Rushen Golemi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rushen Golemi (Kazanxhi) (1935-2018) ishte një kirurge shqiptare dhe deputete në parlament.[1]

Jetëshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rushen Golemi (mbiemri vajzëror ishte Kazanxhi) lindi në Durrës me 16 korrik, 1935. Në vitin 1957 përfundoi shkëlqyeshëm studimet në degën Mjekësi në Tiranë. Me kërkesën e saj i jepet specialiteti i kirurgjisë dhe fillon punën si kirurge në spitalin Civil të Tiranës në 1957. Është e para femër e diplomuar që merr specialitetin e kirurgut.[1][2]

Në 1959-1960 punoi për afro një vit si kirurge në Peshkopi. Nga viti 1963 e deri sa doli në pension, punoi si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në lëndën e Kirurgjisë së Përgjithshme. Gjatë gjithë kohës është marrë me specializimin e mjekëve kirurgë si dhe me kualifikimin e tyre si nga ana teorike, ashtu dhe praktike. Në vitin 1959 u angazhua dhe aplikoi gjerësisht narkozën endotrakeale me frymëmarrje të drejtuar.

Në vitin 1974 mori nën drejtim Kirurgjinë e Përgjithshme, pasi ky specialitet ndahet nga ai i Kirugjisë Kardio-Vaskulare dhe filloi ekzaminimet radiologjike me kontrast të sistemit kardio-vaskular duke dhënë më pas, ndihmesën e saj në operacionet e zemrës dhe të enëve të gjakut nën drejtimin dhe bashkëpunimin e Prof. Petrit Gaçe. Ishte gjithashtu nismëtare e mjekimit modern të djegieve të plastikave të ndryshme. U thellua në mjekimin e sëmundjeve endokrinale dhe në ndërhyrje kirurgjikale në to, veçanërisht në gjendrat tiroide.

Gjatë viteve 1964-1974 shërbeu si konsulente për çështjet kirugjikale pranë Institutit Pediatrik në Tiranë.

Në 1991 u zgjodh deputete e Partisë Demokratike në të parin parlament pluralist pas diktaturës komuniste, duke vazhduar të kontribuojë si deputete edhe në legjislaturën pasuese. U angazhohet në komisionin parlamentar të politikës së jashtme, dhe atij të lirive të të drejtave të njeriut. Ishte gjithashtu anëtare e Delegacionit pranë Këshillit të Evropës.

U nda nga jeta më 27 shkurt 2018.[3]

Publikime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Bashkëautore e tekstit të ” KIRURGJISE SË PERGJITHSHME”
  • Autore e librit :”DESMURGIA”

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për punën e saj 40-vjeçare është nderuar me:

  • Medaljen: ” Në shërbim të Popullit” në 1981
  • Urdhrin e “Punës të Klasit të Parë” në 1990
  • Urdhrin : “Mjeshtër i Madh” në 2006

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Elizabeth Sleeman (2001). The International Who's Who of Women 2002. Psychology Press. fq. 210–. ISBN 978-1-85743-122-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Durres Lajm (27 shkurt 2018). "Kush ishte Rushen Golemi, e para mjeke kirurge në Shqipëri". Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 28 shkurt 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Opinion (28 shkurt 2018). "Ndahet nga jeta Rushen Golemi, ish deputete e Kuvendit të Shqipërisë". Opinion.al. Marrë më 28 shkurt 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)