Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave (filmi)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave
Regjia ngaChris Columbus
Shkruar ngaSteve Kloves
Bazuar nëHarry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave nga J. K. Rowling
ProdhuesiDavid Heyman
LuajnëDaniel Radcliffe
Rupert Grint
Emma Watson
Kenneth Branagh
John Cleese
Robbie Coltrane
Warwick Davis
Richard Griffiths
Richard Harris
Jason Isaacs
Alan Rickman
Fiona Shaw
Maggie Smith
Julie Walters
David Bradley
Tom Felton
Sean Biggerstaff
Robert Hardy
Shirley Henderson
Gemma Jones
Miriam Margolyes
Mark Williams
KinematografiaRoger Pratt
MontazhiPeter Honess
MuzikaJohn Williams

Kompanitë prodhuese
Shpërndarë ngaWarner Bros. Pictures
Data e publikimit
3 nëntor 2002 (Odeon Leicester Square)
15 nëntor 2002 (MB dhe SHBA)
Kohëzgjatja
161 minuta
ShtetetMB
SHBA
GjuhaAnglisht
Buxheti100 milionë dollarë
Fitimi879 milionë dollarë

Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave është një film i vitit 2002 i zhanrit fantazi me regji të Chris Columbus shpërndarë nga Warner Bros. Pictures. Shkruar nga Steve Kloves dhe prodhuar nga David Heyman, filmi bazohet te romani me të njëjtinn titull nga autorja J. K. Rowling dhe tregon historinë e vitit të dytë të Harri Poterit në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts, ku trashëgimtari i Salazar Gjarpërblertit hap Dhomën e të Fshehtave, duke çliruar një përbindësh vrastar që nguros nxënësit e shkollës.

Aktorët kryesorë të filmit janë Daniel Radcliffe në rolin e Harri Poterit, bashkë me Rupert Grint dhe Emma Watson si shokët e ngushtë të Harrit, Ron Uezli dhe Hermionë Granxher. Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave u nxorr në 15 nëntor të vitit 2002 në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u prit shumë mirë, duke sjellë rreth $879 milion fitime në të gjithë botën dhe duke u nominuar për tre Çmime BAFTA në vitin 2003.

Filmi është vazhdimi i filmit të parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, dhe ndiqet nga Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit.

Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave është i vetmi film nga seria Harri Potter që ka një skenë pas titrash.

Skenari[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke u përgatitur për një vizitë nga një klient i rëndësishëm i xhaxha Vernonit, Dërslit e dërgojnë Harrin në dhomën e tij. Atje Harri takon Dobin, një xhuxh shtëpiak, i cili i thotë atij të mos kthehet në Hoguorts. Kur Harri refuzon, Dobi shkakton rrëmujë në shtëpi dhe prish takimin e xhaxha Vernonit i cili vendos ta kyçë Harrin në dhomë për të ndaluar kthimin e tij në shkollë.

Atë natë, Ron, Fred dhe Xhorxh Uezli mbërrijnë me makinën fluturuese të babait të tyre për të nxjerrë Harrin nga vendi ku ndodhet dhe e çojnë atë te Strofka, shtëpia e familjes Uezli.

Harri me familjen Uezli udhëtojnë për në Diagon Alli me anë të pluhurit magjik për të blerë gjërat e shkollës. Ndërsa bënin pazar, Harri takon Xhilldroi Lokhartin, një magjistar të famshëm, autor të shumë librave, i cili lajmëron se do jetë mësuesi i Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta për këtë vit. Pak më vonë Harri takon Drako Malfoin dhe babain e tij, Lusiusin, i cili fut fshehurazi një libër në çantën e Xhini Uezlit motrës së vogël të Ronit, e cila shkonte për herë të parë në Hoguorts atë vit. Harri e vë re këtë gjë por nuk e bisedon me kënd.

