Ultimatumi gjerman i vitit 1939 drejtuar Polonisë
Ultimatumi gjerman i vitit 1939 drejtuar Polonisë i referohet një liste me 16 kërkesa nga Gjermania naziste, të cilat u botuan në gusht 1939 si një "propozim paqeje" dhe u lexuan në radion gjermane më 31 gusht 1939. U njoftua se këto pika ishin refuzuar nga Polonia, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ashtu si sulmi i stisur nga gjermanët në radiostacionin Gleiwitz në të njëjtën ditë, publikimi i ultimatumit shërbeu për të legjitimuar pushtimin e Polonisë, i cili tashmë ishte një punë e përfunduar.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 23 gusht, Pakti Ribentrop-Molotov ishte arritur midis Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik, duke e ndarë Evropën Lindore-Qendrore në një sferë ndikimi gjerman dhe sovjetik në një protokoll shtesë sekret. Kjo ishte baza për sulmin gjerman ndaj Polonisë më 1 shtator 1939. Më 17 shtator pasoi pushtimi sovjetik i Polonisë lindore [1]
Më 29 gusht 1939, Adolf Hitleri i kishte thënë ambasadorit britanik Nevile Henderson se ishte gati të rifillonte negociatat me Poloninë . Për këtë qëllim, një i plotfuqishëm polak do të duhej të vinte në Berlin brenda 24 orëve. [2] Në parim, Polonia dhe Britania e Madhe ishin të gatshme për të negociuar. [3] Për shkak të kërkesës përfundimtare të Hitlerit, qeveria britanike vendosi të mos e dërgonte atë në Varshavë derisa të kishte skaduar afati i caktuar. Natën e 31 gushtit, Ministri i Jashtëm gjerman Joakim fon Ribentrop ia lexoi Hendersonit 16 pikat e ultimatumit, por, kundër çdo zakoni diplomatik, nuk pranoi t'i dorëzonte atij dokumentin përkatës. Meqenëse asnjë përfaqësues polak nuk ishte paraqitur, propozimi ishte bërë gjithsesi i pavlefshëm. [4]
Ambasadori polak në Berlin Józef Lipski kërkoi një takim me Ribentropin deri në mesditën e ardhshme. Pesë orë më vonë takimi u dakordësua, dhe meqënëse ambasadori polak nuk kishte autoritetin negociues të kërkuar nga Hitleri, Ribentrop e pëfundoi mbledhjen me informacionin se do ta informonte "Führer"-in për këtë situatë. Kështu u ndërprenë zyrtarisht marrëdhëniet gjermano-polake në prag të fillimit të Luftës. [5]
Në kohën e transmetimit të ultimatumit në radio në të njëjtën ditë, Hitleri kishte dhënë tashmë urdhrin për të sulmuar Poloninë më 1 shtator 1939. [5]
Gjashtëmbëdhjetë pikat e Ultimatumit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Për shkak të karakterit të tij gjerman dhe vullnetit unanim të popullsisë së tij, Qyteti i Lirë i Danzigut do t'i kthehet menjëherë Rajhut Gjerman.
- Territori i njohur si Korridori polak (territor brenda Polonisë) do të vendosë vetë nëse do të bëhet pjesë e Rajhut Gjerman apo do të mbetet me Poloninë.
- Për këtë qëllim do të mbahet një referendum në këtë territor. Të gjithë gjermanët që kanë banuar në këtë zonë më 1 janar 1918, ose kanë lindur atje në ose para asaj dite, si dhe të gjithë polakët, kasubët, etj., që kanë banuar në këtë zonë në atë ditë ose kanë lindur atje më ose para datës së lartpërmendur, kanë të drejtë vote. Gjermanët që janë dëbuar nga ky territor do të kthehen për të regjistruar votat e tyre.
