Jump to content

Sali Vata

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
"Hero i Punës Socialiste"
Sali Vata

Sali Kadri Vata lindi më 6 qershor të vitit 1915 në fshatin Surroj të rrethit të Kukësit.Fëmijërinë e kaloi po në atë fshat duke bërë jetë baritore apo duke punuar si mullixhi deri në vitin 1936, vit ky ku u mobilizua si ushtar në Gramoz dhe Leskovik gjatë luftës Italo-Greke. Në 1937 kapet rob nga forcat italiane që tentuan ta internonin në Itali. Pas kësaj ai dezerton dhe rikthehet në fshatin e tij të lindjes.

Gjatë viteve 1938-1940 shërben si xhandar në Gostivar ndërsa në vitet 1940-1943 rikthehet në vendlindje për të punuar si mullixhi. Në vitin 1943 ai merr pjesë në çetën e Lumës dhe në 1944 antarësohet në brigadën e 24 sulmuese të Luftës Nacional çlirimtare. Pas çlirimit të Shqipërisë ai shërben në komandat e vendit.

Në vitet 1946-1947 Sali Vata merr pjesë aktive në ndërtimin e “Rrugës së Rinisë” Kukës-Peshkopi. Një vit më pas merr pjesë në ndërtimin e hekurudhave Durrës-Tiranë e Durrës-Peqin.Nga viti 1948 deri në vitin 1951 punoi për ndërtimin e hidrocentralit “Lenin” në Lanabregas, Tiranë. Katër vitet në vijim ai do të kontribuonte në ndërtimin e hidrocentraleve “Karl Marx” e “Friedrich Engles” përkatësisht në Ulëz e Shkopet.

Gjatë 1955-1957 punoi si minator në minierën e kromit, Bulqizë.Në 1957 riangazhohet në ndërtimin e hidrocentraleve këtë herë në Bistricë, Sarandë për hidrocentralin “Stalin” e më pas në 1964 angazhohet në ndërtimin e TEC-it në Fier. Prej vitit 1966 punoi si drejtor në Minierën e Bakrit në GjegjanKukësit deri në vitin 1970 kur del në pension. Pas daljes në pension me kontributi vullnetar punon për ndërtimin e banesave të qytetit të ri të Kukësit ku zgjidhet dhe Komandant i Shtabit.

Në vitet 1973-1976 punon sërish vullnetarisht në hekurudhën PrrenjasGur i Kuq si këshilltar ndërtimi. Ai u dekorua me mjaft medalje e urdhëra pune, por mbase titulli më i rëndësishëm i tij ishte ai i dhënë në mars të vitit 1951 si “Hero i Punës Socialiste” nga Presidiumi i Kuvendit popullor.

Përsa i përket karierës së tij politike, në vitin 1952 u antarësua në Partinë e Punës së Shqipërisë. U zgjodh anëtar i këshillit të përgjithshëm të Kongresit të Katërt të Bashkimeve Profesionale. Per tre legjislatura radhazi nga 1958-1970 zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor për zonën Surroj-Fanë, rrethi i Kukësit.Zgjidhet gjithashtu anëtar i Kongresit të Pestë të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjthshëm të Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Sali Vata është radhitur nga Akademia e Shkencave në Enciklopedinë e Popullit Shqiptar për merita të veçanta. Ishte babai i tetë fëmijëve dhe u nda nga jeta në 2 korrik 1989.