Jump to content

Vlorajt

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Familja Vlora)
Familja e Ismail Qemalit

Vlorajt, ndryshe oxhaku i Vlorajve ose bejlerët e Vlorës qe një familje feudale (oxhak) të njohur në historinë e Perandorisë Osmane si familja e vezirëve të kasabasëVlorës.

Por përpos formimit dhe edukimit në shkolla të huaja dhe trashëgimisë kulturore, familja Vlora nga qyteti me të njëjtin emër, njihet edhe si zotëruese e pronave të tëra në zonën bregdetare. Në kujtimet e tij, Eqrem bej Vlora ka përshkruar me detaje shtrirjen e ndikimit të kësaj familjeje dhe kontributin për pavarësinë e Shqipërisë.

Sipas Eqrem bej Vlorës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pema që ka lënë pinjolli i kësaj familjeje, Eqrem Beu në kujtimet e tij, na përcjell një gojëdhënë popullore sipas së cilës i pari Vlorajve vinte nga Kanina. Ishte një djalë i krishterë, i biri i njëfarë Golemi, u bë mysliman në kohën kur turqit pushtuan Kaninën. Sipas legjendës, djali mori emrin Mehmet bin Abdullah. Më vonë u bë kështjellar (osm. dizdar) i kalasë së Kaninës.

Ndryshe prej kësaj gojëdhëne, në kohën turke anëtarët e kësaj familjeje pohonin se katragjyshi i tyre Gjergju Sinan Pasha kishte ardhur nga Konia e Anadollit, për të përligjur sërën e tyre madje mendonin se kishin prejardhje sejidësh[1]. E mbështetur edhe nga kronika turke e hoxhës së fshatit Arenen, Falih efendiut (1766) që pohon se prejardhja e këtij oxhaku është nga Konia dhe nëse një ditë Osmanllinjtë do të shuheshin, Vlorajve u takonte e drejta e trashëgimisë.

Për Eqrem Beun, duke hamendësuar edhe për dakordësine e të atit Syrja Beut, kjo ishte pa bazë as gjenealogjike, as juridike , por e besuar nga populli dhe e quan tipike të stilit të një kronikani të kohës.

“Kështu e kërkonte asokohe politika dhe moda sepse nuk ishte aspak e hijshme që një ‘derë’, e cila për katër shekuj me radhë kishte qenë mëkëmbëse e sulltanit në vend, ta ketë prejardhjen prej një të krishteri të rëndomtë e të panjohur nga malet e Labërisë”.

Lidhjen e gojëdhënave me faktet Beut e paraqet kështu: një çift motër e vëlla të bërë rob nga një bastisje pirateske korsare, blihen në pazarin e Vlorës nga dizdari i Kaninës Mehmet bin Abdullah, i cili i ktheu në fenë islame dhe u dha emrat Ahmet dhe Aishe.

Ahmetin e ri ia çoi si dhuratë vezirit të madh, Isak Pashës, ndërsa vajzën e mori vetë për grua. Nga kjo martesë duhet të ketë lindur Gjejgju Sinan Pasha. Fakti që në 1501 ai ndërtoi një teqe bektashiae dhe për vete një seli në kala (1498), e cila ka qenë në këmbë deri fillimet e pavarësisë, mund të ishte një dëshmi se ai kishte lindur në Kaninë.

Pas vdekjes së tij sanxhakbej u emërua i biri, Mehmet Beu, por në vitin 1515, me urdhër të vezirit të madh, Ajaz Pashës (edhe ky vlonjat), shkarkohet ‘për paaftësi’.

Pas tij, si mëkëmbës i sulltanit, erdhi i vëllai, Hysen beu. Por edhe ky ra gjatë rrethimit të Rodosit (1522). Me lutjen e popullsisë, si sanxhakbej (1524) u emërua përsëri Mehmet beu, që jetonte në çifligun e tij të vogël në Qishbardhë. Pas vdekjes së Mehmetit (ai u varros në anën e djathtë, në tyrben e të atit) erdhi i biri, Kara Sinan Pasha (1538), për shpirtmadhësinë e të cilit shkruajnë aq shumë kronikat e kohës. Pas Kara Sinan pashës deri në 1828 (sanxhakbej Sulejman pasha) ne gjejmë pothuaj pa ndërprerje 18 anëtarë të kësaj shtëpie në ofiqin e mëkëmbësit të Sulltanit në Vlorë…”[2]

Sipas zv/ austro-hungarez në Vlorë, Dr. Ranzi, pema gjenealogjike e hartuar prej tij më 18 prill 1905 zë fill me atë që konsideron paraardhësin e parë, themeluesin e këtij oxhaku, Sinan Pasha, deri tek brezi i Ismail Qemalit. Gjeneratën e mëpasshme e ka regjistruar shkurt, vetëm me numrin e fëmijëve. Për tetë breza (Sinan Pasha, Sulejman Pasha, Jusuf Pasha, Ali Pasha, Sulejman Pasha-Selim-Ali, Kapllan Pasha) edhe pse niveli i hierarkisë në Perandorinë Osmane dëshmon kuotë të lartë, deri tani nuk ka të dhëna. Protagonizmi i spikatur i kësaj familje jep më në fund informacion në gjeneratën e njëmbëdhjetë. Kështu Ibrahim Pashë Vlora nga viti 1787 deri më 1810 ka qenë sanxhakbej i qytetit të Vlorës.

Mahmud bej Vlora, ka qenë një ndër krerët kryesorë të kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit. Pas shtypjes së saj u arrestua dhe u internua në Konia të Azisë së Vogël. Ndërkaq familja e tij bashkë me Ismail Qemalin u internua në Selanik. Selim Pashë Vlora po ashtu ka spikatur si një ndër krerët kryesorë të kësaj kryengritjeje. Edhe ai u internua në Thesali. Nuk mungon me veprimtarinë e tij kombëtare as Mustafa Pashë Vlora, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”). Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës (1 nëntor 1878), e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit. Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakkala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur. Janë shumë të dukshme kontributet për çështjen kombëtare dhe pavarësimin e Shqipërisë edhe nga Syrja bej Vlora dhe i biri i tij, i dituri Eqrem bej Vlora. Një pjesëtar tjetër i familjes Vlora, Ferid pashë Vlora, në vitet 1903-1908 ka qenë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, dhe para kësaj qe ministër i brendshëm. Ndërkohë njëkohësisht edhe anëtar i Shoqërisë i të Shtypurit të Shkronjave Shqip. Nuredin bej Vlora ka vepruar si kryetar i bashkisë së Vlorës në 1920. Duke i qendruar në krah babait të tyre për të gjithë periudhën më intensive në dobi të çështjes shqiptare (1900-1919) nuk mund të veçohen nga prestigji i lartë kombëtar edhe dy djemtë e Ismail Qemalit, Et’hem dhe Qazim bej Vlora. Edhe më pas atdhetarët e kësaj familjeje nuk mungojnë. Vijnë të plotë e të pajisur me këtë dinjitet të paktën dyqindvjeçar edhe ata që jetojnë sot. Kurrkush prej tyre nuk i ka thyer shpinën atdheut të vet[3].

  1. ^ Pasardhës të Profetit.
  2. ^ Vlora E., Kujtime 1885-1925, Tiranë: IDK, 2003. fq. 571-573. ISBN 99927-780-6-7
  3. ^ Polovina Y., Jo Ismail Qemali, por Vlora!, zemrashqiptare.net, 20 nëntor 2010.