Ndajshtesimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shembuj të fjalëformimit ndajshtesor në shqip

gjuhësi, ndajshtesimi është procesi i krijimit të fjalëve të reja mbi bazën e fjalëve ekzistuese, duke shtuar një parashtesë ose një prapashtesë, si pa- ose -or. Për shembull, fjala 'i paaftë' krijohet nga tema i aftë me parashtesën pa-, kurse fjala 'malor' krijohet nga rrënja mal me prapashtesën -or.

Dallon nga fleksioni, i cili është modifikim i një fjale për të formuar kategori të ndryshme gramatikore, pa ndryshuar kuptimin e saj thelbësor: caktojmë, caktova dhe caktuar janë nga rrënja caktoj. Fjalët që ekzistojnë quhen fjalë derivuese, ndërsa fjalët e reja, të cilat kalojnë nëpër procesin e fjalëformimit ndajshtesor quhen fjalë të derivuara.[1]

Modelet ndajshtesore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Morfologjia fjalëformuese shpesh përfshin shtimin e një prapashtese fjalëformuese ose një ndajshtese tjetër. Një ndajshtesë e tillë zakonisht zbatohet për fjalët e një kategorie leksikore (pjesë e ligjëratës) dhe i ndryshon ato në fjalë të një kategorie tjetër. Për shembull, roli i prapashtesës fjalëformuese -isht, në shqip, është që ta shndërrojë një emër ose një mbiemërndajfolje: (Anglianglisht).

Shembuj të modeleve ndajshtesore në shqip dhe prapashtesat e tyre:

  • folje në emër: -esë (sht-ojshtesë)
  • emër në emër: -(ë)s (gjak → gjakës)
  • mbiemër në emër: -(ë)si (i madh → madhësi)
  • ndajfolje në emër: -icë (pak → pakicë)
  • numëror në emër: -sh (dy → dysh)
  • emër në folje: -o- (flutur → fluturoj)
  • folje në folje: -it (ngul → ngulit)
  • mbiemër në folje: -so- (i egër → egërsoj)
  • ndajfolje në folje: -shto- (kundër → kundërshtoj)
  • numëror në folje: -sho- (dydyshoj)
  • onomatope në folje: -as (trok → trokas)
  • emër në mbiemër: -ik (alkool → alkoolik)
  • mbiemër në mbiemër: -or (i shenjtë → shenjtor)
  • folje në mbiemër: -shëm (përdor → i përdorshëm)
  • ndajfolje në mbiemër: -m(ë) (nesër → i nesërm)
  • emër në ndajfolje: -az (shtat → shtataz)
  • ndajfolje në ndajfolje: -as (keq → keqas)

Në përgjithësi, ndajshtesat kanë funksion klasifikues që do të thotë se shërbejnë për ta ndërruar pjesën e ligjëratës, por ndonjëherë ato e ndërrojnë vetëm kuptimin e fjalës, por jo edhe pjesën e ligjëratës.[2]

Kur ndajshtesimi ndodh pa ndonjë ndryshim në fjalë, si për shembull në shndërrimin e emrit kyç në folje kyç, njihet si konversion ose fjalëformim pa ndajshtesa. Ndajshtesimi që krijon emra mund të quhet emërzim, ndërsa ndajshtesimi që krijon folje mund të quhet verbalizim.

Ndajshtesim apo fleksion[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajshtesimi dallon nga fleksioni, sepse me ndajshtesim mund të prodhohet një fjalë të re (një leksemë e veçantë), ndonëse me kuptime të përafërta, ndërsa me fleksion prodhohen variante gramatikore të së njëjtës fjalë.

Morfologjia leksikore merret me formimin dhe strukturën e bazës leksikore të leksemës. Ajo është komplementare me morfologjinë infleksionale: merret me ato aspekte të formimit dhe strukturës së fjalëve, të cilat nuk janë çështje të fleksionit.[3]

Ndajshtesimi dhe llojet e tjera të fjalëformimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajshtesimi dallon nga llojet e tjera të formimit të fjalëve, siç është kompozimi. Duhet vënë re se ndajshtesat janë morfema të lidhura - ato nuk janë njësi kuptimplote, por mund të marrin kuptim vetëm kur i bashkëngjiten një fjale tjetër. Në këtë drejtim, ndajshtesimi ndryshon nga kompozimi, në të cilin kombinohen morfemat e lira (hekurudhë). Ndryshon edhe nga fleksioni, ngase aty nuk krijohen leksema të reja, por forma të reja fjalësh (lis → lisa; shkoj → shkova).

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Paçarizi, Rrahman (2020). Fjalëformimi ndajshtesor i shqipes. Prishtinë: Armagedoni. ISBN 978-9951-780-40-7.
  2. ^ Agalliu, Fatmir; Angoni, Engjëll; Demiraj, Shaban; Dhrimo, Ali; Hysa, Enver; Lafe, Emil; Likaj, Ethem (2002). Gramatika e gjuhës shqipe I (bot. i 3-të). Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. ISBN 99927-761-6-1.
  3. ^ Huddleston, Rodney; Pullum, Geoffrey Keith (2005). Students' Handbook of English Language (në anglisht). Cambridge: Cambridge University Press.