Jump to content

Beteja e Pazarit të Ri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Beteja e Pazarit të Ri
Pjesë e Luftës së Dytë Botërore
DataNëntor — Dhjetor 1941
Vendodhja
Pazari i Ri, territori i Sanxhakut i pushtuar nga Gjermania Naziste
(sot i administruar nga Serbia)
Pasoja Fitorja Shqiptare — Muslimane
Palët pjesëmarrëse

Protektorati italian i Shqipërisë

Milicia Myslimane e Sanxhakut

Çetnikët Serbë

Partizanët Malazezë
Komandantët dhe udhëheqësit
Njesitë e përfshira
  • Xhandarmëria Shqiptare
  • Njësitë Vullnetare Shqiptare
  • Elementet lokale të Milicisë Myslimane të Sanxhakut
  • Studenica — Shkëputja e Deçevës

  • Shkëputja e Kopaonikut (dy kompani)
Fuqia ushtarake
3,150 burra 5,000 burra
Viktimat dhe humbjet
144 Shqiptarë dhe 136 Boshnjakë të vrarë 287 Serbë dhe Malazezë të vrarë
Viktimat civile të terrorit: 115 Civilë Serbë dhe 61 Civilë Boshnjakë të vrarë

Beteja e Pazarit të Ri ishte një betejë që u zhvillua mes nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, midis çetnikëve serbë dhe forcave muslimane–shqiptare nën komandën e Aqif Blytës për mbrojtjen e Pazarit të Ri, territorit të Sanxhakut të pushtuar nga Gjermania Naziste dhe nga Mbretëria Jugosllave. Megjithë fillimin e tre sulmeve, çetnikët në një nga sulmet në bashkëpunim me partizanët nuk arritën ta merrnin Pazarin e Ri.

Në malet rreth Pazarit të Ri kah mesi i vitit 1941 , u formuan njësitë të përbëra nga serbët e rrethit të Dezhevës dhe Moravicës. Malet e Kopaonikut, Rogoznës , Golisë, Javorit si dhe luginat e lumit Ibër në drejtim te Rashkës dhe Kralevës , vlonin nga kriminelët me mjekrra të gjata. Në të njejtën ditë kur kishte kapitulluar Mbretëria Jugosllave, më 17 prill 1941, ushtria gjermane hyri në Pazarin e Ri. Banorët e Pazarit nuk fshihnin kënaqësinë me rastin e ardhjes së gjermanëve, sepse shpresonin se në kuadër të qeverisjes së re do ta kthejnë autonominë e Sanxhakut të cilën e kishin fituar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, e cila iu ishte marrë me rastin e okupimit nga serbo-malazezët në nëtor të viti 1912.

Skeda:Paria e Pazarit të RI.jpg
Paria e Pazarit të Ri gjatë Luftës së Dytë Botërore
Luftëtar nga Kosova, Nga e majta: Mustafa ( i biri i Shaban Polluzhës), Hamit Istogu, Hetem Hetemi, Alush Prellovci, Shaban Polluzha dhe Miftar Geci-Bajraktari

Komanda gjermane duke respektuar të drejtën për autonomi lejoi dhe mundësoi krerëve të Sanxhakut të rikthejnë qeverisjen e cila iu ishte marrë pas Luftës Parë Ballkanike.Në Këshillimin që u mbajt në Mitrovicë, të cilin e kishte organizuar Krajs komanda më 19 prill 1941, qeverisja politike dhe udhëheqja iu dorzua Myslimanëve të Sanxhakut. Në këtë këshillim morën pjesë Haqif Blyta dhe Ahmet Daca. Vendet kyqe udhëhëqëse në kryeqytetin e Sanzhakut - Pazarin e Ri i morën Aqif-efendia, Ahmet Daca dhe Bahri Abdurrahmani ( Abdurahmanovic).

