Tigani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Tigani është një mjet kuzhine që shërben për gatim. Në përgjithësi tiganët përdoren mbi sobë, por disa lloje tiganësh, të quajtur tiganë rezistues ndaj nxehtësisë, mund të futen edhe në furrë, për të përfunduar gatimin. Format dhe madhësitë e tiganëve janë të ndryshme, në varësi të funksionit specifik për të cilin janë krijuar. Disa tiganë janë me faqe të cekëta, të tjerë i kanë faqet anësore më të larta, për të rritur kapacitetin e mbajtjes së lëngjeve por edhe për të mos lejuar përbërësit që të dalin gjatë gatimit. Gjithashtu, tiganët dallohen në tiganë me fund të rëndë dhe tiganë të zakonshëm, ku këta të fundit nuk janë po aq të përshtatshëm për gatime që kërkojnë përhapje të njëtrajtshme të nxehtësisë.

Përdorimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kuzhinë tiganët mund të përdoren për gatime të shpejta, si në rastin e sotimit ose fërgimit të peshkut, si dhe për gatime relativisht më të gjata, si p.sh., gatimi i orizit, i një gjelle të shpejtë ose fërgimi i ngadaltë dhe me pak lëng i një përbërësi të caktuar. Gatimet e gjata kryhen në mjete më të posaçme, të cilat mund të konsiderohen diku në mes të llojit të tiganit dhe tenxheres.

Llojet e tiganëve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kuzhinë larmia e tiganëve në përgjithësi është e emërtuar sipas përdorimit të tyre specifik, duke u dalluar secili prej karakteristikave të tij përkatëse. Në një renditje të përgjithshme tiganët mund të përmblidhen në tiganë krepe, tiganë omëlete, tiganë soteje, tiganë fërgimi, tiganë brazimi, tiganë ovalë (uok), tiganë cërcëritës, tiganë salce, tiganë me kapak dhe tiganë me riga (skarë). Secili nga këta lloje gjendet në madhësi të ndryshme dhe forma të cilat mund të variojnë lehtazi nga njëri prodhues në tjetrin.

Tiganët e krepave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tiganët e krepave kanë fund të sheshtë, material jongjitës dhe shpeshherë përpara përdorimit trajtohen me vaj, për t'u rritur aftësinë jongjitëse. E rëndësishme për këta tiganë është që të ruajnë në mënyrë sa më konstante temperaturën dhe të jenë sa më jongjitës.

Tiganët e omëletave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tiganët e omëletave janë tiganë të cekët, përgjithësisht jongjitës dhe me anë të rrumbullakosura për të lehtësuar kthimin ose përpunimin e materialit që gatuhet. Këta lloj tiganësh kanë një përdorim të gjerë dhe ndonëse janë ndërtuar për të gatuar omëleta, shpesh përdoren edhe për funksione të tjera të ngjashme.

Tiganët e sotesë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tiganët e sotesë janë tiganë të krijuar për të sotuar produkte në zjarr relativisht të lartë, me njëfarë shpejtësie dhe të cilat duhen kthyer shpesh, për të marrë gatim dhe ngjyrë të njëtrajtshme. Ndryshe nga tiganët e omëletave, tiganët e sotesë kanë faqet anësore të drejta, që bien pingul mbi sipërfaqen e gatimit, për të mos lejuar përbërësit që të dalin nga tigani gjatë kthimit, trazimit me lugë ose kavërdisjes.

Tiganët e fërgimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tiganët e fërgimit janë tiganë me anë të pjerrëta por përgjithësisht të drejta (pa hark), të cilët shërbejnë për të fërguar artikuj ushqimorë mbi sobë për një periudhë më të gjatë se sotimi. Këta lloj tiganësh mund të gjenden edhe të përshtatur si tigana skare, rast në të cilin tigani ka formën e tiganit të fërgimit por materiali është i trashë si në rastin e tiganit të skarës.

