Japraku
Japraku (kuvare, sarmá, gogëluqe, japrash) është një gjellë që gatuhet me mbështjelljen në gjeth hardhije ose lakre të içit të përbërë prej mishit kimë ose çikla mëlçie, një dorë oriz, qepë të njoma dhe majdanoz. Si mbështillen kokrra-kokrra, futen për t'u zier.
Etimologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në shqip fjala ka hyrë prej turqishtes yaprák "gjeth, fletë; petë gurësh, metalesh; pola pëlhure, fistani, etj", por yaprák dolması gjella në fjalë.[1]
Receta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për 4-5 persona duhen :
- gjethe rrushi 40-50 copë,
- oriz një filxhan e gjysmë çaji,
- qepë të njoma 4-5 copë,
- vaj 2 filxhanë kafeje,
- kripë, piper, kopër.
Zakonisht kjo lloj gjelle përgatitet në pranverë, kur gjethet janë ende të njoma. Gjethet lahen dhe hidhen në ujë të vluar për 1-2 minuta, që të zbuten. Kullohen e hapen në tavolinë një nga një (pjesa e shkëlqyer nga poshtë). Vendoset mbushja dhe mbështillen në formë roleje duke futur anët nga brenda.
Mbushja përgatitet në këtë mënyrë : orizi qërohet, shpëlahet dhe zihet për 4-5 minuta ; i kullohet uji, shtohet qepë e njomë e grirë hollë, kripë, piper dhe kopër. Të gjitha këto përzihen mirë dhe përdoren për mbushje. Gjatë mbështjelljes, sipas dëshirës, në çdo japrak mund të vendoset një copë e vogël mish qingji (tul). Në rast se përdoret mish tjetër, atëherë duhet të kalohet në makinë.
Japrakët mund të përgatiten edhe pa mish. Për këtë, në një tigan kaurdisen qepë të grira hollë, shtohet oriz, vazhdon kaurdisja edhe pak, hidhet ujë në mënyrë që orizi të jetë gjysmë i zier, shtohen erëza, kripë, piper dhe përzihen mirë.
Japrakët e mbështjellë vendosen në tenxhere me fund të gjerë në 2-3 shtresa. Në fund vihen disa gjethe, pastaj shtohet ujë ose lëng mishi dhe kripë. Sipër vihet një pjatë, mbulohen me kapak dhe zihen në zjarr të javashëm për 25-30 minuta. Japrakët mund të shoqërohen me kos,ose me lëngun e vet të prerë me vezë e limon.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dizdari, Tahir (2005). "Japrák-u" në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. fq. 442–443.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)