Harry Potter

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Logoja zyrtare e Harry Potter

Harry Potter është një seri e përbërë prej shtatë romanesh fantazi të shkruara nga autorja britanike, J. K. Rowling. Seritë, të emëruara pas personazhit kryesor, rrëfejnë aventurat e një magjistari të ri, të quajtur Harri Poter, dhe shokëve të tij, Ronald Uezli dhe Hermione Grenxhër, të cilët janë studentë në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë "Hoguorts". Historia flet për përballjen e Harrit me magjistarin e errët, Lordin Fluronvdekje, i cili ka për qëllim të bëhet i pavdekshëm, të pushtojë botën e magjisë, të nënshtrojë njerëzit jo-magjistarë (babanacët), dhe të shkatërrojë të gjithë ata që qëndrojnë në rrugën e tij.

Që prej nxjerrjes së romanit të parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, në 30 Qershor, 1997, librat kanë fituar një popullaritet të pamasë dhe kritika të shumta pozitive, duke u kthyer në një sukses komercial kudo në botë. Seritë kanë hasur gjithashtu në disa kritika negative, duke përfshirë shqetësimin për tonin e errët të përdorur në të shkruar. Vepra është përkthyer në 73 gjuhë të ndryshme dhe deri në qershor të 2013-tës janë shitur rreth 400 - 450 milion kopje, duke e kthyer sagën Harri Poter në një nga seritë e librave më të shitur në historinë botërore. Katër librat e fundit kanë vendosur rekordin për librat e shitur më shpejtë në histori, me një total prej 11 milion kopjesh të shitura në Sh.B.A vetëm në 24 orët e para që nga dalja ne treg.

Një seri e shumë zhanreve, duke përfshirë fantazinë, arritjes së moshës dhe tregimit të shkollës Britanike (me elementet e misterit, thrillerit, aventurave dhe romancës), Harri Poter ka shumë kuptime kulturore dhe referenca. Sipas Rowling, tema kryesore është vdekja. Gjithashtu trajtohen dhe tema të ndryshme, si paragjykimi dhe korrupsioni.

Seria u botua fillimisht në gjuhën angleze nga dy botues të mëdhenj si: Bloomsbury në Mbretërinë e Bashkuar dhe Scholastic Press në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Seria është e ndarë në shtatë libra, të gjitha më pas të kthyera në filma. Libri i shtatë është ndarë në dy pjesë për të realizuar gjithsej tetë filma nga Warner Bros Pictures, seria e filmave me fitimin më të madh në të gjitha kohërat, duke kushtuar me shumë se 15 miliard dollar në total.

Falë suksesit të librave dhe filmave , Harri Poter është tashmë dhe një park, The Wizarding World of Harry Potter (Bota e magjisë së Harri Poterit) në Universal Parks & Resorts' Islands of Adventure (Parkun Universal & Resortin e Ishujve të Aventurave).

Përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]

Logoja e Shkollës së Magjisë dhe Shtrigërisë "Hoguorts"

Romanet rrotullohen rreth Harri Poterit, një djalë jetim i cili në moshën 11 vjeçare zbulon se është magjistar teksa jetonte në botën e zakonshme të njerëzve jo-magjistarë, të quajtur babanacë. Aftësia e tij është e lindur dhe fëmijë të tille janë të ftuar të ndjekin një shkollë të veçantë magjie që i mëson aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në botën e magjistarëve. Harri bëhet një student i Shkollës së Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. dhe është pikërisht ky vendi ku marrin jetë ngjarjet e serisë. Ndërsa Harri përjeton adoleshencën e tij, mëson të kapërcejë problemet me të cilat përballet: magjike, sociale dhe emocionale, duke përfshirë sfida të zakonshme të adoleshenteve si miqësitë, pasionet dhe provimet, si dhe sfidën e madhe për të përgatitur veten për botën që e pret përpara.

Secili libër rrëfen një vit në jetën e Harrit duke u vendosur kryesisht në vitet 1991-1998. Librat përmbajnë shumë retrospektiva, të cilat janë herë pas here të përjetuara nga Harri duke parë kujtimet e personazheve të tjera në një objekt të quajtur "Mendimore".

Mjedisi i krijuar nga Rowling është sa i ndarë nga realiteti, aq edhe i lidhur ngushtë me të. Nëse toka imagjinare e Narnias është një univers alternativ, dhe Toka e Mesme e Kryezotit të Unazave, një e shkuar mistike, bota magjike e Harri Poter ekziston paralelisht me realitetin dhe përmban versione magjike të elementeve të zakonshëm të jetës së përditshme. Shumë nga institucionet dhe vendodhjet janë lehtësisht të dallueshme, si për shembull Londra. Vepra përmban një koleksion të fragmentuar të rrugëve të fshehta shumë pak të përdorura, pijetoreve të vjetra, çifligjeve të vetmuar dhe kështjellave të izoluara që mbeten të padukshme për popullsinë babanace.

Vitet e Para[redakto | redakto tekstin burimor]

Që në romanin e parë te sagës, Harry Potter dhe Guri Filozofal, është e dukshme që një ngjarje e rëndësishme për botën e magjistarëve ka ndodhur - një ngjarje kaq e madhe sa dhe babanacët vërejnë disa shenja të kësaj ndodhie. Ajo çfarë ka ndodhur, dhe se kush është Harri Poteri në të vërtetë, zbulohet në vazhdim të historisë. Pas kapitullit hyrës, libri flet shkurtimisht për jetën e Harrit përpara ditëlindjes së tij të njëmbëdhjetë, pikërisht kur fuqitë e tij magjike fillojnë të shfaqen.

Kontakti i parë i Harrit me botën e magjisë është përmes një gjysmë-katanaje, Rubeus Hagridit, rojtari i kopshteve dhe çelësave në Hoguorts. Hagridi i tregon Harrit një pjesë të historisë: një magjistar i errët, i etur për pushtet, Lordi Fluronvdekje, i ka vrarë prindërit dhe është përpjekur të vrasë dhe vetë Harrin. Por, për arsye të panjohura fillimisht, mallkimi me të cilën Fluronvdekja u përpoq të vrasë Harrin, iu kthye po atij mbrapsht. Harri shpëtoi vetëm me një vragë në formë rrufeje në ballë si kujtim dhe pas kësaj Fluronvdekja u zhduk. Duke qenë se i shpëtoi të gjithë nga sundimi i errët i Fluronvdekjes, Harri u bë shumë i famshëm në botën e magjistarëve. Sidoqoftë, nën urdhrat e magjistarit të madhit Albus Urtimor, Harri, tashmë një jetim, vendoset të banojë në një shtëpi me kushërinjtë e tij babanacë, Dërslit, të cilët e mbajnë të sigurt, por nuk e informojnë për fuqitë e tij magjike me shpresë që të rritej “normal”.

Guri Filozofal

Hagridi e prezanton Harrin me rrugicën më të njohur tregtare të botës magjike, Diagon Allin, ku Harry blen gjërat e nevojshme për të hyrë në Hoguorts. Që andej Harri merr një biletë për në Ekspresin e Hoguortsit, treni i cili i con studentët në shkollë. Harri takohet me shumicën e personazheve kryesorë dhe me dy miqtë e tij të ngushtë: Ron Uezlin gazmor i cili vjen nga një familje e vjetër, e varfër por e lumtur magjistarësh, dhe Hermionë Grenxher, një nxënëse e shkëlqyer me prejardhje babanace. Gjithashtu, Harri njihet me mësuesin e Shurupeve, Severus Pitoni i cili ka pakënaqësi të thellë për Harrin, dhe me mësuesin e Mbrojtjes kundër Arteve të Errëta, Ra Grepsin, i cili zbulohet më pas që kontrollohet nga Lordi Fluronvdekje. Subjekti mbyllet me përballjen e Harrit me Lordin Fluronvdekje i cili kërkon të fitojë fuqi e një jetë të pavdekshme me anë të Gurit Filozofal.

