Shko te përmbajtja

Bulqiza

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Bulqiza
Map
Popullsia
67,000
Faqja zyrtare[ Bashkia e Bulqizës]

Bulqiza është një qytet në verilindje të Shqipërisë. Ka një sipërfaqe prej 678.51 km2. I gjithë territori shtrihet nga 435m deri në 2101m lartësi mbi nivelin e detit.

Bulqiza, si treve e hershme njihet që në epokën e gurit, e cila i përket një periudhe relativisht të largët 6000-7000 vjeçare. Gjate kësaj periudhe kjo zonë popullohet nga fiset ilire ku mё tё përmendur ishin Penestët me kryeqendër Uskanën. Në kohërat e dyndjeve barbare sllave, në fushën e Kalasë u zhvilluan luftime të përgjakshme kundër pushtuesve të cilët dogjën e plaçkitën qytetin me emrin Vali (os). Qyteti i Valit shtrihej në dy anët e urës së sotme të qytetit të Bulqizës, aty ku lartësohet shkëmbi i Skënderbeut.

Si rezultat i pushtimit dhe djegies, por dhe të atyre të mëvonshme të qytetit Vali (os) populli u detyrua të largohej nga trojet e tij dhe të vendosej rrëzë maleve dhe kodrave tё luginës së Bulqizës. Qyteti i Vali (os) pati një zhvillim të madh në drejtim të tregtisë, bujqësisë dhe blegtorisë. Si rezultat i zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik popullsia e këtij qyteti shtohej me ritme të shpejta. Nga të dhënat arkeologjike dëshmohet se ky qytet është banuar që në lashtësi. Po ashtu është banuar dendur në të gjitha periudhat e mëvonshme. Këtë e tregon fakti i vendbanimeve të të gjitha periudhave të hershme, të bronzit 1300-1100 para erës sonë, të hekurit 1100-900 para erës sonë (Vajkal, Qaf Bualli), në shekullin V-IV para erës sonë, gjithashtu janë gjetur dhe gjurmë të rrugës së Arbrit si nyje lidhëse mes perëndimit dhe lindjes.

Bulqiza ashtu si tërë trevat e tjera shqiptare, ra pre e pushtimeve të njëpasnjëshme: romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane. Në valën e këtyre pushtimeve kjo zonë ishte pjesë e provincës romake të Maqedonisë dhe me pas  provincës së Epirit të Ri. Gjatë shekujve XII-XV Dibra dhe Mati ishin pjesë përbërëse e principatës së Arbërit (1190-1257) dhe asaj të Kastriotëve (XV).

Ndërtimi gjeologjik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përsa i takon ndërtimit gjeologjik territori i Bulqizës, bën pjesë në zonën tektonike të Mirditës dhe në zonën tektonike të Krasta-Cukalit, e cila shtihet në formën e një rripi nga Labinoti në Dibër. Ndërtimi gjeologjik i Bulqizës përfaqësohet nga shkëmbinjtë magmatik në masën 65% si dhe ato terrigjen dhe sedimentar. ndikuar nga shumëllojshmëria ltologjike e territorit kemi struktura të shumllojshme dhe të ndërlikuara. Në formimin e veҫorive strukturore të formave të relevit në këtë zonë, rol të rëndësishëm kanë luajtur lëvizjet e fuqishme diferencuese (ngritëse dhe ulëse), ku si rezultat i tyre shohim produktin e horsteve dhe grabeneve, të cilat janë të përfaqësuara nga malet dhe luginat përreth. Gjithashtu në këtë zonë mund të themi se relievi është rezultat i tektonikes shkëputëse sesa asaj rrudhosëse.

Bashkia e Bulqizës shtrihet në rajonin verilindor të Shqipërisë. Në veri ajo kufizohet me bashkinё Dibër, në lindje me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në jug-perёndim me bashkinё Tiranë, nё jug me bashkinё Librazhd dhe në perëndim me bashkinё Klos. Gjatësia e vijës kufitare është 120 km ku nga këto gjatësia e vijës kufitare me bashkinё e Dibrës është 25 km, me bashkinё e Librazhdit 29 km, me Republikën e Maqedonisë 30 km, me bashkinё e Klosit 23 km dhe me bashkinё e Tiranës 13 km.

Bashkia e Bulqizës ka një sipërfaqe prej 694 km². Gjithë territori i bashkisё shtrihet nga 300 m, deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit. Bashkia e Bulqizёs ka nё pёrbёrje 7 njёsi administrative tё cilat janё: Bulqizё, Martanesh, Fushё-Bulqizё, Zerqan, Gjoricё, Ostren dhe Trebisht.

Relievi i zonës së Bulqizës është me forma të larmishme e kontraste të theksuara si; lugina, male, vargmale dhe masive malore. Lartësitë e relievit variojnë nga 435 m deri në 2101 m (maja e Kreshtës). Ndër masivet më kryesore përmendim masivin ultrabazik të Bulqizës, malësia e Martaneshit dhe malësia e Gollobordës. Ndër malet kryesore përmendim malin e Balgjajt, malin e Dhoksit, Krahas vargjeve malore dhe maleve një element të rëndësishëm në reliev përbëjnë edhe luginat lumore (lugina e Drinit të Zi dhe e Bulqizës). Lugina e Bulqizës shtrihet nga perëndimi në lindje dhe ka një gjatësi prej 25 km dhe një gjerësi deri në 1 km. Luginën e përshkon lumi i Bulqizës, i cili derdhet në Drinin e Zi.

Të shumta janë dhe format karstike të relievit si: liqene akullnajore, gropa akullnajore, shpella karstike dhe tunele.

Bulqiza përshkohet nga përrenj, dhe lumenj (Drini i Zi, Zalli i Bulqizës) si dhe nga një numër i madh liqenesh (Liqenet piktoreske të Dhoksit, Liqeni i Zi, Liqenet e Tërnovës dhe Liqenet e Balgjajt).

Bulqiza ka dhe një sërë gjeomonumentesh, si shpella, gurë, shkëmbinj, gropa, etj. të shpallura monumente natyre. Ndër shpellat më kryesore përmendim: Shpellën e Xixellës, Shpellën e Urës së Qytetit, Shkëmbi i Qytetit, Shpella e ftohtё Gjuras etj.

Klima në gjithë territorin e bashkisë së Bulqizës është kontinentale e ftohtë me dimër të ashpër dhe verë të thatë. Por, ka dhe shira që ndihmojnë tokën. Temperatura mesatare vjetore arrin vlerën 10°C dhe temperatura maksimale është regjistruar deri 35°C në verë e ajo minimale –18°C në dimër. Me sasi mesatare të reshjeve në vit deri në 980 mm.

Bulqiza ka një popullsi prej 39 451 banorë. Bashkia e Bulqizёs ka nё pёrbёrje tё saj 8 njёsi administrative: Bulqizё, Fushё-Bulqizё, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren, Trebisht dhe Martanesh. Tё gjitha njёsitё administrative janё pjesё e rrethit tё Bulqizёs dhe qarkut tё Dibrёs. Bashkia e re ka nёn administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta ) dhe 63 fshatra. [1]

  1. "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 23 janar 2020. Marrë më 5 dhjetor 2015.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)