Dhimitër Popa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Dhimitër Popa, diplomat i karrierës dhe shtetar shqiptar lindi në Durrës në vitin 1890. Studioi Jurisprudencë pranë Universitetit të Napolit e më pas Fakultetin Juridik në Athinë. Me krijimin e Legatës tonë në Athinë, Dhimitër Popa u dekretua Sekretar I i asaj legate e shpeshherë kreu edhe detyrën e të ngarkuarit me punë. Ai shërbeu në Athinë deri në vitin 1925 e më pas u kthye në Ministrinë e Punëve të Jashtme si funksionar i rëndësishëm. Pati funksionin e Drejtorit të Seksionit Politik dhe më pas të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme. Në mars të vitit 1932 u dekretua si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Sofje, ku shërbeu deri në fund të vitit 1933. U kthye në atdhe dhe qëndroi në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga marsi 1937 deri në pushtimin e vendit shërbeu si sekretar i Oborrit Mbretëror me trajtimin financiar e Ministrit Fuqiplotë të Klasit të Parë. Qeveria italiane e dekoroi Popën me medaljen e “Kordonit të Madh të Kurorës Italiane”. Dhimitër Popa së bashku me Petraq Pepon kanë qenë pjesëtarë të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris që kryesohej nga Enver Hoxha në vitin 1946. Ai punoi në MPJ deri në shkurtin e vitit 1951.