re dhe kanë lënë pa fjalë skeptikët.

Marrë nga:

http://www.jetestudentore.com/subindex.php?faqe=news/news&newsid=16

E vërteta historike prapa Kodit të Da Vinçit

[Redakto nëpërmjet kodit]

Çfarë është histori dhe çfarë është imagjinatë?

http://www.studentishqiptar.com/artikuj/davincit.html

Leke Mjeku 20 Qershor 2006 13:27 (UTC)