Jump to content

Edukimi fetar

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ilustrimi i "eskatologjisë" në programin mësimor për edukimin dhe arsimin fetar

Edukimi fetar i njohur edhe si arsimi fetar është mësimi, arsimi dhe edukimi i lidhur me besimet fetare, historinë dhe sistemet e vlerave fetare në përgjithësi, duke përfshirë aspektet e tij të larmishme si janë: besimet, doktrinat, ritualet, zakonet, ritet dhe rolet personale. Në kulturën perëndimore dhe laike (sekulare), edukimi fetar nënkupton një lloj arsimimi i cili është kryesisht i ndarë nga shkolla publike (akademia), dhe i cili, përgjithësisht e konsideron besimin fetar si një parim themelor dhe një modalitet operativ.

Koncepti laik është thelbësisht i ndryshëm nga shoqëritë që i përmbahen ligjeve fetare, ku "edukimi dhe/ose arsimi fetar" sintetizon studimin dhe mësimin mbizotërues akademik, dhe në terma tipike fetare, mësohen doktrina të cilat përcaktojnë zakonet sociale si "ligje" dhe shkeljet e tyre si "krime", ose përndryshe kundërvajtje të cilat kërkojnë korrigjim ndëshkues.

Zgjedhja falas e arsimit fetar nga prindërit sipas bindjes së tyre mbrohet nga Konventa kundër diskriminimit në arsim. [1]

Edukimi fetar është një temë e diskutueshme në të gjithë botën bashkëkohore. Disa vende, të tilla si Shtetet e Bashkuara, nuk e financojnë publikisht arsimin fetar, as e bëjnë atë pjesë të shkollimit të detyrueshëm. Në vende dhe kontekste të tjera, një edukim fetar 'i hapur' rrjedhë nga tradita fetare dhe ka për qëllim të promovojë kulturën fetare pa dhënë një këndvështrim të veçantë fetar. Ky lloj edukimi fetar ka tërhequr kritika sepse, argumentohet, se nuk ekziston një perspektivë neutrale nga e cila mund të mësohen fetë dhe çdo lloj shkollimi i detyrueshëm ka të ngjarë të ndikojë në formimin e identitetit të caktuar fetar të një nxënësi ose studenti [2]

Meqenëse njerëzit brenda një vendi të caktuar shpesh kanë besime të ndryshme fetare dhe jofetare, arsimi fetar i sponsorizuar nga qeveria mund të jetë një burim konfliktesh. Vendet e ndryshme kanë shumë dallime në atë se a lejohet apo jo, edukimi fetar në shkollat e drejtuara nga qeveria, sidomos në institucione të tilla të cilat shpesh quhen "shkolla publike". Ato vende të cilat e lejojnë edukimin fetar kanë gjithashtu dallime në llojin e edukimit dhe arsimit fetar të ofruar.

Njerëzit e kundërshtojnë edukimin fetar në shkolla publike për arsye të ndryshme. Njëra prej tyre është se ajo përbën një sponsorizim shtetëror për besimet e caktuara fetare. Të tjerë argumentojnë se nëse një fe e veçantë mësohet në shkollë, fëmijët që nuk i përkasin asaj feje do të ndiejnë presion për t'u pajtuar ose për t'u përjashtuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Përkrahësit e edukimit fetar argumentojnë se besimet fetare kanë socializuar historikisht sjelljen dhe moralin e njerëzve. Ata mendojnë se mësimi i fesë në shkollë është i rëndësishëm për të inkurajuar fëmijët të jenë të përgjegjshëm dhe shpirtërisht të shëndetshëm. [3]

Në disa vende është një praktikë shumë e zakonshme që mësimet fetare të jepen jashtë shkollës, d.m.th. jashtë shkollës zyrtare (shkollës publike), detyrë kjo e cila kryhet nga komunitetet e ndryshme fetare si mësime të komunitetit fetar (dikur të njohura edhe si "shkolla të mbrëmjes" ose "shkollat e së dielës" dhe tjera të ngjashme). Në vende të tilla japin udhëzimet dhe mësimet e tyre fetare në qendrat përkatëse të komunitetit fetar, shkollat fetare, në shtëpitë e tyre të adhurimit (kishat, xhamitë, sinagogat, tempujt etj.) ose me dallime të vogla edhe në dhoma e mësonjëtore private fetare.

  1. ^ Convention against Discrimination in Education, Article 5
  2. ^ Daniel, Moulin. "Doubts about Religious Education in public schooling". International Journal of Christianity & Education (në anglisht). 19 (2). ISSN 2056-9971.
  3. ^ Jackson, Robert (2014). Religion, Education, Dialogue and Conflict: Perspectives on Religious Education Research (në anglisht). Routledge.