Namik Mane
Namik Mane (Koskë, 13 mars 1942) është shkrimtar shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Koskë të Filatit më 13 mars 1942. Në vitin 1945, babai i tij, Ali Rustem Mane, la pas Koskën dhe, i detyruar prej masakrave zerviste, u vendos fillimisht në Shijak. Në vitin 1948 u vendosën në qytetin e Durrësit.
Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesmen Namiku i kreu në Durrës. Kreu edhe një shkollë teknike-elektrike dhe filloi punë si elektricist në ndërmarrjen ushqimore të Durrësit.
Namiku që në fillim të viteve 60-të u shfaq si një poet i talentuar me vjershat e para të botuara në shtypin letrar. Kishte miqësi me Bilal Xhaferrin, Bardhyl Agasin, Moikom Zeqon etj. Në vitin 1967 u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërkohë po përgatitej për shtyp nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” libri i tij poetik “Lirikat e ushtarit”, të cilin ia pezulluan për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare.
Në vitin 1968 e internuan në Hamalle të Durrësit. Po atë vit përfundoi në internim, në Hamalle, edhe poeti Bilal Xhaferri. Namik Mania i shtyu ditët e vuajteve së bashku me të për gati një vit. Punuan për të realizuar edhe një vëllim të përbashkët poetik “Një siluetë në errësirë”. E përfunduan këtë libër, mirëpo nuk arritën ta botonin, sepse, në 30 gusht 1969, Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria. Pas mërgimit të Bilal Xhaferrit, poeti Namik Mane sikur u ftoh me letërsinë dhe vetëm në fillim të viteve ’90 filloi të botonte dhe vazhdon të botojë publicistikë, poezi e prozë.
Namik Mane është nënkryetar i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe korrespodent i revistës "Krahu i shqiponjës". Êshtë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA).
Veprat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- “Pjergulla e lotëve”, poezi, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”, 1995.
- “Një natë e zakonshme”, tregime, 2003, ISBN 99927-902-4-5
- “Una notte come tante altri”, tregime, 2007, ISBN 99927-902-4-5