Jump to content

Ura e Gurit (Vushtrri)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Ura e gurit (Vushtrri))
Ura e Vjetër e Gurit
Emri amëtar :Ura me nëntë harqe
Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri
LlojiArkitekturale
VendndodhjaVushtrri, Kosovë
Koordinatat42°49′24.96″N 20°57′37.08″E / 42.8236000°N 20.9603000°E / 42.8236000; 20.9603000
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje të përhershme
Përcaktuar859/49; LZVM
Nr. i referencës2851

Ura e Vjetër e Gurit është një monument i vjetër i trashëgimisë kulturore që gjendet në qytetin e Vushtrrisë.[1]

Ura e Vjetër e Gurit gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit e cila sipas hulumtimeve të fundit llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vetë në Kosovë. Ajo lidhte fshatrat e rrëzë Çyçavicës me qytetin e Vushtrrisë dhe nëpërmes Grykës së Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me rajonin e Drenicës. Po nëpër këtë urë kalonte edhe rruga e cila e lidhte qytetin e Vushtrrisë me stacionin e trenit në fshatin Shtruerë. Urën e Gurit në Vushtrri e përmendin edhe udhëpërshkrues të ndryshëm të kohës, si psh. francezi Filip Difre - Kane (1573) i cili mes tjerave thot edhe këtë:"...prej aty arritëm në Vushtrri, qytet i madh me xhami të shumta, dhe me urë të madhe të gurit ". Sipas shënimeve osmane të vitit 1873/74, Vushtrria ishte një kasaba me tri xhami, një konak shtetëror ... me dy ura mbi lumin Sitnicë, njëra prej druri e tjetra prej materialit të fortë guror.

Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake. Në vetëqytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit. Në urë kanë qenë disa mbishkrime latine të cilat punëtorët shkencorë të Beogradit i kanë hequr nga aty. Qarqet shkencore dhe joshkencore serbe përpiqen që urën ta paraqesin si të ndërtuar në kohën e Serbisë mesjetare por nuk kanë asnjë argument përpos përfundimeve të trilluara. Argumentet e deritashme shkojnë më tepër në favor të mesjetës së hershme.[2]

Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat me gjasë janë marrë nga kodrinat e qytetit antik të Lumkuqit si dhe të Martirajt të Epërm. Gurët janë të gjatë rreth (1) një metër dhe të trashë30 - 40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore, (të cilat si duket janë ndërtuar më vonë), është e gjatë 135 metra, e ngritur mbi (9) nëntë harqe. Gojëdhënat tregojnë se ura dikur i kishte 12 harqe por që me kalimin e kohës kanë mbetur nën shtresat e dheut. Harqet e fundit (mesit) kanë qenë aq të larta sa që nën to kanë kaluar qerret me sanë. Pesë (5) harqet e mesit, me majë të mprehtë, janë ndërtuar në një fazë më të hershme, gjersa në fazat e mëvonshme të rindërtimeve, harqet janë më të vogla. Qemerët e urës janë ndrëtuar me gurë dyngjyrësh, bardh e kuq. Për lidhje më të mirë të tyre, në fugat ndarëse, është përdorur plumbi i shkrirë. Muret e saj anësor janë punuar me kujdes. Niveli i kalldërmit të urës pasqyrohet në muret ballore nëpërmjet një kornize gjatësore të gurtë me profil në kurbe. Parapeti i urës, me lartësi 90 cm është realizuar me blloqe të vendosur në këlliq që fiksohen në taban me kunja metalike, ngulur me plumb të shkrirë.[2]

Nga qytetarët është ndëgjuar se gurët e Urës së Vjetër të Gurit dhe Hamamit (Banjos Publike) njëherë janë bluar pastaj janë përzier me një material lidhës, dhe në fund janë vendosur nëpër këllëfe. Sa i përket asaj, që serbët e trajtojnë si ‘Urë të Vojnoviqëve’, e vërteta është se Vojnoviçët ishin familje shqiptare e quajtur Don Çetaj nga Mali i Zi, që u dalluan si ushtarak dhe u quajtën Voin – Ushtarak. Nga Mali i Zi ata u vendosën në Vranjë, e pastaj te Ura e Gurit në Vushtrri. Gjuhën shqipe serbët e mësuan nga Vojnoviqët. Emrin Ura e Vjetër e Gurit e ndrroi vetëm pse pranë saj jetonin Don Çetajt - Vojnoviqët dhe qytetarët atëherë filluan ta quajnë Urën e vjetër të Gurit - Ura e Vojnoviqëve.[3]

