Tetsuji Murakami

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Mjeshtri i njohur japonez i karatesë, Tetsuji Murakami (Tecuxhi Murakami), lindi më 31 mars të vitit 1927 në prefekturën Shizuoka të Japonisë, 250 kilometra larg Tokios.

Për dallim nga shumë mjeshtër të njohur të karatesë, që kanë filluar ta mësojnë këtë shkathtësi që në vegjëli, Murakami ka filluar të merret me të dukshëm më vonë, në moshën 19-vjeçare, kur u bë nxënës i mjeshtrit të njohur Masaji Yamagushi (Masaxhi Jamagushi), që ishte nxënës i Mësuesit të madh (O-sensei) Gichin Funakoshi, reformatorit të karatesë dhe themeluesit të stilit Shotokan. Deri atëherë ai kishte studiuar shkathtësitë e tjera, siç janë Kendo, Aikido dhe Iaido.

Në vitin 1957, sensei Murakami vendoset në Paris, ndërsa nga viti 1959 fillon të mbajë stërvitje nga karateja, aikidoja dhe kendoja edhe në qendrat tjera të Francës. Nga ajo kohë, ndikimin i tij fillon të rritet vazhdimisht në mbarë Evropën, para së gjithash në Britani, Gjermani, Itali, Zvicër dhe Jugosllavi, vende këto në të cilat ai rregullisht mbanë seminare.

Në vitin 1968, gjatë qëndrimit në Japoni, sensei murakami takohet me mjashtrin Shigeru Egami, përfaqësuesin më të sipkaur të stilit Shotokai. I impresionuar me teknikën e Murakamitdhe me mënyrën e praktikimit të saj, mjeshtri Egami e ngarkon sensei Murakamin që ta përfaqësojë në Evropë edhe institucionin më prestigjioz japonez të Shotokait, Nihon Karate-do Shotokai. Atëbotë ai filloi të mbajë kurse të Shotokait, krahas shteteve të përmendura, edhe në Portugali.

Në vitet ’80, aktiviteti jashtëzakonisht intensiv i Tetsuji Murakamit e përkeqësoi në përmasa të rënda shëndetin edhe ashtu të ligë të tij, si pasojë e së cilës ai vdiq më 24 janar të vitit 1987 në Paris, duke ua lënë nxënësve të tij që ta kujtojnë me respektin më të madh shembëlltyrën e tij prej punëtori të palodhshëm dhe të një njohësi shumë të hollë të teorisë dhe të praktikës së karatesë dhe të arteve të tjera marciale.