Jump to content

Mark Ndoja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mark Ndoja (Durrës[1][2], 1912[3] - Tiranë, 22 qershor 1972[4]) ka qenë shkrimtar, studiues i letërsisë dhe klasicist, përkthyes i letërsisë klasike në shqip dhe asaj shqipe në italisht, aktivist anti-fashist dhe komunist, dhe politikan shqiptar.

Njihet për përkthimin e plotë që i bëri Divina Commedia-s, Komedisë HyjnoreDantes, të përfunduar viteve gjashtëdhjetë por të botuar pas viteve 90. Ka qenë autor poezish dhe pjesësh teatrale, përkthimesh të shumta nga autorë klasikë të lashtësisë dhe Mesjetës (Homeri, Horaci, Dante) dhe të Romantizmit (Carducci, Heine) dhe të letërsisë italiane (deri tek d'Annunzio), si dhe mjaft studimesh letrare. Ka qenë pjesëmarrës në diskutimet ideologjike të Lidhjes së Shkrimtarëve të pas-Luftës së Dytë Botërore, prej të cilave e pësoi gjatë një spastrimi të një grupi shkrimtarësh në vitet 1953-54. Kaloi disa vjet në burg dhe internim.

Ka pasur formim fetar katolik dhe për një kohë shërbeu si dhjak, por më pas gjatë viteve tridhjetë pati një reagim të fortë anti-klerikal[5]. Ato vite shfaqi ambicjet letrare[6] dhe pati formim në traditën klasike duke njohur mirë latinishten dhe greqishten e vjetër, italishten, dhe gjermanishten[7]. Iu bashkua Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në krah të komunistëve, duke u bërë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe duke marrë pjesë në luftë.[8] Gjatë Luftës dha mësim në Gjimnazin shtetëror të Shkodrës.

Zgjidhet deputet i Shkodrës në parlamentin e parë pas lufte,[9][10] qytet ku kishte jetuar si konviktor dhe arsimtar[11], dhe ku kishte qenë më parë shkurtimisht sekretar politik i Partisë Komuniste. Jep mësim letërsinë në Institutin Pedagogjik, në prill 1946 emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe më 28 janar 1947, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Studimeve apo të Shkencavet (Akademisë së sotme të Shkencave)[12]. Më 1950 emërohet Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve[4][13]. Por nis rënien në vitin 1953 kur goditet grupi i shkrimtarëve dhe në vitin 1954 shkarkohet nga funksionet, përjashtohet nga partia, dhe emërohet mësues në gjimnazin "Qemal Stafa". Arrestohet në vitin 1955 për kritikë ndaj rolit të Partisë Komuniste Shqiptare në letërsi, dhe si pjesë e akuzës iu përmend përkthimi i një satire të poetit romantik gjerman Hajnrih Hajne (Heine) mbi Kaizerin në poemën e vet "Gjermania, një përrallë dimri"[4]. Në 16 janar 1956 dënohet me gjashtë vjet burg "për agjitacion dhe propagandë" prej të cilëve bën katër, dhe nga viti 1960 deri në vitin 1964 bashkëpunoi si përkthyes i jashtëm i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri", duke përkthyer shkrimtarë shqiptarë në italisht.

Në fund të 1964-ës internohet në ishullin e Zvërnecit, prej ku në fillim të vitit 1968 goditet nga një iktus cerebral dhe pas gjashtë muajsh lirohet.[4][14]

Një pjesë e botimeve të Ndojës u bënë mjaft pas vdekjes së tij, nga i biri, studiuesi dhe publicisti Leka Ndoja, prej dorëshkrimeve që Ndoja nuk mundi t'i botonte gjatë komunizmit.

Përveç përkthimit të plotë të Komedisë Hyjnore, Ndoja ka përkthyer gjashtë këngët e para të Iliadës së Homerit dhe një cikël satirash dhe epistulash të Horacit. Përkthimi i Komedisë është i dyti i plotë në shqip pas atij të Pashko Gjeçit në 1960, i vetmi që gjendet dhe në versionin taktil braille për ata që nuk kanë shqisën e të parit[15][16].

