Jump to content

Përdoruesi:KorabK/sandbox

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
KorabK/sandbox
Informacion i përgjithshëm
Stili arkitekturalArkitektura Moderne
VendndodhjaPrishtinë, Kosovë
AdresaBulevardi Eqrem Çabej
Koordinatat42°39′20″N 21°09′44″E / 42.65559°N 21.16235°E / 42.65559; 21.16235
Ndërtimi filloi1974
Përfundimi1977
PronarUnio Commerce
Projektimi dhe ndërtimi
ArkitektMiodrag Pecić

Ndërtesa e Institutit Albanologjik, e njohur edhe me emrin Instituti Albanologjik i Prishtinës, (shkurtimish: IAP) është institucion i pavarur publik kërkimor-shkencor, i cili ka për qëllim dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Më konkretisht, në këtë institucion bëhet veprimtaria e kërkimit shkencor të trashëgimisë materiale dhe jomateriale në fushën e albanologjisë. Ndërtesa është e gjatë mbi 50 metër[1] që shtrihet përgjatë bulevardit “Eqrem Çabej” në Prishtinë. U projektua nga arkitekti Miodrag Peciq (Miodrag Pecić) në vitin 1974 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1977.

Duke qenë e kontekstualizuar në ambientin universitar të Kampusit Universitar të Universitetit të Prishtinës, ajo përbën një nga simbolet arkitektonike të stilit ndërtimor në atë lokacion. E gjendur në një shtrirje të harmonizuar në kontekstin urban të situacionit të kampusit, ndërtesa e Institutit Albanologjik të Prishtnës përbën pikënisjen e institucioneve shencore dhe arsimore të frymës së njëjtë. Ajo, në të vërtetë i paraprin planvendosjes së Fakultetit filologjik, Fakultetit filozofik dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Me shfaqjen e të ashtuquajturit Socializmit komunist (1945-1968), që në Kosovë përbënte më shumë si një imponim i riformësimit të rendit të ri shoqëror dhe politik, u shfaq tendenca e shtypjes identitare të shqiptarëve në Kosovë. Kjo praktikë, gjatë kësaj periudhe u shfaq edhe në ndërtim, si dhe në imponimet që bëheshin në përmbajtjet e shtëpive të reja dhe në ndërtesat publike.[2] Me një ndryshim gradual të periudhave kohore dhe me një liberalizim më të lehtë kulturor, u shfaq Socializmi liberal (1968-1981). Duke ndjekur hapat e zhvillimit të njëjtë, si periudha pararendëse, edhe në këtë kohë u ndërtuan shumë ndërtesa dhe u ndërtuan shumë lagje të cilat kishin një si shkëputje identitare nga trashëgimia e kaluar.[3]

Zhvillimin politik të rendit të ri shoqëror, që ndodhën me ndryhimet e reja kushtetuese në ish-Jugosllavi, mundësuan që ndikimet politike në jetën e njerzëve të ndikonin në reflektimin e shpërfaqjes kombëtare më të lirë, prandaj edhe në mendësinë shkencore të kërkimeve të pavarura. Në këtë vazhdë të zhvillimeve bënin pjesë edhe rethanat kulturore dhe arsimore, të cilat ndikuan në kontributin e drejtpërdrejt për emancipimin kulturor dhe arsimor të shoqërisë. Dhe një ndër ndryshimet e tilla, që ndikuan në zhvillimin e mëtejshëm kulturor, ishte pashmangshëm edhe zhvillimi i arkitekturës.

Ishte një realitet i tillë, shoqëror-politik, por edhe historik, që pati ndikime të thella edhe në zhvillimin e mëtejshëm të arkitekturës në frymën moderniste, duke përvetësuar stilin brutalist-skultpuror të arkitekturës socialiste.[4] Eksperimentet e reja dhe kërkimet që filluan në vitet ’70, ndikuan në zhvillimin e mëtejshëm në formimin e strukturave, shkaktuan një këputje me funksionalizmin ekzistues, duke e afruar arkitekturën me pamjen antropocentrike me theks më të madh në qasjen emocionale dhe imagjinative që aplikohej në materiale dhe ndërtime.[5] Zhvillimet e tilla në jetën shoqërore dhe politike, në periudhën e ekzistimit të Jugosllavisë, përpos në politikë, ato ndikuan që edhe arkitektura të ketë negocimet e tilla për të shfaqur identitete kombëtare, vendore, politike, kulturore dhe sociale. Njësoj si me arkitektin Juraj Neidhardt, që ngjalli kupolat tradicionale osmane në Kuvendin Popullor të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndikim të tillë në përgjithësimin arkitekturor të Kosovës ngjalli dizajni i Andrija Mutnjaković, duke shpërfaqur shfrytëzimin e kupolave si një emërues i përgjithshëm të trashëgimisë bizantine dhe osmane, duke shfaqur një shumësi etnike dhe religjionale të Kosovës.[6]

I themeluar si institut kërkimor-shkencor në vitin 1953 në një ndërtesë tjetër, me arkitekturë të thjeshtë të tipit të shtëpisë me kulm katërujor, pas peripecive të mbylljes dhe rihapjes së tij, Instituti Albanologjik vendoset në lokacionin që gjendet edhe sot.