Saga vazhdon me Harry Potter dhe Dhoma e Sekreteve e cila përshkruan vitin e dytë të Harrit në Hoguorts. Ai dhe miqtë e tij hetojnë një mister 50-vjeçar i cili duket se lidhet ngushtë me ngjarjet e pazakonta që po ndodhin në shkollë. Motra e vogël e Ronit, Xhini Uezli, hyn në vit të parë ne Hoguorts, dhe gjen një libër të vjetër i cili në fakt është një ditar i Fluronvdekjes nga jeta e tij në shkollë. Xhini kontrollohet nga Lordi Fluronvdekje përmes këtij ditari dhe hap Dhomën e Sekreteve, duke çliruar kështu një përbindësh të lashtë që fillon të sulmojë studentët në Hoguorts. Romani tregon për historinë e Hoguortsit dhe një legjendë për një Dhomë Sekrete i tmerron të gjithë nxënësit në shkollë. Libri na njeh dhe me një mësues të ri të Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta, Xhilderoi Lokharti, një njeri gjithmonë i qeshur, mendjemadh, i cili sillet sikur i di të gjitha e në fund rezulton të jetë një mashtrues. Për herë të parë, Harri kupton se paragjykimet raciale kanë egzistuar dhe më parë në botën e magjisë dhe mëson se terrori i Fluronvdekjes shpeshherë u drejtohej magjistarëve me prejardhje babanace (gjakpërzierët). Harri gjithashtu mëson se aftësia e tij për të folur gjuhën e gjarpërinjve është e rrallë e shpesh herë e përdorur në Artet e Errëta. Romani përfundon me Harrin, që i shpëton jetën Xhinit duke vrarë një bazilisk dhe shkatërruar ditarin e magjepsur, i cili ishte dhe shkaktari i gjithë kësaj meseleje.

Sirius Bllek i venë në kërkim nga Ministria e Magjisë pas arratisjes nga Azkabani

Romani i tretë Harri Poter dhe i Burgosuri i Azkabanit vazhdon me jetën e Harrit në shkollën e magjisë. Është libri i vetëm që nuk ka si personazh Lordin Fluronvdekje. Në vend të tij, Harri duhet të mësohet me idenë se është duke u ndjekur nga Sirius Blek, një vrasës i shumë magjistarëve, i arratisur, i cili mendohet të ketë ndihmuar në vrasjen e prindërve të Harrit. Ndërkohë që Harri lufton me reagimin e tij ndaj Marrosësve - krijesa të errëta të cilat janë guardianët e Azkabanit dhe kanë aftësinë të thithin lumturinë, ai ndihmohet nga Remus Lupini, një mësues i Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta, i cili në vazhdim zbulohet të jetë një njeri-ujk. Lupini i mëson Harrit si të mbrohet nga Marrosësit, me anë të një Patronusi, magji shumë e përparuara e cila mësohet në klasat më të larta. Harri mëson se Lupini dhe Bleku kanë qenë shokë të ngushtë me babain e tij dhe se Bleku ishte vënë në kurth nga miku i tyre i katërt, Piter Pavleri.

Në këtë libër është theksuar një fakt i përsëritur në të gjithë sagën: në çdo libër ka një mësues të ri të Mbrojtjes kundër Arteve të Errëta, asnjëri prej të cilëve nuk zgjat më shumë se një vit shkollor.

Rikthimi i Fluronvdekjes[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjatë vitit të katërt të Harrit në shkollë, ngjarje të cilat trajtohen te Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit, Harri gjendet i regjistruar pa dëshirën e tij si pjesëmarrës në Turneun e Tre Magjistarëve, një konkurs i rrezikshëm ku Harri duhet të konkurrojë kundër Viktor Krumit, përfaqësuesit të Institutit Durmstrang, Flër Delakurit, përfaqësueses së Akademisë së Magjisë Bobaton dhe Sedrik Digorit, përfaqësuesit tjetër të Shkollës së Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. Harri ndihmohet gjatë turneut nga profesori i tyre i ri i Mbrojtjes kundër Arteve të Errëta, Alastor “Mësysh” Moody, i cili zbulohet se është një mashtrues – një nga mbështetësit e Fluronvdekjes, i quajtur Barti Krouç i Riu. Pika në të cilën misteri zgjidhet, shënon kalimin e kontekstit të serisë nga frika dhe dyshimi te konflikti i hapur. Plani i Fluronvdekjes që Krouç ta shfrytëzojë turneun për t’i dorëzuar atij Harrin del me sukses. Edhe pse Harri ia del që t’ia mbathë, Sedriku vritet nga Piter Pavleri dhe Fluronvdekja rikthehet në botën e magjisë me një trup fizik.

Logoja e Ministrisë së Magjisë së Anglisë

Në librin e pestë, Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit, Harri duhet të përballet me Fluronvdekjen i cili ka dalë rishtas në shesh. Si kundërpërgjigje ndaj rishfaqjes së Fluronvdekjes, Urtimori rimbledh Urdhrin e Feniksit, një shoqëri sekrete që funksionon nga shtëpia e familjes së Sirius Blek, për të mposhtur ithtarët e Fluronvdekjes të vetëquajtur hamortë dhe për të mbrojtur shënjestrat e tij, veçanërisht Harrin. Pavarësisht përshkrimit të Harrit rreth veprimtarisë më të fundit të Fluronvdekjes, Ministria e Magjisë dhe shumë të tjerë në botën e magjisë refuzojnë të besojnë se Fluronvdekja është rikthyer. Në një përpjekje për të kundërshtuar dhe për të njollosur emrin e Urtimorit, i cili së bashku me Harrin është personazhi më i njohur i botës së magjisë që përpiqet të paralajmërojë njerëzit mbi rikthimin e Fluronvdekjes, Ministria cakton Dolores Umbrixhin si Inkuizitore të Përgjithshme të Hoguortsit dhe si mësuesen e re të Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta. Ajo e transformon shkollën në një regjim diktatorial dhe refuzon të lejojë studentët që të mësojnë mënyra të mirëfillta të mbrojtjes ndaj magjisë së errët.

Ushtria e Urtimorit

Nisur nga sugjerimi i Ronit dhe Hermionës, Harri me hezitim formon Ushtrinë e Urtimorit, një grup sekret studentësh që synon t’u mësojë shokëve të tij të shkollës aftësi më të përparuara praktike në Mbrojtjen Kundër Arteve të Errëta, të cilat i ka fituar gjatë përballjeve të tij të mëparshme me magjistarë të errët. Një profeci e rëndësishme në lidhje me Harrin dhe Fluronvdekjen del në dritë dhe Harri zbulon se ai dhe Fluronvdekja kanë një lidhje e cila e lejon Harrin të shohë disa nga veprimet e Fluronvdekjes në mënyrë telepatike. Në pikën kulmore të veprës, Harri dhe shokët e tij përballen me hamortët e Fluronvdekjes në Ministrinë e Magjisë. Edhe pse mbërritja në kohë e anëtarëve të Urdhrit të Feniksit shpëton jetët e adoleshentëve, Sirius Blek mbetet i vrarë gjatë konfliktit.

Në romanin e gjashtë, Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier, Fluronvdekja fillon luftë të hapur. Harri dhe shokët e tij janë relativisht të mbrojtur nga ky rrezik në Hoguorts. Ata përjetojnë gjithë vështirësitë e adoleshencës: Harri rrjedhimisht fillon të dalë me Xhinin, Ronit i lind një fiksim i fortë për shoqen e tij Livanda Broun, nxënëse ne Hoguorts, dhe Hermiona fillon të pranojë ndjenjat e saj dashurore për Ronin. Pranë fillimit të veprës, Harrit i jepet një libër i vjetër shurupesh, i mbushur me shumë shënime dhe rekomandime dhe i nënshkruar nga një ish-pronar misterioz, i quajtur “Princi Gjakpërzier”. Ky libër është një burim suksesi shkollor dhe vlerësimi të madh nga mësuesi i tyre i ri i shurupeve, Horas Brikërmilli, por prej fuqisë së magjive të shënuara në të, libri kthehet në një burim shqetësimesh. Harri merr mësime private me Urtimorin, i cili i tregon atij kujtime të ndryshme që i përkasin jetës së hershme të Fluronvdekjes në një objekt të quajtur Mendimore. Këto tregojnë se Fluronvdekja, për të ruajtur jetën e tij, e ka ndarë shpirtin në disa pjesë, duke krijuar një sërë horkruksesh, që janë objekte apo qenie të gjalla të fshehura në vende të ndryshme, tek te cilat është fshehur një pjesë e shpirtit të një personi, një prej të cilave ishte dhe ditari i shkatërruar në librin e dytë. Kundërshtari snobist i Harrit, Drako Mallfoi, përpiqet të sulmojë Urtimorin dhe libri arrin pikën kulmore me vrasjen e Urtimorit nga profesor Pitoni, Princi Gjakpërzier dora vetë.