Ndërkohë që familja Uezli kishte mbërritur në Binarin 9 e ¾ pa problem, Harri dhe Roni shikojnë se barriera magjike është e bllokuar për ta dhe si pasojë, humbasin edhe trenin për në Hoguorts. Ata vendosin të marrin makinën fluturuese për të shkuar në Hoguorts, por aksidentalisht përplasen dhunshëm me nje pemë të njohur si Shelgu Goditës, i cili shkatërron makinën. Gjatë kësaj kohë, shkopi i Ronit përfundon i thyer dhe makina fillon të “sillet” çuditshëm: Nxjerr jashtë djemtë, së bashku me bagazhet dhe kafshët e tyre, dhe vazhdon të ecë vetë drejt Pyllit të Ndaluar. Kur Harri dhe Ron hyjnë në Hoguorts shihen nga Pitoni, i cili i qorton ata që përdorën makinën fluturuese dhe gati i dëbon por MekGuri me Urtimorin e mbyllin të gjithë ndodhinë vetëm me një dënim.

Pak pas fillimit të vitit të dytë, gjatë kohës që ai po kryente dënimin tek zyra e Lokhartit, Harri fillon të dëgjojë një zë që vjen nga muret. Duke ndjekur zërin, Harri, Roni dhe Hermiona gjejnë të shkruar me gjak në një nga muret e korridoreve mesazhin “Dhomën e të Fshehtave e kane hapur. Druajuni, armiq të trashëgimtarit.”. Treshja zbulon se macja e Laraskës është ngurosur. Laraska, i cili gjendet aty në atë çast, fajëson Harrin dhe përpiqet ta sulmojë por ndalohet nga Urtimori dhe MekGuri.

E pyetur nga Hermiona, MekGuri detyrohet tu tregojë studentëve legjendën për Dhomën e të Fshehtave e cila thotë se dhoma u krijua nga një nga themeluesit e shkollës, Salazar Gjarpërblerti. Në të ai vendosi një përbindësh që vetëm ai dhe trashëgimtarët i tij mund ta kontrollonin, të cilin do e përdornin për të spastruar shkollën nga shtrigat e magjistarët të konsideruara jo gjakpastër. Harri dyshon se Trashëgimtari është Drako.

Ndërkohë, Xhilldroi Lokhart, mësuesi i ri i Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta, themelon Klubin e Dueleve, ku ftohen të marrin pjesë Harri dhe Drako. Në duel, Mallfoi, nxjerr një gjarpër nga hiçi, të cilit, Harri, zbulon se mund t’i flasë. Hermiona shpjegon se ai mund të flasë Gjarpërishten, si Salazar Gjarpërblerti, një lidhje që e bën Harrin dhe tërë shkollën të mendojë se ai vetë mund të jetë Trashëgimtari.

Treshja vendos të hetojë për situatën. Duke shfrytëzuar një banjë jashtëpërdorimit, ku qëndron një fantazmë e njohur si Mersina Ankaçja,Hermiona, me ndihmën e djemve, përgatit Shurup Shumëlëngjësh që të marrin pamjen e tre Gjarpërblertëve në mënyrë që të kenë mundësi të pyesin Drakon. Pasi arrijnë të hyjnë në Dhomën e Përbashkët të Gjarpërblertëve dhe të flasin me Drakon, Harri dhe Roni mësojnë se nuk është ai Trashëgimtari por marrin vesh se një vajzë vdiq ditën që Dhoma u hap, 50 vjet më parë.

Disa ditë më vonë, në banjën e Mërsina Ankaçes, Harri zbulon një ditar bosh i cili i përket dikujt me emrin Tom Marvolo Ridëll. Ditari rezulton të jetë i magjepsur dhe nëpërmjet tij, Harri sheh ngjarjet që kanë ndodhur pesëdhjetë vjet më parë, kohë kur Tomi ishte student. Kujtimet e Tomit fajësojnë Hagridin si vrasësin e vajzës.

