Lazër Radi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Lazër Radi
Lazër Radi
Lindi me: 29 janar 1916
Lindi në: Prizren, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene
Vdiq me: 23 shtator 1998
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: avokat, publicist, botues
Zhanri: publicistikë, poezi, prozë memuaristike-historike

Lazër Radi (Prizren, 29 janar 1916 - Tiranë, 22 shtator 1998) ishte jurist, publicist, prozator, poet e përkthyes.

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

U lind në Prizren më 1916 më 29 janar i fundit i pesë fëmijëve të Prend Çup Radit dhe Gonxhes së Kolë Vilës nga Shkodra. Radët ishin një fis i vendosur në Bishtazhin pasi kishin rënë nga Mirdita në ato vise.[1] Shkollën fillore e ndoqi dhe e kreu në qytetin e lindjes në vitet 1922 - 1929.[2]

Për shkak të mosparaqitjes së të vëllezërve në thirrjen për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, familja merr katandinë dhe u vendosën së pari në Tiranë e më pas në Durrës. Lazri riosh nis punë tek restoranti i vëllait të madh, Prenkës. Më 1931 u vdes i zoti i shtëpisë, Prendi.[1] Më 1930 - 1931 nisi të nxënit në shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës. Më 1931 iu akordua nga ministri i Arsimit Hilë Mosi bursë për në gjimnazin e Shkodrës deri më 1938 dhe u vendos në konviktin “Malet Tona”,[2] në shoqërinë e nxënësve kosovarë Emin Duraku, Hajdar Dushi dhe Haki Taha e grupit përparimtar me Qemal Stafën, Xhemal Broja e Arshi Pipa, bën pjesë në celulat e para komuniste të Grupit Komunist të Shkodrës.[3][4] Verën e vitit 1936 shkoi në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra dhe u njoh me poetin Migjeni.

Më 1937 iu akordua një bursë shtetërore dhe më 1938 nisi vitin e parë akademik për Jurisprudencë në Universitetin "La Sapienza" në Romë, i ndihur nga Musine Kokalari për të gjetur banesën e parë. Më 1942 u diplomua me 110/110 në Filozofinë e së drejtës dhe u ftua si asistent profesor në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza. Por u kthye më 1942 në Shqipëri dhe nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës.

Në dhjetorin e 1943 u martua me Vitore Vushmaqin. Më 1944 mori liçencën e avokatit dhe nis ta ushtrojë atë. Më 23 nëntor 1944 u arrestua nga partizanët që kishin shtënë në dorë kryeqytetin shqiptar. Lista që përshkruante veçoritë e të arrestuarve politikë nga Komanda e lagjes Laprakë për komandën e qarkut u përpilua nga Arben Puto.[5] U gjykua në prill të 1945 në Gjyqi Special, ku u dënua me 30 vjet burgim për përfshirjen e tij në politikë me anë të publicistikës. Më 1944 - 1954 vijoi odisenë e pafund burgjeve,[2] ku ndau qelinë edhe me Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin;[6] më 1952 u arrestua edhe e shoqja pas ngjarjeve të bombës tek ambasada sovjetike, u dënua me dhjetë vite burg dhe punë të detyruar.[5] Më 1954, lirohet nga burgu dhe pa mbushur dy javë interrnohet fillimisht në Savër e më pas në kampin e intelektualëve, në Kuç të Kurveleshit deri më 1958. 1956-1957, lirohet nga burgu e shoqja dhe u lind fëmija i parë. Në vitet 1958-1962 u internua në kampet e Shtyllasit, Radostinës, Gradishtës dhe Çermës. Më 1959 u lindi fëmija i dytë dhe më 1963 i treti. Në vitet 1962-1990 u internua në kampin e Savrës. Punoi si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes, dizenjator dhe punëtor krahu në bujqesi. Më 1976 doli në pension pleqërie. 1982, demaskohet publikisht si armik i popullit dhe i pakënaqur nga regjimi.

Më 1990 mbas viteve ndër burgje dhe kampe internimi e pune, u kthye në Tiranë dhe nis veprimtarinë për demokratizimin në opinionin kryeqytetas. Më 1991 pas gjysmë shekulli vizitoi Romën, ku u njoh dhe ndihmoi gazetarët Blendi Fevziu dhe Armand Shkullaku. Më 1992 u zgjodh kryetar i degës së Tiranës, për partinë e Unitetit Kombëtar, prej ku jep dorëheqjen vitin pasues. Së bashku me një grupim patriotësh formoi Lëvizjen Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve, me të cilën organizoi takime të shumta ndër qytetet e Shqipërisë nga 1992 deri më 1998.

Më 1998 pas mërgimit të fëmijëve, vdekjes së gruas më 1997 dhe rëndimit të shëndetit të tij, ndërroi jetë në Tiranë mëngjesin e 22 shtatorit. Më 23 shtator, Shoqata e të Përndjekurve Politikë i organizoi një varrim madhështor.[2]

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Publicistikë[redakto | redakto tekstin burimor]

Në vitet 1935-1938, filloi botimet e para në shtypin e kohës "Shtypi", "Kombi", "Drita", "Diana", kryesisht me emër, me inicialet L.R., apo me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi.

Ishte ndër të parët (në mos i pari, njoftuar nga motra e Milloshit) që nxorri shkrime kushtuar vdekjes së Migjenit, tek "Drita" në shtator 1938 dërgon "Migjeni si poet e si njeri". Pas pushtimit italian dhe bashkimit të kurorës, bashkëpunon me gazetën “Tomorri” dhe “Tomorri i vogël” me një seri artikujsh, gjersa ndalohet me protestë të ambasadës jugosllave.[2] Pas kapitulimit të Italisë, në vitet 1943-1944, bashkëpunon me gazetën “Bashkimi i Kombit”, që drejtoi Akile Tasi.[3]

Më 1991, pas viteve të shumta në burgime e internime, bëri përpjekjet e para për të botuar shkrimet e para në shtypin opozitar. Më 1992 nisi të botonte intervista dhe artikuj të shumtë në shtyp (Z. Rinisë, RD, Kombi, Drita Islame, Patrioti).

Organe shtypi[redakto | redakto tekstin burimor]

Së bashku me grupin e përbërë nga Stafa, Broja, Pipa përgatiti për botim gazetën “Shkëndija”.[2]

Së bashku me të birin, Jozefin, botoi revistën "Arbëria" herët në vitet '90.[3] Në vitet 1994 - 1998 botoi gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve” në 52 numra.

Libra[redakto | redakto tekstin burimor]

U kaplua nga entuziazmi i fashizmit, tashmë vendlindja e tij ishte bashkuar më trungun amtar, dhe shkruan broshurën "Fashizmi dhe fryma shqiptare" me parathënie të neo-shqiptaristit Vangjel Koça; për të keqen e tij më vonë.[6]

Më 1985-1990, nis të shkruajë kujtimet në tre vëllime, përgatit dy libra me poezi, plotëson veprën “Një verë me Migjenin”, përmbledh kujtimet mbi Mirash Ivanajn, përkthen librin “Qytete dhe Fantasma” të Duçiqit. Më 1993 botoi së bashku me të birin “Muret e Muzgut”. Më 1994 botoi librat dokumentarë "Misteret e një Ministri" mbi Ivanajn dhe “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, më 1995 botoi librat me përkthime "Epopeja e njeriut" të vëllezërve Ivanaj. Më 1996 botoi librin e dytë poetik "Shpresa vdes e fundit" dhe monografinë "Njeriu i rrugës së gjatë".

Më 1997-1998 botoi të parin studim mbi Gjyqin Special me titull "I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30”, vëllimin poetik “Anzave të Sharrit” dhe novelën “Apollogjia e Sokratit në Tiranë”. Ditën kur dha shpirt doli nga shtypi libri “Një verë me Migjenin” që kishte aq për zemër, ku përshkruan 110 ditët e kaluara me poetin në Pukë dhe rolin e tij në botimin e vëllimit "Vargjet e lira".[7]

Përkthime[redakto | redakto tekstin burimor]

Më 1988 përktheu poemën e jashtëzakonëshme të Jevrem Bërkoviqit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, e cila qarkulloi fshehtas dorë më dorë dhe u botua vetëm më 1994. Më 1995 botoi përkthimin e veprës "Jeta dhe zakonet e shqiptarëve" të prijësit fisnor dhe ushtarakut malazez, Mark Milani. Në vitet 1997-1998 vijoi të botonte përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit.[2] Edhe pse në kushte tejet të vështira, ai arriti të përkthejë disa vepra të Frojdit, Jungut dhe një “Enciklopedi të historisë së botës”. Përveç tyre, disa vepra të rëndësishme të përkthyera nga Lazër Radi kanë mbetur akoma në dorëshkrim.[3]

Polemika[redakto | redakto tekstin burimor]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Radi, Jozef (2 shkurt 2016). "Legjenda e Radëve". radiandradi.com. Marrë më 4 prill 2018. 
  2. ^ a b c d e f g Radi, Jozef. "Biografia e Dr. Lazër Radit". radiandradi.com. 
  3. ^ a b c d Sulika, Erilda (4 tetor 2015). "Kontributi i pavlerësuar i një publicisti të talentuar". gazeta-shqip.com. Shqip. Marrë më 5 prill 2018. 
  4. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. f. 147–149.  9789928106384. 
  5. ^ a b Hoxha, Çelo (13 shkurt 2012). Arben Puto spiunon Lazër Radin, i cili u dënua me 30 vjet burg dhe punë të detyruar: gjyqi special 1945. Tiranë: Standard. - Nr. 2168. f. 10–11. 
  6. ^ a b Elsie, Robert (1997). "Historia e Letërisë Shqiptare" (PDF). elsie.de. Tiranë-Pejë: Dukagjini. Marrë më 5 prill 2018. 
  7. ^ Fevziu, Blendi (26 mars 2013) [22 shkurt 1998]. "Në kërkim të kohës së humbur, intervistë Lazër Radit". radiandradi.com. Revista Klan nr. 46 (2). Marrë më 5 prill 2018.