Kadmus, Antiok dhe Ignotus Peverell duke mbajtur tre Dhuratat e Vdekjes

Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, libri i fundit i sagës, zë fill menjëherë pas ngjarjeve të romanit të gjashtë. Fluronvdekja, i cili ka përfunduar ringritjen e tij në fuqi, fiton kontroll mbi Ministrinë e Magjisë. Harri, Roni dhe Hermiona lënë shkollën që të mund të gjejnë dhe të shkatërrojnë horkrukset e mbetura të Fluronvdekjes. Për të garantuar sigurinë e vetes, familjarëve dhe miqve të tyre, ata detyrohen të vetizolohen. Duke kërkuar për horkrukset, treshja zbulon detaje mbi të shkuarën e Urtimorit, si dhe motivet e vërteta të Pitonit i cili punonte nën urdhrat e Urtimorit që pas vrasjes së mamasë së Harrit. Pjesë integrale e strumbullarit të shtatë janë Dhuratat e Vdekjes, të cilat i japin dhe emrin romanit – tri objekte me fuqi të jashtëzakonshme magjike, në kërkim të të cilave vihet dhe treshja. Këto objekte, përkatësisht Guri i Ringjalljes, Shkopi prej Shtogu dhe Manteli i Padukshmërisë, u ishin dhuruar tri vëllezërve Peverell nga Vdekja shumë shekuj më parë, dhe historia e tyre qe venitur ndër vite. Fluronvdekja i qe vënë pas vetëm Shkopit prej Shtogu dhe duke ndjekur rrjedhën e historisë, zbulon se ai ka kaluar nga duart e Gregoroviçit, te Grindelvaldi e më pas te Urtimori. Gurin e Ringjalljes, Fluronvdekja e kishte kthyer pa dashje në horkruks, ndërsa Mantelin e Padukshmërisë e kishte trashëguar Harri, i cili rridhte prej vëllait të tretë Peverell.

Pjesë nga Beteja e Hoguorts

Romani kulmon me Betejën e Hoguortsit. Harri, Roni dhe Hermiona, së bashku me anëtarë të tjerë të Urdhrit të Feniksit dhe shumë prej mësuesve dhe nxënësve, mbrojnë Hoguortsin nga Fluronvdekja, hamortët e tij dhe një sërë krijesash të rrezikshme magjike, si marrosësit apo katanatë të cilët kanë shpallur aleancën e tyre me Fluronvdekjen. Disa personazhe kryesore vriten gjatë valës së parë të betejës, përfshirë Remus Lupinin dhe Fred Uezlin. Pasi mëson se është vetë një horkruks, Harri i dorëzohet në Pyllin e Ndaluar Fluronvdekjes, i cili lëshon mbi Harrin një mallkim vrasës. Megjithatë, mbrojtësit e Hoguortsit nuk dorëzohen pasi e mësojnë këtë, por vazhdojnë të luftojnë të udhëhequr tashmë nga Nevil Longbotomi, i cili shkatërron horkruksin e fundit të Fluronvdekjes, gjarprin e tij, Nagini. Si ia ka dalë të kthehet prej botës së të vdekurve, Harri më në fund përballet me Fluronvdekjen, të cilit i janë shkatërruar të gjitha horkrukset. Harri i rrëfen kundërshtarit të tij se kur kishte mësyrë varrin e Urtimorit për të marrë Shkopin prej Shtogu dhe më pas kishte vrarë Pitonin në Kasollen Ulëritëse, nuk kishte marrë parasysh faktin që ishte Drako Mallfoi ai që kishte çarmatosur i pari Urtimorin dhe Harri e kishte çarmatosur Mallfoin para pak javësh në shtëpinë e tij. Në betejën që vijon, mallkimi vrasës i Fluronvdekjes kthehet mbrapsht nga shortia e Harrit dhe e vret (Shkopi prej Shtogu nuk mund të vriste pronarin e vërtetë të tij, Harrin), duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë magjistarit më famëkeq të të gjitha kohërave.

Një epilog më pas përshkruan jetët e personazheve mbijetuese dhe ndikimin që pati mposhtja e Fluronvdekjes në botën e magjisë.

Punët Plotësuese[redakto | redakto tekstin burimor]

Fantastic Beasts and Where to Find Them, The Tales of Beedle the Bard dhe Quidditch Through the Ages

Rowling e ka zgjeruar universin e "Harry Potter" me disa libra të shkurtër të prodhuar për bamirësi të ndryshme. Në 2001-shin ajo nxorri Fantastic Beasts and Where to Find Them (Kafshët fantastike: Ku mund të gjenden, një libër shkollor i Hoguorts) dhe Quidditch Through the Ages (Kuidiç gjatë viteve, një libër që Harri e lexon për argëtim). Të ardhurat nga shitja e këtyre dy librave u erdhën në ndihmë organizatës bamirëse Comic Relief. Në 2007, Rowling krijoi shtatë kopje të shkruara me dorë të The Tales of Beedle the Bard (Përrallat e Bardi Bibëllit), një koleksion përrallash që shfaqet në romanin e fundit Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, njëri prej të cilëve u shit në ankand për të mbledhur para për Children's High Level Group, një organizatë për fëmijët me çrregullime mendore në vendet e varfra. Libri u publikua në të gjithë botën më 4 Dhjetor 2008. Rowling gjithashtu shkroi një parathënie prej 800 fjalësh në 2008 si pjesë e një mbledhjeje fondesh të organizuar nga shtëpia botuese Waterstones. Të tre këto libra përmbajnë informacion plotësuese për botën magjike të cilat nuk shfaqen në librat origjinalë.

Logoja e Pottermore

Në 2011, Rowling krijoi një faqe interneti duke shpallur një projekt të ri të quajtur Pottermore. Pottermore u hap për publikun e gjerë në 14 Prill, 2012. Pottermore lejon përdoruesit të ndahen nëpër shtëpi, të zgjidhen nga shkopi i tyre magjik dhe të luajnë lojëra të vogla të ndryshme. Gjithsesi, qëllimi kryesor I kësaj faqeje është të lejojë përdoruesit të ndjekin rrjedhën e historisë me qasje në histori të pazbuluara nga JK Rowling më parë, me një përmbajtje shtesë prej rreth 18.000 fjalësh.

Struktura dhe Zhanri[redakto | redakto tekstin burimor]

Romanet e Harry Potter u përkasin gjinisë së fantazisë në letërsisë por megjithatë, ato janë gjithashtu edhe romane të rritjes në moshë, dhe përmbajnë elemente të misterit, aventurës, thrillerit dhe romancës. Ato mund të konsiderohen pjesë e gjinisë së kolegjeve britanikë për fëmijë, e cila përfshin Stalky & Co. e Rudyard Kipling, Malory Towers, St. Clare's dhe saga Naughtiest Girl nga Enid Blyton dhe romanet Billy Bunter nga Frank Richards. Në librat e Harry Potter ngjarjet kryesisht ndodhin në Hoguorts, një kolegj i trilluar britanik për magjistarë dhe shtriga, ku kurrikula përfshin përdorimin e magjisë. Në këtë pikëpamje, ato kanë të njëjtën prejardhje nga libri Tom Brown's School Days i Thomas Hughes si dhe nga romanet e shkollave publike britanike në epoken Viktoriane dhe atë të Eduardit. Sipas fjalëve të Stephen King ato janë gjithashtu “tregime të mistershme mendjemprehta” dhe çdo libër është ndërtuar në një stil aventure dhe misteri si Sherlock Holmes. Historia thuhet në vetën e tretë me një pikëpamje të limituar, por me disa përjashtime të pakta zakonisht tek kapitujt hapës të librave.

Tematika[redakto | redakto tekstin burimor]

J.K. Rowling

Sipas Rowling, tema kryesore e serisë është vdekja:

"Librat e mi trajtojnë gjerësisht vdekjen. Ata hapen me vdekjen e prindërve të Harrit. Aty kemi dhe maninë e Fluronvdekjes për të mposhtur vdekjen dhe kërkimin e tij për përjetësinë pavarësisht çmimit që mund t’i duhet të paguajë. Përjetësia është qëllimi i kujtdo që ka të bëjë me magjinë. Unë e kuptoj shume mire pse Fluronvdekja kërkon të mposhtë vdekjen. Ne të gjithë jemi të frikësuar prej saj."

