Mësuesi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Arsimtari)
Jump to navigation Jump to search
Gjendeni te artikulli Mësuesi. Për shprehjet e ngjashme në shkrim, kuptim apo tingëllim, shikoni këtu.
Codex Manesse Schulmeister von Esslingen.jpg

Mësuesi (Arsimtari, Profesori) është një person që jep mësim në shkollë. Fjalën mësues mundet të përdoret edhe për një person që shquhet në një fushë të caktuar të dijes, ose të veprimtarisë shoqërore me ndikim te të tjerët dhe që merret si shembull për t'u ndjekur.

Mësuesi është njeriu që ka për detyrë të ndihmojë të tjerët të mësojnë dhe të sillen në një mënyrë të re dhe të ndryshme nga më parë.

[1]Mësuesit përgatiten dhe punësohen nga shoqëria për të ndihmuar në realizimin e qëllimeve, objektivave dhe rezultateve që presin në përfundim nga zbatimi I programit. Mësuesi, në procesin e ushtrimit të profesionit, është një punonjës i punësuar nga shoqëria, për ta bërë më të lehtë përgatitjen shoqërore, vetjake dhe intelektuale të atyre anëtarëve të shoqërisë të cilët ndjekin shkollën.

Roli i mësuesit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Roli i mësuesit është të ndihmojë nxënësit të konkretizojnë konceptet që mësojnë në lëndët shkollore nëpërmjet prezantimeve dhe shpjegimeve në klasë.[2] Gjithashtu mësuesit duhet të përgatisin mësimet, testimet, të takohen me prindërit e nxënësve dhe të bashkëpunojnë me stafin e shkollës.[2] Të jesh mësues nuk do të thotë vetëm të shpjegosh, mësuesit e sotëm kryejnë disa role njëkohësisht; ata mbajnë rolin e një prindi të dytë, mbajnë qetësi në klasë, janë modeli i nxënësve kur të rriten, janë udhëheqës të nxënësve dhe shumë të tjera.[2] Rolet e mësuesve sot janë shumë ndryshe nga ç'kanë qenë, sepse në botën e sotme, roli i një mësuesi është i shumanshëm.[3] Detyra e tyre është të këshillojë nxënësit, t'i ndihmojë ata të mësojnë se si të përdorin njohuritë e tyre dhe ta integrojnë atë në jetën e tyre, në mënyrë që ata të bëhen anëtarë të vlefshëm të shoqërisë.[3] Mësimdhënësit inkurajohen që t'i përshtasin metodat për secilin nxënës, sepse ata janë të ndryshëm dhe është e nevojshme t’i qasesh në mënyra të ndryshme, profesioni modern i mësimdhënies është gjithashtu rreth marrjes së roleve më të gjera për promovimin e arsimit.[3]

Mësuesit janë pjesë e te gjitha aspekteve komplekse që lidhen me mësimdhënien e përditshme, si dhe janë përgjegjës për një shumëllojshmëri vendimesh në klasë dhe në orën e mësimit. Ata përpiqen të krijojnë rregull dhe stabilitet në mjedise potencialisht kaotike. Guglielmi dhe Tatroë (1998) vënë në dukje trysnitë dhe ngarkesën e madhe që kanë mësuesit në punën e tyre të përditshme.

Kualifikimi i mësuesit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mësuesi ka detyrë dhe përgjegjësi të ofrojë arsim, edukim dhe mundësi të barabarta për secilin nxënës, pavarësisht nga niveli ekonomik, prejardhja familjare ose niveli kulturor.[4] Kjo gjë kërkon një përgatitje më të mirë të mësuesve në programet e mësuesisë, ku shpesh mëshohet fakti i përgatitjes së tyre me aftësitë e nevojshme shkencore dhe metodike të lëndës së caktuar dhe jo aq sa duhet në krijimin e profesionistëve autonom dhe të aftë të reflektojnë për të vepruar si punonjës social me klasën e tyre, për të punuar me efikasitet në një realitet për ditë në ndryshim.[4] Kompetencat profesionale përfshijnë tre grupe : kompetencat kyçe, kompetencat themelore dhe kompetencat speciale ose të lëndës. Një mësues kompetent do jetë i aftë të përçoje dijet dhe aftësitë te nxënësit, por njëkohësisht të shërbejë si model roli për ta.[4]

