Jump to content

Aleks Çaçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Aleks Çaçi
Emri Aleks
Mbiemri Çaçi
Lindur më 15 gusht 1916
Vdiq më 23 shkurt 1989
Kombësia shqiptare
Shtetësia shqiptare
Profesioni shkrimtar, publicist

Aleks Çaçi (Palasë, 15 gusht 1916 - Tiranë, 23 shkurt 1989) ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar.

U lind në Palasë, i biri i Gogos dhe Evanthi Shanes nga Dukati. Pas shkollimit në vendlindje, kreu shkollën e mesme tregtare në Vlorë dhe Institutin e Lartë të Tregtisë në Greqi.

Pas çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi, kreu shkollën “Vladimir Iliç Lenin”. Ka qenë pjesë e Grupit komunist të Korçës.

Si rezultat i veprimtarive revolucionare, në vitin 1936, u izolua në qytetin e Beratit për 2 vite nga regjimi zogist. Çaçi ka qenë anëtar aktiv i luftës për pavarësi nga sundimi i huaj.

Rreth viteve ’80 u shkëput nga jeta politike shqiptare, e cila po ngërthente pa fund “koka” intelektualësh. Pseudonimi i tij ka qenë Deme Petriti. I martuar me zonjën Persefoni Zaharia Jorgoni, kanë lindur tre fëmijë, Jordanin, Irenën dhe Liminin.

Më 23 shkurt 1989, u nda nga jeta.[1]

Ka qenë pjesëtar i grupit të shkrimtarëve shqiptarë të viteve ’30, ku dhe nisi të shkruajë vjershat e para në botime të ndryshme si “Kushtrimi i lirisë”, “Trumpeta çlirimtare”, “Përpjekja shqiptare”, “Bota e re”, me autorë të tjerë si Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Sotir Paparisto, Midhat Araniti, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Jorgji Jorgoni, etj. Veç vjershave, tregimeve, poemave e novelave për të rritur, ka shkruar shumë edhe në letërsinë për fëmijë në shtypin e kohës (p.sh. revista “Fatosi”) dhe me përmbledhje librash, gjatë punës së tij tek organizata “Lidhja e shkrimtarëve”.

Ka përkthyer një sërë librash me miqtë e tij nga greqishtja e lashtë, greqishtja moderne e italishtja në shqip. Është i njohur në Greqi dhe Itali si një shembull i figurës intelektuale dhe patriotike shqiptare e është nderuar në aspekte që shumë pak shkrimtarë ia dolën të mos përfshiheshin. Shtëpia botuese “Naim Frashëri” i pat botuar veprën e përmbledhur dy vjet para se të ndërronte jetë, e cila konsistonte në tre volume që përmbanin poema, proza dhe pjesë të shkurtra teatrale nga karriera e tij e larmishme letrare.

Për vite ka pasur marrëdhënie të ngushta me Kinën maoiste si shkrimtar dhe publicist e për punën dhe meritat krijuese, i është akorduar urdhri “Flamuri i kuq i punës”.

  • "Këngët e dheut"
  • "Margarita Tutulani"
  • "Ashtu myzeqe"
  • "Me ty Stalin"
  • "Poezia Shqipe"
  • "Bisedë me diellin"
  • "Ëndrrat e mia"
  • "Aroma e bukës"
  • "Na hoqën çatinë"
  • "Shtëpia përballë diellit"
  1. ^ Habazaj, Albert (14 qershor 2016). "Aleks Çaçi, poeti entuziast nga Himara që shkroi për Myzeqenë". Tirana Observer. Arkivuar nga origjinali më 1 korrik 2016. Marrë më 2 mars 2018.