Akademikët dhe gazetarët kanë zhvilluar shumë interpretime të tjera për temat e trajtuara në libra, disa më komplekse se të tjerat dhe disa duke përfshirë edhe nëntekste politike. Tema të tilla si normaliteti, tirania, mbijetesa, dhe tejkalimi i pengesave të mëdha, janë të përhapura përgjatë serisë. Në mënyrë të ngjashme, tema e moshës së adoleshencës dhe "kalimi i momenteve pikëlluese, dhe pranimi i tyre", janë marrë gjithashtu parasysh. Rowling ka deklaruar se librat përmbajnë "nje argumentim të tejzgjatur për tolerancën; një lutje te tejzgjatur për zhdukjen e fanatizmit," dhe se ata gjithashtu përçojnë një mesazh që "vë në dyshim autoritetin dhe... mos të supozohet se institucionet apo shtypi tregojnë gjithë të vërtetën."

Megjithëse mund të thuhet se librat përfshijnë shumë tema të tjera, të tilla si pushteti/abuzimi me pushtetin, dashuria, paragjykimi, dhe e drejta e zgjedhjes, ato janë, siç deklaron Rowling, "te ngulitura thellë në tërësinë e subjektit;" shkrimtarja parapëlqen që temat "të rriten vetvetiu," në vend që të ulet dhe të mundohet të krijoi në mënyrë të vetëdijshme ide për t'i dhënë lexuesit. Në të njëjtën linjë shfaqet edhe e kudo-ndodhura temë e adoleshencës, në paraqitjen e së cilës Rowling qëllimisht ka vënë në dukje seksualitetin e personazheve të saj, duke mos e lënë Harrin, siç thotë ajo, "të mbërthyer në një gjendje të përhershme para-puberteti." Rowling thotë që për të, domethënia morale e tregimeve është "verbërisht e qartë." Çelësi për të është zgjedhja midis të drejtës dhe të thjeshtës, "sepse në këtë mënyre... fillon tirania, me njerëz që janë të plogësht, që zgjedhin gjithmonë rrugëdaljen e thjeshtë, dhe që papritur e gjejnë veten ne telashe të thella."

Origjina dhe Historia e Publikimit[redakto | redakto tekstin burimor]

The Elephant House, kafeneja ku Rowling nisi të shkruante Harry Potter

Në vitin 1990, Rowling ndodhej në një tren të tejmbushur, që udhëtonte nga Mançesteri për në Londër, kur papritmas i erdhi ndërmend ideja për Harrin. Rowling tregon eksperiencën në faqen e saj personale të internetit duke e përshkruar me këto fjalë:

“Unë kisha shkruar thuajse vazhdimisht që nga mosha gjashtëvjeçare por asnjëherë nuk kisha qenë kaq e ngacmuar nga një ide më parë. Thjesht u ula dhe mendova për katër orë teksa treni ishte vonuar, dhe të gjitha detajet më erdhën në kokë dhe imazhi i djalit të thatë, me flokë të zinj që mbante syze e që nuk e dinte që ishte një magjistar u bë gjithmonë e më real për mua.”

Rowling përfundoi Harry Potter dhe Guri Filozofal në 1995 dhe dorëshkrimi iu dërgua disa agjentëve letrarë të mundshëm. Agjenti i dytë që ajo provoi, Christopher Little, u ofrua ta përfaqësonte atë dhe ia dërgoi dorëshkrimin Bloomsbury-t. Pasi ishte refuzuar nga tetë shtëpi të tjera botuese, Bloomsbury i ofroi Rowling 2500 paund si parapagesë për publikimin e librit. Pavarësisht nga deklarata e Rowling se ajo nuk kishte pasur ndonjë grupmoshë të caktuar në mendje kur filloi të shkruante librat e serisë Harry Potter, botuesit fillimisht patën si shënjestër fëmijët e moshës nga 9 në 11 vjeç. Në prag të publikimit, Rowling-ut iu kërkua nga botuesit e saj të adoptonte një emër më asnjëanës përsa i përkiste gjinisë si përpjekje për të tërhequr më tepër individët meshkuj të kësaj grupmoshe, pasi vetë botuesit i druheshin faktit se ata nuk do të ishin të interesuar të lexonin një roman që e dinin se ishte shkruar nga një femër. Ajo zgjodhi të përdorte emrin J.K.Rowling ( Joanne Kathleen Rowling ), duke përdorur kështu emrin e gjyshes si emrin e saj të dytë meqë nuk kishte një të tillë.

Harry Potter dhe Guri Filozofal u botua nga Bloomsbury, botuesi i të gjitha librave të serisë Harry Potter në Britaninë e Madhe, në 30 qershor 1997. Në Shtetet e Bashkuara u publikua në 1 shtator 1998 nga Scholastic – shtëpia botuese e librave të serisë në Amerikë – si Harry Potter dhe Guri i Magjistarit, pasi Rowling kishte përfituar 105000 dollarë amerikanë për të drejtat amerikane të publikimit – një shifër kjo e padëgjuar për një libër për fëmijë nga një autore e panjohur në atë kohë. Duke u druajtur se lexuesit amerikanë nuk do ta lidhnin termin “filozofal” me një temë magjike ( edhe pse Guri Filozofal lidhet me alkiminë ) , Scholastic këmbënguli që librit t’i vihej titulli Harry Potter dhe Guri i Magjistarit për tregun amerikan.

Libri i dytë, Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave u botua fillimisht në Britaninë e Madhe në 2 korrik 1998 dhe Shtetet e Bashkuara në 2 qershor 1999. Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit u botua një vit më vonë në Britaninë e Madhe në 8 korrik 1999 dhe në ShBA në 8 shtator 1999. "Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit" u botua në 8 korrik 2000 njëkohësisht nga Bloomsbury dhe Scholastic. "Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit" është libri më i gjatë i serisë me plot 766 faqe në versionin britanik dhe 870 faqe në versionin amerikan. U botua në mbarë globin në 21 qershor 2003. "Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier" u botua në 16 korrik 2005 dhe shiti 9 milionë kopje që në 24 orët e para të publikimit. Libri i shtatë dhe i fundit, "Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes", u botua në 21 korrik 2007. Libri shiti 11 milionë kopje në 24 orët e para të publikimit, përkatësisht 2.7 milionë kopje në Britaninë e Madhe dhe 8.3 milionë në ShBA.

Përkthimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Të shtatë librat e Harry Potter në shqip, përkthyer nga Amik Kasoruho

Të shtata vëllimet janë përkthyer në 67 gjuhë të botës, duke bëre që Rowling të jetë ndër autorët, veprat e të cilëve janë përkthyer në më shumë gjuhë në histori. Përkthimet perfshijnë gjuhë të ndryshme si azerbaixhanisht, ukrainisht, arabisht, urdu, hindi, bengalisht, uellsisht, afrikaans, shqip, letonisht dhe vietnamisht. Vëllimi i parë është përkthyer në latinisht madje edhe në greqishten e vjetër, duke e berë atë, veprën më të gjatë që është përkthyer ndonjëherë në greqishten e vjetër që nga koha e përkthimit të novelave të Heliodorusit të Emesës, në shekullin e tretë pas Krishtit.

Për arsye fshehtësie, përkthimi mund të bëhet vetëm kur librat janë të botuara në Anglisht; kështu që ka një vonesë prej disa muajsh para se përkthimet të jenë të disponueshme. Kjo ka çuar në blerjen e shumë kopjeve te varianteve angleze nga admirues "të paduruar" në vendet jo-anglishtfolëse. E tillë qe ankesa për të lexuar librin e pestë, versioni anglez i te cilit u bë i pari libër në gjuhën angleze që renditej i pari në listën e best-sellerave në Francë. Versionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përshtatur në gjuhën amerikane (pak më e ndryshme nga ajo britanike), për t'i bërë ato më të kuptueshme për audiencën rinore amerikane.

Plotësimi i Serisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Në dhjetor të 2005, Rowling deklaroi në faqen e saj të internetit:

"2006 do jetë viti që do shkruaj librin e fundit të sagës së Harry Potter."

Hotel Balmoral, ku Rowling përfundoi së shkruari Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes

Përditësimet pastaj vazhduan në ditarin e saj online duke treguar hap pas hapi progresin për Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, dhe përfunduan me botimin e tij në 21 korrik 2007. Vetë libri u përfundua në 11 Janar 2007 në hotel Balmoral, Edinburgh, ku ajo la një mesazh në pjesën e pasme të një busti të Hermesit. Aty shkruhej:

"J.K.Rowling mbaroi së shkruari Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes në këtë dhomë (552) në 11 Janar 2007.”