Përleshjet e ndërsjella ndërmjet myslimanëve dhe serbëve kanë vazhduar gjatë muajit gusht dhe shtator të viti 1941. Më 19 gusht formacionet çetnike vranë në fshatin Zemanicë katër xhandarë, dhe gjermanët për t’u hakmarrë, dy ditë më vonë e dogjën tërë fshatin. Deri në fillim të shtatorit, në qarkun e Dezhevës organizuan grupe çetnike të Kosta Peçancit dhe Dragolub Drazha Mihailoviqit. Së pari Kosta Peçancit, Mashan Gjuroviq, formuan aradhen çetnike të Suhopllaninës në luginën e Ibrit. Kjo aradhë përfshiu disa njësi në trevën e rrethit të Dezhevës. Në të njëjtën kohë, në territorin e Kolashinit të Ibrit u formua aradhja çetnike e Todor Dobriqit, në të cilën u futën shumë refugjatë të ikur nga qarku i Shtavicës dhe Beranës. Për shkak se Vojvoda Mashan Gjuroviq në fund të gushtit kaloi në kolaboracion të hapur me gjermanët, aradha çetnike e Suhodollskapallninës ishte jashtëzakonisht mirë e armatosur dhe mirë e paguar nga qeveria e Millan Nediqit.

Xhemail Koniçanin (1910–1944)
Mulla Zekë Bërdyna (1918–1987)
Ilaz Spahiu-hoxha i Brojes (1895–1946)
Bikë Pazari (Bilal) Dreshaj, në mes të vëllezërve Tahir dhe Rifat Rugova

Përveç paraqitjes së një organizate të re ushtarake në trevën e rrethit të Dezhevës, situatën edhe më tepër e përkeqëson konflikti në Qarkun e Mitrovicës. Kah mesi i shtatorit ka pasur një konflikt të armatosur mes reparteve çetnikëve të Suhoplanininës dhe xhandarmërisë shqiptare nga Mitrovica të udhëhequr nga Pajazit Boletini, biri i Isa Boletinit. Beteja u zhvillua në luginën e lumit të Cerajës në jug të Leposaviqit. Në fund të muajit, me ndërmjetësimin e gjermanëve, u arrit paqja dhe treva në jug të lumit Cerajë është përdorur si tampon zonë midis ndikimit serb dhe shqiptar. Forcat e përziera boshnjake e shqiptare, të udhëhequr nga Shaban Polluzha, dogjën në fund të shtatorit një numër i madh të fshatrave në Kolashinin e Ibrit, pas kësaj ngjarjeje komanda gjermane në Mitrovicë këtë trevë e ka konsideruar si trevë të „shpopulluar“ [1]. Por, autori Nexhmedin Spahiu, ka vlerësim krejt tjetër nga Zhivkoviq, “Nëse zhvishen nga rrenat e stërzmadhimet ngjarjet tjera nga historia e komunistëve, kjo ishte lufta me më së shumti luftëtarë pas kryengritjes së Hasan Prishtinës së vitit 1912 (30,000 luftëtarë). Por, nuk janë vetëm numrat që e tregojnë dimensionin e një lufte. Janë motivet në radhë të parë. Motivi i gjithë këtyre luftëtarëve vullnetarë ishte të shpëtonin popullsinë e pafajshme të Sanxhakut të Novi Pazarit nga gjenocidi. Pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve në atë kohë jetonte në një shtet tjetër (Drenica e Rugova ishin në Shqipëri, ndërsa Mitrovica, Shala e Bajgorës e Novi Pazari në Serbi). Ata nuk bënë sehir duke thënë se sa gjynah si po vrasin serbët gra e fëmijë në Sanxhakun e Novi Pazarit, po rrokën armët dhe harxhuan plumbat qe i blinin me para. Lufta e Koleshinit paraqet standardin më të lartë të patriotizmit në historinë shqiptare. Nuk kishte qeveri apo agjenturë që qëndronte pas tyre. Ishte thjeshtë organizim dhe sakrificë e ndërgjegjes. Ishte solidarizim me tjetrin, me të pafajshmin. Ky është kulmi i ndërgjegjes së një populli” .[2]