- Porti polak i Gdynia, në parim, njihet si territor polak.Detajet e kufijve të këtij porti polak do të vendosen nga Gjermania dhe Polonia, dhe nëse është e nevojshme do të vendosen nga një Gjykatë Ndërkombëtare e Arbitrazhit.
- Për të lejuar kohë të mjaftueshme për përgatitjet e nevojshme dhe të gjera për kryerjen e një referendumi të paanshëm, ky referendum nuk do të zhvillohet para se të ketë kaluar një periudhë prej dymbëdhjetë muajsh.
- Në mënyrë që gjatë kësaj periudhe, linjat e komunikimit të Gjermanisë me Prusinë Lindore dhe dalja e Polonisë në det të sigurohen pa kufizime, do të përcaktohen disa rrugë dhe linja hekurudhore, për të lehtësuar tranzitin pa pengesa.
- Për ndarjen e këtij territori, do të vendoset me shumicën absolute të votave të hedhura në referendum.
- Për të siguruar, pas referendumit (pavarësisht rezultatit të tij), komunikimin e pakufizuar të Gjermanisë me provincën e Danzig-Prusisë Lindore dhe daljen e Polonisë në det, Gjermanisë, në rast se territori do t'i kthehet Polonisë si rezultat i votimit, do t'i jepet një zonë trafiku ekstraterritorial që shkon nga Bütow në Danzig, me qëllim ndërtimin e një autostrade gjermane dhe gjithashtu një linjë hekurudhore me katër shina. Ndërtimi i rrugës automobilistike dhe i hekurudhës do të kryhet në atë mënyrë që linjat e komunikimit polak të mos preken nga kjo, dmth., ato duhet të mbikalohen ose nën urë. Kjo zonë do të jetë një kilometër e gjerë dhe do të jetë territor gjerman.Nëse rezultati i plebishitit do të jetë në favor të Gjermanisë, Polonia do të ketë të njëjtat të drejta që do të kishte Gjermania, për të ndërtuar një lidhje ekstraterritoriale rrugore dhe hekurudhore për të siguruar aksesin e saj të lirë dhe të pakufizuar në portin e saj të Gdynia.
- Në rast se korridori polak i kthehet Rajhut, ky i fundit deklaron se është i gatshëm të organizojë me Poloninë një shkëmbim popullsie, për aq sa kushtet në korridor janë të përshtatshme për një shkëmbim të tillë.
- Çdo e drejtë e veçantë e pretenduar nga Polonia brenda portit të Danzig do të negociohet në bazë të reciprocitetit në këmbim të të drejtave të barabarta për Gjermaninë në portin e Gdynia.
- Për të shmangur çdo ndjenjë kërcënimi ose rreziku nga të dyja anët, Danzig dhe Gdynia tani e tutje do të kenë një karakter të thjeshtë tregtar; dmth, asnjë nga këto vende nuk do të pajiset me mjete të mbrojtjes ushtarake ose fortifikime.
- Gadishulli Hela, i cili sipas rezultatit të plebishit do t'i ndahej ose Polonisë ose Gjermanisë, do të çmilitarizohet në çdo rast.
- Qeveria gjermane, duke pasur parasysh ankesat serioze në lidhje me trajtimin e pakicës gjermane nga polakët, dhe qeveria polake, duke e konsideruar veten të drejtë të ngrejë ankesa kundër Gjermanisë, pranojnë të hetojnë të gjitha ankesat për dëme ekonomike dhe personale, si dhe rastet e tjera apo aktet e terrorizmit. Gjermania dhe Polonia detyrohen të dëmshpërblejnë pakicat në të dyja anët për çdo dëm ekonomik dhe gabime të tjera që u janë shkaktuar atyre që nga viti 1918; dhe/ose të revokojë të gjitha shpronësimet ose ndryshe të dëmshpërblejë plotësisht personin ose personat përkatës për këto dhe shkelje të tjera në jetën ekonomike.
