Jump to content

Emily Brontë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Emily Brontë
Portreti i Emily Brontë pikturuar nga vëllau i saj Branwell Brontë
U lind më30 korrik 1818
Thornton, West Riding of Yorkshire, Angli
Vdiq më19 dhjetor 1848 (30 vjet)
Haworth, West Riding of Yorkshire, Angli
Emri i letraveEllis Bell
Kombësiaangleze
Gjinitë letrarePoezi, fiktiv

Emily Jane Brontë (lexohet Emili Xhejn Bronti, /ˈbrɒnti/ apo /ʔt/;[1] 30 korrik 1818 – 19 dhjetor 1848)[2] ishte romanciere dhe poete angleze, njëra prej tre motrave shkrimtare të shquara të periudhës viktoriane nga familja Brontë. Emily Brontë njihet për romanin e saj të vetëm, Wuthering Heights, një vepër klasike e letërsisë angleze. Botonte nën pseudonimin Ellis Bell.

Emily Brontë lindi më 30 korrik 1818, me nënë Maria Branwell-in, të bijën e një tregtari metodist nga Kornuelli, dhe baba Patrick Brontë-n, një klerik irlandez i denominacionit anglikan. Kur lindi Emily, familja jetonte në qendër të fshatit Thornton në periferi të qytetit Bradford në Qarkun Perëndimor (West Riding) të kontesë Yorkshire, veri i Anglisë. Por dy vjet më vonë, familja u zhvendos diçka rreth trembëdhjetë kilometra në veriperëndim, në Haworth, ku babai gjeti punë si klerik i përhershëm i kishës së fshatit. Gjashtë fëmijët Brontë, pesë vajza dhe një djalë, ishin, nga më e madhja tek më e vogla, Maria, Elizabeth, Charlotte, Branwell, Emily, dhe Anne.

Më 15 shtator 1821, pa arritur asnjëri nga gjashtë fëmijët as tetë-vjetëshin dhe Emili ishte vetëm tre vjeç, Maria Branwell vdiq e prekur nga kanceri.[3] Tezja, Elizabeth Branwell, mori përsipër përkujdesjen e tyre.

Tre motrat më të mëdha të Emily-së, Maria, Elizabeth dhe Charlotte ishin çuar në një shkollë për arsimimin e vajzave të klerikëve (Clergy Daughters' School) në fshatin Cowan Bridge të kontesë Lancashire, gjashtëdhjetepesë kilometra në verilindje. Kur u bë gjashtë vjeç, më 25 nëntor 1824, për një periudhë të shkurtër filloi aty edhe Emily.[4] Por ajo shkollë vajzash ishte abuzuese dhe me kushte të këqija dhe gjatë një epidemie, tifoja preku Marian dhe Elizabethin. Maria, e cila mund të ketë pasur edhe tuberkuloz, u kthye në shtëpi pa mbaruar shkolla, ku edhe vdiq pak më vonë. Pak ditë pasi u kthyen në shtëpi për pushime në qershor 1825, vdes edhe Elizabeth. Kjo bëri që i jati të merrte vendimin të mos t'i kthente tre vajzat e tjera në Cowan Bridge, por t'i shkollonte në shtëpi. Charlotte Brontë e ka përshkruar atë shkollë me emrin shkolla Lockwood në romanin e saj klasik Jane Eyre, dhe pati thënë se kushtet e mjera aty patën lënë pasoja të pandreqshme në shëndetin dhe zhvillimin fizik të tyre.[5]

Të frymëzuar nga një kuti ushtarësh lodra që pati marrë dhuratë i vëllai Branwell,[6] fëmijët filluan të krijonin histori për botë imagjinare mbi ato lodra dhe mbi heronjtë e tyre të kohës, Dukën e Wellingtonit dhe djemtë e tij, Charles dhe Arthur Wellesley. Pak gjëra kanë mbijetuar prej krijimeve të Emily-së nga ajo kohë, përveç ndonjë poezive në gojën e të tillëve personazhe.[7][8] Fillimisht, të katër fëmijët u ndanë në krijimin e tregimeve për një botë të quajtur Angria.