Për shkak të përhapjes së kryengritjes në Serbi, komanda gjermane vendosi për t'i mbrojtur vetëm pikat strategjike të rëndësishme, dhe kështu, më 4 tetor tërhoqi forcat e saj nga Pazari i Ri në Mitrovicë. Në Pazarin e Ri themelohet komitet për mbrojtjen e qytetit në ballë të të cilit vjen Aqif Blyta, njeriu më me ndikim në mesin e myslimanëve të rajonit. Për të mbrojtur qytetin nga sulmet e mundshme të njësive çetnike, Blyta dërgon një thirrje për ndihmë në Mitrovicë, rrethin e Shtavicës dhe Beranës. Për të parandaluar serbët e Pazarit të Ri për të mbështetur çetnikët për ndonjë sulm të mundshëm, por edhe për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve, më 5 tetor merret vendimi për të ndalimin e daljes së serbëve jashtë qytetit. Ky vendim mbeti në fuqi deri më 7 dhjetor kur gjermanët u kthyen në Pazar të Ri .[3]

Në periudhën nga 4 tetori deri 7 dhjetor 1941, formacionet çetnike sulmuan tri herë Pazarin e Ri në përpjekje për ta marrë atë dhe për të masakruar popullsinë myslimane. Forcat gjermane më 2 tetor u larguan nga Novi Pazari dhe shkuan në drejtim të Mitrovicës, nga frika e ndërprerjes së lidhjes me qendrat më të mëdha ushtarake në rast se forcat partizane zënë plotësisht luginën e Ibrit. Më 4 tetor qytetin e lëshoi personeli i Ortskomandës kryesuar nga komandanti gjerman. Gjermanëve u ishte e qartë se kjo do të ishte rast i mirë për konflikt në mes grupeve etnike të Sanxhakut.[4]

Myslimanët e Pazarit të Ri menjëherë formuan Komitetin për mbrojtjen e qytetit, i cili tashmë më 4 tetor mbajti sesionin e parë. Myslimanëve iu ndanë 150 pushkë të vjetra me municion nga depoja e xhandarmërisë lokale dhe organizuan roje të përhershme rreth qytetit. Qyteti ishte i bllokuar. Iu dërgua ftesë gjithë popullatës myslimane për të blerë urgjentisht armë për vetëmbrojtje nga sulmet e pritshme çetnike. U caktuan tri delegacione, të cilat duhet të bënin thirrje për ndihmë nga shqiptarët dhe boshnjakët e Kosovës dhe rrethet fqinje .[5] Delegacionin, i cili u nis të kërkojë ndihmë nga kosovarët, e përbënin pazarasit eminentë, si: Hanefija Lajiq, Hazir agë Kërlesh dhe Fehim agë Hoçanin .[6]