Sipas të gjitha gjasave, projekti për ndërtesën e Institutit Albanologjik është projekt i përzgjedhur nga një konkurs i mbyllur. Këtë e dëshmon edhe projekti ideor[7] i arkitektit Georgi Konstantinovski, i cili është i projektuar në vitin 1974. Në këtë vit fillon ndërtimi i ndërtesës së re, të arkitektit Miodrag Peciq, dhe ndërtimet zgjasin deri në vitin 1977.[7]

Situacioni i gjerë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërtesa e Institutit Albanologjik të Prishtinës gjendet në lagjen Qendra, përkatësisht shtrihet përgjatë aksit kryesor të bulevardit “Eqrem Çabej”. E vendosur në anën jugore të Kampusit Universitar, si njësi e ngushtë urbanistike, ajo kufizohet me lagjen Ulpiana në jug, me Qendrën e Studentëve në juglindje dhe me lagjen Pejton në perëndim. Pozicioni i ndërtesës së projektuar dallon nga projekti fillestar, i cili e trajtonte atë me një shtrirje dhe vendndodhje në afërsi të vendndodhjes së tanishme. Projekti është i realizuar disa dhjetra metra më në lindje dhe i rrotulluar për 90°.[7]

Konceptimi i ndërtesës i përket tërësisë urbanistike të Qendrës Universitare, të projektuar në vitin 1970 nga arkitekti Bashkim Fehmiu.[8] Forma dhe vendosja e saj në indin urban ndikon edhe në aspektin shoqëror përmes funksionit të saj publik, si institucion shkencor dhe si kontribut që i jep qytetit me imazhin e saj.[8]

Situacioni i ngushtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

E ndodhur pranë rrugës mbase më të frekuentuar të Prishtinës, në këtë rast pranë aksit kryesor të kryeqytetit, ndërtesa e Institutit Albanologjik përbën një vepër të jashtëzakonshme arkitektonike. Simbioza që merr konstekstualizimi i peizazhit rrethues me ndërtesën e bardhë, e bën atë të luaj primatin gravitacional tërheqës të të gjitha ndërtesave përreth. Fasada me një përthyerje të njëtrajtshme e dallon atë nga ndërtesat tjera që e rrethojnë kontekstin e ngushtë hapësinor. Kështu, në anën veriore ka Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sporteve, e cila dallohet me thjeshtësinë e fasadës në arkitekturë, në anën lindore ka ndërtesën e Institutit të Historisë, njëherit ndërtesën e Administratës së studentëve. Në anën përballë, pra në anën jugore ka bulevardin “Eqrem Çabej” dhe ndërtesat e banimit me lokale afariste në përdhesë. Qarku i horizontit mbyllet me anën perëndimore, në të cilën anë ka Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore.

Arkitektura e ndërtesës së Institutit Albanologjik paraqet një pamje masive, të një strukture të mirëdefinuar dhe me një shtrirje horizontale. Pakashumë e definuar sipas modelit të Le Corbusier-së, ku dritaret duhet të jenë të shtrira në horizontale dhe pa ndërprerje, në këtë rast në pamjen e përgjithshme, ndërtesa e Institutit Albanologjik e përcjell ritmin e tillë gradualisht në disa anë të fasadës së saj.

Struktura konstruktive e saj paraqet sistemin modular të rrjetëzuar me shtylla dhe me trarë. E ndarë në module të ngjashëm, kryesisht duke mbizotëruar distanca 6 metërshe nga aksi në aks, përdhesa është e trajtuar në atë mënyrë sa që ky sistem konstruktiv të shihet dhe përjetohet lirshëm. E përshtatur në konfiguracionin e pjerrët të terrenit, ndërtesa është e shtrirë në katër etazhe. Secila i përshtatet nevojes dhe funksionit. Suterreni në këtë rast është i destinuar për hapësirat e nevojshme teknike, derisa përdhesa është e tipit të lirë, e trajtuar me shtyllat të cilat japin përshtypjen e kolonadave dhe kalimeve që mundësojnë qarkullimin e lirë dhe bëjnë orientimin e ndërlidhjes ndërmjet hapësirave tjera në përdhesë.

Përballë hyrjes kryesore gjenden shkallët emblematike për këtë ndërtesë. Ato janë të tipit dy krahësh, por të ndarë në dy lëvizje paralele pas pushimores. Kështu, shpërndarja paralele mund të ndikojë në ngjitjen sipër në kat, ose uljes nga kati i sipërm në dy anë që gravitojnë në një hapësirë.

