Jump to content

Shqetësimet e një obezi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shqetësimet e një obez)

Shqetësimet e një obezi është filmi më i ri i regjisorit Pluton Vasi, për të cilin ai është në të njëjtën kohë edhe skenaristi.

Premiera e filmit “Shqetësimet e një obezi” u shfaq më 16 dhjetor 2008. Filmi, 70 minuta, sjell me vete situata sa komike aq edhe dramatike.

Me aktorët Xhevahir Zeneli, Marjana Kondi e Arben Derhemi, ai ka zgjedhur të sjellë një film sa komik aq edhe dramatik. Regjisori, i cili e njeh mjaft mirë edhe fushën mediatike, ka sjellë në vëmendje një personazh i cili është gazetar. Shqetësimet e vëzhgimeve vetjake, ai i ka përcjellë përmes personazhit, gazetarit Peçi Poro.

“Shqetësimet e një obezi”, Peçi Poro, personazhi kryesor i filmit, na vjen i dyzuar. Të tilla vijnë edhe ngjarjet që i ndodhin çast pas çasti e ditë pas dite. Një dyzim i ngjarjeve dhe i pështjellimeve personale që regjisori e skenaristi Pluton Vasi ka zgjedhur t‘i përcjellë përmes filmit “Shqetësimet e një obezi”, për të cilin ka punuar rreth një vit. Peçi Poro është gazetar dhe prej shumë vitesh punon në një stacion televiziv privat. Ai ka fituar një projekt për të realizuar një dokumentar “Mbi personalitetin në Shqipëri”. Duke rrëmuar nëpër arkiva, për të ngjizur dokumentarin, gazetari përballet me historinë e shqiptarëve të para viteve ‘90. Ata janë të gjithë të varfër e të gjithë të lumtur në varfërinë e tyre. Duartrokasin të gjithë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë “Parti-Enver”. Nëpërmjet arkivave, zbulohet hap pas hapi evoluimi i shoqërisë shqiptare. Kronikat e kohës rrëfejnë ndryshimin, që jo gjithnjë është për mirë e jo gjithnjë është për keq. Janë të gjithë të dyzuar, në një shoqëri “moderne” që vuan mentalitetin e së shkuarës. Gazetari gjendet përballë njerëzish me psikologji dhe me mentalitete nga më të ndryshmet që vijnë të dyzuar gjithashtu. “Për këto arsye, unë ndalova në këtë fenomen. Kam zgjedhur të përdor materiale arkivi, sepse kuzhina ka edhe kripë, e në film arkiva është e tillë, ajo zë vend në çdo moment. Në këtë film, njeriu nuk është thjesht një personazh artistik. Një personazh, një njeri, një aktor nuk mund të marrë përsipër vetëm një gjë të krijuar diku, me një frymëzim të dikujt”, vazhdon regjisori. Për të, çdo njeri, çdo institucion siç është media, apo politika dhe ekonomia, duhet të jenë me këmbët në tokë. Gjithçka mbetet e dokumentuar dhe zgjohet herë pas here si një thirrje e së shkuarës. Në vazhdim, gjatë punës dhe kërkimeve për dokumentarin, gazetari Peçi Poro përjeton mëdyshjen se sa edhe ai vetë është pjesë e kësaj situate në të cilën ndodhet e gjithë shoqëria në të vërtetë. Projektin për dokumentarin, personazhi kryesor e ka fituar në një kohë kur ai vetë përjeton një realitet tjetër me gruan e tij Agllainë. Nëpërmjet vetes, historisë së tij personale, ai flet për personalitetin e një shoqërie. Gruaja e tij, Agallia, dashuron dy burra. Të dy ata e duan shumë. Bëhet fjalë për dy, sepse dhe vetë komedia ka lidhje me dyzimin e personalitetit të njeriut, sidomos në tranzicionin e gjatë shqiptar. Filmi ngre pikëpyetje të cilat e shqetësojnë në jetën private Peçin dhe që japin përgjigje nëpërmjet një dokumentari që ai është duke realizuar. Teksa na rrëfen realitetin e tij, që është i lidhur ngushtë dhe që është njësoj i ngjashëm edhe me realitete të shqiptarëve të tjerë, publiku bëhet pjesë aktive e imazheve që i kalon para syve. Megjithatë, mes gjithë këtyre shqetësimeve, ngrihen pikëpyetje, por nuk ka përfundime, ato regjisori i lë në dorë të të intervistuarve për dokumentarin. Gjendemi përballë përgjigjeve të ndryshme për situata të ndryshme. Kështu ndodh në rastin kur preket tema e xhelozisë, e personalitetit të njeriut, e gruas në shoqëri. Po ashtu edhe kur ngrihet pyetja se sa ndikon hyrja e Shqipërisë në NATO në pakësimin e divorcit, apo në ndryshimin e mentalitetit të shqiptarëve, apo sa ndikon një grua në personalitetin e një burri... apo cili do të ishte hapi i parë që një bashkëshort/e shqiptare do të ndërmerrte nëse zbulon që partneri e tradhton. Edhe pse në dukje pyetje naive, këta pyetësorë dhe përgjigjet herë të zgjuara, herë qesharake e herë naive me diversitetin e tyre përcjellin mentalitetin e shoqërisë ku ne jetojmë.