Jump to content

Lokaliteti parahistorik (neolitik) i Runikut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Lokaliteti parahistorik (neolitik) i Runikut
LlojiArkeologjike
VendndodhjaRunik, Skenderaj, Kosovë
NdërtuarParahistori
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar02-338/81
Nr. i referencës2944

Lokaliteti parahistorik (neolitik) i Runikut është një monument i trashëgimisë kulturore në Runik, Skenderaj, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik", i miratuar me numër 02-338/81.

Lokaliteti neolitik i Runikut ndodhet në komunën e Skenderajt, në fshatin Runik, e pozicionuar në pllajën e Drenicës, rreth 25 km në jugperëndim të Mitrovicës dhe rreth 10 km në veriperëndim të Skenderajt dhe gjendet në aksin rrugor që lidh Skenderajn me Istogun. Këtu është dëshmuar një nga vendbanimet më të hershme neolitike të Kosovës që i takon Kulturës së Starçevës, përkatësisht mileniumit të gjashtë p.e.s. dhe pasqyron një qytetërim të zhvilluar të kohës së gurit të ri. Ky lokalitet arkeologjik është hulumtuar gjatë viteve 1966-68 dhe sërish në vitin 1984. Hulumtime këto me karakter sondazhi të shtrira në rreth 35 parcela private të lagjes Dardania, me ç’rast u zbuluan mbetje dhe fragmente të shumta qeramike të periudhës neolitike (6500- 3500 p.e.s.) gjegjësisht u dëshmuan kultura e Starçevës dhe ajo e Vinçës. Hulumtime më të avancuara u zhvilluan edhe gjatë muajit Mars të vitit 2010, këto të karakterit të surveut sipërfaqësor apo njohur si prospektim apo incizime gjeofizike me magnetometër, të cilat u zhvilluan në dy pjesë të këtij areali arkeologjik, që së bashku kapte një sipërfaqe prej rreth 10000 metra katrorë. Ky vendbanim i hapur i periudhës së gurit karakterizohej nga kasollet e ndërtuara me trarë druri të lidhura dhe pa nivele të dyshemeve. Nga materiali i lëvizshëmarkeologjik zbuluar në këtë vendbanim neolitik dominojnë fragmente të qeramikës monokrome me lustër të kuqe, si dhe enë të zbukuruar në teknikën barbotine dhe impreso, por ka edhe qeramikë të pikturuar dhe me motive lineare e gjeometrike. Gjithashtu këtu janë dëshmuar edhe figurinat antropomorfe e tavolina (altar) kulti Nga enët e ndryshme zbuluar në Runik, vëmendjen e tërheq një vazo e punuar në argjilë dhe e pjekur, e lyer me ngjyrë okër dhe e pikturuar me ngjyrë të zezë të errët, e zbukuruar në formë të spirales me motiv të pëllëmbës së dorës. Nga zbulimet e shumëllojshme në këtë lokalitet reprezentativ neolitik, veçohet një artefakt unik jo vetëm për territorin e Kosovës por edhe për rajon. Ky ekzemplar i punuar nga argjila e pastruar mirë dhe e pjekur, me një lartësi prej vetëm 8 cm dhe e vrimuar si në boshtevrima për gishtërinjë po ashtu dhe në aksin më të lartë-pipëza, kishte shërbyer si një instrumenti frymor muzikor, një lloj fyelli neolitik. Instrumenti ishte pagëzuar me emrin Okarina e Runikut dhe është instrumenti me i hershëm muzikor i zbuluar në Kosovë. Tingujt dhe vibrimet e ngrohta të lëshuara nga ky instru­ ment, na transmetojnë botën e pasur shpirtërore e muzikore të njeriut neolitik të kësaj treve.[2] [3]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Neolithic prehistoric site of Runik (Skenderaj)". Arkivuar nga origjinali më 23 shkurt 2017. Marrë më 28 nëntor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Berisha, Milot (2012). "Guidë arkeologjike e Kosovës (Kosova Archaeological Guide)" (PDF). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës. fq. 10 - 22. Arkivuar (PDF) nga origjinali më 5 mars 2014. Marrë më 14 prill 2020. {{cite web}}: Mospërputhje stampash kohore te |archive-date= / |archive-url=; sugjerohet 4 prill 2019 (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]