Jump to content

Kisha armene

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Armenia është një rajon ku krishterimi është përhapur që në kohët më të hershme. Sipas transmetimeve kisha armene, që në periudhën më të hershme, me veprimet misionerike të Addaj-it (Thadeusit) dhe të Bartholomeusit, ka hyrë në rajone të ndryshme të shtetit krishter. Dokumentet historike tregojnë se, shek. III paraqitet si koha e themelimit të komunitetit të parë krishter në Armeni. Ka të dhëna se, në vitet 230 dhe 301 pas e.s. ata janë përndjekur. Kurse para krishterimit në këto vende ka qenë i përhapur adhurimi i zjarrit (zaratustrizmi). Pranimi i krishterimit nga ana e mbretit armen, Tridatesi, ishte një moment shumë i rëndësishëm në zhvillimin e krishterimit, ku pas kësaj krishterimi pati një përhapje shumë të madhe. Tridatesi, në vitin 302 për patrik (katolikos) të kishës emëroi të afërmin e tij, Gregorin. Kjo kishë, për shkak të punëve të susksesshme të Gregorit quhet edhe Kisha Gregoriane. Gregori, djalin e tij, Rustakun, e emëroi peshkop. Ai, në Ashtishat, në vend të tempullit zaratustrian ndërtoi qendrën kishtare. Në vende të ndryshme të shtetit themeloi shkolla në sirianishte dhe në greqishte dhe punoi në mësimin e krishterimit. Armenët janë ata që të parët në histori krishterimin e bënë fe shtetërore. Me invadimin e persianëve në vitin 367 u shkatërrua Mbretëria Armene dhe shumica e popullit janë syrgjynosur në Iran dhe në Mesopotami. Gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, Sahagi I(Isaak I), i biri i Nersesit të madh, bashkë me Mesropin, një murg dhe dijetar i shquar, në vitin 387-390, ka përgatitur alfabetin kombëtar ermen[1].

Zhvillimi i kishës armene

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas përgatitjes së alfabetit ermen, edukimi fetar në greqishte dhe në sirianishte ia la vendin edukimit në gjuhën e vendit, gjegjësisht armenishtes. Edhe pse në fillim pjesa që flisnin greqisht refuzonin, por për të shpëtuar nga fajësimi, se janë simpatizues të Bizantit, u detyruan që urgjentisht ta braktisin greqishten. Bibla, në vitin 433 u përkthye në armenishte nga sirianishtja dhe u quajt Peshitta. Kuvendet fetare të mbledhura në Ashtishat në vitet 432 dhe 435, vendimet e koncilit të Efesit i pranuan edhe për kishën armene. Edhe përkundër shtypjes së persianëve, ata ishin të lidhur shumë fortë me vendimet e Koncilit të Efesit. Monofizitizmi, edhe në kuvendet fetare të tubuara në Tevin më 506/507 dhe 552, është pranuar zyrtarisht. Në vitet 640-653 ata hynë nën mbrojtjen e muslimanëve dhe kështu shpëtuan prej ndikimit të dhunës bizantine. Tevini, qendra e katolikosit, gjendej brenda kufijve të administrimit të muslimanëve. Aktivitetet fetare të katolikosit nuk u prekën aspak, populli vazhdoi lirisht jetën fetare dhe adhurimet e tij. Në vitin 893, shkatërrimi i Tevinit nga një tërmet i fortë, ishte shkak për transferimin e katolikosit në Valarshabat, e më vonë në Ishullin Akdamar në liqenin Van. Shtimi i muslimanëve dhe zvogëlimi i numrit të komunitetit, bëri që katolikosi (patrikana) më 992 të bartet në Ani, afër Karsit. Në Ani bashkë me jetën e pasur kishtare u zhvillua edhe një arkitekturë e bukur. Vetëm se, me kalimin e saj në duart e Bizantit më 1045 dhe me syrgjynosjen e katolikosit në Stamboll, u pengua zhvillimi në Ani 235. Edhe ardhja e selxhukëve në Anadoll, nuk e kënaqi shtresën sunduese. Qendra fetare, krahas kundërshtimit të popullit, u mbart në Amasja, që ishte nën administrimin bizantin, kurse më vonë u mbart në kalanë greke, e cila gjendet në rajonin e epërm të Eufratit. Ky qëndrim i udhëheqësve u hapi rrugë ndarjeve mes armenëve, që u bë shkak që populli monofizit armen edhe më tepër të afrohet drejt kishës monofizite siriane. Armenët gjatë kryqëzatave, me qëllim që të formojnë përsëri shtetin e shkatërruar nga ana e sasanidëve, iu afruan Papës. Në vitin 1198 Leoni II:, u shenjtërua mbret i Armenisë. Në Marash dhe rreth tij u themelua një shtet me emrin “Mbretëria e Armenisë së Vogël” dhe u bashkua me Papën. Vetëm se, më 1248 dëshira e Papatit që t’i katolikizojë armenët, u bë shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve mes armenëve dhe papatit. Më 1344 populli u ngrit në kryengrtije. Pas një periudhe “Mbretëria e Armenisë së Vogël” u shkatërrua nga ana e memlukëve dhe kështu u ndërpre plotësisht lidhja me Romën[2].

