Sinkopa (dramë)
Autor | Anton Pashku |
---|---|
Gjuha | shqip |
Zhanri | tragjedi moderne |
Botoi | Rilindja |
Faqe | 45 |
Sinkopa është dramë e autorit Anton Pashku e botuar në vitin 1968 në revistën letrare Jeta e Re, kurse një vit më vonë si libër më vete nga shtëpia botuese Rilindja.
Përmbajtja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Drama Sinkopa përbëhet nga dy shtresa. Njëra ndodh në dhomën e Xhexheut, kurse tjetra përtej Rrugës.[1] Drama ndahet në dy pjesë:
- 1.Mbarimi i fillimit të Sinkopës
- 2.Fillimi i mbarimit të Sinkopës
Pjesa e parë e parë e dramës zhvillohet në dhomën e Xhexheut, ku janë të pranishme një telefon dhe një thikë: telefoni si simbol i përgjimit e i manipulimit, dhe thika simbol i dhunës e i krimit.[2] Pjesa e parë është në formën e monologut të personazhit kryesor, Xhexheut. Ai flet në telefon.[3] Në anën tjetër të telefonit rri autoriteti me numër telefoni Një e njëmbëdhjetë zero mbas, e këndej Xhexheu me numër telefoni njëmbëdhjetë zero para e një Njësh mbas.[4] Teksti i palës tjetër mund të merret me mend për aq sa lejon monologu i Xhexheut.[2] Në anën tjetër të telefonit është autoriteti, fjalët e të cilit nuk dihen, por pasojat e tyre lexohen në Xhexheun e vetmuar. Xhexheu është këndej e bota është në anën tjetër të telefonit.[4]
Veprimi ndodh në pjesën e dytë të dramës Fillimi i mbarimit të Sinkopës. Ngjarja ndodh në Rrugën "Trimat e Kozmosit",në kafenë “Kozmodromi”, në të cilën mblidhen trimat, e vetëquajtur, të jetës së përditshme dhe tjerrin bisedat për aktualitetin; biseda për markat më të mira të veturave, për bordelet e Stambollit, apo mbetjet e perandorive të shprishura si dhe për filozofinë e perandorive në zhvillim, aktuale, me nënvijimin e një thënieje si kjo: “unë i respektoj kundërshtarët por nuk mundem me i durue”, që tinzisht shqipton agresivitetin e mbyllur në një pamje jashtëzakonisht të qetë. Kujtohen, poashtu, laviret të cilat ta dëshmojnë kur të duash virgjinitetin e vet, me dokument, po se po.[5]
Dialogu i mirëfilltë është në pjesën e dytë të dramës. Xhexheu dialogun me Gjegjeun, që shfaqet si vetja e dytë e tij. Përmes dialogut Xhexhe-Gjegje autori realizon personalitetin e dyfishtë, konfliktin e brendshëm, i shprehur mes paradokseve të njëpasnjëshme, kundërthënieve, pohimeve dhe mohimeve për dukuri a gjësende të caktuara. Xhexheu është njeriu i brendshëm, përjetimi vetjak, ndërsa Gjegjeu është pra njeriu i jashtëm, pjesë e sociumit tjetërsues dhe deformues, rrethana shoqërore, vetëdija apo ndjesia e përgjithshme sociale e kohës. Të dy pjesët, si dy identitete të ndryshme e kontrastuese, krijojë konfliktin dhe vihen në raporte dialogjike duke mbetur po e njëjta vetje, po ai individ: njeriu nën trysninë e një shoqërie dhunuese e degraduese.
Nëse Xhexheu është integriteti psikologjik i njeriut, rrjedhimisht liria e brendshme e tij, Gjegjeu është disintegriteti social i tij, rrjedhimisht nënshtrimi ndaj normës, ritit shoqëror dhe institucioneve kufizuese. Xhexheu rebelohet ndaj sistemit, Gjegjeu i përshtatet atij. Xhexheu është kundër standardizimit, rrjedhimisht njeri që krijon dhe kërkon të veçantën, ndërsa Gjegjeu është pjellë e parafabrikimit social ideologjik, rrjedhimisht njeri që nuk krijon dhe as kërkon të veçantën, përjashtuesen, por atë që e kuadron në kolektivitetin amorf. Xhexheu është rregullthyesi, rebeluesi, kurse Gjegjeu rregullzbatuesi, konformisti. Xhexheu është njeriu ëndërrimtar, mendjendritur, gjakues i krijimit, bukurisë dhe risisë, ndërsa Gjegjeu është pragmatisti, mendjengushti, gjakues i të rëndomtës, të shëmtuarës, klishesë dhe dogmës. Xhexheu nuk mund të pajtohet me banorët e rrugës “Trimat e Kosmosit” dhe të kafenesë “Kosmodromi”, sepse ata janë të rëndomtë, kokulur, shpinëthyer, turma pa ngjyrë ku asgjë s’ndodh dhe asgjë të veçantë s’ka. Gjegjeu, përkundrazi, rreket drejt rëndomtësisë, komoditetit, përuljes, hiçit shpirtëror, kulturës së kiçit. Xhexheu dhe Gjegjeu, janë rjedhimisht e njëjta gjë por në dy pamje të kundërta, si vetë njeriu i tjetërsuar në shoqërinë që tjetërson. Kjo shënon tragjikën e tij si personazh dycepësh, i frustruar, edhe nga përjashta, edhe nga përbrenda, në një realitet ku, sipas tij, njerëzit “filluen me pi atë koktejin e tyre të përditshëm patriotiko-nacionalist-shovenist-internacionalist-kosmo-politik-lokalist...”[6]
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Anton Pashku me dramat «Sinkopa» (1968) dhe «Gof (1976)», bëri një thyerje të ndjeshme në mënyrën e të shkruarit të dramës shqipe. Forma dramatike pëson një ndryshim radikal, përsoset dhe shndërrohet në një stimuluese të shprehjes së ideve me fuqi universale duke shfrytëzuar me sukses gjuhën e metaforave dhe simboleve shumështresore, kuptimet e fshehura dhe nëntekstet e vështira për t’i deshifruar. Pashku e afroi modelin e dramës shqipe me atë të simotrave europiane e botërore duke e tejkaluar madje “horizontin e pritjes” së kohës së vet, qoftë e marrë kjo në raport me modelet e aplikuara nga letërsia e kohës së tij, qoftë nga teatri dhe publiku, qoftë nga lexuesi ende i papërgatitur, qoftë edhe nga kritika e cila ndiqte si standard vlerësimi parime të tjera tradicionaliste. Risitë e tij mund të konstatohen qartazi brenda parametrave që ndiqte drama absurde dhe ajo surrealiste në letërsitë e vendeve europiane.[7]
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- (1968) Sinkopa, në revistën letrare Jeta e Re, nr 4, Prishtinë.[8]
- (1969) Sinkopa, Sh.B.Rilindja, Prishtinë.
- (1986) Sinkopa, në vëllimin Tragjedi Moderne, Rilindja, Prishtinë.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Hamiti 2013, p. 130.
- ^ a b Letërsia
- ^ Halili 2013, p. 6-7.
- ^ a b Hamiti 2013, p. 127.
- ^ Hamiti 2013, p. 129-130.
- ^ Halili 2013, p. 88-89.
- ^ Halili 2013, p. 6-7.
- ^ Halili 2013, p. 89.
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
- Aliu, Ali (2012). Kënaqësia e leximit. Prishtinë: ASHAK.
- Halili, Ernestina (2013). DUKURI MODERNE NЁ DRAMЁN SHQIPE NЁ KOSOVЁ' - disertacion (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 26 gusht 2020. Marrë më 25 gusht 2020.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - Hamiti, Sabri (2002). Letërsia Bashkëkohore, Vepra Letrare, 10. Prishtinë: Faik Konica.
- Hamiti, Sabri (2013). Utopia letrare. Prishtinë: ASHAK.
- Brahaj, Manjola (2017). PROZA E ANTON PASHKUT MES MODERNES DHE EKSPERIMENTALES' - punim doktorature (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 gusht 2020. Marrë më 23 gusht 2020.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)