Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/25

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Clemente XI

Papa Klementi XI - Albani e dinte fort mire atë fjalën ungjillore "se çdo pemë njihet dhe dallohet nga frutet e saj," ashtu si kundër çdo shqiptar, veçanërisht në shtetet e huaja, dallohet në shqiptarizmin e tij, nga veprat që kryhen në dobi të çështjes kombëtare dhe te jetës së shqiptareve. Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Mikel Laçi pati dy djem Giorgo di Michele de’ Lazi (Gjergj Mikeli i Laçit) dhe Filippo di Michele de’ Lazi, (Filip Mikeli i Laçit) ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut të cilët u vendosën në Urbino , ku Federico di Montefeltro dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Gjergji pati dy djem, Altobelin dhe Hanibalin, edhe Altobeli pati dy djem, Oracion dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Franceskut, papës se ardhshëm. Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobello (1445-1564), e ndryshoi në Albani. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, klerikë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të rrafshit të lartë. Gjon Françesk Albani l. 23 korrik 1649, Urbino - v. 19 mars 1721, Roma) ishte papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si papë që nga zgjedhja e tij më 23 nëntor 1700 dhe deri më 19 mars 1721. Paraardhës i tij ishte papa Inoçenti XII, ndërsa pasardhësi papa Inoçenti XIII. Papa Klementi XI - Albani ndërroi jetë 19 mars 1721 mbasi e udhëhoqi kishën katolike për 21 vjet rrjesht dhe rreshtohet i katërti për nga vitet ne krye të Kishës Katolike mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piu IX me 31 vjet, Papa Gjon Pali II me 26 vjet. Shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit XI për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri ku Kisha katolike romake dhe ajo ortodokse bashkëjetuan për një periudhë. Klementi XI, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” (1703) i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.Ndërkohë ndryshime ishin vënë re edhe në krahun ortodoks. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Kështu në fillim u arrit një farë bashkimi, porse më tej, meqë nuk ishte në lartësinë e duhur, u arrit hapja e selive të kryepeshkopatave për dioqezat latine të Ohrit dhe Shkupit. Një mision i ritit bizantin funksiononte në Himarë qe nga viti 1628. Një nga pjesët më interesante të librit Illyricum Sacrum , është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi XI (Kelmendi), për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesë e madhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Venedik, u mbyt teksa ishte duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhet: "Papa Klementi XI, Gian Francesco Albani, nga Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Këshllin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e dha urdhën që aktet e Këshillit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim.Në atë kohë qendra e kishave ilire ishte Raguza ku mbaheshin këshillat kishtare të Ilirisë. Mbasi patën qenë mbytur në det ipeshkvinjtë shqiptarë duke u kthyer nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër dioçeza ne shqiptare andej e tutje të mbaheshin në tokën shqiptare. Qendra e parë e kishave ilire ka qenë Akuileja, mandej Grado-i, e mbasi selia patriakale ilire u bart në Vendik, për arsye praktike u caktue Raguza si qendër mbasi ishte ma e përshtatshme edhe gjeografikisht.Në historinë shqiptare, si dhe ne fusha te tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI- Albani, përmendet si një Papë me "gjak shqiptar, "si një Pape me "origjine shqiptare, " si Papa qe ka thirrur Kuvendin e Arbërit me 1703 dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare. Këtij personaliteti të lartë të bijve të Shqipes nuk i është kushtuar ende një kapitull i domosdoshëm në Historia e Shqipërisë. Megjithatë i rëndësishëm është fakti se ne asnjë rast nuk shpërfillet prejardhja e tij shqiptare nga autorë të huaj, por përkundrazi theksohet "Vetëdija" e tij shqiptare dhe veprimtaria e tij për çështjen Shqiptare, e cila gjithkund formulohet si një veprimtari atdhetare. Edhe biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule e ka thënë: "Gjon Francesk Albani, që kishte prejardhje shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve te tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjeve katolike të Ballkanit (14-15 Janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, mbasi që klerikët ishin të parët, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe."