Komedia Hyjnore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Comencia la Comedia, 1472

Komedia Hyjnore (Divina Commedia) është vepra madhore e poetit, shkrimtarit dhe politikanit italian Dante Aligieri, një prej teksteve kyç të letërsisë perëndimore. Vetë Dantja e pati quajtur librin thjesht Komedi, Commedia, dhe duket se prapashtesa Divina (hyjnore) iu vu librit prej një botuesi venecian të veprës në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

Vepra paraqet një alegori epike trekëndëshe të shpirtit njerëzor dhe një monument ku Dantja ngriti, me fantazinë e tij të mrekullueshme, mbretërinë e botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të autorit nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferr, Purgator dhe Parajsë. Gjatë këtij udhëtimi imagjinar, që zgjati vetëm 7 ditë--nga 24 marsi deri në 31 mars 1300 (java deri në ditën e Pashkëve)--autori provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes.

Përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtegtimet plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave, një pasqyrë e qytetërimit perëndimor deri në shekullin e trembëdhjetë.

Udhëtimi imagjinar[redakto | redakto tekstin burimor]

Në moshën 35 vjeçare, në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1300, poeti humb në një pyll të errët. Aty i shfaqet hija e Virgjilit, poetit të madh latin, dërguar prej qiellit nga Beatriçja; ai e shpëtoi nëpërmjet një shtegu ku s’kalonte këmba e njeriut të gjallë. Të dy poetët, Dantja dhe Virgjili, zbresin në ferr, ku në nëntë rrathë dënohen mëkatarët. Fajet në ferr Dantja i ndan sipas teorisë së Aristotelit, ku njeriu mëkaton nga shfrenimi (grykësia, kopracia etj), që për poetin janë më të lehta; pastaj nga shpirtligësia (dhuna, tradhtia), për të cilat poeti i jep dënimet më të rënda. Këtu i shohim të gjithë mëkatarët si e vuajnë dënimin e tyre.

Pas udhëtimeve të tmerrshme nëpër ferr, të dy poetët i ngjiten malit të Purgatorit. Purgatori ka shtatë rrathë, në të cilat bëhet pastrimi i shpirtit përmes vuajtjeve të pendesës. Aty Dantja i ndan fajet sipas teorisë së Platonit, ku siç thotë ai, njeriu mëkaton nga çrregullimet e dashurisë me tepri (mendjemadhësia, ku njeriu e do së tepërmi vetveten; smira, kur i do të keqen tjetrit; zemërimi, kur do të hakmerret etj); kur dashuron me pasion të tepruar (kopracia, kur njeriu do pasurinë apo shpenzimet e tepërta; grykësia, kur njeriu do më shumë se sa duhet gojën e vet; epshet e tyre etj.).

Dhe, së fundi, si përfundim i lumtur i këtij udhëtimi mahnitës, ashtu siç ndodh pas një ëndrre të vështirë, hipur mbi një qerre ngadhnjimtare, vjen Beatriçja dhe e shpie fluturimthi në qiejt e parajsës, nëpër nëntë qiejt danteskë, ku sundon drita e përjetshme. Ata janë "Qielli i Hënës", "Qielli i Mërkurit", i Venerës, i Diellit, i Marsit, i Jupiterit, pastaj Qielli i shpirtrave soditës, Saturni, Qielli i yjeve, dhe në fund, i pari Lëvizës, Qielli që rrethon me nëntë rrathë ëngjëjsh Perëndinë, i cili rri mbi Empirin e palëvizshëm, që ka formën e një trëndafili të bardhë.

Rrafshet kuptimore[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtatore e Dantes, Firence

Komedia mund të lexohet në rrafshe të ndryshme kuptimore. Dante vetë thotë se vepra e tij ka më shumë se një

Përkthime të Komedisë në shqip dhe në të folmet e familjes së saj[redakto | redakto tekstin burimor]

Për shkak të vështirësisë të të sjellit të terza rima-s (rimës ABA BCB CDC DED EFE), ritmit (Commedia është shkruar në njëmbëdhjetërrokësh italian (me rregulla strikte të thekseve në vargje--i ashtuquajturi a maiore, me theks në rrokjen e gjashtë dhe të dhjetë, ose ai a minore, me thekse në rrokjen e katërt dhe të dhjetë), dhe përmbajtjes, përpjekjet për të sjellë Komedinë në gjuhë të tjera gjithmonë kanë sjellë pakënaqësi, pasi kanë lëshuar ose në përmbajtje, ose në ritmikë, ose në rimë. Megithatë ato kanë qenë të shumta, gati të panumërta, qoftë si materiale didaktike të përgatitur nga studiues letërsie ashtu edhe si sfida përkthyesish apo poetësh.

Në shqip (dhe në të folme të familjes së kësaj gjuhe) ekzistojnë dy përkthime të plota, të dyja të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të dyja në gegnisht, si dhe disa sprova të pjesshme që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Pjesa më e madhe e përkthyesve kanë qenë prej zonave katolike të Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë, me gjasa për shkak të formimit klasik dhe italian që arrinin të merrnin në shkollat fetare të trevave të tyre deri nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, dhe janë në gegnisht. Një pjesë e mirë të atyre që u bënë pas Luftës së Dytë Botërore (përfshirë këtu dhe të dyja përkthimet e plota) janë bërë nga persona që vuajtën burgjeve dhe internimeve gjatë regjimit komunist.[1] Vetëm dy përkthime të pjesshme ekzistojnë deri tani në shqipen standarte.[1]