Tiganët e brazimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një tigan i rëndësishëm në kuzhinën profesionale është tigani i brazimit, i cili sipas rastit mund të marrë edhe emërtime të tjera. Funksioni kryesor i këtij tigani është përcëllimi i produktit që do të gatuhet mbi sobë dhe kalimi i tij, shpesh duke shtuar lëng dhe zarzavate aromatizuese, në furrë për të përfunduar gatimin. Ndryshe nga të gjithë tiganët e mësipërm, të cilët kanë një bisht të gjatë për mbajtjen dhe manovrimin e tyre, tigani i brazimit ka dy veshë të shkurtër në anë, të cilët lehtësojnë futjen dhe manovrimin në furrë.

Tigani oval[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tigani oval ose uoku, një tigan i cili vjen nga tradita kineze e gatimit, ku produktet gatuhen ngadalë, duke u shtuar njëri pas tjetrit, sipas kohës përkatëse të gatimit, dhe duke u trazuar vazhdimisht, derisa të rezultojë një pjatë me aroma dhe shije të ndërlikuara dhe plotësuese.

Tigani cërcëritës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tigani cërcëritës është një lloj i përdorur rrallë në kuzhinën shqiptare, i cili shërben për të përcëlluar produktet, kryesisht mishin, përpara futjes së tij në furrë. Në kutë kuptim ai ka të njëjtin funksion si tigani i brazimit, por produkti pas përcëllimit hiqet nga tigani dhe futet në një tigan ose tavë tjetër, për të kaluar më pas në furrë.

Tigani me riga[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tigani me riga është një tigan që imiton skarën dhe është krijuar për t'u përdorur mbi sobë, për të krijuar në këtë mënyrë një skarë të improvizuar në kushtet brenda shtëpisë. Kryesisht ka formë drejtkëndore dhe material të rëndë, për të imituar skarën profesionale me riga.

Teknikat e gatimit me tigan[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ushqimi në tigan mund të përpunohet në mënyra të ndryshme, për të marrë rezultate të larmishme të gatimit të produkteve, në varësi të recetës dhe pjatës përfundimtare.

Në rastin e sotimit, tigani vajohet lehtë, nxehet mirë dhe përdoret gjatë gjithë kohës pa u mbuluar me kapak. Tigani preferohet të jetë me fund të rëndë, për të shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme temperaturën, dhe jongjitës, sidomos në rastin e produkteve delikate dhe ku është përdorur pak yndyrë.

Fërgimi në tigan përdor më tepër yndyrë, mund të përdoret me ose pa kapak dhe për periudha më të gjata sesa sotimi.

Bërja e omëletave kërkon një kontroll të mirë të temperaturës dhe kohës së gatimit në tigan, për shkak të vetë natyrës së brishtë të produktit bazë (vezëve) dhe tigani në këtë rast ka shumë rëndësi që të jetë i cilësisë së lartë. Kur ai është jongijtës lyerja me vaj është e domosdoshme, për të shmangur ngjitjen, ndërsa kontrolli i kthimit ose sheshimit të vezëve kërkon që ai të jetë me bazament të mirë dhe bisht të qëndrueshëm.

Materialet e përdorur për prodhimin e tiganëve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tiganët e përdorur në kuzhinë mund të jenë prej çeliku të zi, çeliku të pandryshkshëm, hekuri, bakri, gize etj.

Dallimi mes tiganëve dhe tenxhereve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në terminologjinë shqiptare mjetet e gatimit me lartësi mesatare të anëve, ose bisht të pazakontë, janë disi të papërcaktuar dhe bien në një kategori në mes të tiganëve dhe tenxhereve. Tigani me faqe të larta dhe bisht të gjatë mund të hyjë në kategorinë e tenxhereve, ndërsa një tigan i shkurtër por pa bisht të gjatë, si në rastin e tiganit të brazimit, mund të quhet njëkohësisht tenxhere e shkurtër.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]