Gjatë vitit shkollor, Kolin Krivi, Xhastin Finç-Fletçij, Sër Nikolas dhe Hermiona përfundojnë të gjithë të ngurosur. Ditari i Tom Ridllit humbet dhe Harri plagoset në ndeshjen e Kuidiçit. Harri mëson se ishte Dobi ai që shkaktoi incidentin në Binarin 9 e ¾ dhe njëkohësisht dhe dëmtimet e tyre. Harri dhe Roni vendosin të pyesin Hagridin por pëpara se Hagridi të ketë mundësi të përgjigjet, aty mbërrijnë Ministri i Magjisë, Kornelius Gjelsheqeri dhe Lusius Mallfoi. Ndërsa Roni dhe Harri fshihen pas Mantelit të Padukshmërisë, vizitorët i thonë Hagridit që do e arrestojnë si të dyshuar për hapjen e Dhomës dhe se do pezullojnë Urtimorin si drejtor. Para se Hagridi të merret për tu çuar në Azkaban, ai thotë së duhen ndjekur merimangat në Pyllin e Ndaluar për të zbuluar të vërtetën. Harri dhe Roni shikojne disa merimanga duke dalë nga shtëpia e Hagridit drejt Pyllit të Ndaluar dhe fillojnë t’i ndjekin derisa takojnë Aragogun, një merimangë gjigande që mendohet se ka vrarë nxënësen e shfaqur në kujtimet e Tomit, 50 vjet më parë. Aragogu u thotë atyre se nuk është ai përbindëshi i Dhomës se të Fshehtave që vrau vajzën dhe se Hagridi është i pafajshëm. Me pas, fëmijët e Aragogut sulmojnë Harrin dhe Ronin, por në këtë çast shfaqet makina fluturuese e cila i shpëton duke i larguar nga pylli.

Harri dhe Roni mësojnë nga një copë letër që e gjejnë në dorën e Hermionës së ngurtësuar tashmë, që përbindëshi i Dhomës së të Fshehtave është një bazilisk, një gjarpër gjigand që mund të vrasë dikë thjesht duke e parë në sy. Viktimat e ngurtësuara të gjitha e kanë parë atë jo në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kjo është dhe arsyeja pse nuk kanë vdekur. Bazilisku shfrytëzon tubacionet e shkollës për të lëvizur, zërin e të cilit Harri kishte dëgjuar disa herë gjatë vitit nga muret. Ata dëgjojnë mësuesit të thonë se Xhini është marrë në Dhomë dhe se një mesazh tjetër është shfaqur, i cili shkruan “Skeleti i saj do të dergjet në Dhomën e të Fshehtave përgjithnjë”. Lokharti dërgohet që të gjejë Dhomën dhe të shpëtojë Xhinin por përpiqet të arratiset derisa Harri dhe Roni e kapin. Këtu zbulohet se Lokharti është një mashtrues; Ai përdorte magji harrese te shtrigat dhe magjistarët për të marrë meritat e arritjeve të tyre, për të cilat fliste në librat e tij. Harri, Roni dhe Lokharti zbulojnë se Mersina Ankaçja është në fakt vajza që vdiq 50 vjet më parë dhe hyrja për në Dhomën e të Fshehtave është në banjën ku ajo qëndron. Te tre futen brenda dhe aty gjejnë një lëkurë gjigande gjarpri. Lokharti përpiqet të ndaloje Harrin dhe Ronin duke përdorur një magji kujtese, por duke qenë se përdor shkopin e thyer të Ronit, magjia keqfunksionon dhe i kthehet mbrapsht. Lokharti humbet kujtesën dhe një pjesë e Dhomës shembet, duke ndarë Harrin nga Roni dhe Lokharti dhe duke e detyruar atë ta shpëtojë Xhinin i vetëm.

