Jump to content

Panajot Kanaçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Mjeshtri i koreografisë, Panajot Kanaçi.
Fletpalosja e baletit 'Delina' nga Panajot Kanaci
Personazhet dhe Interpretuesit e baletit 'Delina' te Pajanot Kanacin'
Panajot Kanaçi
Panajot Kanaçi

Panajot Kanaçi, lindi më 2 gusht të vitit 1924, është koreograf, mjeshtër baleti, pedagog shqiptar.

Që në moshë të vogël ra në sy mënyra elegante e kërcimit të tij. Në vitin 1945 ishte ndër të parët që krijoi grupet e valleve, duke realizuar miniatura baleti dhe valle popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ai realizoi baletin e parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, me muzikë të Tish Daisë. Më pas realizoi baletin “Delina”, “Bijtë e Peshkatarit”, etj. Ai ishte lëvrues i palodhur i valles popullore, duke arritur nivele të larta përpunimi si “Vallëzimi i shqipeve”, “Valle labe”, “Valle myzeqare”, etj. “KESHTU E NJOHA UNE PANAJOT KANAÇIN”

Skifter Këlliçi

(Mbresa rreth librit me të njëjtin titull të Albert Jankut) E kam thënë dhe herë të tjera se një nga dhuratat më të mira që mund t’i bëhet një të mërguari që kthehet përkohësisht në atdhe, është libri. Ndaj, kur Albert Janku, një ndër kërcimtarët më të njohur të baletit klasik, “Artist i Merituar”, më dhuroi librin e tij “Kështu e njoha unë Panajot Kanacvin”, këtë vigan të koreografisë shqiptare,ndjeva kënaqësi të veçantë. Dhe sapo zura të shfletoja faqet e para të këtij libri, menjëherë m’u kujtua ajo ditë vjeshte e vitit 1945, kur motra ime, Lili, e dhënë që e mitur pas valëzimeve popullore,më mori përdore mua, atëherë 7-vjeçar, dhe në shpuri në oborrin e Teatrit të sotëm Kombëtar, ku pashë djem e vajza, bashkëmoshatare të saj, jo më shumë se 12-15 vjeç. Dhe duke biseduar me ta, pashë edhe një burrë të ri, me paraqitje tërheqëse, i cili i ftoi të tërë të kalonin në një sallë, ku filluan provat e baletit, me ato lëvizje harmonike që i kisha parë vetëm në filma…

Aty mësova se ky burrë, me pamje të qeshur,me emrin Panajot Kanaçi,ashtu si një mësues i apasionuar i fut nxënësit në botën e madhe të dijeve, ashtu edhe ai po i fuste këta fëmijë në botën e madhe të kërcimit, siç ndodhi dhe me vetë Albert Jankun tetë vjet më pas, më 1953, kur edhe ai vetë ishte jo më shumë se 15 vjeç. “Unë u befasova shumë,-shkruan Albert Janku,-kur mjeshtri m’u u drejtua dhe më tha:”Po ti, djalosh, çfarë di të kërcesh?…”Ashtu me drojë kërceva “kaçakçe”,duke kryer një rreth të gjerë dhe bëra disa ulje karakteristike të këtij kërcimi…Mora vesh se më kishin pranuar në grupin e valleve.”(faqe 111).

Pak a shumë kështu ka ndodhur më kërcimtarët më të mirë të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore ose të TOB-it, që nga të parët Agron Aliaj, Zoica Haxho…Miltiadh Papa….pastaj, Besim Zekthi, Lili Cingu…Rexhep Çeliku e plot e plot të tjerë, për të cilët shkruan me kaq frymëzim autori në librin e tij, siç ka ndodhur edhe me motrën time, Lili, dhe shoqet e saj, që nisën rrugëtimin e tyre aq të vogla, për të arritur t’i japin artit popullor shqiptar lavdi në sa e sa turne nga Evropa në Azi dhe nga Azia në Afrikë. Në përkushtimin e shkruar në faqen e parë të veprës së tij Alberti, midis të tjerash, më shkruante: ”Duke lexuar këtë libër, do të dëshiroja të ngacmoja sado pak kujtesën tënde për kohën kur artistë të vërtetë në mes të një trysnie të rreptë krijuan vlera që i shtojnë identitetin vendit tonë”. Dhe mua m’u ndërmendën sërishmi sa e sa ngjarje të trishta që sollën po aq drama tronditëse në jetën e artistëve tanë, të cilëve si shpata e Damokleut u qëndronte mbi kokë censura e diktaturës komuniste,sidomos në mesin e viteve 60-të, pas asaj që u quajt “periudha e revolucionarizimit të jetës së vendit” dhe veçanërisht pas Plenumit t 4-t famëkeq më 1973, së cilës nuk i shpëtoi as arti ynë koreografik,duke përfshirë këtu, siç do të vë në dukje më poshtë, edhe vetë “babain” e këtij arti, Panajot Kanacin.