Kompetencat e mësuesit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në “Parimet e përbashkëta evropiane për kompetencat dhe kualifikimin e mësuesve midis të tjerave theksohet nëpërmjet arsimimit shumëdisiplinor të mësuesve të sigurohen: njohuri për lëndën, njohuri për pedagogjinë, aftësi dhe kompetenca të nevojshme për të drejtuar dhe mbështetur nxënësit dhe kuptim të dimensionit shoqëror dhe kulturor të arsimit; b) profesioni i mësuesit të jetë një profesion i bazuar në kontekstin e të nxënit gjatë gjithë jetës; c) një profesion që mundëson mobilitetin; d) një profesion i bazuar në bashkëpunim.[4] Kompetencat kyçe të mësuesve përfshijnë: 1) Kompetenca për komunikim të informacionit. 2) Kompetenca të punës shoqërore. 3) Kompetenca gjuhësore. 4) Vlerat si si individ. 5) Kompetenca kulturore.[4] Ndërsa kompetencat themelore përfshijnë: Kompetenca organizative, që kanë të bëjnë me aftësitë e mësuesit për të organizuar nxënësit në mënyrë efektive, për të menaxhuar dhe kontrolluar veprimtaritë e tyre mësimore dhe për të planifikuar dhe përmirësuar veprimtarinë e vet të mësimdhënies.[4] Kompetenca didaktike lidhet me aftësinë e mësuesit për të përçuar njohuri që e tërheqin nxënësin në lëndën mësimore, për t’ju mundësuar atyre për të vazhduar veprimtarinë mësimore në mënyrë të pavarur.[4] Kompetenca e mendimit pedagogjik, që lidhet me aftësinë e mësuesit për të reflektuar për veprimtarinë e tij mësimore edukative; për të parashikuar rezultate te veprimtarisë së tij dhe për mësuar vetë, duke kuptuar çfarë është e nevojshme për një nxënës.[4] Kompetencë psikologjike. Mësuesi i sotëm duhet të jetë i formuar psikologjikisht që të pranojë jetën e brendshme të nxënësit; të kuptojë personalitetin e tij unik; të ndiejë vështirësitë psikologjike të tij dhe, kur të jetë e nevojshme, të ofrojë ndihmë psikologjike.[4] Kompetenca si vlerësues. Mësuesi duhet të jetë i aftë për të shqyrtuar objektivisht rezultatet e nxënësve, arritjet, efikasitetin e punës së tij dhe punën e kolegëve të tij.[4] Kompetenca të zhvillimit gjatë gjithë jetës. Mësuesi të krijojë bindjen për të zhvilluar aftësitë profesionale, njohuritë dhe kompetenca gjatë gjithë jetës së tij.[4]

Standardet profesionale të mësuesit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Paketa e zhvillimit profesional të mësuesve, pjesë e së cilës është edhe dokumenti i standardeve profesionale të mësuesit, kërkon që zhvillimi profesional i mësuesve të ketë fokus të fuqishëm në rezultatet e nxënësit.[5] Zhvillimi intensiv i vazhdueshëm profesional i orientuar me standarde dhe tregues të matshëm ndihmon mësuesit të “rriten” dhe të vlerësojnë ecurinë e performancës së tyre.[5] “Mësuesia” është profesioni më i rëndësishëm që ndikon në formimin e brezit të ardhshëm dhe duhet të formohet dhe të zhvillohet bazuar në standarde, të cilat përcaktojnë se çfarë duhet të dijë çdo mësues, çfarë aftësish duhet të demonstrojë dhe nga ç'vlera e qëndrime duhet të karakterizohet.[5] Dokumenti i standardeve profesionale të mësuesit, hartuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, ka si qëllim kryesor të përshkruajë një vizion të ri për mësimdhënien, të cilin ne frymëzojmë, me fokus plotësimin e nevojave dhe të interesave individuale të nxënësit për dijen.[5]