Katet e sipërme janë të ndara me zyre dhe me salla konferencash, të cilat shërbejnë për punët kërkimore dhe shkencore, si dhe për ligjërata, promovime dhe aktivitete të tjera. Duhet të shtohet, se të gjitha këto ambiente të brendshme kanë ndriçim të mjaftueshëm, çka kontribuon në një hapësirë më të përshtatshme për funksionet përkatëse.

Në këtë rast, arkitektura e saj luan një rol të jashtëzakonshëm edhe në funksionin e saj. Forma e tillë arkitektonike dhe vëllimore, i mundëson dritës natyrore të ketë një depërtim të drejtpërdrejt dhe të mjaftueshëm. Dhe, në anë tjetër, po të njëjtat forma vëllimore, ato mbrojnë nga ndriçimi i tepruar dhe shkëlqimi i dritës, sidomos gjatë stinës së verës.[1]

Identifikimi arkitektonik i ndërtesës së Institutit Albanologjik koncentrohet në parapetët e pjerrët në fasadë. Janë tre shirita të gjatë dhe të trashë, që e mbulojnë fasadën ballore të ndërtesës. Ato shprehin një vazhdimësi vizuale dhe një qartësi kontruktive. Pastërtia e fasadës në formë dhe në vëllim, pasqyrohet edhe në të bardhën që shfaqet në pamjen e saj. E ndërprerë me elemente vertikale, që përbëjnë shtyllat kontruktive, fasada e dritareve e shtrirë në horizontale, humb monotoninë që mund të krijojë në një kontekst të tillë.

E përbërë nga tre vëllime kryesore, konkretisht nga një qendror dhe dy anësor, mund të shihet një si mbivendosje strukturore në arkitekturën e ndërtesës. Në këtë mënyrë, vëllimi qendror merr vëmendje më të madhe. Për shkak të pozicionit të tij që ka në raport me dy vëllimet e tjerë, pra që përbën fasadën ballore, ky vëllim paraqitet pak më i lartë se të tjerët.

Derisa dy vëllimet tjerë kanë një shtrirje gjatësore, ato mundësojnë që tërë ndërtesa të ketë edhe një ambient tjetër të rëndësishëm, që i shton vlera arkitektonike dhe funksionale ndërtesës. Me shtrirjen funksionale që këto tre vëllime paraqesin, pozicioni i shkronjës “U” në këtë rast shfaq një hapësirë të ndërmjetme. Kështu, ndërtesës i shtohet një oborr i brendshëm, i cilësuar si atrium i gjelbëruar.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ a b Gjinolli, Ilir; Kabashi, Lulzim (2015). Modernizmi kosovar: një abetare e arkitekturës. Prishtina: Galeria Kombëtare e Kosovës. fq. 91. ISBN 978-9951-587-53-2.
  2. ^ Llonçari, Xhelal (2004). Arkitektura dhe Urbanizmi Sinergjik. fq. 39–41.
  3. ^ Llonçari, Xhelal (2004). Arkitektura dhe Urbanizmi Sinergjik. fq. 49–53.
  4. ^ "Toward a Concrete Utopia Architecture in Yugoslavia, 1948–1980" (në anglisht). {{cite web}}: Te parametri |title= ndodhet simboli i padukshëm "line feed character" - Pozicioni: 25 njësi duke numëruar nga e majta (Ndihmë!)
  5. ^ Uskoković, Sandra (2021). Socialist Modernism in Former Yugoslavia (në anglisht). BACU. fq. 7. ISBN 978-606-9-50977-7.
  6. ^ Uskoković, Sandra (2021). Socialist Modernism in Former Yugoslavia (në anglisht). BACU. fq. 6. ISBN 978-606-9-50977-7.
  7. ^ a b c Sadiki, Arbër (2020). Arkitektura e ndërtesave publike në Prishtinë: 1945-1990. Faktorët shoqëror dhe formësues. Drejtoria e Kulturës Komuna e Prishtinës. fq. 68 dhe 132. ISBN 978-9951-716-43-7. {{cite book}}: Te parametri |publisher= ndodhet simboli i padukshëm "line feed character" - Pozicioni: 21 njësi duke numëruar nga e majta (Ndihmë!) Gabim referencash: Invalid <ref> tag; name ":5" defined multiple times with different content
  8. ^ a b Sadiki, Arbër (2020). Arkitektura e ndërtesave publike në Prishtinë: 1945-1990. Faktorët shoqëror dhe formësues. Drejtoria e Kulturës Komuna e Prishtinës. fq. 68. ISBN 978-9951-716-43-7. {{cite book}}: Te parametri |publisher= ndodhet simboli i padukshëm "line feed character" - Pozicioni: 21 njësi duke numëruar nga e majta (Ndihmë!)