Çifti Kanaçi.
Çifti Kanaçi.

Nuk kam ndërmend në këtë shkrim të ndalem më hollësi në vlerësimin që i bën Albert Janku krijimtarisë artistike të Panajot Kanaçit, por thjesht të hedh mbresa,sepse kaq mund të bëj në një fushë si koreografia, që i kapërcen aftësitë mia profesionale. Por duhet të them se Albert Janku kësaj detyre ai ia ka arritur në mënyrë të shkëlqyer, duke dëshmuar se ashtu siç ka ditur të përvijojë ato lëvizje plot nur në baletet ku ka interpertuar “nën mbikqyrjen” e mjeshtrit Kanaçi,ashtu edhe ai ka arritur të vërë në përdorim penën e tij, armë që nuk e pa pasur për zanat,për të ngritur në piedestal figurën e këtij mjeshtri. Që lexuesi i këtij shkrimi të ketë një ide të përgjithshme të veprave koreografike të Panajot Kanaçit, të cilat analizohen bukur -mirë në faqet e librit në fjalë, po përmend disa prej tyre: “Shatërvani i Bahcisarait”,(1951), ”Esmaralda”,(1953),”…Pasi kreu studimet e larta për regjisor balet maestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë(1956-1960), realizoi në fushën e koreografisë popullore disa nga vallet aq të njohura popullore shqiptare: Vallzimi i shqipeve”, ”Vallja e gështenjave’, ”Suitë vallesh të Tiranës” e plot të tjera. Duke qenë udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të TOB-it, Panajot Kanaçi vuri në skenë baletin e parë kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajria”, me muzikë të Tish Daisë,(1963), që u pasua nga baleti”Delina”, me muzikë të Cesk Zadesë, baletet “Joniada” dhe “Shote dhe Azem Galica”, me muzikë të Nikolla Zoraqit e pastaj nga më shumë se 200 valle të krijuara,prej tij, nga të cilat më e njohura-”Festë të madhe ka sot Shqipëria”, fituese e “Gjerdanit të Artë” në Festivalin Ndërkomëtar të Dizhonit në Francë(1970),si dhe balete si “Franceska da Rimini”, ose në opera si “Traviata “Karmen” dhe balete të tjera klasike.

Në librin tij “Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin” Albert Janku ndalet gjatë te baleti “Halili dhe Hajria”, jo vetëm sepse ky është baleti i parë shqiptar, por edhe sepse në të njëjtën kohë është nga kryeveprat e saj. Ai përshkruan atë mbrëmje të ftohtë të 13 janarit të vitit 1963,kur në sallën e TOB-it u dha premiera e këtij baleti. Për koincidencë, po kështu vepron edhe publicisti i njohur, Marash Hajti në librin e tij “Tish Daija”, kushtuar jetës dhe veprës së këtij kompozitori në zë, që është autori i muzikës së këtij baleti. Po kështu e kam përshkruar edhe unë, aso kohe gazetar i emisioneve kulturore në Radio Tirana, në një intervistë që kam bërë me Tish Dainë dhe më pas edhe me Panajot Kanaçin. Deri atëherë ai më njihte si vëllai i Lilit, pra motrës sime, të cilën e çmonte si valltare, aq sa i kishte besuar të interpretonte ”Vallen e Tropojës” me lëvizje shumë të shpejta ritmike.Por këtë radhë mjeshtri i madh u bë “pre” e mikrofonit tim…Sidoqoftë, iu përgjigj pyetjeve të mia po me të shkathtësi e zhdërvjelltësi që shfaqte në krijimin e valleve dhe baleteve. “Kjo vepër, – shkruan Albert Janku në librin e tij, – ngriti perden jo vetëm në skenat, podiumet dhe sheshet në territorin e Shqipërisë, por u luajt nga artistët shqiptarë në Prishtinë, Athinë, Selanik, Korfuz, Patras, Milano, San Remo e qytete të tjera të Italisë dhe Greqisë…” Dhe më poshtë autori vë në dukje përshtypjet e regjisorit të njohur grek Kostas Stranksalis, që ndër të tjera thekson: ”Nuk keni pse të keni zili kolegët e tjerë të Evropës. Mundeni me këtë shfaqje në mënyrë të bujshme të paraqiteni në të gjitha kryeqytete e botës. Është diçka juaja. Ju takon”.( faqe 178 dhe 179 e veprës).