Roli i mësuesit si punonjës social[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shoqëria sotme dhe nevojat e individit për të mësuar gjatë gjithë jetës kërkojnë një rol të ri të mësuesit, atë të trajtimit të problemeve psikosociale që lidhen me të nxënit dhe ecurinë e nxënësve në shkollë. Ky rol i ri që merr mësuesi nuk zëvendëson rolin e shërbimit psikosocial që ofrohet në shkolla, por ai ndihmon në parandalimin e problemeve të ndryshme, duke i trajtuar ato në mënyrë sistematike dhe në tërësinë e tyre.[4] Ky rol i ri është i lidhur ngushtë me mënyrën e shpjegimit të mësimit, me kontrollin dhe vlerësimin, me mënyrën e organizimit të orës së mësimit, gjuhës që përdoret nga mësuesi në klasë si dhe me lidhjet që krijohen me prindërit dhe me nxënësit jashtë procesit mësimor.[4] Është mësuesi ai që qëndron më shumë me nxënësit dhe më aftësitë e mjeshtërinë e tij mund të njohë më mirë nevojat e tyre dhe të këshillojë mënyra efikase përplotësimin e tyre. Mësuesi nuk duhet ta shikojë nxënësin si një mendje të re dhe bosh të cilën ka për detyrë ta mbush me njohuri , por ta shikojë e trajtojë si një individ unik, që pavarësisht nga mosha ka dëshirat, nevojat dhe përvojën e tij. [4] Problemet e etikës në klasë që duhet të trajtohen nga mësuesit janë të shumta dhe zgjidhja e tyre varet nga mënyra se si ai i transmeton normat dhe vlerat e shoqërisë demokratike, sa dhe si i trajton shqetësimet që shfaqen në një kuadër më të gjerë si familja dhe shoqëria e nxënësve.[4]

Etika e mësuesit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[6]Për një nxënës, figura e mësuesit është aq e rëndësishme sa që vjen një moment kur ajo kthehet në jetike. Një pjesë të madhe të kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe, çdo gjë që ndodh aty, padyshim, është ngulitur thellë në jetën e tyre, në memorien e tyre. Pra, gjithçka fillon nga ai person që qëndron para tyre çdo ditë, nga mësuesi i tyre. Shembulli që ai ju jep nxënësve është ajo që ata mundohen ta huazojnë apo imitojnë, për ta ndjerë vehten të sigurt në momentin që do të dalin në jetë. Për këtë arsye, figura e mësuesit është gjithmonë, jo vetëm në qendër të vëmendjes, por edhe në imazhin që krijojmë për mësuesin ideal.

Pjesë e ideales është sjellja e tij. Në vend të të bërtiturave dhe shprehjeve të përditshme, për nxënësit do të ishte diçka më e bukur nëse mësuesit do të ishin mbështetësit e tyre.

Mësuesi nuk mban qëndrim personal. Në mësim, ai shfaqet sa kërkues, aq edhe liberal, në kuptimin e krijimit të një klime, ku çdo kush mund e duhet t’i shfaq mendimet e tij lirshëm dhe pa asnjë kompleks.

Siguron mjedis të ngrohtë me nxënësit: Mësuesi nuk duhet të fyej, me apo pa dashje nxënësin, pavarësisht prejardhjes social kulturore. Kjo kërkon që, mësuesi të njoh që në fillim nxënësit që i janë besuar, duke u treguar i kujdesshëm në fjalorin që përdor apo komentet që bën.

Kërkon mendimin e çdonjërit prej tyre për tema delikate, nxit nxënësit të respektojnë njeri – tjetrin, pavarësisht nga origjina, e kthen klasën në një mjedis të hapur e gjithëpërfshirës.

