Xhamia e Kokonozit
Ky artikull është pjesë e koleksioneve: |
Islam |
---|
Xhamia e Mahmut agë Kokonozit ndodhet në pjesën lindore të qendrës së qytetit të Tiranës. Ajo është një xhami e bukur e tipit “xhami mëhalle” (lagje). Sot ndryshe nga më parë quhet Xhamia e Pazarit të Ri, pasi me prishjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës u ndërtua pranë kësaj xhamie Pazari i Ri. Xhamia e Kokonozit së bashku me xhaminë e Tabakëve është një ndër xhamitë më të vjetra (të mbetura) të qytetit të Tiranës. Pas këtyre dy xhamive vjen xhamia e Et’hem Beut. Studjuesi i mirënjohur Zija Shkodra në librin e tij “Qyteti Shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”, thotë se xhamia e Kokonozit është ndërtuar aty nga fundi i shek. XVIII. Mirëpo ai nuk e mbështet me argumente këtë gjë për ta bërë sa më të besueshme. Ndërsa studjuesi tjetër i mirënjohur Kristo Frashëri në librin “Historia e Tiranës”, vëll. I, pasi tregon se ndërtimi i xhamisë i përket fundshekullit XVIII, thotë se kjo xhami nuk ekziston më. Në të vërtetë ky pohim është i çuditshëm pasi dihet mirë se xhamia në 1967 u mbyll, por nuk u shemb, ajo u kthye në magazinë duhani. Në fillim të viteve ‘90 ajo u rihap dhe rifilloi aktivitetin fetar. Thënia e studjuesit Kristo Frashëri duhet ndarë në dy pjesë; në pjesën e parë ku thotë se xhamia është ndërtuar gjatë shek. XVIII dhe në pjesën e dytë ku thotë se xhamia tani nuk ekziston më. Përsa i përket pjesës së parë atë do ta shqyrtojmë më poshtë, ndërsa pjesa e dytë e thënies është thjesht një mospasje informacioni nga ana e tij pasi xhamia vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite.
Për herë të parë emrin e xhamisë së Kokonozit e ndeshim në një dokument të vitit 1775 në të cilin përmendet se qirinxhiu Mustafa Këllezi detyrohej t’i jepte 6 akçe në ditë hatibit të xhamisë në fjalë, ndërtuesi i së cilës (xhamisë Kokonozi) kishte pak kohë që kishte vdekur.[1] Nga ky dokument kuptojmë se ndërtuesi ose sponsorizuesi i ndërtimit të xhamisë kishte vdekur në 1775, gjë e cila na tregon se të paktën xhamia ishte ndërtuar 20 vjet para vdekjes së tij (rreth 1750-1760), ose para datës së dokumentit 1775. Kështu arrijmë në përfundimin se Xhamia e Kokonozit i përket mesit të shek. XVIII, viteve 1750-1760, dhe jo fundit të shekullit siç pretendon Zija Shkodra në librin e tij.[2] Dr. Ekrem Hakki Ayverdi në studimin e tij mbi veprat e arkitekturës osmane në tokat shqiptare cilëson se qyteti i Tiranës në fillimet e tij ka qenë pjesë e kazasë së Akçe Hisarit (Krujës). Më vonë gjatë shekullit të XVIII [3] qyteti i Tiranës del kaza më vete me emrin Akçe Hisar – Tiran (kazaja e Krujës dhe ajo e Tiranës). Në librin e tij Dr. E. H. Ayverdi thotë se Akçe Hisari dhe Tirana kishin gjithsej 84 xhami të marra së bashku, ku 16 (Akçe Hisari) dhe 68 (Tirana). Prej këtyre 84 xhamive ai jep emrat e 20 prej tyre, ndërsa të tjerat që mbeten ai i jep vetëm si numër pasi për to nuk ka arritur të mbledhë të dhëna të mjaftueshme. Fatkeqësisht emri i xhamisë së Kokonozit nuk figuron në 20 emrat e xhamive që ai ka dhënë, mbase emri i xhamisë ka mbetur në pjesën e emrave të pazbuluar prej tij. Të gjitha të dhënat ai i ka mbledhur prej defterëve të kazasë së Akçe Hisarit dhe të Tiranës, me këta numëra: def. 181, f. 99. def. 757, f. 10. def. 757, f. 69. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që xhamia e Kokonozit të jetë hedhur në defter me emrin e ndonjërit prej sponsorizuesve të saj, apo të dhuruesit të tokës. Këtë hamendësi e mbështes në faktin se të vjetrit e kësaj xhamie tregojnë se në ndërtimin e xhamisë Kokonozët kanë dhënë vetëm tokën, ndërsa shpenzimet e ndërtimit të xhamisë janë përballuar nga një rreth më i gjerë dorëdhënësish. Gjithashtu Dr. E. H. Ayverdi na jep edhe një të dhënë tjetër të rëndësishme, sipas së cilës Tirana kishte përveç 68 xhamive edhe 47 teqe. Por kjo sado e ekzagjeruar mund të duket, nuk duhet kuptuar sikur vetëm në Tiranë kishte kaq teqe, në këtë rast flitet për Tiranën dhe rrethinat e saj.