Vetë Rowling ka deklaruar se kapitulli i fundit i librit të fundit (epilogu në fakt) u përfundua "pak a shume në 1990” Në qershor të 2006, Rowling, gjatë një paraqitjeje në spektaklin televiziv Richards & Judy, deklaroi se ky kapitull ishte modifikuar meqenëse një personazh, që ishte destinuar për të vdekur, kishte vazhduar “të mbetej pjesë e historisë", ndërkohë që dy të tjerë që duhet të kishin mbetur gjallë, në fakt kishin vdekur. Ne 28 Mars 2007, u zyrtarizuan kopertinat e shtëpive botuese Bloomsbury (për fëmije dhe të rritur)dhe Scholastic.

Në shtator të 2012, Rowling përmendi në një intervistë që ajo mund të kthehej të bënte një redaktim shkurtues të 2 prej librave ekzistues të Harry Potter.

Arritjet[redakto | redakto tekstin burimor]

Impakti Kulturor[redakto | redakto tekstin burimor]

Tabela "Platforma 9¾" në Stacionin Hekurudhor të Londrës "King Cross"

Fansat e serisë qenë aq entuziastë e të paduruar për të shtënë në dorë serinë e radhës, saqë libraritë anembanë botës filluan të organizonin evente që përputheshin me mesnatën e daljes në treg të librave, duke filluar me botimin e Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit në vitin 2000. Këto evente, që zakonisht përfshinin imitime të ndarjes nëpër shtëpi, lojëra, pikturim fytyrash dhe lloje të tjera të argëtimit live, arritën nivel të lartë popullariteti mes fansave dhe qenë shumë të suksesshme në tërheqjen e publikut e shitjen e librave, aq sa thuajse 9 prej 10,8 milionë kopjeve të para të librit Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier u blenë brenda 24 orëve të para. Libri i fundit i serisë, Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, është libri i shitur më shpejt në histori, me 11 milionë kopje të blera në 24 orët e para. Seria ka tërhequr edhe fansa të rritur, duke bërë që çdo vëllim i Harry Potter të dalë në treg me dy botime, me tekste të njëjta, por me grafika të ndryshme të kopertinës: një për fëmijët dhe një për të rriturit.

Fjala Muggle (babanac/e) është përhapur përtej origjinës së saj te Harry Potter, duke u bërë një nga të paktat fjalë të kulturës popullore që i janë shtuar Fjalorit të Anglishtes të Oksfordit. Fansat e Harry Potter kanë përqafuar podkastet si një mënyrë e rregullt, shpeshherë javore, e qëndrimit në korrent me diskutimet më të fundit në komunitet. Edhe MuggleCast, edhe PotterCast kanë arritur majat e renditjes së podkasteve në iTunes dhe nga anketat kanë rezultuar ndër 50 podkastet më të parapëlqyera.

Suksesi Tregtar[redakto | redakto tekstin burimor]

Rradha jashtë një dyqani librash në mesnatë për daljen në treg të Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier

Popullariteti i serisë Harry Potter është përkthyer në një sukses të konsiderueshëm financiar për Rowling, botuesit e saj, dhe mbajtësit e të drejtave të tjera të lidhura me Harry Potter. Ky sukses e ka bërë Rowling autoren e parë dhe të vetme miliardere deri më sot. Librat janë shitur në më shumë se 400 milion kopje në mbarë botën dhe kanë ndihur popullaritetin e përshtatjeve e tyre në filma shumë të suksesshëm nga Warner Bros., Më tej, në bazë të filmave, janë prodhuar tetë videolojra dhe janë licencuar mbi 400 produkte të tjera Harry Potter (përfshirë një iPod). Marka Harry Potter është përllogaritur të vlejë rreth 15 miliardë dollarë.

Kërkesa e madhe për librat Harry Potter motivoi New York Times të krijonte një listë të veçantë të librave më të shitur në letërsinë për fëmijë në vitin 2000, pikërisht para daljes në treg të Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit. Më 24 qershor 2000, romanet e Rowling kishin qenë në listë për 79 javë rresht; tri romanet e para ishin vetë në listën e librave më të shitur me kapak kartoni. Më 12 prill 2007, Barnes & Noble deklaroi se Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes kishin thyer rekordin e tyre të porosive, me mbi 500000 kopje të porositura nëpërmjet faqes së tyre të internetit. Për daljen në treg të Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit u përdorën 9000 maune, të prenotuara vetëm për to, FedEx. Amazon.com dhe Barnes & Noble shitën së bashku mbi 700000 kopje me porosi. Në ShBA, tirazhi i printimit të parë ishte 3,8 milionë kopje. Ky rekord statistikor u thye nga Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit, me 8,5 milionë, i cili po ashtu u tejkalua nga Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier me 10,8 milionë kopje. 6,9 milionë kopje të Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier u shitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda 24 orëve të para të daljes në treg, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, mbi 2 milionë. Tirazhi fillestar i Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes në ShBA ishte 12 milionë kopje, prej të cilave mbi 1 milionë ishin porositur nëpërmjet Amazon dhe Barnes & Noble.

Çmime, Nderime dhe Vlerësime[redakto | redakto tekstin burimor]

Rowling fiton çmimin "Libri Britanik i Vitit" për Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier në 2006

Seria Harry Potter ka qenë fituesja e një sërë çmimesh që prej publikimit të parë të Harry Potter dhe Guri Filozofik, duke përfshirë katër Çmime Libri Whitaker Platinum (të gjitha të dhëna në 2001), tre Çmime Libri Nestlé Smarties (1997–1999), dy Çmime Libri të Këshillit të Artit Skocez (1999 and 2001), çmimin inaugurues për librin e vitit për fëmijë Whitbread (1999), çmimin libri i vitit sipas WHSmith (2006), midis te tjerash. Në 2000, Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit u nominua për Çmimin Hugo për Novelën më të Mirë, ndërsa në 2001, Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit e fitoi këtë çmim. Nderimet përfshijnë lavdërimin me Medaljen Carnegie (1997), një përfshirje te shkurtër në Çmimet Guardian Children's (1998), dhe përfshirje të panumërta ne lista librash të shquar si, Editors' Choices, lista e librave më të mirë sipas American Library Association, The New York Times, Chicago Public Library, dhe Publishers Weekly.

Në 2004, një studim tregoi se librat e serisë zakonisht lexoheshin me zë në disa shkolla fillore ne qarkun e San Diego-s, California. Bazuar në një sondazh të 2007 në internet, Shoqata e Edukimit Kombëtar (N. E. A.) në ShBA e përfshinte serinë ne “100 Librat më të Mirë për Fëmijë sipas Mësuesve.” Tre prej librave (Guri Filozofik, I Burgosuri i Azkabanit, dhe Kupa e Zjarrit) ishin pjesë e “100 Librat më të Mirë me Kapituj” të të gjitha kohërave, bazuar në një sondazh të School Library Journal.

Pritja në publik[redakto | redakto tekstin burimor]

Kritika letrare[redakto | redakto tekstin burimor]

Në fillimet e veta, Harry Potter mori vlerësime pozitive. Menjëherë pas botimit, vëllimi i parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, tërhoqi vëmendjen e gazetave skoceze, si The Scotsman, e cila u shpreh se kishte “të gjithë përbërësit e një klasiku”, dhe The Glasgow Herald, që e quajti “gjë magjike”. Shpejt me to u bashkuan dhe gazetat angleze, prej të cilave disa e krahasuan me veprat e Roald Dahl: The Mail on Sunday e vlerësoi si “debutimi më imagjinar që prej Roald Dahl”, në jehonën e të cilit u shpreh dhe The Sunday Times (“krahasimet me Dahl, këtë herë, janë të justifikuara”), ndërsa The Guardian e quajti “një roman me motive të larmishme që merr krahë nga një mençuri shpikëse”.

Me daljen në treg të vëllimit të pestë, Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit, librat filluan të merrnin kritika të forta nga një numër i madh shkollarësh të letërsisë. Profesori i Yale, shkollari i letërsisë dhe kritiku Harold Bloom, kritikoi meritat letrare të librave, duke u shprehur se “mendja e Rowling është aq e qeverisur nga klishetë dhe metaforat e vdekura, saqë ajo nuk ka stil tjetër të shkruari”. A. S. Byatt shkroi një koment në faqen përbri editorialit të New York Times, ku e quante gjithësinë e Rowling një “botë dytësore, e përbërë nga motive të arnuara zgjuarsisht, të prejardhura nga shumë lloje të letërsisë për fëmijë ... e shkruar për njerëz, jeta imagjinare e së cilëve është e kufizuar deri te filmat e animuar të televizionit dhe reflektimet e ekzagjeruara (më emocionuese, jo më kërcënuese) të botës së telenovelave, realitetit televiziv e thashethemeve për njerëzit e famshëm”.