Gjatë muajit tetor dhe nëntor të viti 1941, Pazari i Ri dhe rrethina e tij u shndërrua në trevë konfliktesh të përgjakura në mes popullsisë lokale, së cilës i erdhi në ndihmë një formacion ushtarak prej 3.200 shqiptarëve nga Kosova dhe rreth 1.800 të tjerë boshnjakë e shqiptarë të Bishevës dhe Peshterit, dhe njësive çetnike, të cilat kanë rrethuar qytetin në formë të gjysëm rrethit nga Rogozna në lindje deri në Shtitare, nëpër Cokovicë, Pillaretë dhe Dezhevë. Gjatë këtyre dy muajve çetnikët organizuan tre sulme ndaj Pazarit të Ri, ndërsa pazarasit me ndihmën e aleatëve të posaardhur një kundërsulm ndaj Rashkës. Të gjithë tentimet për t’u ruajtur qetësia, dështuan njëra pas tjetrës. Të gjitha takimet e bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe myslimanë u shpartalluan të pasuksesshme. Posaçërisht ishin të rëndësishme bisedimet në mes përfaqësuesve të atëhershme të rrethit të Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe përfaqësuesve të çetnikëve nga Rashka. Çetnikët kërkuan t’u jepet stacioni i xhandarmërisë në Pillaretë; që shqiptarët e Kosovës të kthehen në Kosovë në afat prej tetë ditësh; që serbëve nga Pazari pa asnjë pengese t’u mundësohet të dalin nga qyteti sa here që duan. Aqif Blyta kërkoi që xhandarmërisë së rrethit të Dezhevës t’i jepet stacioni në Rajetiq; mandej ai ta mbajë edhe më tutje stacionin e xhandarmërisë në Pillaretë; që çetnikët të tërhiqen nga ato komuna të Rrethit të Dezhevës në të cilat çetnikët mbajnë pushtetin dhe mos t’u pengojnë në ushtrimin e pushtetit; që myslimanëve t'u garantohet jeta dhe ekzistenca etj. [7] Ndërkohë, kanë arritur përforcime nga shqiptarët e Kosovës në Pazar të Ri. Grupi i parë erdhi më 7 tetor, të cilit i është bërë pritje madhështore. Në krye të grupit ishte prijësi Shaban Polluzha. Në fjalimin e tij, Blyta i lavdëroi për suksesin e arritur në luftë me njësitë çetnike në Kolashinin e Ibrit. Konsiderohet se në muajin tetor pazarasve u erdhën në ndihmë 500 shqiptarë të armatosur. Gjatë muajit tetor çetnikët dogjën fshatrat boshnjake, si: Tërnavën, Brxhanin, Banjën, Polokcin Jançën, Muhovën, Grabin, Bijele Vode dhe Çebincin. Djegia e fshatrave ka qenë e përcjellë me plaçkitje të pasurisë, sidomos të drithërave dhe bagëtisë .[8] Gjatë këtyre ditëve në Pazar të Ri kishte ardhur si përfaqësues i partizanëve Zenun Haskoviq. Ai zhvilloi bisedime me Aqi Blytën, duke ia paraqitur propozimet e partizanëve, të cilat kishin këtë përbmbajtje: 1. boshnjakët të pajtohen me serbët dhe të ndërpritet lufta ndërmjet tyre në rrethin e Dezhevës, 2. të vendoset komunikacioni i lirë ndërmjet Pazarit të Ri dhe Mitrovicës; 3. që boshnjakët t’i lejojnë partizanët të hyjnë në Pazar të Ri etj. Aqif Blyta iu përgjigj Zenunit, se ata kanë provuar të bisedojnë me serbët dhe se edhe më tutje do të bisedojnë dhe se komunikacionin e lirë nuk e pengojnë ata, por çetnikët. Përveç kësaj, pushteti lokal në rrethin e Dezhevës askujt nuk do t’i lejojnë të hyjnë në Novi Pazar .[9]

Më 3 nëntor çetnikët dogjën fshatrat Pope, Xhonlije, Okosë, Pozhegë të Poshtme dhe të Epërme, Ivançën, Rajçinoviqin, duke vranë banorët, të cilët arritën t’i kapin. Aqif Blyta, përsëri më 2 nëntor i ftoi në prefekturë një numër të caktuar qytetarësh me autoritet nga Pazari i Ridhe iu propozoi që të dërgohet një delegacion për të kontaktuar dhe për t’i vazhduar bisedimet. Në formë të shkruar komandës çetnike iu është dorëzuar propozim marrëveshja për vendosjen e vijës së demarkacionit, e cila përkufizohej: Xhurxhevi Stupovi – Kosuriqë – Lilac – Svilanovo – Novopazarskabanja – Brxhanë – Çesmali - Vojkoviqe dhe secila palë të obligohet që në territorin e vet të sigurojë rendin dhe qetësinë; të arrihet marrëveshja për të mos e sulmuar asnjëra palë tjetrën.[10]

Komandanti çetnik, Radomir Cvetiq, iu përgjigj me ultimatum propozimit të Aqif Blytës se, për t’u vendosur paqja dhe rendi dhe për të mos sulmuar, duhet që menjëherë ai dhe njerëzit e tij ta dorëzojnë Pazarin e Ri. Atëherë Aqifi bëri çka i kishte mbetur për të bërë, ndërmori masat për mbrojtjen e qytetit .[11]

