Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2016/9
Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare.
Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, atë greqisht Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjtoret e para", "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj "Mësimet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja, etj.