Jusuf Gërvalla
Neutraliteti i këtij artikulli ose seksioni është i dyshimtë. Jeni të lutur të shikoni faqen e diskutimit si dhe të ndihmoni këtë artikull duke korrigjuar informacionet. |
Jusuf Gërvalla (Dubovik, 1 tetor 1943 - Shtutgart, 18 janar 1982) ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar. Ka qenë themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.
Më 18 janar 1982 Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 nga Sabri Hamiti.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.
Tituj të veprave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Fluturojnë e bien (1975)
- Kanjushë e verdhë (1978)
- Shtëpia në kornizë
- Skena nga jeta e fshatit
- Shenjat e shenjta (1979)
- Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992
Mirënjohjet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Urdhri Hero i Kosovës
- Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit
- Manifestimi letrar Flaka e janarit
Shiko dhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Fondacioni Gervalla[lidhje e vdekur]
- DIMENSIONI KOMBËTAR DHE KRIJUES I JUSUF GËRVALLËS - Myrvete DRESHAJ - BALIU, janar 2007