Ka botuar përpara çlirimit Hode Mark Kapidanit, (Bot. Françeskane: 1933), dy vëllime me poezi pas çlirimit, Vjersha dhe Poema, (Tiranë, Naim Frashëri: 1951), dhe Roja: poemë, (Tiranë, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve: 1949), ka përgatitur dhe një tekst letërsie për shkolla, Letërsia e huej, (Tiranë, Instituti pedagogjik:1947)

Pas viteve nëntëdhjetë iu botuan Ded Gjon Luli, Tragjedi, 1994[11]; Kritika Klasike dhe leksione greko-romake, Tiranë, 2003; Antologji (nga Dante te D'Annunzio), Tiranë, 2012; Letërsia Botërore, Tiranë, 2006-2013; 2 vëll, Lirika e Fishtës dhe tekste të tjerë, Tiranë, 2006.[4]

Përkthime në shqip: Komedia Hyjnore, Ferri, Dante Alighieri (Dituria: 1998); Purgatori, (QSN, Tiranë: 2005, Pakti, Tiranë: 2016); Parajsa, (Pakti, Tiranë: 2016). Homeri, këngët I-VI, (tek Homerus: Iliada, poezia epike dhe përkthimi, Tiranë, 2011). Horaci, Satira dhe Epistula, (Lezhë, Lisitan: 2004). Nga shqipja solli në italisht poezitë Andrra e jetësNdre Mjedës, Nji gjethe vjeshtetGjergj Fishtës dhe Këngën e sprasme të BalësZef Serembes. Në dorëshkrim i kanë mbetur dhe një vëllim me poezi, Jehe të mekuna, dy vepra mbi Skënderbeun, dhe Lavdi e shekujve, tragjedi dhe trilogji kreshnike, roman në vargje.[4]

  1. ^ Mann, Stuart E., Albanian literature: an outline of prose, poetry, and drama, Bernard Quaritch, 1955, fq. 114.
  2. ^ Kvik (Qvick), Ullmar, Më shumë heroizma sesa grurë Arkivuar 8 janar 2020 tek Wayback Machine, përktheu nga suedishtja Hajdin Abazi, Treleborg - Suedi: Revista "Drita", 2006. fq. 121. ISBN 91-631-5616-4 "Mark Ndojën nga qyteti i Durrësit..."
  3. ^ Shatro, Bavjola, Aesthetical and Political Aspects of the Relationship between Literature and Ideology in Albania in Dictatorship and in Post-Communism, Mediterranean Journal of Social Sciences Vol. 2, No. 2, May 2011, fq. 34.
  4. ^ a b c d e f Dosja hetimore / Mark Ndoja, me poezi e përkthime kundër Partisë e Pushtetit, Shqiptarja.com, 24 tetor 2017.
  5. ^ Pipa, Arshi, Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë, New York: Shqiptari i lirë 1959, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie. "Mark Ndoja, a one-time deacon..."
  6. ^ Koliqi, Ernest, Vepra, Vëll. 5, Sh.B. Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 451. "disá të tjerë vjershatarë të rij, ndër të cilët Mark Ndoja..."
  7. ^ http://www.zemrashqiptare.net/news/id_3695/Sadik-Bejko:-Fabrikim-i-disident%C3%ABve-t%C3%AB-rrem%C3%AB-(II).html
  8. ^ Begolli, Mithat Q., Kryezinjtë e Gjakovës, Association Libri, New York, 2013, f. 288. "Në Shosh ndodhen komunistat profesor Mark Ndoja, ... janë në marrëveshje me Ganinë."
  9. ^ Lista e ligjvënësve të Shqipërisë nga viti 1920 deri më 2013[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]. Faqja zyrtare e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.
  10. ^ Hoti, Genc, Përse lindi desidenca shqiptare Arkivuar 17 korrik 2015 tek Wayback Machine, Tiranë, 16 prill 1992, ribotuar në faqen personale të Hotit në 1 janar 2015
  11. ^ a b Radi, Lazër, Dedë Gjo Luli përmes kujtimesh dhe veprës së Mark Ndojës[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur], Tiranë, 1994, (ribotuar në Radi and Radi, 13 maj 2014)
  12. ^ Këshilli ministerial, Vendim për riorganizimin e Institutit të Studimeve në Institut të Shkencave Arkivuar 25 gusht 2016 tek Wayback Machine, 28 janar 1947 (siti internet i Agjensisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit)
  13. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 8 janar 2020. Marrë më 15 janar 2018. {{cite web}}: |archivedate= dhe |archive-date= është specifikuar më shumë se një herë (Ndihmë!); |archiveurl= dhe |archive-url= është specifikuar më shumë se një herë (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  14. ^ http://www.proletari.com/forumi/viewtopic.php?f=44&t=911&p=5110 Me kohe e peson Sejfulla Maleshova dhe Mark Ndoja, i cili pas nje internimi te rende nuk e ngriti me koken nga semundja deri sa vdiq.
  15. ^ Hamzai, Dhurata, “Komedia Hyjnore”, përkthimi i Ndojës dhuratë për të verbërit[lidhje e vdekur], Shqiptarja.com, 13 tetor 2015
  16. ^ Dante Aligheri në 750-vjetor, shqip edhe për të verbrit, Panorama, 14 tetor 2015