Pikërisht se kishte të tilla vlera, më 1973 ky balet u vu në skenë nga trupa e baletit të Teatrit të Operas së qytetit francez Klermont Ferrand. Për popullaritetin e tij, dëshmon edhe fakti se që nga viti 1963 dhe deri më 1991 u luajt, siç vë në dukje autori, 250 herë,shifër me të vërtetë rekord. Por të kthehem te trysnia e rreptë që nënvizon Albert Janku në përkushtimin që më ka lënë në librin e tij. Pas suksesesh të tjera,erdhi koha që Panjot Kanaci të vinte në skenë baletin ”Paganini”, me muzikë të Rahmaninovit, me tema nga vepra e Paganinit. “Deri më 1965 ,-vë në dukje ai,-kur u realizua ky balet,duhet theksuar se liria e krijimit akoma nuk ishte ndeshur me censurën e fortë që goditi artin mbas këtij viti. P.Kanaçi dhe krijues të tjerë i krijonin veprat e tyre në bashkëjetesë me përjetimin e një autocensure torturuese.”(faqe 198 e veprës).

Mbaj mend së në këtë periudhë në TOB po përgatitej të vihej në skenë edhe opera “Dasma e Figaros” e Moxartit. Dhe unë si zakonisht do të shkoja atje që të përgatitja një radioreportazh. Por, pa pritur, nëndrejtori më thirri në zyrën e tij dhe më urdhëroi që të përgatitja një emision tjetër. Arsyeja:”Në një kohë që partia bën thirrje që të revolucionarizohemi duke luftuar shfaqjet borgjezo-revizioniste,kjo opera bën të kundërtën.”E kuptova se ky nuk ishte mendimi i ti, sepse ai e pëlqente muzikën e huaj operistike ,por i ardhur nga kupola e kuqe. Ishte fillimi i vitit 1966…M ë kujtohet se një natë në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve erdhi edhe Fiqrete Shehu me një suitë nga pas. Në një bisedë midis të tjerash ajo kritikoi edhe “Paganinin” e Panajot Kanaçit. Sinjali ishte dhënë, ndaj ky balet u ndalua te shfaqej e bashkë me të të gjitha veprat që përfshiheshin në repertorin e huaj klasik të TOB-it. “Kjo qe trauma e parë e madhe e cila goditi artin skenik të vendit tonë, – shkruan Albert Janku. -U mbyllën dyert e teatrove për autorët e huaj…Më kujtohet shfaqja e fundit e këtij baleti. Në lozhën e artistëve kishin zënë vend baletmaestrja kineze dhe ndihmësi i saj. Ata vinin për të vënë në skenë baletin revolucionar kinez “Detashmenti i kuq i grave”. Në mbarim të shfaqjes baletmaestra kineze në gjuhën ruse i pëshpëriti Panajotit “atlicno”(shkëlqyeshëm). Panajoti e kishte njohur atë që nga koha e studimeve në Moskë. Në vitin1972 ne shkuam me baletin ”Cuca e maleve” në një turne të gjatë në Kinë. E kërkuam baletmaestren… Ajo që kur qe kthyer nga Shqipëria, nuk kishte punuar më në Teatrin e Pekinit”.(faqe 202 e librit). Por, siç e përshkruan autori në faqet e librit të tij, censura e vrazhdë në TOB nuk u mjaftua me kaq. Nëse Panajot Kanaçi vetëm sa u kritikua për venien në skenë të “Paganinit”, nuk ndodhi kështu më baletin tjetër të tij,“Partizani”. ”Mjetet shprehëse e në veçanti gjuha koreografike, -shkruan rreth vënies në skenë të këtij baleti Albert Janku,-qenë produkt i një mendimi serioz…Nuk u spekulua me qëndrime patetike dhe epike të ekzagjeruara…Luftërat për liri paraqiteshin sa më njërzore, natyrshëm dhe jo me “viganë”, ose “luanë” jashtëtokësorë. Për këtë ndikoi shumë edhe muzika e kompozitorit Kozma Laro. Ishte muzikë e ngrohtë shumë vallëzuese dhe ndihmoi që shfaqja të mos tingëllonte në asnjë moment e fryrë, me thirrma dhe dramatizime artificiale,por të ishte sa më e besueshme, po aq edhe realiste.” (faqe 212)