Sulmi i parë çetnik në Pazarin e Ri ndodhi më 4 nëntor 1941. Qëllimi i sulmit ishte, jo vetëm të merret nën kontroll qyteti, por të bëhet likuidimi i plotë i popullatës myslimane në te dhe rrethinë. Sulmi zgjati nga ora 4h deri në ora 10h, mirëpo përfundoi pa sukses. Deri në ora 7 çetnikët kishin përparuar dhe iu kishin ofruar qytetit. Mirko Qukoviq, lidhur me këtë përpjekje të çetnikëve, shkruan: „Biko Dresheviq, mulla Jakub Kardoviq dhe Xhemail Koniçanin iu kanë kaluar nga mbrapa dhe anash, që kishte shkaktuar ngatërrim dhe tërheqje nga pozicionet e marra. Për shkak se sulmi është thyer nga kjo anë, mbrojtësit kaluan në linjën Petrovacrkva – Xhurxhevi Stupovi – Pariçkobrdo - Vidovo dhe i sprapsën sulmuesit përgjatë tërë linjës’’.[12] Numri i të vrarëve dhe të plagosurve në radhët e çetnikëve arriti në rreth 140, ndërsa në radhët e boshnjakëve dhe shqiptarëve rreth 120. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve në këtë ditë ka qenë shumë më i madh, kur shtohen edhe viktimat nga viset rurale.[13]

Aqifi, në seancën e Këshillit për mbrojtjen e qytetit, të pranishmëve uroi fitoren dhe përsëri i dërgoi përfaqësuesit në rrethen fqinje dhe komuna për të kërkuar ndihmë në njerëz, armë dhe municion. Në këto luftëra posaçërisht ka pësuar fshati Pozhegë, ku vetëm në shtëpinë e Bahtijar Dolancit, i cili kishte strehuar dhe mbronte tri familje serbe dhe tri boshnjakë, janë therur 13 persona, gra e fëmijë, edhe pse anëtarët e familjes Bahtjari i kishte mbrojtur dhe strehuar iu ishin lutur dhe i kishin mallkuar që të mos bëjnë një gjë të tillë.[14]

Në Pazar të Ri arritën përforcime të reja, posaçërisht nga Kosova. Rreth 10 nëntorit në Novi Pazar kanë qenë mbi 3.150 njerëz të armatosur. Me forcat shqiptare kanë komanduar 12 bajraktarë të dalluar shqiptarë. Nga krejt kjo, Aqifi mori guximin dhe vendosi me veprime luftarake të kalojë në territorin e armikut, gjegjësisht ta sulmojë Rashkën, ku strehoheshin çetnikët dhe e mbanin si çerdhe të tyre. Sulmi i forcave shqiptaro-boshnjake, gjithashtu ishte i pa suksesshëm. Sulmi filloi më 16 nëntor në ora 10h, ndërsa beteja vendimtare u zhvillua më 17 nëntor 1941, në ora 4,00 në Bisinën e Madhe dhe të Vogël, dhe në luginën e lumit Ibër. Sulmi ka zgjat 6 orë dhe ka përfunduar me tërheqjen e forcave shqiptaro-boshnjake. Nga të dy palën kanë humbur jetën 200 luftëtarë.[15]

Lufta e forcave vullnetare shqiptare nën komendën e Shaban Polluzhës, Bislim Bajgorës, Pajazit Boletinit etj., kishin arritë deri në pjesët më veriore të territorit të Sanxhakut të banuar me shqiptarë e boshnjakë. Shqiptarët trima, me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullësi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm,

Komandanti i tyre legjendar, Shaban Polluzha, iu thotë: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë; jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision, i cili në plan të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkojë mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.[16]

Babai i Faruk Spahiut (kryetarit të Mitrovicës ne vitet 2000-2005), Ibrahim Spahiu i ka pohuar gazetarit Muhamet Mjeku se luftëtarëve në Duga Polanë iu është drejtuar edhe babai i tij, Ilaz Spahiu - hoxha i Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se “misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. U priftë e mbara!” Një krah i forcave vullnetare erdhi nga Peja, Rugova, në mesin e shumë burrave nga kjo anë ishte Mulla Zekë Bërdyna. Për mbrojtjen e Pazarit u zhvilluan shumë beteja. Mulla Zeka u shqua në mesin e vullnetarëve si një burrë trim, i dashur, i mençur që dinte t’i motivonte gjithnjë luftëtarët në momentet e vështira duke iu përkujtuar se për kombin duhet të luftohet sepse këtë e thotë edhe Zoti.[17] Sipas pazarakëve, një nga njësitë vullnetare që bërë luftë të pa kompromis, që u dallua për trimëri e strategji luftarake, ishte ajo e hoxhës së urtë e trim, Mulla Zekë Bërdynaj nga Radavci, i cili udhëhiqte 400-500 vullnetarë.[18]

