Tahir Dizdari
Tahir Dizdari | |
---|---|
Lindi | 15 nëntor 1900 Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq | 9 maj 1972 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Kombësia | shqiptare |
Profesioni | nëpunësi administrate, orientalist |
Bashkëshorti/ja | Fatma Makbule, gjinekologe |
Fëmijë | Nasuf, Emel dhe Perihan |
Tahir Nasuf Dizdari (Shkodër, 15 nëntor 1900 - Tiranë, 9 maj 1972) ka qenë nëpunës i shtetit shqiptar, hulumtues i gjuhës, folklorit, etimologjisë dhe leksikografisë së shqipes. Ka shkruar po ashtu pjesë publicistike, kryesisht satirike. [1] Për kontributin e tij në shkencat albanologjike është nderuar pas vdekjes me Urdhrin "Naim Frashëri" të klasit të parë më 1995.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Leu në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i Nasuf Dizdarit. Familja e tij e gjurmonte prejardhjen e vet nga një ushtarak prej Izniku, sot në Turqi.[2] Pas arsimit fillor vazhdoi Ruzhdijen, por studimet u ndërprenë, sepse shkolla u mbyll më 1912 për shkaqe lufte.[3] Kaloi në bankat e kolegjit Saverian të jezuitëve duke përfunduar mësimet më 1918.[1] I prirun për nga gjuhët e huaja, kishte njohuri në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhë lindore.
Vazhdoi studimet e larta në universitetin e Stambollit për shkenca politike gjatë viteve 1922–1925. U martua në Turqi me Makbule Fatmën, që kishte mbaruar për mjeke gjinekologe, e cila pas mbërritjes në Shqipëri, bëhet mamia e parë në Tiranë dhe në të gjithë vendin.[4]
Punoi në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.[3]
Po kështu në revistën Ekonomia Kombëtare lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.[3]
Si monarkist dhe mbështetës i Mbretit Zog, Dizdari mori pjesë në qëndresën e armatosur kundër pushtimit italian të Shqipërisë në prillin e 1939. Duke e ditur qëndrimin e tij pro-zogist dhe përfshirjen në pritjen me armë të italianëve në Gomsiqe, u arrestua dhe u internua nga autoritetet fashiste. Me qeverisjen mike me gjermanët pas kapitullimit italian, iu rikthye studimeve mbi orientalizmin dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.[1]
Në maj të vitit 1945 u bë bashkëpunëtor i gazetës Bashkimi dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.
Në shkurt të vitit 1951 u arrestua dhe u mbajt për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja iu transferua në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë u shpërndanë me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.[5]
Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.
Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ndërroi jetë.
Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.
Vepra dhe mirënjohje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qysh u ri u dha me zell pas mbledhjes së folklorit, dashurinë për të cilin e kishte të ushqyer nga i ati, dhe ndër të tjera përmes folklorit studjoi ndër të tjera edhe fondin oriental të gjuhës shqipe.[6] Gjatë vitit 1944 boton në gazetën Bashkimi i kombit rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën Bashkimi në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën Bashkimi i kombit ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën Bashkimi i kombit dhe të “Katër Balët” në revistën Bota e re. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” te Bashkimi i kombit. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat Kultura islame, Bleta, etj.[3]
Mbledhjes së orientalizmave ia filloi që më 1926, dhe kishte konsulent Myfid Libohovën, Jonuz Tafilin dhe Eqrem Çabejn.[6] Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore Orientalizmat në gjuhën shqipe, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të Gjuhësisë. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.
Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973.
Me propozimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në shenjë mirënjohje e nderimi, në vitin 1995, Presidenti i Republikës z. Sali Berisha e dekoroi në pragun e Ditës së Flamurit me urdhrin “Naim Frashëri” të kl. I-rë me motivacionin: “Për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike”.[3]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c Elsie, Robert (2013), A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht), Bloomsbury Academic, fq. 116, ISBN 9781780764313
- ^ Bushati, Hamdi (1999), Shkodra dhe motet, vëll. II, Shkodër: Idromeno, fq. 292, OCLC 41096394
- ^ a b c d e Tahir Dizdari, Komunitet Mysliman i Shqipërisë, arkivuar nga origjinali më 25 dhjetor 2015, marrë më 12 janar 2021
- ^ Harri, Urtis (2015). "Veçori të turqizmave në gjuhën shqipe përmes "Fjalorit të Orientalizmave" të Tahir Dizdarit". fq. 11.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist v. II (D-G)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. 2013. fq. 162-163. ISBN 978-9928-168-01-6.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Podgorica, Fadil (2004). Fjalor etnofolklorik. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 84. ISBN 99927-49-97-0.