Siguron zhvillimin intelektual të nxënësve: Me punën e tij të përditshme, mësuesi kontribuon në zhvillimin intelektual të nxënësit, të paktën për sa i takon lëndës, ku jep mësim, duke nxitur tek ata besimin se mund të arrijnë suksese. Ai, nuk frymëzon diskriminimin, krijon për nxënësit me aftësi të kufizuara kushte të barabarta pjesëmarrjeje, kultivon tek ata, përmes shembullit të tij, edukatën dhe kulturën e punës.

Nuk lejon konflikte interesi me nxënësit e tij: Në punën e tij, mësuesi nxitet nga synimet psikopedagogjike dhe kërkesat akademike, nuk krijon marrëdhënie biznesi me prindërit e nxënësve, nuk i nxit nxënësit për pjesëmarrje në grupime të ndryshme politike, nuk abuzon me detyrën, duke tërhequr pas vetes për interesa përfitimi nxënës të tij për plotësime njohurish pas mësimit etj.

Respekt për kolegët: Një mësues, duhet t’i respektoj kolegët e tij dhe të punojë ngushtësisht me ta në interes të nxënësve. Mosmarrëveshjet ndërmjet mësuesve, janë thjesht personale dhe nuk duhet të ndikojnë në punën e tyre. Mësuesi nuk duhet të bëjë komente para nxënësve për një koleg të tij. Kush nuk respekton kolegun, nuk respekton veten.

Të njohë dhe të respektoj institucionin: Është në interes të zhvillimit të nxënësit, që mësuesi të njohë e respektojë objektivat që janë vënë për të përmbushur me sukses politikat e standardet e sotme të shkollës ku ai punon, të jetë indikator frymëzimi për aktorët e tjerë të interesuar për mbarëvajtjen e punës në shkollë. Mësuesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë personale dhe kolektive për mosrealizimin e objektivave.

Të vlerësoj objektivisht nxënësin: Një mësues duhet të përdorë sa më shumë metoda vlerësimi, sipas standardeve të vendosura nga shkolla. Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavatazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij. Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara.

Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar. Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve.

Vënia në zbatim dhe praktikimi i këtyre parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollën tonë dhe do të ngrejë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma,rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për ti pasur si busull orientuese në punën e tyre mësimore dhe edukative.

Kriteret ligjore për t`u bërë mësues[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[7]Si bëhet punësimi i mësuesve nëpërmjet portalit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ministria e Arsimit ka ndryshuar ligjin për arsimin e lartë, duke përcaktuar kriteret e reja që duhet të plotësojnë mësuesit, për të marrë emërimin. MAS ka ndryshuar nivelin e diplomës që duhet për t'u bërë mësues, si dhe tre kushtet që duhet të plotësojë çdo kandidatë, përpara se të kalojë në fazën e emërimit, në portalin “Mësues për Shqipërinë”

Niveli i diplomave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.

Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.

Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psikopedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.

Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Kushtet

Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi: a) të ketë kryer me sukses praktikën profesionale; b) të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij.

Emërimi

Në institucionin arsimor publik, përfshirë dhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet nga drejtori i institucionit arsimor, sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Procedurat e pranimit e të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune, si dhe administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë” përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit.

Shiko edhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Koncepte themelore per ta kuptuar kurrikulumin. SHBA, Kanada: Routledge. 2009.  978-9928--133-04-5. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c "Cili është roli i mësuesit". Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c "Roli i mësuesit,funksionet dhe detyrat". Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c d e f g h i j k l m n o "Mesuesi si Punonjës Social dhe si Mësimdhënës: Sfidë Për Programet e Mësuesisë" (PDF). Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b c d "Standardet profesionale të formimit të përgjithshëm dhe lëndor të mësuesit në AMU dhe AML" (PDF). Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ https://web.facebook.com/ese.dhe.projekte/posts/1643396412604664/?_rdc=1&_rdr. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh |title= (Ndihmë!)
  7. ^ "Sociale". Shqiptarja.com. 5 Gusht 2018, 08:13. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në: |date= (Ndihmë!)