Jump to content

Sokol Jakova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sokol Jakova lindi në Tiranë18 qershor 1948; është shkrimtar dhe kritik letrar shqiptar.

Sokoli i përket një familjeje intelektuale shqiptare të shquar që merrej me artin dhe letërsinë. Babai i tij është shkrimtari dhe dramaturgu i njohur, Kolë Jakova. Sokoli u arsimua në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. U diplomua në vitin 1970.

Në vitin 1971 nisi punë në redaksinë e letërsisë për fëmijë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi për katër vjet. Kësaj periudhe i përkojnë disa nga librat e tij të parë si përmbledhjet me tregime “Shoqet” (1972), “Zari me një vesh” (1972), “Një ngjarje te Kroi i Nuses” (1973), “Nëna e partizanëve” (1974).

Në vitin 1974 u transferua në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoi për disa vjet, deri më 1979. Fryt i kësaj pune janë disa punime shkencore studimore në fushën e prozës së shkurtër si “Parime të ndërtimit të figurave në tregimet tona”, “Tipare të zhvillimit të tregimit në vitet 45-60”, “Tregimi i viteve 60-70”, “Zhvillimi i romanit për fëmijë” etj. Në këtë periudhë shkrimtari Sokol Jakova aktivizohet mjaft edhe me shtypin periodik të kohës duke botuar me dhjetëra artikuj kritikë e studimorë për problemet e letërisë në tërësi dhe letërsisë për fëmijë e të rinj në veçanti. Në vitin 1979 e më tej punoi në shtypin periodik për fëmijë, në revistat “Fatosi” e “Pionieri”, “Filizat”. Për disa vjet ka qenë edhe kryeredaktor i revistës “Mrekullia”, botuar pas vitit 1990.

Veprimtaria letrare e këtij autori është e gjerë dhe e shumanshme. Është marrë me veprimtari letrare, publicistikë, artikuj studimorë, kritikë deri edhe me pjesë teatrale për të vegjlit. Ka shkruar në të gjitha llojet e prozës si romanet “Rruga e vështirë”, “Dëshmitarë në tragjedi”, “Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit”; novelat “E fshehta e një të panjohuri”, “Mbresa nga një kohë e largët”, “Fajtori përballë bishës”, Në gjurmë të një krimi”, “Gjaku i drenushës”, “Zemërimi i piktorit të vogël” etj.; përmbledhjet me tregime “Gora”, “Detyrë e vështirë”, “Shokë të pandarë”, “Shprishja e një zemre të njomë”, “Pas provimit të algjebrës”, “Zogu i Blertës” etj.

Disa nga librat e tij kryesorë janë ribotuar herë pas here nga shtëpi botuese të ndryshme. Në vitin 1996 shtëpia botuese italianeSinnos Editrice”, në Romë, botoi përmbledhjen me përralla me motive nga folklori shqiptar “Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë”, në dy gjuhë, në shqip e italisht.

Në tërësi, megjithë ribotimet, autorit Sokol Jakova i numërohen rreth 30 libra për disa prej të cilëve është vlerësuar me çmime në konkurse të ndryshme kombëtare. Romani i tij “Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit” është vlerësuar me çmimin “Mark Tuen” dhënë nga “Qendra Amerikane e Kulturës” në bashkëpunim me Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë. Sokoli vazhdon të bashkëpunojë me shtypin letrar, veçanërisht me revistën “Krahu i shqiponjës” dhe gazetat “Drita” e “Ndryshe”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” Tani punon në Drejtorinë e Botimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

  • “Shoqet” (1972), tregime
  • “Zari me një vesh” (1972), tregime
  • “Një ngjarje te Kroi i Nuses” (1973), tregime
  • "Nëna e partizanëve” (1974), tregime
  • “Rruga e vështirë”, roman
  • “Dëshmitarë në tragjedi”, roma
  • “Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit”, roman
  • “E fshehta e një të panjohuri”, novelë
  • “Mbresa nga një kohë e largët”, novelë
  • “Fajtori përballë bishës”, novelë
  • "Në gjurmë të një krimi”, novelë
  • “Gjaku i drenushës”, novelë
  • “Zemërimi i piktorit të vogël”, novelë
  • “Gora”, tregime
  • “Detyrë e vështirë”, tregime
  • “Shokë të pandarë”, tregime
  • “Shprishja e një zemre të njomë”, tregime
  • “Pas provimit të algjebrës”, tregime
  • “Zogu i Blertës”, tregime
  • “Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë” (1996), përralla, shqip e italisht, Romë

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]