Më 1977 urën e kanë hulumtuar arkeologët nga Shqipëria, Aleksandra Mano, Zhaneta Andrea, Ali Muka si dhe prof. Qamil Gegja nga Kosova. Rezultatet e hulumtimit të tyre, nuk dihet të jenë publikuar deri më tani.

Sot, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit për shkak të përbërjes pedologjike të tokës e ndërroi rrjedhën për afër një kilometër në perëndim.[2]

Deri në vitin 1902 ura në mes kishte një lartësi diku 7,5 metra. Tani nga ajo lartësi e urës mund të shihen vetëm 3,7 metra.

Nga një komision është bërë xhirimi (regjistrimi) i sajë dhe janë bërë parallogari të vlerësimeve për mbrojtjen e sajë dhe kategorizimin si monument kulturorë nacional të Kosovës. Në këtë parallogaritje është ardhur në përfundim se rëndësia historike e saj është e shkallës së lartë po ashtu rëndësia artistike/estetike, teknologjike, simbolike/identifikuese dhe sociale/qytetare është llogaritur të jenë të shkallës së lartë. Ndërsa komponentë fetare/shpirtërore dhe natyrore nuk kanë marrë vlera përderisa komponenta shkencore/kërkimore llogaritet të jetë e shkallës së mesme dhe ajo ekonomike e shkallës së ulet.[4]

Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën e saj dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit, por dihet që ka së paku dy (2) shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e tij, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, Ura pa lum. Arsyet e ndërrimit të rrjedhës së lumit Sitnica, kah kalonte dikur, nëpër shtratin ngjitur me qytetin, në një shtrat të ri në periferi të qytetit, besohet se nuk ka të bëjë fare me dorën e njeriut. "Për shkak të përbërjes pedologjike të tokës prëgjatë lumit, shtigjeve të drynjëve përgjatë bregut të lumit, rritjes së sasisë së lymit, shtrati i lakuar, etj. rrjedha e ujit nuk ka arritur ti bëjë ballë dhe vetvetiu ka ndërruar rrjedhën e tij," thot mes tjerash prof. Bedri Xhema dhe vazhdon:"-Çfarëdo që thuhet për identitetin e Urës së Vjetër të Gurit në Vushtrri, nuk duhet harruar që atë e kanë ndërtuar mjeshtërit vendas," duke shtuar se "të dhëna rreth ndërtimit të saj gjenden edhe në arkivat e Tiranës."[5]

Dikur, në një të kaluar të afërt, ishte krijuar bindja dhe miti, se prekja e gurëve të kësaj ure, krijon shëndet, fortësi dhe harmoni në jetën bashkëshortore prandaj edhe bashkëshortët e rinjë dhe të sapomartuarit shkonin dhe bënin betimin e tyre për dashuri.[5]

Ura e Gurit në Vushtrri (me nëntë harqe)
Ura e Gurit në Vushtrri (me nëntë harqe)

Burimi i te dhenave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Vushtrria dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, Komuna e Vushtrrisë, Arkivuar 6 maj 2017 tek Wayback Machine 8.07.2016
  2. ^ a b c Grup autorësh:Vushtrria-Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtrri, 2003, fq. 474.
  3. ^ Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri Arkivuar 15 nëntor 2016 tek Wayback Machine,http://vushtrriantike.info Arkivuar 13 nëntor 2016 tek Wayback Machine, 5.07.2016
  4. ^ "Regional Programme for Cultural and Natural Heritage in South East Europe 2003 - 2006: THE STONE BRIDGE" (PDF) (në anglisht). Arkivuar (PDF) nga origjinali më 6 korrik 2007. Marrë më 6 korrik 2007.
  5. ^ a b Grup autorësh:Përmbledhje shkrimesh, Kuvendi Komunal, Vushtrri, 2010, fq. 5

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
 Commons: Ura e gurit – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale