Jump to content

Nikolla i Mirës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Nikolla)
Statuja e Shën Kollit

Nikolla i Mirës, në Shqipëri i njohur si Shën Kolli ose Shna Koll (greq. Άγιος Νικόλαος Agios Nikolaos, "fitorja e popullit"), jetoi në Mira të Likisë (në Anadoll, Turqi), Lipsani (reliket) e tij ndodhen në kishën Romano-Katolike San Nicola ("Shën Kolli") i Barit, në jug të Italisë.

Vdiq më 6 dhjetor të vitit 343.

Jeta dhe vitet e hershme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nikolla lindi në Patara të Likisë në fund të shekullit të 3-të nga prindër të krishterë, që kishin qenë për një kohë të gjatë pa fëmijë. Që në moshë të vogël, ai shfaqi një dashuri të madhe për virtytin dhe zell për ruajtjen e porosive të Kishës. I devotshëm dhe i prirë për heshtje, ai u edukua në teologji dhe, ndërkohë që ishte i ri, u dorëzua prift nga ungji i tij, kryepiskopi Nikolla. Për shumë vjet u ushtrua në kreshmë[1], agripni dhe lutje. Që kur i vdiqën prindërit, ai ua dha gjithçka që kishte të varfërve, bujaria e tij në lëmosha u bë kudo e njohur.

Veprimtaria e gjerë bamirëse e baritore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nikolla e shikonte veten e tij si një kujdestar i të mirave që u takonin të varfërve dhe u përkujdes në mënyrë të veçantë që bamirësitë e tij të mbeteshin përherë të fshehura nga sytë e njerëzve, për të mos humbur shpërblimin hyjnor (Mateu 6:1-4 [2]). Në tri raste ai la në fshehtësi ar të mjaftueshëm për martesën e tri vajzave, të cilat, ati i tyre, ngaqë kishte rënë në borxhe, mendonte t’i kthente në prostituta. Kur i ati i vajzave zbuloi se kush ishte ndihmësi i tij, Nikolla e bëri atë t’i premtonte se nuk do t’i tregonte njeriu për këtë ngjarje.

Gjatë persekutimit të fundit të madh nën sundimin e Dioklecianit dhe të Maksimianit (305), shën Kolli u burgos, por ai vazhdonte ta fuqizonte grigjën e tij në besën e krishterë. Me ardhjen e Konstandinit në fuqi, ai u tregua mjaft i zellshëm për shkatërrimin e tempujve paganë. Në vitin 325, Shën Kolli mori pjesë në Sinodin (Këshillin) e Parë Ekumenik (325) ku dënoi herezinë e Ariosit[3], bashkë me shenjtorët e tjere si Shën Silvestri i Romës (2 Janar), Aleksandri i Aleksandrisë (29 Maj), Spiridhoni i Trimithundës (12 Dhjetor) dhe të tjerë. Kjo herezi kishte shkaktuar një trazirë të madhe dhe e kishte përçarë Kishën.[4]

Mrekullitë e shumta [5]

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas ndihmës së të varfërve e të braktisurve, kreu dhe shumë mrekulli, gjë për të cilat u bë i njohur te njerëzit. Kur po shkonte për pelegrinazh në Jeruzalem, ai i qetësoi me anë të lutjes së tij dy herë me radhë erërat, që po rrezikonin anijen me të cilën po udhëtonte.

Ai e shpëtoi qytetin e Mirës nga zia e bukës, duke iu shfaqur të zotit të një anijeje të ngarkuar plot me misër dhe duke i thënë se duhej ta sillte dhe ta shkarkonte në Mirë ngarkesën e tij. Më vonë, shpëtoi jetët e tre oficerëve romakë të akuzuar për konspiracion, duke iu shfaqur në ëndërr perandorit Konstandin dhe prefektit intrigant Avlavio. Plot me mirënjohje për shenjtorin, tre ushtarakët u bënë murgj.

Në shumë raste të tjera, si gjatë kohës kur ishte gjallë, ashtu edhe pas largimit të tij nga kjo botë, shën Kolli ndihmoi me një mënyrë të mrekullueshme shumë anije që ishin në rrezik dhe shumë njerëz që ishin në vështirësi gjatë udhëtimeve të tyre. Prandaj, ai nderohet si mbrojtësi i të gjithë atyre që lundrojnë në det. Kështu, një ditë gjatë një stuhie të fortë, ai u shfaq në bashin e një anijeje në rrezik mbytjeje dhe e çoi të sigurt drejt portit më të afërt. Ndërsa në një rast tjetër shpëtoi një njeri që ra në ujë, i cili, ndërsa ishte duke rënë, thirri me të madhe: “Shën Nikolla, ndihmomë!”. Shumë i çuditur, ai njeri e gjeti veten menjëherë në shtëpi, i rrethuar nga familja e tij. Për këtë arsye, në ikonografi ai shpesh paraqitet në anije, duke shpëtuar marinarë, që rrezikojnë të mbyten. [6]

Nuk kishte fatkeqësi në të cilën ai të mos shkonte për të ndihmuar njerëzit i shtyrë nga dhembshuria, apo padrejtësi që të mos e ndreqte ai. Në grigjën e tij nuk kishte grindje e përçarje, sepse shën Nikolla i zgjidhte të gjitha. Kudo që ndodhej, atmosfera e një paqeje rrezatuese që e rrethonte gjithmonë, e bënte që të njihej menjëherë se kush ishte.

Dëshmi të shumta për mrekulli të shën Kollit vazhdojnë deri në ditët tona.[7] [8] [9]

U largua nga kjo botë më 6 Dhjetor të vitit 343. Kur ai fjeti, besimtarët vajtonin që humbën bariun dhe përkujdesjen e tyre, me anë të të cilit kishin marrë aq shumë bamirësi. Lipsani i tij u vendos në një kishë të ndërtuar për nder të tij në Mirë, ku nderohej çdo vit nga një numër i madh besimtarësh. Në vitin 1087, pasi Mira ra në duart e saraçenëve, reliket e shenjtorit u transferua në BariItalisë, i shoqëruar nga shumë mrekulli, ku nderohet edhe sot.

Nderimi i shenjtorit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shën Kolli nderohet nga të krishterët si shenjtor mbrojtës i detarëve[10], peshkatarëve, vozabërësve, tregtarëve, fëmijeve, djemve e vajzave, studentëve, farmacistëve, parfumeristëve.

Ai është një nga shenjtorët më të dashur të të krishterëve si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Kishat që i janë kushtuar atij janë të panumërta, gjithashtu edhe vendet, edhe besimtarët që kanë marrë emrin e tij (Nikolla, Nikolaus, Klaus, Niko, Nikolin, Nikolina, Koli, etj.). Gjithashtu, në përkujtim të tij janë hartuar plot himne dhe shërbesa kishtare. Shenjtori përmendet në çdo Liturgji Hyjnore [11] dhe . Përkujtohet nga Kisha Ortodokse si dhe Romano-Katolike më 6 Dhjetor, në ditën e vdekjes së tij.

  • Michel Lemonnier, Historia e Kishës, Zhvillimi i jetës së kishës nga Rrëshajët deri në ditët tona, bot. Gjergj Fishta , fq. 97. Përkthyer në shqip nga Ferdinant Leka
  • Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor. Tirana: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. 978 - 9928 - 4251 - 0 -2.
  • Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks, Vëllimi III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, Bot. Kisha orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2000, Përkthyer nga Imz. Joan Pelushi.
  1. ^ "Kreshma".
  2. ^ "Ungjilli sipas Mateut".
  3. ^ Michel Lemonnier, Historia e Kishës, Zhvillimi i jetës së kishës nga Rrëshajët deri në ditët tona, bot. Gjergj Fishta , fq. 97. Përkthyer në shqip nga Ferdinant Leka
  4. ^ Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks, Vëllimi III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, Bot. Kisha orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2000, Përkthyer nga Imz. Joan Pelushi., fq 192.
  5. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor. Tirana: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 421. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 0 -2.
  6. ^ "Saint Nicholas - (5th Heading) Iconography, v.6" (në anglisht).
  7. ^ "radiongjallja.org".
  8. ^ "saints.gr" (në greqisht).
  9. ^ "oca.org" (në anglisht).
  10. ^ "Saint Nicholas - (4th Heading) Veneration and celebrations, v.I" (në anglisht).
  11. ^ "Saint Nicholas - (4th Heading), Veneration and celebrations, v. 7-8" (në anglisht).