Jump to content

Hamit Sejdiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mulla Hamit Sejdiu)

Mulla Hamit Sejdiu - Hoxha përparimtar, mësuesi, dhe politikani i Pakashticës.

Hamit Sejdiu u lind në Pakashticë, Podujevë në vitin 1905.

Pasi kreu Medresën, ai u bë hoxhë. Si hoxhë, ishte shumë pak kohë imam në xhaminë e Pakashticës. Që në moshën 22 vjeçare më 1927 nisi me punë në Shkollën Fillore të Krypimehit, duke ua mësuar nxënësve mësimet fetare. Në shkollë, këtë kohë nxënësit mësonin në gjuhën serbe, prandaj mësimi fetar për nxënësit shqiptarë ishte i mirëseardhur, sepse bashkë me mësimin fetar, që Mulla Hamiti ua reprodukonte në gjuhën shqipe, ai herë pas here u fliste edhe për gjuhën shqipe, çka ishte shumë rrezik nëse serbët e diktonin. Ai donte ta fuste në mejtep edhe mësimin shkencor. Një xhumaje (të premteje) ai i ishte drejtuar xhematit me fjalët :

- Ndaluni pak ! Na kanë ardh do libra për me mësue diçka edhe për këtë dyje !
- Çfarë librash janë ato ? - pyesin nga xhemati.
- Libra qi bajnë hesap (lënda e matematikës v.j.) se fëmijët tanë duhet me ditë sa herë sillet rrota e kerrit prej Podujevës e deri sa të vjen në Pakashticë !
- Hajt, more ! Merri për veti, se neve nuk na duhen ato kurrgja, i thonë Mulla Hamitit të pranishmit, duke mos e kuptuar se për çka e kishte fjalën (treguar nga Arif Asllani - Parduzi në Pakashticë 1980).

Duke qenë i tillë, me ardhjen e gjermanëve ai organizoi edhe mësimin e gjuhës shqipe në shkollë dhe kjo bëri që ai të emërohej drejtor i parë i Shkollës në gjuhën shqipe në Krypimeh. Kjo shkollë u emërua me emrin e trimit dhe luftëtarit të shquar të Drenicës dhe Kosovës "Azem Bejta". Mirëpo, pas ardhjes së gjermanëve, nuk vonon shumë, dhe Mulla Hamit Sejdiu emërohet kryetar i komunës në Krypimeh dhe mësimin gjatë luftës e zhvillon në shkollë Burhan Badivuku nga Vushtrria.

Pas pushtimit nga gjermanët, organizimi administrativ ka qenë e rregulluar në prefekturë, nënprefektura dhe komuna. Prefektura ka qenë në Mitrovicë. Prefekti i parë ka qenë Xhafer Deva në Mitrovicë. Pas tij vendoset (emërohet) Ibrahim Lutfiu nga Prizreni. Administrata drejtohej nga Tirana dhe vetë gjermanët ishin të interesuar që në krye të administratës të vendoseshin vetëm shqiptarët. Prefektura e Mitrovicës i kishte katër nënprefektura, të cilat quheshin rrethe : Rrethi i Novi Pazarit (Pazarit të Ri), Rrethi i Mitrovicës, Rrethi i Vushtrrisë dhe Rrethi i Podujevës (Llapit). Prefekti i emëronte nënprefektët. Në Nënprefekturën e Podujevës nënprefekt qe emëruar Rifat Spahiu nga Luma. Rifati pastaj i ka emëruar kryetarët nëpër komuna, dhe ai, e emëron Mulla Hamit Sejdiun kryetar të komunës në Krypimeh, duke e tërhequr nga posti i drejtorit të parë të shkollës shqipe që ishte në Krypimeh. Ai e kryen punën e kryetarit për katër vjet mjaft me nder dhe mjaft me peripeci në një kohë mjaft delikate, prandaj ishte edhe i respektuar nga masa. Nën parullën e "çlirimit të vendit" nga forcat partizane serbo-çetnike, diku kah tetori-nëntori i vitit 1944 formohen Këshillat Nacionalçlirimtare të vendit, vijnë brigada partizane të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe funksioni i kryetarit të komunës bie. Gjatë kësaj kohe bëhet një luftë kundër shqiptarëve nga brigadat partizane, të cilat ishin pro serbe dhe shqiptarët vatrat e tyre i kishin lënë në mëshirën e zotit, ndërsa vet mermin jetën në sy kah do që mundnin, me të vetmin qëllim për të shpëtuar kokën. Kush mundej i merrte edhe kafshët (bagëtinë) me vete, e kush nuk mundej i linte. Gjatë viteve e muajve nëntor 1944 - shkurt 1946 Mulla Hamiti ka qenë i përndjekur dhe ai ka jetuar në arrati bashkë me Mulla Ademin dhe birin e tij - Muharremin. Këta dorëzohen mbas amnistisë që kishte ardhur nga lart për të gjithë ata që nuk i kishin duart e përgjakura (do të thotë për ata që nuk kishin bërë krime).

Pas amnistisë që u bë në fillim të vitit 1946, Mulla Hamiti më nuk ka punuar kurrë askund, as edhe si hoxhë. Mulla Hamiti edhe si hoxhë, kishte qenë mjaft përparimtar. Ai nuk i thoshte popullit se më dëgjo çka të them e mos më shiko çka punoj. Ai nuk punonte punët që nuk ishin të pandershme për një njeri. Ai nuk shfrytëzonte të tjerët. Ai jetoi me djersën e vet, pa e kursyer veten asnjëherë edhe për çështjen kombëtare. Sigurisht që kjo ndikoi edhe tek bijtë e tij, dhe u bënë të katërt të njohur, dhe secili më i njohur se tjetri, duke luajtur një rol të rëndësishëm në jetën arsimore, kulturore e shkencore të shqiptarëve, aq sa është për t‘ua pasur lakminë.

Mulla Hamit Sejdiu vdiq më 15 janar të vitit 1958.