Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2015/13
Democracy: The God That Failed (Demokracia: Zoti që dështoi) është një libër nga ekonomisti gjermano-amerikan Hans-Hermann Hoppe, i botuar së pari në vitin 2001. Libri është formuluar në një stil aksiomatiko-deduktiv dhe përmban një seri me 13 ese mbi demokracinë. Libri ekzaminon demokracitë moderne nën dritën e dështimeve të dukshme, që ndër të tjera përfshijnë rritjen e nivelit të papunësisë dhe zgjerimin e borxhit publik.
Tema kryesore e librit është një analizë mbi efektet e demokracisë në shoqëri. Njëkohësisht krahasohet demokracia, si sistem politik, me forma të tjera organizimi politik dhe shoqëror, sikundër monarkia apo koncepti i rendit natyror formuluar nga vet autori. Në libër paraqiten një sërë argumentesh që në thelp shpienë në përfundimin se demokracia nuk e ka avancuar idealin e lirisë, prosperitetin dhe në përgjithësi avancimin shoqëror në masën që shumë njerëz besojnë se ka bërë.
Një nga konceptet kryesore që është qëndror në forcën e argumentit të Hoppe-s, ose thënë ndryshe që flet për dobësinë e demokracisë, është ideja e preferencës kohore (time preference). Preferenca kohore mund të shihet si shkalla nëpërmjet të cilës një individ preferon një të mirë në të tashmen përkundrejt të njëjtës së mirë në të ardhmen. Hoppe argumenton se në përgjithësi një shoqëri që avancon do të shikojë një rënie të preferencës kohore drejtë zeros (pa e arritur kurrë atë), meqënëse, duke u bërë të pasur, individëve do t'u nevojitet një pjesë më e vogël e pasurisë së tyre për të kënaqur nevojat e tanishme dhe kështu, si pasojë, do të kenë më shumë pasuri/resurse për t'ua dedikuar nevojave të së ardhmes. Thënë në fjalë të tjera, ndërsa shoqëria avancon, mesatarisht individët do të kenë një normë kursimi më të lartë. Kjo tendencë e normës së preferencës që bie me kalimin e kohës do të vazhdojë, thotë Hoppe, për sa kohë "që asnjë nuk ndërhyn me aktet e përvetësimit të natyrës dhe të prodhimit të një tjetri".
Kjo shpie në një nga argumentet e para të paraqitur në libër kundër qeverisjeve demokratike, që në fakt mund të aplikohen mbi të gjitha format e qeverisjes. Hoppe argumenton se ndërhyrja e qeverisë (qoftë ajo monarkike apo demokratike) në jetët personale/private të individëve shpie vetëm në një rritje të normës së preferencës kohore të individit. Në fjalë të tjera shpie në një rënie të normës së kursimit dhe në degradim apo ngadalësim të rritjes ekonomike. Asyeja kryesore pse kjo ndodh është sepse qeveria rrit në mënyrë të ndjeshme pasigurinë në jetët e njerëzve. Pasiguria, e tipit të krijuar nga qeveritë, shpie në një rritje të preferencës kohore, meqë individët nuk janë më në gjendje të parashikojnë se çfarë përpjesëtimërie të pasurisë së tyre do të jenë në gjendje të ruajnë për të ardhmen - meqë qeveritë ndryshojnë në mënyrë konstante normën e taksimit, të inflacionit dhe të rregullave.
Një tjetër argument që autori përdor në mbështetje të tezës së tij kundër sistemeve demokratike ka të bëjë me problemet që lindin kur lideri i qeverisë nuk është zotëruesii i resurseve të qeverisë por vetëm njëfarë kujdestari. Kjo gjendje krijon motivimin e liderit që t'i përdori resurset sa më shumë të mundi brenda mandatit të vet qeverisës meqë kur të mos jenë më në pushtet nuk do të kenë më akses tek ato. Kjo gjendje është në kontrast me monarkinë, ku mbreti, mbretëresha, apo perandori etj. është në fakt edhe zotëruesit i resurseve dhe kështu është më i motivuar për të ruajtur dhe maksimalizuar pasurinë e qeverisë gjatë një periudhe më të gjatë kohore e si pasojë do të ketë më pak gjasa për të shprëdoruar resurset.
Edhe pse Hoppe thekson disa nga benefitet e monrakisë ndaj demokracisë, ai nuk i bën avokati asnjërës prej tyre. Në të kundërt ai thekson se një rend që i sipërkalon të dyja është ideja e një rendi natyror:
Një alternativë pozitive ndaj monarkisë dhe demokracisë është ideja e rendit natyror. Në një krah, kjo ka të bëjë me pranimin se nuk është shfrytëzimi, monarkik apo demokratik, por prona private, prodhimi dhe shkëmbimi vullnetar që janë burimi i fundëm i civilizimit njerëzor.
— Hans-Hermann Hoppe, Democracy: The God That Failed
Titulli i veprës është një aludim për librin The God That Failed (1949) në të cilin gjashtë autorë ish komunistë përshkruajnë eksperiencat e tyre dhe zhgënjimin me komunizmin.