Mirëpo, pas premierës, në mars të vitit 1968, baleti u kritikua për gabime të rënda ideore: mungonin në të ndeshjet trup me trup të partizanëve me pushtuesit,nuk ishte gjetur plastika e duhur për të karakterizuar partizanin tonë, vetëmohimin e tij në luftë, botën e tij shpirtërore,sepse në themel të libretit ishte një tregim poetik që,me gjithë vlerat e tij, linte për të dëshiruar nga ana dramaturgjike…. “Ky balet u rrëzua,u plagos dhe së bashku me të koreografia,-shkruan autori,.-…Në mëngjesin e ditës pas premierës një grup i vogël solistësh me mjeshtrin Panajot Kanaçi në krye u lajmëruan të merrnin pjesë në një tavolinë të rrumbullaktë… Në krye të tavolinës qenë dy anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Qe një mbledhje ku autorët e shfaqjes, balemaestri P. Kanaçi dhe kompozitori K. Lara, dëgjuan vërejtje dhe kritika të rrepta për më se shtatë orë”.(faqe 219.) Pasojat qenë të trishta: pasi u mendua të transferohej në Shtëpinë e Kulturës në Korçë, vendim që kënaqte edhe kritizerë dhe dashakëqij të tij,që vuanin nga kompleksi i inferioritetit, pasi u mendua të emërohej edhe në ndonjë qytet tjetër, ”…Përfundimisht Panajoti Kanaçi linte detyrën e baletmaestrit të trupës së baletit në TOB dhe emërohej koreograf i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve”.(faqe 220)

Por talenti është talent. Dhe talenti i Kanaçit shpërtheu edhe në këtë fushë që nuk ishte e re për të,sepse ai ishte lindur dhe ishte rritur në viset fshatarake të Sarandës dhe Delvinës, kishte marrë pjesë atje në festa,të cilat, vec të tjerash, shoqëroheshin edhe me valle, ndaj ai i rrëfente përshtypjet e tij të pashlyeshme për to në biseda me shokë dhe miq, e natyrisht edhe me autorin e librit, të cilit i shprehej kështu: “Unë çuditesha se më merrnin e më vendosnin në krye për të udhëhequr vallen. E kjo me jepte flatra. Plot emocion kërceja e kërceja me një kënaqësi të patregueshme në shpirt. Ajo dashuri për vallen,më ndoqi hap pas hapi edhe më pas. Nuk më harrohet interpretimi i shkëlqyer i valltarit popullor Kiço Milo që zotëronte një plastikë fluturuese të paarritur. Këto kërcime i vrojtoja me shumë vëmendje dhe më vonë do t’i trajtoja mjaft gjerë në shfaqjen “Raposodia shqiptare” dhe në përpunimin “Festë në Dropull”, ku paraqitej rituali i karnavaleve”,(faqe 43). Dhe ishte kjo përvojë që kulmoi në shfaqjet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Festivalin e Dizhonit më 1970. ”Mbi dhjetë mijë spektatorë që mbushnin sallën e pallatit të sportit,- shkruan Albert Janku,-brohoritën bashkë me ne kur u shpallëm zyrtarisht fitues të “Gjerdanit të artë”. Në repertorin tonë domimuan vallet “Vallzimi i shqipeve”, ”Në garë”, Mbledhja e gështenjave’”,“Goracja”, “Suitë tiranase”, ”Festë të madhe sot Shqipëria”,(faqe 237).