Michael Rosen, novelist dhe poet, mbroi tezën se librat nuk qenë të përshtatshëm për fëmijët, të cilët do të qenë të paaftë për të kuptuar e temat e ndërlikuara. Rosen gjithashtu u shpreh se “J. K. Rowling është më së shumti një shkrimtare për të rritur”. Kritiku Anthony Holden shkroi te The Observer mbi eksperiencën e tij në gjykimin e Harry Potter për Çmimet Whitbread të vitit 1999. Vlerësimi i tij i përgjithshëm për serinë ishte negativ: “saga Potter ishte në thelb patronizuese, konservative, shumë e prejardhur, dëshpërimisht nostalgjike për një Britani të së kaluarës”, dhe përmend “stilin këmbësor, jogramatik të prozës”. Ursula K. Le Guin tha:

“Nuk kam mendime shumë të mira për të. Kur një numër i madh kritikësh të veprave për të rritur po flisnin për ‘origjinalitetin e pabesueshëm’ të librit të parë Harry Potter, e lexova për të kuptuar përse po bëhej gjithë ajo bujë, dhe mbeta disi e habitur; dukej si një kryqëzim i fantazisë me ngjyra të gjallëruara të një fëmije me një ‘roman shkollor’, një vepër e mirë për grupmoshën e tij, por stilistikisht i rëndomtë, i prejardhur nga ana imagjinare, dhe shpirtvogël nga ana etike”.

Nga ana tjetër, autorja Fay Weldon, duke pranuar se seria “nuk është çka poetët shpresonin”, gjithsesi shprehet më tej: “por kjo nuk është poezi, është prozë e vlefshme, e përditshme, e shitshme, e lexueshme”. Kritiku letrar A. N. Wilson e lëvdoi serinë Harry Potter te The Times, duke thënë:

“Nuk ka shumë shkrimtarë të cilët të kenë aftësinë dikensiane të JK për të na bërë të kthejmë faqet, të vajtojmë – haptas, me lotët gufues – dhe disa faqe më tej të qeshim me shakatë gjithmonë të mira ... Ne kemi jetuar një dekadë në të cilën kemi parë botimin e historive për fëmijë më të gjalla, më qesharake, më të frikshme dhe më prekëse të shkruara ndonjëherë”.

Charles Taylor, i Salon.com, i cili është kryesisht kritik filmash, iu kundërpërgjigj kritikave në veçanti të Byatt. Ndërsa pranoi se ajo mund të ketë “një argument – të vogël – që qëndron, rreth impulseve që na çojnë drejt pranimit të mbeturinave të kulturës popullore dhe larg kompleksiteteve shqetësuese të artit”, ai refuzoi pretendimet e saj se serisë i mungon merita serioze letrare dhe se ia detyron suksesin asgjëje më tepër se mendjefjetjeve të fëmijërisë që ofron”. Taylor vuri theksin te toni gjithmonë e më i errët i librave, nxjerrë në pah nga vrasja e një shoku shkolle dhe miku të afërt dhe plagët psikologjike e izolimin shoqëror që shkakton çdo goditje e tillë. Taylor gjithashtu argumentoi se Guri Filozofal, i cili shihet si më gazmori prej të shtatë librave të botuar, cënon mendjefjetjet e fëmijërisë të cilat, sipas Byatt, i japin shtyse suksesit të serisë: për shembull, libri hapet me lajmet e një vrasjeje të dyfishtë.

Stephen King e quajti serinë “një vepër për të cilën vetëm një imagjinatë superiore është e aftë”, dhe e deklaroi “sensin e humorit të Rowling, me lojëra fjalësh dhe ‘me një vetull ngritur’” si “të lavdërueshëm”. Megjithatë, ai shkroi se megjithëse historia ishte “një histori e mirë”, ai ishte “disi i lodhur nga të gjendurit e Harrit në shtëpi me tezen dhe xhaxhain e tij të tmerrshëm”, fillim shabllon i të shtatë librave. King po ashtu bëri shaka se “Rowling nuk ka hasur kurrë një ndajfolje që nuk i ka pëlqyer”. Ai gjithsesi parashikon se

“Harry Potter do ta kalojë me të vërtetë testin e kohës dhe do të përfundojë në një raft ku mbahen vetëm më të mirët; mendoj se Harri do të zërë vendin e tij mes Lizës, Hakut, Frodos dhe Dorotit, dhe kjo është një seri jo vetëm për dekadën, por për epokat”.

Impakti Shoqëror[redakto | redakto tekstin burimor]

Festë ditëlindjeje me tematikë nga Harry Potter

Edhe pse revista Time i dha Rowling vendin e dyte për çmimin Personi i Vitit te 2007, duke vënë në pah frymëzimin shoqëror, moral dhe politik që ajo i ka dhëne librave të saj, komentet kulturore mbi serinë kane qenë të ndryshme. Kritiku letrar i Washington Post, Ron Charles komentoi në Korrik të 2007, që numri i madh i të rriturve që lexonin seritë Harry Potter, por pak libra të tjerë, mund te ishte tregues i një “rasti të keq të një infantilizmi kulturor”, dhe që tema e drejtpërdrejte e serisë, “e mira kundër të keqes”, është fëminore. Ai gjithashtu komentoi se “jo për shkak të Rowling”, “histeria” kulturore dhe e marketingut e shënjuar nga publikimi i librave të mëvonshëm, “I mëson fëmijët dhe te rriturit te presin buçimën e arenës se Koloseumit, një eksperience masive e cila nuk mundet kurrsesi te sigurohet nga ndonje roman tjetër”.

Librarja Nancy Knapp, vuri në dukje potencialin e librave për të përmirësuar letërsinë duke i nxitur fëmijët të lexojnë më shumë se sa do të lexonin zakonisht. Po ashtu duke rënë dakord në lidhje me efektet motivuese, Diane Penrod gjithashtu lavdëroi përzierjen e argëtimit të thjeshtë me “cilësitë e një letërsie fantastike intelektuale” të librit, por shprehu shqetësimin në lidhje me efektet e komercializimit që shoqëron publikimin e librave.

Jennifer Conn dha si shembuj metodat e mësimdhënies të Pitonit dhe trajneres së Kuidiçit, Madam Huk, për të treguar se çfarë duhet shmangur dhe çfarë duhet huazuar në mësimdhënie, kurse Joyce Fields shkroi që librat ilustronin katër nga pesë temat kryesore në një klase tipike të vitit të parë të sociologjisë: “konceptet sociologjike që përfshijnë kulturën, shoqërinë dhe socializimin; shtresimin dhe pabarazinë shoqërore; institucionet shoqërore dhe teorinë shoqërore”.

Fansa të veshur me uniformat e Hoguorts

Jenny Sawyer shkroi në Christian Science Monitor ne 25 Korrik 2007, se librat perfaqësojnë një “trend shqetësues në tregimet komerciale dhe shoqërinë perëndimore”, në kuptimin që “qendra e moralit të historive është zhdukur thuajse e gjitha prej kulturës së sotme… pas 10 vitesh, 4195 faqesh dhe mbi 375 milion kopjesh të shitura, arritjes madhështore të Rowling i mungon guri kyç i pothuajse të gjithë letërsisë për fëmije”. Sawyer argumenton që Harry Potter as nuk përballet me ndonjë “dilemë morale” e as nuk kalon një rritje në etikë, dhe si pasoje “nuk është një udhëheqës në rrethanat kur e drejta dhe e gabuara nuk janë më shumë se e bardha dhe e zeza”. Nga ana tjetër, Emily Griesinger e përshkroi kalimin e parë të Harrit përmes platformës 9¾ si nje zbatim të besimit dhe shpresës, dhe përballja e tij me Kapelën Përzgjedhëse, si një nga rastet e shumta kur Harri formohet nga zgjedhjet që ai bën. Ajo gjithashtu vë në dukje “magjinë e thellë” me anë të së cilës, vetsakrifikimi i mamasë së Harrit e mbron atë përgjatë serive dhe të cilën Fluronvdekja, i etur për pushtet ,nuk arrin ta kuptojë.

