Jump to content

Kosova në Luftën e Parë Botërore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore fillimisht, për rreth një vit, ishte e mbushur përplot me forca ushtarake serbe të cilat tërhiqeshin drejt Shqipërisë për të vazhduar më tutje deri në Korfuz. Pas okupimit të territoreve nga ana e Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë si aleatë në Luftën e Parë Botërore, u bë ndarja e territoreve të okupuara. Vitet 1915-1918 në zonën pushtuese bullgare konsiderohen si vitet më tragjike të varfërisë dhe të urisë për popullatën e kësaj pjese të Kosovës.[1] Mungesa e bukës u ndie jo vetëm nga thatësira, por edhe nga shkaku që pushtuesit ia konfiskuan popullit drithin. Për dallim nga zona pushtuese bullgare, austro- hungarezët udhëhoqën një politikë tjetër, me qellim që t'i përfitonin masat e gjera popullore. Filluan t'i përfillnin disa të drejta kombëtare, që për shqiptarët kishin vlerë jetike.[2]

Pas vrasjes së pretendentit të fronit austro-hungarez në Sarajevë më 1914 trupat e Perandorisë Austro-Hungareze dhe ushtria gjermane bashkë me Bullgarinë mposhtën Serbinë. Ushtria serbe iku përmes Kosovës dhe Shqipërisë drejt Korfuzit. Pasi që Serbia dhe Mali i Zi u detyruan të tërhiqen nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në vend të tyre erdhën pushtuesit austro-hungarezë dhe bullgarë. Në këtë mënyrë Kosova ndahet në dy zona pushtuese:

  • Zona e pushtimit austro-hungarez e përfshiu Mitrovicën, Vushtrrinë, Drenicën e Epërme, Pejën, Istogun, Gjakovën, Plavën, Gucinë, Tivarin dhe Ulqinin.
  • Zona e pushtimit bullgar përfshinte Prishtinën, Podujevën, Drenicën e Poshtme, Prizrenin, Ferizajin, Gjilanin, Preshevën, Shkupin, Kumanovën, Gostivarin, Strugën, Tetovën, Dibrën, Kërçovën, Ohrin dhe Prespën.

Në zonën e pushtimit austro- hungarez (Monarkia danubiane) gjendja politike, kulturore dhe arsimore ishte më e favorshme, pasi u hapën rreth 50 shkolla shqipe ku punonin 100 mësues me rreth 4000 nxënës, pastaj u lejua përdorimi i simboleve kombëtare, në administratë u punësuan zyrtarë shqiptarë dhe u realizuan edhe disa projekte infrastrukturore. Për këto arsye, shqiptarët i pritën me entuziazëm trupat e Perandorisë austro-hungareze. Si rezultat i kësaj, rreth 1000 vullnetarë shqiptarë shërbyen në frontin austriak kundër Rusisë, ndërsa dy mijë të tjerë iu bashkuan trupave austro-hungareze në Shqipëri.[3]

Në zonën e pushtimit bullgar u mbyllën të gjitha shkollat serbe dhe turke, ndërsa arsimi shqip ishte në gjendje të rëndë pasi vepronin vetëm një numër i kufizuar i shkollave katolike në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Zym, etj. të cilat ishin nën përkujdesjen e Austro-Hungarisë. Gjatë kësaj periudhë u hapën disa shkolla popullore bullgare si dhe një progjimnaz në Prishtinë.

Ndërmjet pushtuesve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare kishte dallime të dukshme. Përderisa pozita e shqipëtarëve gjatë pushtimit serbo-malazez ishte skajshmërisht e rëndë, në kohën e pushtimit austro-hungarez situata ishte më e favorshme. Austro-hungarezët u njohën shqiptarëve të drejtën e vetadministrimit lokal dhe të zhvillimit të kulturës dhe arsimit kombëtar. Kurse në anën tjetër pushtuesit bullgarë nuk ua njihnin shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare e njerëzore.

Gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, sidomos në vitet 1916-1918, në Kosovë dhe në vise tjera shqiptare u organizua qëndresa kundër pushtuesve austro-hungarezë e bullgarë. Kjo qëndrese u organizua në lufte çetash. Çetat më të njohura ishin ato të udhëhequra nga Azem dhe Shotë Galica, Idriz Seferi, etj. Lufta e çetave shqiptare dha edhe rezultatet e saj. Çetat e Azem Galicës, të përkrahura edhe nga grupe të tjera luftërash patriote shqiptarë, në vjeshtë të vitit 1918 çliruan: Drenicën, Istogun dhe Pejën ku edhe ngritën flamurin kombëtar shqiptar.

  • Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  • Malcolm, Noel (1998). Kosovo: A Short History (në anglisht). Macmillan. ISBN 978-0-330-41224-7.
  • Rifati, F. (2019) Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore. Instituti i Historisë, Prishtinë
  1. ^ Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova (në anglisht). The Scarecrow Press. fq. 190–191. ISBN 0-8108-5309-4.
  2. ^ Ismajli, R.; Kraja, M., red. (2011). Kosova : vështrim monografik [Kosova: A monographic survey]. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. fq. 228.
  3. ^ https://www.ballikombetar.info/historia-e-kosoves-jashte-shablloneve/