[4] Në vitin 1967 xhamia e Kokonozit u mbyll ashtu siç u mbyllën edhe shoqet e saj në të gjitha qytetet e Shqipërisë, madje pati prej tyre që e pësuan edhe më keq, duke u rrafshuar krejtësisht edhe pse shumë prej tyre mund të ishin kthyer në monumente kulture duke ruajtur vlerat e tyre unikale. Ajo u kthye në magazinë duhani dhe ashtu vazhdoi deri në 1990, kur një grup besimtarësh pasi e pastruan xhaminë e rikthyen atë në një gjendje të përshtatshme për të kryer ritet fetare. Pas rihapjes xhamia ishte në një gjendje të mjerueshme, muret e pikturuara me afreske pothuajse tërësisht ishin plasaritur dhe pritej vetëm shembja e tyre. Në pjesën anësore të kupolës suvaja e dekoruar dhe e pikturuar kishte rënë duke krijuar një hartë kallamishtesh që dilnin nga çatia. Në 1967 xhamisë i ishte shembur edhe minarja deri në lartësinë e fundit të murit anësor të xhamisë. Kjo gjendje e mjerueshme vazhdoi kështu deri në fund të vitit 1999, kur një grup besimtarësh filluan restaurimin e xhamisë. Suvaja e pikturuar e mureve, e cila ishte rrëzuar në shumë vende, u shemb dhe muret u risuvatuan përsëri. Prej vitit 1999 e deri më sot xhamia është restauruar disa herë, duke filluar nga çatia, rindërtimi i minares, klasat, oborri, dritaret, mihrapi e mimberi. Ndërhyrje janë bërë edhe në sistemin e kanalizimeve dhe elektrifikimit. Ndërhyrja më e mirë është restaurimi që i është bërë zbukurimeve të kupolës, të cilat janë ruajtur në formën e tyre origjinale ashtu siç janë pikturuar qysh prej ndërtimit, apo rindërtimit të xhamisë. Duke e vendosur vitin e ndërtimit të xhamisë në mesin e shekullit të XVIII, ne kemi zgjidhur vetëm njërin problem. Një tjetër problem qëndron në faktin se në pllakatën e vendosur në hyrjen e portalit të brendshëm (e cila është në osmanisht), në fund të saj, majtas, jepet viti 1269 H. Kjo pllakatë është restauruar (në 2005) prej Bledar Kominit në konsulencë me arkitektin e Monumenteve të Kulturës, Z. Sulejman Dashi. Viti 1269 H i vendosur në pllakatë mund të shënojë vitin e ndonjë ndërhyrje apo restaurimi që mund t’i jetë bërë xhamisë së Kokonozit prej ndonjë familjeje tiranase. Shembuj të tillë në qytetin e Tiranës kemi disa: kështu xhamia e Met Fierës, e cila ka qenë në vendin ku sot është gjimnazi Sami Frashëri, u restaurua në mes të shekullit XIX, 1275 H (1859) prej familjes së Beshirajve (Sulejman Beshirit). Shembull tjetër mund të sjellim restaurimin që iu bë xhamisë së Terzive ose Esnaf Xhamisë në shek. XIX prej familjes së madhe të Karapicëve, prej kësaj xhamia më pas u quajt xhamia e Karapicëve, duke e humbur emrin e parë. Një restaurim i tillë iu bë në mes të shek. XIX edhe xhamisë së Sulejman Pashës. Në bazë të këtyre shembujve mund të biem dakord se edhe xhamisë së Kokonozëve mund t’i jetë bërë një restaurim në vitin 1859, vit i cili është vendosur në fund të pllakatës të sipërpërmendur. Kjo mund të mbështetet në disa thënie të të vjetërve që falen në këtë xhami, të cilët thonë se në fillimet e saj xhamia ka qenë ndërtuar prej druri, por deri kur ka vazhduar kështu kjo gjendje e xhamisë ata nuk e dinë. Një legjendë e vjetër tiranase thotë se kur Kokonozët deshën të ngrinin xhaminë ata nuk u lejuan prej pasardhësve të Sylejman pashë Bargjinit të ngrinin një xhami të madhe dhe të bukur si ajo e Sylejman Pashës, për këtë në fillim xhamia u ndërtua prej druri. Më pas kur pasardhësit e Sylejman Pashës u futën në luftëra të njëpasnjëshme me Toptanët e Krujës, ata i kërkuan ndihmë ekonomike gjithë popullit të Tiranës (po ashtu edhe Kokonozëve), në mënyrë që të gjithë të ndihmonin në mbrojtjen e qytetit. Në këmbim të ndihmës, Kokonozët i kërkuan Bargjinëve leje që xhaminë e tyre prej druri ta rindërtonin nga fillimi me gurë dhe ta pajisnin me minare. Kështu nisi jeta e re e kësaj xhamie mëhalle 250 vjeçare. Sado të pavërteta mund të ketë në këto tregime, ajo që mund të jetë më shumë se e besueshme është se xhamia e Kokonozëve vazhdon ende të ekzistojë dhe të mirëmbahet prej besimtarëve të saj.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- www.xhamiakokonozit.com Arkivuar 30 shtator 2007 tek Wayback Machine