Harri e gjen Xhinin pa ndjenja, duke vdekur dalëngadalë dhe më pas Tom Ridlli shfaqet, i cili shpjegon se ai është një kujtim i ruajtur në ditar. Tomi i thotë Harrit se ishte Xhini ajo që hapi Dhomën, lëshoi baziliskun në shkollë dhe shkruajti mesazhet kërcënuese në mure; Dhe të gjitha këto vetëm sepse ai e urdhëroi. Harri mëson se Tomi është ne fakt Trashëgimtari i Gjarpërblertit dhe është Fluronvdekja në formën e tij adoleshente. Tomi dërgon baziliskun që të vrasë Harrin por feniksi i Urtimorit, Foksi, sulmon sytë e baziliskut duke e verbuar atë. Foksi i jep Harrit Kapelën Folëse nga e cila ai arrin të nxjerrë shpatën e Godrik Grifartit, shpatë të cilën Harri e përdor, pas disa përpjekjesh, për të vrarë baziliskun por jo më parë se një dhëmb i tij t’i ngulet në krah duke e helmuar.

Harri arrin të shkatërrojë Tomin/Fluronvdekjen duke e shpuar ditarin me dhëmbin e Baziliskut që i ishte ngulur në krah. Xhini pothuajse menjëhere rifiton vetëdijen dhe e gjen Harrin duke vdekur, por Foksi e shëron plagën me lotët e tij. Urtimori rimerr postin e tij si drejtor dhe dërgon shkresat për të liruar Hagridin nga Azkabani. Ai e bind Harrin për përkatësinë e tij te shtëpia e Grifartit duke i thënë se vetëm një grifart i vërtetë mund ta nxirrte shpatën e Godrikut nga Kapela. Pasi mëson se Lusiusi ishte ai që i dha ditarin Xhinit dhe se Dobi u shërbente Mallfojve, Harri i sajon një rreng Lusiusit që të çlirojë xhuxhin nga skllavëria. Në festën e fundvitit, Hermiona së bashku me të gjitha viktimat e tjera të baziliskut janë shëruar nga ngurosja e tyre dhe Hagridi pritet me duartrokitje teksa rikthehet në Hoguorts.

Në një skenë pas titrave, një libër i ri i Xhilldroi Lokhartit ndodhet i ekspozuar në Librarinë Lajlelulet, i titulluar KUSH JAM UNË?. Libri ka në kopertinë një fotografi lëvizëse të një Lokharti konfuz në një këmishë force.

Kasti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prodhimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dizajni i Setit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Makina e zotit Uizli

Producenti i dizajnit, Stuart Craig, u kthye në filmin e dytë për shtimin e elementeve të reja që nuk ishin shfaqur në filmin e parë. Duke përfshirë këtu Strofkën (shtëpia e familjes Uezli), zyrën e Urtimorit (që përmban Kapelën Folëse , shpatën e Grifartit dhe tavolinën e punës së Urtimorit) [1], Borgin dhe Bërks (dyqanin që shet objekte të magjisë së zezë) dhe Dhomën e të Fshehtave.

Makina e zotit Uezli është krijuar nga një Ford Anglia.[2]

Xhirimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Produksioni për Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave nisi më 19 nëntor 2001,[3] vetëm tre ditë pas shfaqjes së filmit të parë, Gurit Filozofal. Tre javët e para të xhirimeve lidheshin vetëm në filmime të skenave dytësore të efekteve speciale, fillimisht me skenën e makinës fluturuese.[4] Më pas, njësia e parë fotografike filloi punën në Surrey të Anglisë , në rrugën 4 të Privet Drive dhe në qytetin Little Whinging për skenat që bëhen në shtëpinë e Dërslive. Xhirimet vazhduan në Isle of Man dhe në vende të ndryshme të Britanisë së Madhe ku studioja e filmit Leavesden në Londër bëri disa skena të Hogwarts. Xhirime të tjera u bënë në Angli duke përfshirë setin e ekspresit të Hoguortsit që ndodhet në hekurudhën Kings Kros në platformen 9 e ¾. Harqet e famshme të Katedrales Gloucester në Angli u përdorën për ambientet e shkollës Hogwarts. Fotografimi kryesor përfundoi në verën e vitit 2002, ndërsa filmi qëndroi në post-produksion deri në fillim të tetorit.[5]

Në origjinal, një pjesë e filmit në të cilin Lusius Mallfoi përballet me Urtimorin, në zyrën e këtij të fundit, mbaroi më shpejt por fjalitë e fundit ishin të sajuara aty për aty. Xhejson Isak kishte ndjesinë se personazhi i tij do të kishte thënë diçka pasi u poshtërua dhe regjisori, Columbus, i kërkoi atij që ta provonte një gjë të tillë. Sipas Xhejson Isakut, ai improvizoi pjesën "Le të shpresojmë që zt. Potter do të jetë gjithmonë rrotull që të na shpëtojë". Ai gjithashtu ka shprehur përshtypjen që i ka bërë pjekuria e Daniel Radcliff si aktor, duke u bazuar te përgjigjja që ky i fundit krijoi aty për aty, "Mos u shqetësoni. Do të jem".[6]

Francis Nolan, profesor gjuhëtarie në Universitetin e Kembrixhit, ka qenë i punësuar që të krijonte gjuhën Gjarpërishte për pjesët e filmit që Harri Poter fliste me gjarpërinjtë.[7]

Në një ndryshim kinematografie nga filmi i parë, regjisori i filmit Christopher Columbus përfshiu kamera doracake për skenën e Dhomës së të Fshehtave që të kishte më shumë liri veprimi dhe filmimi.[8]

Muzika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

John Williams, i cili kompozoi muzikën e filmit të mëparshëm, u rikthye që të krijonte kolonën zanore të Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave. Kjo rezultoi të ishte një detyrë e vështirë. Williams sapo kishte përfunduar kompozimin e Star Wars Episode II: Attack of the Clones dhe Minority Report dhe do të fillonte me Catch me if you can. Për këtë shkak përfshinë edhe William Ross-in që të përshtaste materialet muzikore të Gurit Filozofal në materialin e ri që John Williams kompozonte sa herë që kishte mundësi.[9] Kolona zanore doli më 12 nëntor 2002.

Shpërndarja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Marketingu[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pamjet e para nga filmi filluan të shfaqeshin në internet në verën e vitit 2002. Një reklamë për filmin, që do intrigonte shikuesit, u shfaq në kinema në daljen e filmit Scooby-Doo.[10] Një videolojë e bazuar te ky film u hodh në treg në ditët e para të nëntorit 2002 nga firma Electronic Arts për platforma të ndryshme duke përfshirë GameCube, Playstation 2 dhe Xbox.[11] Filmi vijoi në suksesin tregtar të paraardhësit të tij, me të dhëna që tregonin mospërmbushje të të gjitha kërkesave në produktet Lego, lidhur me këtë film.[12]

Premiera[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Filmi u shfaq për herë të parë në Britaninë e Madhe më 3 nëntor 2002 dhe në SHBA e Kanada më 14 nëntor 2002, përpara se të shfaqej në të gjithë botën më 15 nëntor, një vit pas shfaqjes së Gurit Filozofal.

Videoteka[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fillimisht filmi u shfaq në Britaninë e Madhe, SHBA dhe Kanada më 11 prill 2003 në kasetë VHS si dhe në një edicion special me dy disqe në në formatin DVD digipack, e cila përfshinte skena të zgjatura dhe të fshira si dhe intervista. Më 11 dhjetor 2007, u shfaq versioni i filmit në Blu-Ray.[13] Edicioni Absolut doli në 8 dhjetor 2009, i cili përmbante regjistrime të reja, spote televizive, një version më të zgjatur të filmit me skena të fshira, të rregulluara, dhe një speciale të quajtur Duke krijuar Botën e Harri Poter-it: Pjesa 2 – Personazhet.[14] Versioni i gjatë i filmit ka një kohëzgjatje prej rreth 174 minuta.[15]

Reagimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Suksesi Financiar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave theu rekorde të shumta pas shfaqjes së tij. Në SHBA dhe Kanada nga filmi u siguruan $88.4 milion vetëm në fundjavën e parë të hapjes në 3,682 kinema, hapja e parë më e madhe pas Spider-Man dhe Harry Potter dhe Guri Filozofal.[16] Ishte gjithashtu në krye të renditjes për fitimet për dy javë jo të njëpasnjëshme.[17] Në Britaninë e Madhe filmi theu të gjitha rekordet e mëparshme që mbaheshin nga Guri Filozofal. U grumbulluan £18.9 milion gjatë hapjes duke përfshirë edhe parapremierën ose £10.9 milion duke mos e përfshirë parapremierën.[18] Arritën të siguroheshin gati £54.8 milion në Britaninë e Madhe; shuma më e madhe e kohës në të gjithë rajonin.[19]

Filmi siguroi një total prej $879 milion në të gjithë botën,[20] gjë që e bëri atë filmin e pestë në renditje me fitimin më të madh të të gjithë kohërave.[21] Ishte filmi i dytë i vitit 2002 që pati fitimin më të madh pas Kryezoti i Unazave - Dy Kullat [22] dhe filmi i katërt me fitimin më të madh në SHBA dhe Kanada duke grumbulluar $262 milion më pak se Spider-Man, Kryezoti i Unazave - Dy kullat dhe Lufta e Yjeve, Episodi i dytë: Sulmi i Klonëve.[23] Gjithësesi ishte filmi i parë në renditje për sa i përket suksesit financiar, duke grumbulluar një total $617 milion në krahasim me Dy Kullat që grumbulloi $584.5 milion.

Vlerësimet e Kritikëve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kritikat rreth filmit ishin shumë pozitive dhe aktualisht është vlerësuar me 83% "Certified Fresh" te Rotten Tomatoes (filmi i katërt më i favorizuar në këtë faqe)[24] dhe me 63 pikë nga 100 te Metacritic që do të thotë "përgjithësisht i favorshëm" (filmi i Harry Potter më pak i vlerësuar në këtë faqe) [25]. Rogert Ebert e quajti "Dhomën e të Fshehtave" një film fenomenal dhe i dha 4 yje nga 4, veçanërisht duke lavdëruar dizenjimin e skenës.[26] Entertainment Weekly e përgëzoi filmin si më i mirë dhe më i errët se i pari. "Dhe midis shumë gjërave që bën shumë mirë ky film i Harry Potter, është forcimi i zymtësisë dhe atmosfera e frikshme për publikun. "Kjo është ashtu si duhet të jetë: "Historia e Harrit hamendësohet të bëhet më e errët." [27]Richard Roeper vlerësoi regjinë dhe besnikërinë e filmit ndaj librit, duke thënë këto fjalë: "Chris Columbus, regjisori, bën një punë të mrekullueshme duke i qëndruar besnik historisë por gjithashtu duke e vendosur atë dhe në periudhë kinematografike." Variety gjithashtu tha se filmi ishte jashtë mase i gjatë por e përgëzoi për zymtësinë dhe dramacitetin, duke thënë se besimi dhe dhuntia e tij e përhershme për t'i dhënë jetë në mënyrën e vet, pavarësisht librave, ishte dicka qe Guri Filozofal kurrë nuk e arriti.[28] Peter Travers nga Rolling Stone e kritikoi filmin si shumë i gjatë dhe besnik ndaj librit: "Edhe njëherë, regjisori Chris Columbus me përulësi i afrohet Rowling, i cili ndrydh krijimtarinë dhe i jep mundësi filmit të zgjatet për tre orë". Kenneth Turan nga Los Angeles Times e quajti filmin një klishe e cila është "një deja vu për të gjitha - çfarëdo të kesh menduar për filmin e parë, me shumë gjasa do t’i mendosh sërish edhe për këtë film".[29]

Çmimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Filmi u nominua për tre çmime BAFTA: Prodhimi më i mirë, Zëri, dhe Arritje në Efektet Vizuale [30] si dhe për gjashtë çmime Saturn në 2003 dhe në 2004 për daljen e tij në treg në formatin DVD.[31]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ http://www.dailymail.co.uk/travel/article-2026172/Harry-Potter-studio-tour-Fans-scenes-Leavesden.html
  2. ^ http://news.bbc.co.uk/2/hi/uk_news/england/cornwall/4384244.stm
  3. ^ http://usatoday30.usatoday.com/life/movies/2001-11-18-potter-boxoffice.htm
  4. ^ http://www.nytimes.com/2001/11/23/movies/at-the-movies.html?pagewanted=all
  5. ^ http://news.bbc.co.uk/cbbcnews/hi/tv_film/newsid_2300000/2300629.stm
  6. ^ ["Creating the World of Harry Potter, Part 2: Characters". A&E. ""Creating the World of Harry Potter, Part 2: Characters". A&E"]. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerën e |url= (Ndihmë!)
  7. ^ [Burridge, Kate; Stebbins, Tonya N. (16 October 2015). "For the Love of Language: An Introduction to Linguistics". Cambridge University Press – via Google Books. ""For the Love of Language: An Introduction to Linguistics""]. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerën e |url= (Ndihmë!)
  8. ^ http://news.google.com/newspapers?id=2FtIAAAAIBAJ&sjid=LYIMAAAAIBAJ&pg=5251,6505185&dq=london+world+premiere+chamber+of+secrets&hl=en
  9. ^ http://www.filmtracks.com/titles/chamber_secrets.html
  10. ^ http://news.bbc.co.uk/2/hi/entertainment/2042773.stm
  11. ^ http://www.ign.com/articles/2002/11/26/harry-potter-and-the-chamber-of-secrets-2
  12. ^ http://content.time.com/time/magazine/article/0,9171,1101021111-386963,00.html
  13. ^ http://www.blu-ray.com/movies/Harry-Potter-and-the-Chamber-of-Secrets-Blu-ray/365/
  14. ^ http://www.blu-ray.com/news/?id=3447
  15. ^ http://www.businesswire.com/news/home/20050502006197/en/Exclusive-Harry-Potter-Goblet-Fire-Presented-Network
  16. ^ http://www.boxofficemojo.com/news/?id=1234&p=.htm
  17. ^ http://www.boxofficemojo.com/weekend/chart/?view=&yr=2002&wknd=48&p=.htm
  18. ^ http://news.bbc.co.uk/2/hi/entertainment/2487535.stm
  19. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 1 shtator 2007. Marrë më 19 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  20. ^ http://www.boxofficemojo.com/movies/?id=harrypotter2.htm
  21. ^ http://www.the-numbers.com/interactive/newsStory.php?newsID=83
  22. ^ http://www.boxofficemojo.com/yearly/chart/?view2=worldwide&yr=2002&p=.htm
  23. ^ http://boxofficemojo.com/yearly/chart/?yr=2002&p=.htm
  24. ^ http://www.rottentomatoes.com/m/harry_potter_and_the_chamber_of_secrets/
  25. ^ http://www.metacritic.com/movie/harry-potter-and-the-chamber-of-secrets
  26. ^ http://www.rogerebert.com/reviews/harry-potter-and-the-chamber-of-secrets-2002
  27. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 12 gusht 2009. Marrë më 19 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  28. ^ http://variety.com/2005/tv/news/webs-run-numbers-game-1117919275/
  29. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 11 tetor 2007. Marrë më 19 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  30. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 3 mars 2016. Marrë më 19 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  31. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 18 tetor 2012. Marrë më 19 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]