Sulmi i dytë çetnik ka ndodhur më 21 nëntor 1941, dukshëm me forca më të mëdha. Janë djegur të gjitha fshatrat myslimane nga Pozhega deri në do Vuçeniq. Megjithatë, qyteti përsëri është mbrojtur me sukses. Bilanci i viktimave ka qenë: 42 çetnikë të vrarë, 26 mbrojtës të vdekur, të plagosur 45 njerëz. Çetnikët vranë 20 njerëz të pafuqishëm, gra dhe fëmijë.[19] Për shkak të shkatërrimit në rrethin e Desheves, mungesa e ushqimit ishte në rritje. Të korrat nuk u mblodhën, as toka nuk u punua. Refugjatët e krishterë dhe myslimanë arritën të merrnin pak me vete dhe në Rashki dhe Novi Pazar, pjesa më e madhe e ushqimit shkoi për të mbështetur trupat e garnizonit. Për shkak të kësaj, gratë refugjate herë pas here kthehen në zonat e djegura të pronës për të mbledhur atë që ka mbetur nga ushqimi. Sipas Zhivkoviqit, qeveria shqiptare nga Novi Pazari i sulmon rregullisht, gjë që çon në grupe të reja të armatosura, dhe kështu në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit u vranë disa serbë. Përveç kësaj, pati disa arrestime she amltretime.

Ndërkohë rreth Novi Pazarit u përhapën thashetheme se serbët po përgatisnin një aksion të ri, i cili shkaktoi një valë të re paniku te myslimanët vendas. Ai lajm shkaktoi edhe “klithmë” nga jeta serbe. Në emër të rreth 2500 prej tyre nga komunat Novi Pazar, Vojkovaçka dhe Spoçanska, fshatrat e të cilëve ende nuk ishin fortifikuar, iu dërgua një apel komandës dhe task-forcave çetnike. U kërkua ndërprerja e menjëhershme e veprimeve të mëtejshme ushtarake ndaj qytetit. Të 227 nënshkruesit iu drejtuan Dukës Gjuroviqit me fjalët: “Për të parandaluar vuajtjet dhe vuajtjet e mëtejshme të serbëve të këtij rajoni, ju kërkojmë të ndaloni çdo luftë të mëtejshme me mbrojtësit e Novi Pazarit dhe ta zëvendësoni atë me bisedime paqësore”. Edhe më herët kanë dërguar kërkesa që problemet me partizanët dhe autoritetet shqiptare nga Novi Pazari t'i zgjidhin në mënyrë paqësore dhe jo me armë”.[20]

Sulmi i tretë çetnik ka qenë më specifik. Me fjalë të tjera, çetnikët u shërbyen me mashtrim duke i njoftuar gjermanët se Pazarin e Ri, kinse e kishin në dorë partizanët-komunistët. Gjermanët u nisën më 4 dhjetor 1941, diku rreth orës 9,00 për ta sulmuar qytetin bashkë me çetnikët. Por, ndërkohë kanë kuptuar se janë të mashtruar dhe janë kthyer në Rashkë. Së bashku me ta janë kthyer edhe njësitë çetnike.[21]

Më 7 dhejtor të vitit 1941, kur gjermanët u kthyen në qytet, u pritën me entuziazëm nga serbët dhe boshnjakët. Ky fakt ilustron situatën specifike dhe të komplikuar. Kthimi i tyre shënoi edhe fundin e konflikteve të përgjakshme vëllavrasëse bilanci i të cilit ishte me humbje të mëdha[22]