Në një artikull të Slate të 8 Nëntorit 2002, Chris Suellentrop e cilësoi Harri Poterin si “një fëmije të besueshëm, suksesi i të cilit në shkollë vjen falë dhuratave bujare të shokëve dhe të afërmeve të tij”. Duke vënë në dukje faktin që në librat e Rowling, fuqia magjike është “diçka me te cilën lind, dhe jo diçka që mund të arrihet”, Sullentrop shkroi që thënia e Urtimorit “Janë zgjedhjet tona ato që tregojnë se kush jemi ne në të vërtete, më shumë se aftësitë tona” është hipokrite, pasi shkolla që Urtimor drejton, vlerëson aftësitë e lindura mbi të gjitha. Megjithate, në një rishqyrtim të Dhuratave të Vdekjes të datës 12 Gusht 2007, me New York Times, Christopher Hitchens lavdëroi Rowling për “shkëputjen e historisë së saj shkollore nga precedentët letrarë të lidhur ngushtë me ëndrrat për pasuri, klas dhe snobizëm”, duke argumentuar se në vend të kësaj, ajo kishte krijuar një botë me demokraci rinore dhe diversitet.

Polemikat[redakto | redakto tekstin burimor]

Larry Potter dhe shoqja e tij e ngushtë, Lilly, libri i Nency Stouffer nga i cili u akuzua për plagjiaturë Rowling

Libri ka qenë subjekt i një sërë procedurave ligjore, që vinin nga pretendimet e grupeve Amerikane Kristiane se magjia në libra promovon Wicca dhe magji shtrigash midis fëmijëve; ose nga konflikte të ndryshme për shkak të shkeljes së të drejtave të autorit dhe markës. Popullariteti dhe vlera në treg e serive ka bërë që Rowling, publicistët e saj dhe distributori i filmave Warner Bros, të ndërmarrin masa ligjore për të mbrojtur të drejtat e autorit, të cilat përfshijnë ndalimin e shitjeve të imitimeve të Harry Potter duke shënjestruar pronarët e faqeve të internetit që përmbajnë Harry Potter në adresë, dhe duke e hedhur në gjyq autoren Nensi Stufer për të kundërshtuar akuzat e saj se Rowling ka bërë plagjiature ndaj punës së autores. Konservatorë të ndryshëm fetarë pretendojnë se librat promovojnë magji shtrigash dhe besime si Wicca, ndaj janë të papërshtatshme për fëmijë, ndërsa një numër kritikësh kritikojnë librat për promovimin e programeve politike.

Libri ka nxitur dhe polemika në literaturë dhe botën e publikimeve. Në 97’-98’ , Harry Potter dhe Guri Filozofal fituan pothuajse të gjitha çmimet në Mbretërinë e Bashkuar, të përzgjedhur nga fëmijët , por asnjë të përzgjedhur nga të rriturit. Sandra Beckett sugjeroi se arsyeja ishte snobizmi intelektual kundrejt librave që ishin popullor mes fëmijëve. Në 1999, fituesi i çmimit Whitbread Book of the Year i divizionit të fëmijëve, hyri për herë të parë në shortlistën e çmimit kryesor, dhe një anëtar jurie kërcënoi të jepte dorëheqjen nëse Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit deklarohej fitues. Libri doli i dyti, shumë afër fituesit të çmimit të poezisë: përkthimi i Seamus Heaney i epikës anglo-saksone Beowulf.

Në vitin 2000, pak para publikimit të Harry Potter dhe Kupës së Zjarrit, tre librat e mëparshëm arritën majat në Bestsellerat fantazi të New York Times dhe 1/3 e listës ishin libra për fëmije. Gazeta krijoi një seksion të ri për fëmijët duke përfshire libra fëmijësh fantazi ose jo, fillimisht duke numëruar vetëm shitjet e librave me kapak kartoni. Lëvizja u mbështet nga publicistë dhe shitës librash. Në 2004, The New York Times e ndau listën e fëmijëve, e cila akoma dominohej nga librat e Harry Potter, në seksione për seri dhe libra individuale dhe hoqi librat e Harry Potter nga seksioni i librave individuale. Ndarja në vitin 2000 tërhoqi disa lavdërime, dhe komente mbi avantazhet dhe disavantazhet e këtij veprimi. Times sugjeroi se mbi te njëjtin parim, Billboard duhet të kishte krijuar një të tillë në 1964 kur The Beatles kryesonin në 5 vendet e para të listës dhe Nielsen duhet të kishte krijuar një listë të ngjashme me game-show kur Kush do të bëhet Milioner? dominoi renditjet.

Përshtatjet[redakto | redakto tekstin burimor]

Filmat[redakto | redakto tekstin burimor]

Në vitin 1998, Rowling i shiti kompanisë Warner Bros. të drejtat e realizimit të filmave të katër vëllimeve të para të Harry Potter, për një shumë prej 1 milionë sterlinash. Rowling kërkoi në mënyrë strikte që aktorët kryesorë të ishin britanikë, por duke lejuar përfshirjen e aktorëve irlandezë, si për shembull i ndjeri Richard Harris në rolin e Urtimorit, si dhe përzgjedhjen e aktorëve francezë dhe evropianolindorë për Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit, ku personazhet përcaktohen si të tillë nga libri. Pas marrjes në konsideratë të shumë regjisorëve, përfshirë Steven Spielberg, Terry Gilliam, Jonathan Demme dhe Alan Parker, më 28 mars 2000, Warner Bros. caktuan Chris Columbus si regjisor të Harry Potter dhe Guri Filozofal, duke cituar punën e tij në filmat e tjerë të zhanrit familjar, si për shembull I vetëm në Shtëpi dhe Znj. Doubtfire, dhe eksperiencën e tij me regjisurën e fëmijëve si arsyet që ndikuan në vendimin e tyre.

Lokomotiva e njohur si Ekspresi i Hoguorts përgjatë serisë së filmit.

Pas audicioneve ekstensive të aktorëve, filmimi filloi në tetor të vitit 2000 në Leavesden Film Studios dhe në Londër, ndërsa produksioni mbaroi korrik të vitit 2001. Harry Potter dhe Guri Filozofal doli në kinema më 14 nëntor të atij viti. Vetëm tri ditë më vonë filloi produksioni i Harry Potter dhe Dhoma e Sekreteve, me regji po të Columbus. Xhirimet u mbyllën verën e vitit 2002, ndërsa filmi filloi të shfaqej në kinema më 15 nëntor 2002. Në të gjithë filmat e serisë, rolin e Harry Potter e luajti aktori britanik Daniel Radcliffe.

Columbus refuzoi të merrej me regjinë e Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit, duke shërbyer vetëm si producent. Roli i regjisorit iu kalua meksikanit Alfonso Cuarón, dhe pas xhirimeve në 2003, filmi doli në kinema më 4 qershor 2004. Për shkak të fillimit të produksionit të filmit të katërt para kësaj date, si regjisor i Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit u zgjodh Mike Newell, ndërsa filmi doli në kinema më 18 nëntor 2005. Newell u bë regjisori i parë britanik në këtë seri, ndërsa regjisori televiziv David Yates u bë i dyti, pasi u zgjodh për filmin e pestë, Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit. Produksioni filloi në Janar 2006 dhe filmi doli në kinema në korrik të 2007. Drejtuesit ekzekutivë mbetën “vërtet të kënaqur” me punën e tij, ndaj Yates u zgjodh si regjisor i Harry Potter dhe Princi Gjakpërzier, i cili filloi të shfaqej në kinema më 15 korrik 2009.

Në mars të 2008, presidenti dhe shefi operativ i Warner Bros., Alan F. Horn, njoftoi se seria e fundit e sagës, Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, do të dilte në treg në dy pjesë filmike: Pjesa parë, më 19 nëntor 2010 dhe Pjesa e dytë, më 15 korrik 2011. Produksioni i të dyja pjesëve filloi në shkurt të 2009, me 12 qershorin 2010 si ditën e fundit të fotografisë kryesore.

Tre aktorët kryesorë, Daniel Radcliffe, Rupert Grint dhe Emma Watson, në Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes - Pjesa e Parë

Rowling pati kontrollin e aspektit krijues të serisë së filmave, duke vëzhguar procesin e prodhimit të filmit Harry Potter dhe Guri Filozofal, dhe duke shërbyer si producente në filmin dypjesësh Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, në krah të David Heyman dhe David Barron. Filmat Harry Potter kanë qenë shumë të suksesshme në kinematë dhe tregjet botërore. Të tetë të renditur në listën e filmave me të ardhurat më të larta në rang botëror. Harry Potter dhe Guri Filozofal ishte filmi më i shitur Harry Potter deri në daljen në kinema të strumbullarit të fundit, Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, ndërsa Harry Potter dhe i Burgosi i Azkabanit, më pak i shituri i serisë. Përveç aspektit financiar, seria e filmave në fjalë ka korrur sukses dhe me vlerësimet e kritikëve.