Libri i Albert Jankut “Kështu e njoha Panajot Kanaçin” nuk është vetëm një vepër jetëshkrimore për këtë figurë kaq të madhe të artit tonë koreografik, por në të njëjtën kohë edhe një histori e vetë TOB-it dhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve’”,që e kanë zanafillën e tyre në Filarmoninë Shqiptare të krijuar më 1950,dhe e protagonistëve kryesorë të tyre në vite. Nga kjo pikëpamje libri përfton edhe një hapësirë më të madhe, madje edhe nga pikëpamja shkencore,aq me tepër që në vlerësimin e veprimtarisë krijuese të Kanaçit, Albert Janku nuk bazohet vetëm në kujtimet e tij,pra të nxënësit ndaj mjeshtrit dhe pastaj të kolegut të vyer. Në libër lexuesi gjen edhe citime nga autorë tashmë në zë në fushën e artit koreografik në Shqipëri, në të cilat vihen në dukje meritat e jashtëzakonshmet Panajot Kanaçit. “Engjëll Tërshana në monografinë për Panajot Kanaçin dhe Nexhat Agollin, Ramazan Bogdanin etj., në shkrimet e tyre,-shkruan Albert Janku,- kanë konstatuar se krijimtaria dhe vepra e tij është një uragan që u shfaq për 50 vjet në jetën artistike të Shqipërisë dhe Panajoti qëndron në vendin kryesor,si udhëheqës shpirtëror dhe artistik”.(faqe 264). Por libri “Kështu e njoha në Panajot Kanaçin” është gjithashtu edhe një vepër me vlera letrare, larg rrëfimeve të thata që mund të gjesh në libra të kësillojshëm. Ai është shkruar më pasion, me dhembje,mbi të gjitha, me frymëzim. Dhe, po të kemi parasysh se Albert Janku paraqitet për herë të parë, jo më në skenë, ku ka mbetur në mendjen e artdashësve të baletit klasik,por në një fushë tjetër, me një krijim dinjitoz jetëshkrimor, atëherë nuk më mbetet të them se ai është një zbulim i befasishëm dhe i këndshëm. Mjafton të përmendim me ketë rast faqet e fundit të librit. Panajoti është i sëmurë rëndë. Një sëmundje e pashërueshme ka mbërthyer në shtrat. E vizitojnë miq e shokë. (Edhe unë që kisha vazhduar miqësinë me të, e kisha takuar jo rrallë, sidomos gjatë verës në kodrat e liqenit të Tiranës, e ndjeva të domosdoshme t’i shkoja për vizitë në atë hyrje, me një dhomë e kuzhinë, të cilën ai e kishte pajisur me shije të hollë artistike).

Mjeshtri i ulur në rreshtin e parë nga e majta, me pjestarë te tjerë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Panajot Kanaçi

Po kështu, siç e përshkruan në faqet e librit, e viziton edhe Albert Janku,Madje edhe më shpesh. Kuptohet i ka lidhur për më shumë se gjysmë shekulli arti koreografik. Panajoti i flet më përgjërim për ëndrrat e tij që kishte ndërmend të realizonte pas shembjes së diktaturës komuniste, e cila e kishte detyruar të vetëcensurohej dhe, siç e pamë, edhe e kishte dënuar, flet për shfaqjen e realizuar më 1995 ”Ritme popullore dhe emocione kurbate”, për valle të tjera- ”Dasma kumanovare”, ”Rreth flamurit”, “Shqiponjat, ”Valët te liqenit”, për baletin ”Milosao”, me muzikë të Çesk Zadesë,”… për këtë vepër dhe të tjera që përmenda më lart,-shkruan Albert Janku,-ai nuk pati mundësi që t’i realizonte”, dhe përfundon: “E diel 14 korrik 1996. Mëngjes i freskët dhe në qiell shtëllunga të shkrifëruara resh …Përmes perdeve të hapura paksa shquhej gjithashtu mali i Dajtit. Në mes të ngjyrës blu dhe bardhësisë së mbulesës së krevatit një rreze dielli ia ndriçonte fytyrën…Dalëngadalë jeta e tij po shuhej. Po shuhej për t’u shndërruar në një qiri të ndezur, në një pishtar, drita e të cilit do të mbetet për të ushqyer shpirtin artistik të një kombi,që do ta kujtojë përherë në vezullimet e magjishme të skenës”.

Referime dhe shënime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Tërshana, Engjëll (1997). Panajot Kanaçi : artist i popullit : monografi. Tirane. OCLC 164606947.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)