Në shtator 1838, njëzet vjeçare, Emily u caktua mësuese në shkollën Law Hill pesëmbëdhjetë kilometra në jug të Haworthit, në qytezën Halifax.[9] Shëndeti i brishtë iu ezaurua nën stresin e ditës 17-orëshe dhe e detyroi të linte punën në prill 1839.[10] Pas kësaj mbeti në shtëpinë familjare në Haworth, duke u marrë me gatim, hekurosje dhe pastrim. Ajo mësoi gjuhën gjermane nga librat dhe gjithashtu praktikoi pianon.[11]

Në vitin 1842, Emily shoqëroi Charlottën në BrukselBelgjikës gjatë një qëndrimi në hotel-pensionin Héger (Hézhe) për të ndjekur akademinë e vajzave të Constantin Héger-it me shpresë për të përmirësuar frëngjishten dhe gjermanishten para se të hapnin një shkollë të tyren në Angli. Por ndryshe nga Charlotte, Emily-a e përjetoi keq Brukselin dhe u bë tip i vështirë duke shmangur njerëzit. Thoshte për të kundërshtuar përshtatjen: "Dua të jem siç më ka bërë Perëndia".[12] Por nga kjo periudhë mbijetojnë nëntë ese të saja në frëngjisht.

Në vitin 1844, Emily filloi t'i kalonte nëpër duar të gjitha poezitë që kishte shkruar, duke i kopjuar me kujdes në dy fletore. Njërës fletore i vuri emrin "Poemat Gondal"; tjetrës nuk i vuri etiketë. Në vjeshtën e 1845, Charlotte zbuloi fletoret dhe këmbënguli që poezitë të publikohen. Por Emily, e njohur si tip i vështirë dhe tepër e ndrojtur, fillimisht u tërbua nga ndërhyrja në jetën e saj private. U zbut vetëm pasi motra më e vogël, Anne, i tregoi dorëshkrimet e veta dhe i tha se edhe Charlotte shkruante fshehtas vjersha. Anne dhe Emily e kishin krijuar botën e Gondalit bashkë, dhe i lexonin njëra tjetrës tregime dhe vjersha mbi atë botë, por Charlotten e mbanin larg.[13] Një nga vjershat e saj më të njohura, "No coward soul is mine," (Asnjë shpirt frikacak nuk është i imi) është e kësaj kohe, me siguri reagim për futjen e hundës dhe shndërrimin e saj në shkrimtare të botuar. Megjithë pretendimet e mëvonshme të Charlottes, "No coward soul is mine" nuk ishte vjersha e saj e fundit.[14]

Në vitin 1846, poemat e tre motrave u botuan në një vëllim si Poema nga Currer, Ellis dhe Acton Bell.

Motrat Brontë, në fakt, botonin me pseudonimet e një familjeje imagjinare Bell, ku Charlotte ishte Currer Bell, Emily ishte Ellis Bell, dhe Anne ishte Acton Bell, duke mbajtur vetëm inicialet nga emrat e tyre të vërtetë.[15]

Wuthering Heights

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Titulli i botimit origjinal i Wuthering Heights (1847)

Wuthering Heights u botua me pseudonimin Ellis Bell në dy vëllime në Londër në vitin 1847 nga Thomas Cautley Newby, pjesë e një serie tre-vëllimesh bashkë me romanin Agnes Grey të së motrës Anne Brontë.

Libri përshkruan dashurinë e ndaluar mes protagonistes së një familjeje në veri të Anglisë dhe fëmijës së adoptuar të prindërve të saj. Wuthering Heights përshkruan një vend fiksional ku zhvillohen ngjarjet kryesore të romanit. Wuthering është versioni dialektor i fjalës withering, që mund të përkthehet si ulëritëse (për erën) apo e furishme. Heights është fjalë që do të thotë Lartësitë.