- Për të liruar gjermanët e mbetur në Poloni, si dhe polakët e mbetur në Gjermani, nga ndjenja e të privuarve nga përfitimet e së drejtës ndërkombëtare dhe mbi të gjitha për t'u dhënë atyre sigurinë se nuk janë të detyruar të marrin pjesë në aksione që nuk përputhen me bindjet e tyre kombëtare, Gjermania dhe Polonia bien dakord reciprokisht të mbrojnë të drejtat e pakicave të tyre përkatëse nëpërmjet marrëveshjeve gjithëpërfshirëse dhe detyruese me qëllim që t'u garantojnë këtyre pakicave ruajtjen, zhvillimin e lirë dhe kultivimin e të drejtave të tyre kombëtare, zakonet, dhe traditat.
- Në rast të arritjes së një marrëveshjeje mbi bazën e këtyre propozimeve, Gjermania dhe Polonia deklarohen të përgatitura menjëherë për të urdhëruar dhe kryer çmobilizimin e forcave të tyre të armatosura përkatëse.
- Çdo masë shtesë e nevojshme për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes së mësipërme do të bihet dakord reciprokisht midis Gjermanisë dhe Polonisë.
Komentimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1959, historiani Karl Dietrich Erdmann shprehu pikëpamjen se Polonia kishte refuzuar "të tregonte ndonjë përshtatje objektive në çështjet që duhej të zgjidheshin midis Gjermanisë dhe Polonisë, që nga dispozitat fatkeqe të Traktatit të Versajës". Duke vepruar kështu, ajo kishte dobësuar "pozitën e saj morale" përballë "imponimeve gjermane kundër integritetit dhe pavarësisë polake".
Nga ana tjetër, historiani Klaus Hildebrand thekson se oferta gjermane për negociata ishte bërë vetëm si alibi për popullsinë e saj. Vendimi i saj për të shkuar në luftë ishte marrë shumë kohë më parë. [6] Sipas Hermann Graml, 16 pikat nuk synonin fare si bazë për negociata, por për t'i lënë ato "të shpërthenin". [7] Peter Longerich gjithashtu thekson "karakterin thjesht propagandistik" të memorandumit 16-pikësh, pasi gjermanët nuk i dhanë as palës polake dhe as britanike mundësinë për ta komentuar atë përpara se të fillonin pushtimin e tyre. [8]
Referencat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Donald Cameron Watt: How War Came. The Immediate Origins of the Second World War, 1938–1939. Pantheon Books, New York 1989, pp. 518–526.
- ^ Klaus Hildebrand: Das vergangene Reich. Deutsche Außenpolitik von Bismarck bis Hitler. Oldenbourg, Munich 2008, p. 696.
- ^ Gerhard L. Weinberg: Eine Welt in Waffen. Die globale Geschichte des Zweiten Weltkrieges. DVA, Stuttgart 1995, p. 58.
- ^ Klaus Hildebrand: Das vergangene Reich. Deutsche Außenpolitik von Bismarck bis Hitler. Oldenbourg, Munich 2008, p. 696.
- ^ a b Horst Rohde: Hitlers erster „Blitzkrieg“ und seine Auswirkungen auf Nordosteuropa. In: derselbe, Klaus A. Maier et al.: Das Deutsche Reich und der Zweite Weltkrieg, Bd. 2: Die Errichtung der Hegemonie auf dem europäischen Kontinent. Deutsche Verlags-Anstalt, Stuttgart 1979, pp. 79–158, p. 90.
- ^ Klaus Hildebrand: Das vergangene Reich. Deutsche Außenpolitik von Bismarck bis Hitler. Oldenbourg, Munich 2008, p. 697.
- ^ Hermann Graml: Europas Weg in den Krieg. Hitler und die Mächte 1939 (= Quellen und Darstellungen zur Zeitgeschichte. Bd. 29). Oldenbourg, München 1998, p.301.
- ^ Peter Longerich: Hitler. Biographie. Siedler, Munich 2015, available here Google Books.