Armenët dhe muslimanët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fatih Sulltan Mehmedi II, pas çlirimit të Stambollit, në vitin 1461 peshkopin armen në Bursa e emëroi për patrik në kryeqytetin e ri. Atij i ka dhënë autoritet edhe për çështjet administrative brenda komunitetit krishter. Kështu që, patriku ishte në pozitën e një udhëheqësi fetar dhe kombëtar të Armenëve. Vetëm që nuk kishte të drejtë përzierjeje në kishat e të njëjtit fraksion, si në atë siriane dhe kopte. Gjatë kësaj kohe në Exhmiazin, që gjendej në principatën Kara Kojunlu, dhe në Jerusalem nën administrimin memluk janë themeluar patrikana armene. Në çdo shtet islam ka ekzistuar nga një Patrikanë, e cila ka qenë përgjegjëse për komunitetin armen. Armenët deri në shek. XVII kanë jetuar të qetë. Për shkak të rënies së Erivanit pas vitit 1724 herë nën osmanët e herë nën persianët, për shkak të zënkave të brendshme në Iran dhe me fillimin e dobësimit të shtetit osman, armenët janë lidhur me Rusinë, gjë kjo që i forconte shpresat për pavarësi në Kaukaz. Edhe rusët në vitin 1770 kanë lejuar ndërtimin e një kishe armene në Petersburg dhe një tjetre në Moskë, mënyrë kjo me të cilën u munduan që t’i përfitojnë armenët. Pas vitit 1800, rusët filluan të përzihen në zgjedhjen e Patrikut armen në Iran dhe në shtetin osman. Në 1829 patrikana Exhmiazin u fut në rajonin e administrimit rus. Kështu që, armenët filluan të jetojnë në një administrim me shumicë ruse. Rregullimi i kushteve materiale për jetesë në shek XIX. nxiti shpërnguljen e 96.000 armenëve prej Anadollit për në Rusi. Këtu luajtën rol edhe shqetësimet e brendshme në komunitetin armen. Sepse gjatë historisë roli i faktorëve, si aktivitetet misionare katolike dhe ortodokse brenda tyre, shtypjet dhe mundimet për të mbrojtur patrikanën historike gregoriane-monofizite, ndërhyrja e jashtme shtetërore etj., ishte i madh. Gjithashtu me formimin e shtypshkronjës në Stamboll më 1730, në masë të madhe u botuan libra në gjuhën armene dhe u forcua ndjenja fetare e tyre. Me presionin e shteteve evropiane më 1847 në Stamboll u dha leja për formimin e një kuvendi armen, që do të ishte kuvend i pavarur fetar dhe civil.

Në vitin 1860 nga qeveria osmane u pranua “Kuvendi kombëtar armen”. Pastaj kishin mundësi që punëtorët laikë t’i zgjedhnin vetë. Për t’i çuar këto zhvillime përpara, mes tyre u përgatitën edhe organizata të armatosura. Në Anadoll filluan të ndërmerren hapa për themelimin e shtetit armen. Luftërat, sidomos ato në Anadollin lindor, u shndërruan në luftëra qytetare. Në komunitetet islame dhe armene filloi të hidhet fara e armiqësisë. Tërheqja e mbështetjes ekonomike për shkak të kryengritjes më 1917, dha shanse për rezultimin e luftërave me fitoren e osmanlinjve. Lufta e humbur brenda, earmenët e Anadollit lindor i detyroi që të shpërngulen. Kurse në perëndim dhe në Anadollin e mesëm, armenët të cilët nuk u përzien në ngjarjet politike, vazhduan jetën e tyre tradicionale. Numri i sotëm i tyre është përafërsisht 50.000. Shumica e komunitetit është e tubuar rreth Stambollit[3].

Besimi dhe adhurimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha tradicionale gregoriane, sikur kisha siriane dhe ajo kopte, është kishë monofizite. Patrikana e tyre merr titullin “katolikos”. Ata nuk pranojnë se ushqimi dhe alkooli në ritet e kungimit shndërrohen në mishin dhe në gjakun e Jezu Krishtit. Ata, gjithashtu, nuk pranojnë se kisha mund t’i falë mëkatet. Përveç me rastin e amoralitetit, shkurorëzim tjetër nuk pranojnë, ikonat i numërojnë si traditë e vjetër idhujtare dhe i refuzojnë dhe, gjithashtu në shtëpitë e tyre nuk mbajnë ikona të shenjta.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ B. Spuler, Die Morgenlandischen Kirchen, f. 122-150;
  2. ^ Esat Uras, Tarihte Ermeniler ve Ermeni Meselesi, botim 2., Stamboll 1987
  3. ^ Necla Basgün, Türk-Ermeni Münasebetleri, Stamboll, 1980