Shko te përmbajtja

Jonuz Tafilaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jonuz ose Junuz Tafilaj[1] (Shkodër, 13 qershor 1892 - nëntor 1976) ishte veprimtar i çështjes kombëtare, vullnetar në Luftën e Koplikut, publicist dhe orientalist shqiptar.

U lind në Shkodër më 13 qershor 1892. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ku të dytin e ndjeku në shkollën ushtarake të ryzhdijes. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez Jonuzi qe burgosur si një nga nismëtarët e demostratës kundër tyre te Xhamia Plakë në Shkodër.[2]

Më 1919 ishte ndër themeluesit e shoqërisë "Vëllazënija" së bashku me Hilë Mosin dhe Kel Marubbin,[3] dhe më pas sekretar i saj. Kontribuoi në radhët e të përkohshmes Agimi, organ i "Vëllazënisë", me artikujt të ndryshëm, si për shkrimtarin osman Namik Qemalin, për Oson e Falltores, etj.

Interpretoi ndër komeditë Shërbëtori i dy zotnive dhe Ermenia e vogël të vëna në skenë shoqëria.[4] Më pas u bë anëtar i shoqërisë "Bashkimi" themeluar nga Avni Rustemi. Më 1920 rroku armët për në Luftën e Koplikut, më pas ishte sekretar nderi në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.[2] Përkrahte opozitën e viteve 1920-'24 drejtuar nga Luigj Gurakuqi dhe Sulçe beg Bushati, u radhit ndër personat e shoqërisë "Bashkimi" që u pajisën me armë pas Lëvizjes së Qershorit.[5] Më 1931 iu botua punimi i tij Fjalorth shqip nga shtypshkronja "Shkodra" në Tiranë.[6] Më 1936 botoi tek e përkohshmja "Afrimi" e Vlorës shkrimin Gjuha e jonë e martirizueme nga shkrimtarët e saj me pseudonimin J. Jalifati.[7] Radhitet ndër botuesit e të përkohshmes "Përpjekja shqiptare".[8] Më 1937 figuron të ketë qenë sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar.[9]

Pas 1944 u mor në shërbim prej Institutit të Shkencave si përkthyes, më pas vijoi i tillë në Arkivin e Shtetit.[2] Në mars të 1945, i caktuar nga ministri i shtypit, propagandës dhe kulturës popullore Sejfulla Malëshova, u ngarkua të kontrollonte librat, dorëshkrimet dhe dokumentet e tjera që ndodheshin në bibliotekën e Syrja dhe Eqrem Vlorës. Pas kontrollimit dhe raportimit që kreu me këtë detyrë, biblioteka private e Vlorajve u shtetëzua.[10]

Përktheu me Myqerem Janinën dhe Eleni Dukën një pjesë të mirë të fermanevePerandorisë Osmane,[11][12] duke qenë ndër kontributorët madhorë në përkthimin e katalogimin e dokumenteve osmane.[13] Ka përkthyer gjithashtu vëllimin Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane të Syrja bej Vlorës nga osmanishtja.[14] Përktheu romanin turk Jaban - I huej të shkrimtarit Yakup Kadri Karaosmanoğlu, botuar më 1943;[15] si dhe romanin Mësuesi idealist të shkrimtarit bullgar Grigori Petroff, botuar më 1944.[12][16]

  1. Tafilaj, Junuz (1936). "Jeta dhe Librat". Përpjekja shqiptare. 1 (1): 189–190.
  2. 1 2 3 Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 547. OCLC 645720493.
  3. Papagjoni, Josif (2005). Teatri kombëtar: udhë, prirje, shfaqje, profile. Tiranë: Qendra e Studimit të Arteve (Akademia e Shkencave e RSH). fq. 19.
  4. Zadeja, Tonin (2002). "Shoqëria "Vllaznia" 1919". Phoenix v. XXI nr. 1-3. fq. 96–109. Arkivuar nga origjinali më 14 prill 2005. Marrë më 4 dhjetor 2018.
  5. Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 8–10. ISBN 9789928440358.
  6. Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 380. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 2 shtator 2021.
  7. Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 238–239.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  8. Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e letërsisë shqiptare [History of Albanian Literature]. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 435.
  9. "Drejtori dhe ente të shtetit shqiptar në vitin 1937". 55news.al. 21 tetor 2020.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. Agolli, Ilirian (26 nëntor 2018). "Gjuetia e bibliotekave". faktor.al. Arkivuar nga origjinali më 4 shtator 2019. Marrë më 4 shtator 2019.
  11. Shaban Sinani, H. Erkan Fıratlı; Tayfun Atmaca (2005). Fermanlar: "tarihi hoşgörüyle yazmak--" (në turqisht). Arbëria. fq. 19. ISBN 9789992791554.
  12. 1 2 Dibra, Zenepe (2019). "Kontributi i disa autorëve shkodranë në përkthimet në gjuhën shqipe" (PDF). Gegnia (8): 203–209. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 shkurt 2022. Marrë më 31 janar 2021.
  13. Nuro, Kujtim (mars 2016). "The Significance of the Kadi Registers (Ser'iyye Sicilleri) of the Ionnina" (PDF) (në anglisht). Journal of Ottoman Legacy Studies v. 3. fq. 82–91. ISSN 2148-5704.
  14. Bello, Hasan (25 maj 2018). "Libri i Syrja bej Vlorës publikohet për herë të parë". rtvislam.com.
  15. Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 553.
  16. Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 563.