Përkthimi i parë nga Komedia duket se është bërë në arbërishten e Italisë nga Luixhi Lorekio (Luigi Lorecchio), një pasues i Jeronim de Radës, në vitin 1895.[2]

Në vitin 1900, botohet në gegnisht një përkthim i një pjese të Këngës V, të Paolos dhe Françeskës, në revistën e arbëreshëve të Italisë, "La Nazione Albanese", me autor një Sokol Baazi (Baci)[3], për të cilin Ernest Koliqi thotë se duhet të jetë i biri i shkolluar në Romë i udhëheqësit (bajraktarit apo vojvodës) së fisit të Grudëve në Mbishkodër; ndërsa françeskani Vinçens Prendushi (Prennushi) botoi më 1924 këngën XI të Parajsës, ku poeti takon Shën Françeskun.[4][5][3][6]

Këngë të veçanta të Komedisë Hyjnore janë sjellë në shqip viteve tridhjetë nga Ernest Koliqi, në një antologji të përgatitur prej tij, "Poetët e mdhej t'Italis", botuar në vitin 1932; Nikollë Dakaj përktheu pjesë të Ferrit në vitet 30 nën pseudonimin Basho Jona.[7]

Në vitin 1937, Kristo Floqi solli në shqip tek revista kulturore Leka këngën XXXIII, të Ugolinit, në dialektin toskë[8][9], i cili duket të jetë i pari në atë dialekt.

Përkthimi i parë i plotë i Komedisë, i cili gjithashtu ndjek rimën e Dantes (megjithëse shpesh jo rregullat e njëmbëdhjetërrokëshit italian) në tërësi të veprës, u bë nga Pashko Gjeçi dhe u botua në Tiranë nga shtëpia botuese "Naim Frashëri" në vitin 1960[10]. I redaktuar nga poeti Ali Podrimja ai u botua në Prishtinë më 1981 për bibliotekën Orfeu të Redaksisë së botimeve "Rilindja".

Mark Ndoja, një veprimtar komunist dhe klasicist, i cili ra pre e një spastrimi ndaj një grupi shkrimtarësh të Lidhjes së Shkrimtarëve gjysmën e parë të viteve 50 (bashkë me Kasëm Trebeshinën dhe Mehmet Myftiun), përfundoi përkthimin e Komedisë viteve gjashtëdhjetë, por për herë të parë ai përkthim u botua pas vdekjes së tij në vitin 1998 nga shtëpia botuese "Dituria" në Tiranë. Gjatë viteve 2000 u botuan dhe përkthimet që Ndoja i pat bërë Purgatorit dhe Parajsës.

Shkrimtari dhe përkthyesi Çezar Kurti ka sjellë në shqip Ferrin botuar në vitin 2000 dhe të ripunuar në vitin 2013[11], ndërsa një poet shkodran, Meritan Spahija, ka përfunduar një përkthim tijin të Ferrit në vitin 2016.[12] Në vitin 2018 në Tiranë u botua nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) një përkthim i Ferrit nga Hektor Shënepremte (1921-1997), një poet i persekutuar gjatë komunizmit.[13][14]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b http://www.mapo.al/2018/01/ferri-i-dantes-se-shenepremtes-perkthimi-si-gjest-i-rezistences-kulturore/1
  2. ^ http://www.gazetaexpress.com/arte/perkthyesit-danteske-te-alighierit-137541/?archive=1
  3. ^ a b https://www.shqiperia.com/Dante-e-ne-shqiptaret.2081/
  4. ^ https://books.google.ca/books?id=Y8jqAAAAMAAJ&q=Prennushi+Dante&dq=Prennushi+Dante&hl=en&sa=X&ved=0ahUKEwjUxrP8z9XYAhWomuAKHRDUC5QQ6AEIPTAE
  5. ^ https://books.google.ca/books?id=EgUfAQAAIAAJ&q=%22vincens+prennushi%22+Dante&dq=%22vincens+prennushi%22+Dante&hl=en&sa=X&ved=0ahUKEwjhh43Az9XYAhUFhuAKHS5WApcQ6AEIKzAA
  6. ^ http://www.albdreams.net/kola-i-sokol-bacit-dhe-dante-alighieri/
  7. ^ http://www.arkivalajmeve.com/Ne-homazh-te-Nikolle-Dakajt-1919---1988.219246/
  8. ^ http://adsh.unishk.edu.al/items/show/342
  9. ^ http://www.radiokosovaelire.com/kristo-floqi-1872-1951-atdhetar-diplomat-politikan-dhe-dramaturg-njohur/
  10. ^ http://bksh.al/adlib/scripts/wwwopac.exe?DATABASE=books&OPAC_URL=/adlib/beginner/index_al.html&LANGUAGE=1&%250=48104&LIMIT=50
  11. ^ https://www.worldcat.org/title/ferri-botim-i-rishikuar-shoqeruar-me-tekstin-italisht/oclc/964069905&referer=brief_results
  12. ^ http://sq.radiovaticana.va/news/2017/11/18/nj%C3%AB_p%C3%ABrkthim_i_ri_i_komedis%C3%AB_hyjnore%E2%80%9D,_nga_meritan_spahija/1349513
  13. ^ http://www.gsh.al/2018/01/10/poezite-dhe-perkthimi-i-panjohur-i-dantes-nga-poeti-i-persekutuar/
  14. ^ http://www.mapo.al/2018/01/ferri-i-dantes-se-shenepremtes-perkthimi-si-gjest-i-rezistences-kulturore/1

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

Wikibooks-logo.png Wiki Libri: Pepili:Komedia hyjnore - me Këngën e fundit të Parajsës (XXXIII)