Mihal Zallari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mihal Zallari (Frashër, 1894 - Tiranë, 17 mars 1976) ishte publicist, përkthyes, politikan e poet shqiptar. Ka shërbyer si deputet në Kuvendin Kushtetues dhe pas vrasjes së Idhomeno Kosturit, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1943-44.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në FrashërKolonjës më 1894 në familjen e Zallarëve. Kur Mihali u bë 12 vjeç familja e tij u shpërngul në Stamboll, ku studioi në Liceun Gjerman dhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Më 1922 u pranua në Fakultetin e Shkencave Shtetërore në Universitetin e Gracit, (Karl-Franzens-Universität)[1]. Në atë kohë që Mihali studjonte në Austri, vëllai i tij i madh Leonidha ishte zgjedhur deputet në Parlamentin shqiptar dhe njihej si mbështetës i krahut të Fan Nolit.

Pas mbarimit të studimeve në Grac më 1925[2], Mihali u kthye në Shqipëri dhe sipas këshillave të vëllait Leonidhës, u vendos për disa kohë në konvikt në Gjirokastër e më pas në fillimin e viteve 1930 erdhi e u vendos në Tiranë. Ai u emërua në shkollën Mbretërore të Oficerëve ku jepte lëndën e Historisë së Artit. Po kështu përveç kësaj, Mihali jepte mësim si pedagog i jashtëm i lëndës së matematikës edhe në disa shkolla të tjera të kryeqytetit. Që pas kthimit nga Austria, Mihal Zallari filloi që të shkruaj në gazetat e kohës ku shumë shpejt u bë një nga publicistët më të njohur të asaj kohe me editorialet e shumta në gazetat "Demokratia", "Besa" etj. Këtë gjë ai e vazhdoi edhe gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë në vitet 1939-1944 duke shkruar në gazetat "Kombi", "Bashkimi" etj. Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, Mihali u thërrit në Komitetin Provizor që kishte atributet e Qeverisë dhe më pas në zgjedhjen e Asamblesë që kishte funksionet e Parlamentit, ku dhe u zgjodh Kryetar i saj. Në këtë detyrë Mihali qëndroi deri nga tetori i vitit 1944, dhe kur gjermanët po largoheshin nga Shqipëria, i ofruan për ta çuar në Gjermani, por ai nuk pranoi[3].

Me hyrjen e komunistëve, Mihali qe ndër ato personalitete të cilët u nxorrën para Gjyqit Special si armik i popullit. U dënua me 30 vjet burg pas një gjyqi konfuz[4]. U lirua më 28 prill 1962 pasi kishte kryer shumicën e dënimit në burgun e Burrelit. U vendos në Tiranë ku punoi për disa kohë në ndërmarrjen botuese të kryeqytetit. Vdiq më 17 mars 1976[1].

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Franc Nopça, Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe. Përkthim.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Dervishi K., Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005. Tiranë: Sh.b. "55", 2006, fq. 512.
  2. ^ Jaupaj A., Elza Zallari-Poga: Im atë në politikë edhe pse e priste burgu, Panorama. - Nr. 3032, 27 mars, 2011, f. 116 - 17.
  3. ^ Kaloçi D., Zallari, poeti e piktori që drejtoi Parlamentin shqiptar, Gazeta shqiptare. - Nr. 2002, 14 tetor, 2001, f. 12 - 13.
  4. ^ Hoxha Ç., Gjyqi Special: një akt terrorizmi shtetëror Arkivuar 10 mars 2016 tek Wayback Machine, postbllok.com.

Për lexim të mëtejshëm[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]