Reagimet fillestare mbi romanin ishin të përziera. Kritikët ja njohën forcën dhe imagjinatën, por kishin rezerva për amoralitetin e fabulës, ashpërsinë e pasioneve erotike në të, dhe egërsinë dhe egoizmin e personazheve.[16] Madje dhuna në libër bëri shumë njerëz të mendojnë se romani do të kishte qenë i shkruar nga një mashkull. Emri i vërtetë i Emily-së si autore e librit nuk doli veçse dy vjet pasi vdiq, në faqen e titullit të një botimi komercial të shkurtuar.[17]

Në shqip, romani është botuar në dy përkthime: i pjessshëm në vitin 2003 nga me titullin Shtëpia Udhëring Hajts sjellë në shqip nga Borana Hima, dhe i plotë në përkthimin e Amik Kasoruhos me titullin Lartësitë e stuhishme në vitin 2010.[18]

Shëndeti i Emily-së duhet ta kishte pësuar nga klima e ashpër e veriut të Anglisë dhe nga kushtet johigjenike në shtëpi:[19] uji i çesmës u vinte i ndotur nga një rrjedhje prej varrezave të kishës.

Të dielën e 24 shtatorit 1848, vëllai Branwell vdiq papritur. Gjatë shërbimit funeral një javë më vonë, Emily mori një ftohje të rëndë e cila u shndërrua në inflamacion të mushkërive dhe çoi në tuberkuloz.[20] Megjithëse gjendja i përkeqësohej vazhdimisht, ajo refuzonte ndihmën mjekësore dhe ilaçet, duke thënë se nuk do të lejonte t'i afrohej dhe ta helmonte asnjë mjek.[21] Vdiq rreth orës dy pasdite të 18 dhjetorit të atij viti. Sipas Mary Robinsonit, një biografeje të hershme të saj, vdekja e gjeti të ulur në divan.[22] Por një letrër nga e motra Charlotte drejtuar William Smith Williamsit qeni qëndronte bri shtratit ku po jepte shpirt Emily-a, duke e vënë në dyshim pohimin e Robinsonit.[23]

  1. ^ As given by Merriam-Webster Encyclopedia of Literature (Merriam-Webster, incorporated, Publishers: Springfield, Massachusetts, 1995), p viii: "When our research shows that an author's pronunciation of his or her name differs from common usage, the author's pronunciation is listed first, and the descriptor commonly precedes the more familiar pronunciation." See also entries on Anne, Charlotte and Emily Brontë, pp 175–176.
  2. ^ The New Encyclopædia Britannica, Volume 2. Encyclopædia Britannica, Inc. 1992. fq. 546. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Fraser, The Brontës, p. 28
  4. ^ Fraser, The Brontës, p. 35
  5. ^ Fraser 2008, f. 261.
  6. ^ Richard E. Mezo, A Student's Guide to Wuthering Heights by Emily Brontë (2002), p. 1
  7. ^ The Brontës' Web of Childhood, by Fannie Ratchford, 1941
  8. ^ An analysis of Emily's use of paracosm play as a response to the deaths of her sisters is found in Delmont C. Morrison's Memories of Loss and Dreams of Perfection (Baywood, 2005), ISBN 0-89503-309-7.
  9. ^ Vine, Emily Brontë (1998), p. 11
  10. ^ Christine L. Krueger, Encyclopedia of British writers, 19th century (2009), p. 41
  11. ^ Robert K. Wallace (2008). Emily Brontë and Beethoven: Romantic Equilibrium in Fiction and Music. University of Georgia Press. fq. 223. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Paddock & Rollyson The Brontës A to Z p. 21.
  13. ^ Harrison, David W (2003). The Brontes of Haworth. Trafford Publishing. fq. 47. ISBN 978-1-55369-809-8. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Brontë, Emily Jane (1938). Helen Brown and Joan Mott (red.). Gondal Poems. Oxford: The Shakespeare Head Press. fq. 5–8. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Encyclopedia of British writers, 19th century (2009), p. 41
  16. ^ Joudrey, Thomas J. "'Well, we must be for ourselves in the long run': Selfishness and Sociality in Wuthering Heights." Nineteenth-Century Literature 70.2 (2015): 165-93.
  17. ^ Richard E. Mezo, A Student's Guide to Wuthering Heights by Emily Brontë (2002), p. 2
  18. ^ Katalogu OPAC i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
  19. ^ Gaskell, The Life of Charlotte Brontë, pp. 47–48
  20. ^ Benvenuto, Emily Brontë, p. 24
  21. ^ Fraser, "Charlotte Brontë: A Writer's Life", 316
  22. ^ Robinson, Emily Brontë, p. 308
  23. ^ Barker, The Brontës, p. 576