Jump to content

Pedagogjia e përgjithshme (J. F. Herbart)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pedagogjia e përgjithshme titulli i plotë i së cilës është Pedagogjia e përgjithshme e nxjerrë nga qëllimi i edukatës (gjermanisht: Allgemeine Pädagogik aus dem Zweck der Erziehung abgeleite, përkthyer në gjuhën angleze me titullin, Science of Education: Its General Principles Deduced from Its Aim and the Aesthetic Revelation of the World - Shkenca e edukimit: Parimet e përgjithshme të nxjerra nga qëllimi i saj dhe zbulimi estetik i botës) është një libër i shkruar nga empiristi dhe pedagogu gjerman Johann Friedrich Herbart. Libri për herë të parë u botua në gjermanisht në vitin 1806 ndërsa përkthimi i parë në anglisht u bë në vitin 1902. Herbarti theksoi arsimin dhe edukimin si një mënyrë për përmbushjen e plotë të potencialit të njeriut si dhe krijoi një metodë shkencore me të cilën do të mund të realizohej. Në këtë vepër ai mbrojti një metodologji mësimore me pesë hapa që tërheq interesat e nxënësve dhe e zbaton përmbajtjen përsëri në moral dhe në jetën e përditshme. [1] Mësuesit të cilët e zbatojnë këtë qasje pedagogjike sot mund të gjenden në Gjermani, Austri, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende tjera.

Vështrim i përgjithshëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teoria pedagogjike e Herbartit u quajt herbartianizëm. Ai konsideronte se procesi psikologjik i të mësuarit duhet të merret parasysh gjatë hartimit të kurrikulave dhe qëllimeve arsimore dhe edukative. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e përdorimit të mjediseve sociale dhe fizike për të promovuar mësimin në klasë. Herbart thekson mes tjerash pesë hapa formalë për mësimdhënie:

  • Lidhja e materialit të ri me idetë përkatëse të së kaluarës në mënyrë që të angazhohen nxënësit/studentët.
  • Prezantimi i materialeve të reja përmes përvojës dhe/ose manipulative.
  • Asocimi i ideve të reja me të vjetrat përmes krahasimit të ngjashmërive dhe dallimeve.
  • Përgjithësimi i materialit, veçanërisht me nxënësit më të vegjël për të treguar marrëdhëniet midis ideve dhe objekteve në botë.
  • Zbatimi i njohurive të fituara në një mënyrë përkatëse për të interpretuar qartë jetën. Në këtë hap, nxënësi duhet ta përvetësojë këtë lidhje, duke e zbatuar në jetën e tij/saj

Për shkak se Herbart besonte se pedagogjia si një shkencë e arsimit dhe edukimit ishte e mundur, ai mbështeti idenë që arsimi duhet të ishte një fushë e pranueshme studimi në arsimin e lartë.

Në librin e parë Herbarti diskuton qëllimin e përgjithshëm të edukimit. Mësuesi është një udhërrëfyes për zhvillimin moral të nxënësve dhe duhet të krijojë një marrëdhënie me nxënësit gjë që u mundëson atyre të ndërtojnë një censurë të brendshme për të mirën dhe të keqen. [2] Herbarti diskuton gjithashtu rolin e autoritetit në edukimin e fëmijëve. Ai arriti në përfundimin se ekzistojnë dy lloje fëmijësh, ata që do të kenë frikë nga ndëshkimi dhe duan ta shmangin atë dhe ata që dëshirat e të cilëve do ta mposhtin frikën e tyre nga autoriteti. Nxënësit duhet të mësohen të kenë frikë nga autoriteti, por edhe të rrezikojnë në mënyrë që djemtë të bëhen burra. [3] Libri i parë përfshin gjithashtu diskutimin e Herbartit mbi individualitetin e nxënësve dhe shumë elementë të ndryshëm që luajnë rol të rëndësishëm në moralin e një fëmije.

Libri i dytë shqyrton anët e shumta të nxënësve – morinë e ndikimeve dhe karakteristikave që secili nxënës sjell me vete. Mësimdhënësit dhe arsimtarët duhet të kuptojnë se ndikimi i vetëm që kanë mbi nxënësit është liria e zgjedhjes. Ata mund të ndikojnë tek nxënësit/studentët e tyre duke u dhënë mundësi kërkimeve potenciale më fitimprurëse. Nxënësit vijnë me prejardhje, dëshira dhe talente të ndryshme, dhe arsimtari duhet të lehtësojë rritjen dhe zhvillimin e nxënësve në shumë aspekte, në krahasim me interesat e tyre. Herbarti argumenton se interesat janë të ngjashme me dëshirat dhe për këtë arsye mund të përdoren për të ndihmuar fëmijët t'i binden autoritetit. Njohuria dhe simpatia duhet të merren parasysh kur zgjedhin se cilat zgjedhje do t'u jepen nxënësve, veçanërisht kur bëhet fjalë për mësimin. [3] Qëllimi i mësimit është të martohen me natyrën dhe njerëzimin. Mësimi bashkon boshllëqet në përvojat dhe ndjenjat tona, por mësimi duhet të jetë sistematik që të mos e ngatërrojë nxënësin.

Libri i tretë trajton marrëdhënien e thellë të Herbartit me etikën (moralin). Ai besonte se vetëm njeriu moral komandon veten. [2] Libri diskuton anët pozitive dhe negative të moralit, si dhe gjykimin moral. Imperativi kategorik shpreh një gjykim për veten në dritën e njohjes së tjetrit. Herbarti përcakton se si karakteri moral zbulohet kur paraqitet me situata të ndryshme dhe si formohet karakteri ynë si rezultat i këtyre përvojave natyrore. Së fundi, Herbart trajton disiplinën dhe mënyrën se si ajo mund të ndikojë në formimin e karakterit të njeriut, si dhe mënyrat e duhura për ti përdorur këto. [3]

  1. ^ American Association for the Advancement of Science (December 29, 1893), "Book Reviews: The Science of Education", Science (in English) 22 (269): 362, JSTOR https://www.jstor.org/stable/1767208
  2. ^ a b English, Andrea (2011), "Critical Listening and the Dialogic Aspect of Moral Education: J.F. Herbart’s Concept of the Teacher as Moral Guide", Educational Theory (in English) 61 (2): 171–192, doi:10.1111/j.1741-5446.2011.00398.x
  3. ^ a b c Herbart, John Friedrich; Felkin, Henry & Emmie (1908), Science of Education: Its General Principles Deduced from its Aim and the Aesthetic Revelation of the World tr. From German (in English), Boston: D. C. Heath & Co., Publishers, p. 296