Mendimet e fansave mbi filmat janë në përgjithësi të ndara: një pjesë parapëlqejnë stilin e dy filmave të parë që u qëndrojnë besnikë librave, ndërsa pjesa tjetër pëlqejnë stilin e filmave të tjerë, te të cilët subjekti qendërzohet te personazhet. Rowling ka qenë vazhimisht në mbështetje të të gjithë filmave të serisë, dhe cilësoi Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes si të preferuarin e saj. Mbi ndryshimet dhe përshtatjet gjatë kalimit nga libër në film, Rowling shkroi në faqen e saj të internetit se:

“është thjesht e pamundur të përfshish çdo linjë të subjektit në një film që nuk duhet t’i kalojë katër orët. Sigurisht që filmat kanë kufizime të cilat nuk i kanë romanet, kufizime në kohë dhe buxhet; unë mund të krijoj efekte marramendëse duke mos përdorur gjë tjetër pos ndërveprimit tim me imagjinatat e lexuesve”.

Në Çmimet e 64-ta për Filma të Akademisë Britanike, në shkurt 2011, Rowling, së bashku me producentët David Heyman e David barron dhe regjisorët David Yates, Alfonso Cuarón e Mike Newell, morën Çmimin Michael Balcon për Kontributin e Paçmueshëm Britanik në Kinema, për të gjithë filmat e serisë. Aktorët Rupert Grint dhe Emma Watson, që luajnë rolet e personazheve kryesore Ron Uezli dhe Hermionë Granxher, ishin po ashtu të pranishëm.

Lojrat[redakto | redakto tekstin burimor]

Pjesë nga vidjoloja Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes - Pjesa 2

Janë njëmbëdhjetë videolojra që lidhen me serinë e Harry Potter, tetë prej të cilave korrespondojnë më librat dhe filmat dhe tre të tjera janë bazuar në historinë e Harry Potter. Lojrat që janë bazuar tek librat/filmat janë prodhuar nga Electronic Arts, nga e cila është prodhuar dhe Harry Potter: Quidditch World Cup ( Harry Potter: Kupa e Botës në Kuidiç ), duke filluar me versionin e librit të parë në serinë Harry Potter, Guri Filozofal, që doli në treg për herë të parë në nëntor 2001. Videolojrat janë krijuar në mënyrë që të përputhen me filmat duke përmbajtur skena dhe detaje nga filmat, si dhe tonin dhe shpirtin e librave. Ndodhitë zakonisht ndodhin brenda dhe rreth Hoguartsit, bashkë me disa zona të tjera magjike. Historia dhe dizajni i lojërave ndjek ngjarjen dhe karakteret e përzgjedhura nga filmat; EA punoi bashkërisht me Warner Bros për të përfshirë në lojëra skena nga filmat. Loja e fundit në seri, Dhuratat e Vdekjes u nda në Pjesën e Parë, që doli në treg në nëntor 2010 dhe Pjesën e Dytë që debutoi në korrik 2011. Loja e ndarë në dy pjesë përbën lojën e parë që përmban një temë të theksuar aksioni dhe dhune, duke qenë se loja përfshin dhe këndvështrimin në vetën e tretë. Lojrat e tjera që bazohen në historinë e Harry Potter: LEGO Harry Potter : Years 1-4 ( LEGO Harry Potter : Vitet 1-4 ) dhe LEGO Harry Potter : Years 5-7 ( LEGO Harry Potter: Vitet 5-7 ) janë prodhuar nga Traveller’s Tales dhe publikuar nga Warner Bros. Interactive Entertainment. Gjithashtu janë prodhuar një numër lojërash të tjera jointeraktive; lojëra tavoline si Cluedo Harry Potter Edition, Scene it?, modele Lego Harry Potter, të cilat janë influencuar nga temat e librave dhe filmave.

Audiolibrat[redakto | redakto tekstin burimor]

Të shtatë librat Harry Potter janë kthyer në versione audiolibrash të pashkurtuar, ku Stephen Fry lexon për dëgjuesit e Mbretërisë së bashkuar, dhe Jim Dale lexon serinë e botimeve Amerikane.

Prodhimet Teatrale[redakto | redakto tekstin burimor]

Në 20 dhjetor 2013, J. K. Rowling njoftoi se po punonte në një vepër teatrale me bazë Harry Potter, për të cilën ajo ishte një nga producentet. Në lajmërimin e saj, autorja tha se shfaqja do të “eksplorojë historinë e patreguar më parë të viteve të jetës së Harrit si jetim i padëshiruar.” Producentët e teatrit britanik, Sonia Friedman dhe Colin Callender, do të jenë bashkë-producent me Rowling.

Parqet[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtetet e Bashkuara[redakto | redakto tekstin burimor]

Kështjella e Hoguorts tek Bota Magjike e Harry Potter

Pas suksesit të filmave dhe librave, Universal dhe Warner Brothers lajmëruan se do te krijonin Botën Magjike të Harry Potter, një park me tematikë Harry Potter, pjesë e cila do i shtohej Ishullit të AventuraveUniversal Orlando ResortFlorida. Toka e re, e promovuar si "ishulli" i shtatë me tematikë i parkut, u ndërtua në një shtesë jashtë kufijve origjinal të parkut, gjithashtu duke përdorur edhe pjesë nga "ishulli" Kontinenti i Humbur. Paraqitja e parë u bë në fund të marsit 2010, ndërsa hyrja e lejuar për anëtarë të zgjedhur, në 16 qershor 2010. Hapja zyrtare për publikun u bë me 18 qershor 2010.

Njerëzit hyjnë nga një rikrijim i stacionit hekurudhor të Hogsmid i cili të çon drejt fshatit Hogsmid, më një kështjellë Hoguorts në perspektivë në fund të rrugës. Kështjella ka qendrën kryesore që tërheq publikun, Harry Potter dhe Rrugëtimi i Ndaluar, një rrugëtim që i shëtit pasagjerët nëpër skena realiste frymëzuar nga librat dhe filmat, duke përfshire një kalim nëpër Hoguorts, përfshirjen në një ndeshje Kuidiçi dhe përballjen me marrosës, dragonj, dhe Shelgun Goditës.

Karamele Gjithëshijesh +1

Argëtime të tjera përfshijnë një tren shpejtësie të quajtur Sfida e Dragoit, një rinovim i trenit të mëparshëm të quajtur Dragonjt Duelues, dhe familja e trenave Fluturimi i Hippogrifit, rinovim i të mëparshmit Fluturimi i Njëbrirëshit. Veç të tjerave ka dhe dyqane e restorante, të krijuara në bazë të pamjes dhe përshkrimit në libra dhe filma. Mjaltëlanda shet ëmbëlsira, të tilla si çokozhaba dhe Karamele Gjithëshijesh +1; Ullianderi shet shkopinj magjikë të personalizuar; Dyqani i Lojërave Zonko shet mjete si Fuksoskopët; dhe Tri Bishtat e Fshesave shërben ushqim dhe pije, ndër të cilat më të njohurat janë gjalpëbirra dhe lëngu i kungullit.

Kostoja totale e parkut arrin në $265 milion. Toka e re ka patur sukses të konsiderueshëm duke pasur parasysh që "radhët kanë qenë aq të gjata sa mund të jenë dashur dy orë vetëm për të hyrë … në një dyqan." Ishulli i Aventurave pati një rritje në klientelë mbas hapjes së parkut me tematike nga Harry Potter, duke krijuar dhe një rritje në fitim deri në 36%. Gjatë të njejtës periudhë, fitimet e Botës Walt Disney ranë ndjeshëm. Më parë Disney kishte marrë një propozim për të hapur një park me tematike nga Harry Potter, por e kishte refuzuar.

Mbretëria e Bashkuar[redakto | redakto tekstin burimor]

Touri në Studion e Warner Bros.

Në mars 2011, Warner Bros. shpalli planin për të krijuar një park në Mbretërinë e Bashkuar me tematike nga seria e filmave Harry Potter. Një Tour në Studion e Warner Bros. në Londër i jep mundësinë vizituesve të kalojnë nëpër setet e filmit, si dhe të shohin kostumet dhe mjetet autentike të përdorura në film. Parku ndodhet në Studiot Warner Bros. në Leavesden, ku janë xhiruar të tetë filmat Harry Potter. Një investim i mëtejshëm prej 100 milion paund i lejoj Warner Bros. të hapte dy studio të tjera regjistrimi. Këto të fundit u hapen për publikun në mars 2012.

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]