Autori i mërënjohur Zivkoviq beson se duhet t'i kushtohet vëmendje të dhënave të mbledhura nga Miodrag Radović, një studiues kryesor në fushën e vuajtjeve njerëzore dhe materiale në rrethin Dezhevës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, Radoviq beson u dogjën 2106 shtëpish të krishtera dhe 776 myslimane. Dhe se nga mesi i korrikut 1941 deri në fund të dhjetorit 1941 humbën jetën gjithsej 756 boshnjakë, serbë dhe shqiptarë, nga të cilët 482 në beteja dhe sulme dhe 274 si viktima të terrorit që tërbonte nga të dyja anët. Numri i boshnjakëve dhe shqiptarëve të vrarë në luftime arrin në 50% të numrit të përgjithshëm të të vrarëve në luftime, ndërsa numri i myslimanëve të vrarë nga terrori është një e treta e totalit të vrarë nga terrori. Janë djegur gjithsej 2792 shtëpi, prej të cilave 2016 serbe dhe 776 myslimane. Më së shumti kanë pësuar territoret e komunave të paraluftës: Pozhega, Tërnava, Rajetiqi, Dezheva, Postijenje, Bijela Voda dhe Nikolaça.[23]

Edhe në momentet e rreziqeve më të mëdha erdhi në shprehje merhameti boshnjak. Në qytet nuk ka pasur asnjë familje serbe, e cila nuk e ka pasur ndonjë kujdestar për sigurinë e tyre dhe rojtarë. Nganjëherë në këtë detyrë humanitare ishin të angazhuara familje të tëra. Këshilli për mbrojtjen e qytetit në krye me Aqif Blytën, mori vendim që 420 serbë të qytetit të vendosen - strehohen në ndërtesën e burgut të qarkut të Pazarit të Ri dhe në këtë mënyrë të jenë të mbrojtur dhe jeta e tyre të jetë e sigurt. Posaçërisht për realizimin u dallua Milicia Myslimane në krye me komandantin Mulla Jakub Kardoviq nga Bisheva, i cili i erdhi në ndihmë kryeqytetit të Sanxhakut me qindra bashkëluftëtar të armatosur nga Bisheva. Ky aksion është realizuar më 6 dhe 7 nëntor dhe ka zgjatur deri më 7 dhjetor 1941.[24]

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faq 171.
  2. ^ Spahiu,N. (2017). "Ngritja e Kombit Kosovar", Prishtinë, 2017.(Mbrojta e Novi Pazarit dhe standardet e patriotizmit)
  3. ^ Spahiu,N. (2017), po aty.
  4. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faqe173
  5. ^ Grup autoresh, (1969). (Mija Radović), Novi Pazar i okolina,1969, str. 326-327
  6. ^ Crnovšanin, H., Sadiković, N, (1996). fq. 100.
  7. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faqe 174.
  8. ^ Ćuković, M. (1964). “ Sandžak u NOR-u”Beograd:Nolita — Prosveta. fq. 170-
  9. ^ Ćuković, M.(1964).po aty. 170
  10. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faqe176.
  11. ^ Ćuković, M. (1964), po aty. fq. 172-173
  12. ^ Ćuković, M. (1964), po aty fq. 173
  13. ^ Ćuković, M. (1964), po aty.
  14. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faqe178
  15. ^ Ćuković,M.(1964). po aty fq.175
  16. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faq 180.
  17. ^ Demaj, F. (2016) Mulla Zekë Bërdynaj, intelektual, atdhetar e prijës fetar, Instituti i historisë, " Ali Hadri" Prishtinë, 2016, faqe 144.
  18. ^ Demaj, F. (2016) citon po aty faqe 145, autorin Alija Matović, Rozaje i okolina, ludi i dogadjaji (1912-1945), Rozhajë, 2009, f. 112.
  19. ^ Ćuković, M. (1964). po aty.
  20. ^ AZIZI,Ismet (2022) Aćif ef. Hadžiahmetović-Bljuta: Velikan Sandžaka, Fondacia "Memorijalni centar Handžet", Novi Pazar, 2022. faqe 267.ISBN 978-86-904604-0-3.
  21. ^ Grup autorësh, (Mijo Radović), Novi Pazar i okolina,1969, str. 328
  22. ^ Grup autorësh, (Mijo Radović), Novi Pazar i okolina,1969, 329
  23. ^ AZIZI,Ismet (2022) Aćif ef. Hadžiahmetović-Bljuta: Velikan Sandžaka, Fondacia "Memorijalni centar Handžet", Novi Pazar, 2022. faqe 271.ISBN 978-86-904604-0-3.
  24. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faqe184

lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]