Engjëll Berisha (1934)
Engjëll Berisha | |
---|---|
U lind në | 24 gusht, 1934 |
Vdiq | 2015 |
Kombësia | Shqiptar |
Engjëll Berisha (Prizren, 24 gusht 1934 - Prishtinë, 15 shkurt 2015) ka qenë muzikolog dhe akademik shqiptar.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitet 1954-1955 mbaroi Shkollën e Lartë në Degën e Teorisë dhe të Pedagogjisë Muzikore, në Akademinë e Muzikës të Beogradit. Pas diplomimit, në vitin 1958 kthehet në Prizren, ku deri në vitin 1968 në Shkollën e Mesme të Muzikës punon pedagog i lëndëve teorike dhe praktike – harmoni, histori e muzikës, lexim i partiturave vokale dhe njohja e instrumenteve. Për mungesë të kuadrit të lartë profesional muzikor, angazhohet të mbajë mësim nga lënda e edukatës dhe e kulturës muzikore edhe në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit.Në vitin 1968 zgjidhet profesor i lëndës Histori e muzikës (Dega e muzikës) në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Aty punoi deri në vitin 1975. Kur në vitin 1975 u hap Akademia e Arteve (sot Fakulteti i Arteve), Dega e muzikës , u zgjodh ligjërues i lëndës Histori e muzikës botërore dhe kombëtare. Pastaj mori titullin profesor ç'ordinar dhe më vonë profesor ordinar i Universitetit.Gjatë viteve 1974-1978 studion në Fakultetin Filozofik – Dega për muzikologji në Lubjanë Slloveni.Studimet pasuniversitare (të shkallës së tretë) i ndoqi në Akademinë e Muzikës – Dega për Histori të Muzikës dhe Muzikologji në Sarajevë. Aty magjistron në fund të vitit 1980, duke u lauruar në këtë mënyrë magjistër i parë shqiptar në muzikologji. Në Fakultetin e Arteve, në cilësinë e profesorit ordinar do të ligjërojë lëndën e Historisë botërore dhe shqiptare (për një kohë edhe të lëndës Njohja e literaturës korale) derisa u pensionua, në vitin 2000. Për mungesë të kuadrit adekuat të lëndës së përmendur, vazhdoi të mbetej i angazhuar në ligjërata me nga 4 orë në javë për lëndën Histori e muzikës, edhe disa vite pas pensionimit. Krahas mbajtjes së mësimit në shkolla të mesme dhe ligjëratat e rregullta në shkollimin e lartë (SHLP dhe në fakultet), ka ushtruar edhe detyra udhëheqëse – drejtuese. Gjatë viteve 1962-1968 ishte drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren dhe drejtor i Gjimnazit, po ashtu në Prizren gjatë viteve 1969-1970; prodekan në vitet 1975-1977, dekan më 1981-1983. Në Prizren gjatë disa viteve ishte dirigjent i korit të SHKA “Agimi”. Me ansamblin e kësaj shoqërie muzikore, si udhëheqës artistik është paraqitur para publikut kosovar shumë herë rregullisht. Me SHKA “Agimi” ka marrë pjesë në shumë manifestime, gara, koncerte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera, si në Shkup, Tetovë, Nish, Beograd, Sarajevë, si dhe në disa qytete të Shqipërisë në vitin 1972, si në Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Durrës, Krujë, Shkodër etj. Me këtë shoqëri ishte edhe në Turqi e në Algjeri.Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në mjaft seminare e tryeza me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë. Në vitin 1977, ka mbajtur ligjërata në Seminarin Ndërkombëtar për Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale në Prishtinë, në vitet 2000, 2001, 2002, në tryezat muzikologjie, që mbaheshin në Gjakovë në “Ditët e muzikës kosovare-shqiptare”. Ai ligjëroi në Tiranë në vitin 1979, në Shkup më 1993, Sarajevë, Novi-Sad në vitin 1986, etj.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Engjëll Berisha". ashak.org.