Dinastia Çin

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dinastia Çin, e para dinasti feudale në Kinë.

Pasi kaluan më se 2000 vjet të shoqërisë skllavopronare, në vitin 221 para erës së re lindi dinastia Çin, e cila ishte e para dinasti feudale me pushtet të centralizuar qendror në historinë kineze. Themelimi i dinastisë Çin pati rëndësi shumë të madhe në historinë kineze.

Periudha nga viti 475 para erës së re deri në vitin 222 para erës së re u quajt në historiografi si “periudha e Shteteve Ndërluftuese”, gjatë së cilës shumë shtete të vogla të pavarura u aneksuan nga të tjerat dhe mbetën vetëm disa. Ndër to, shtetet Çin, Çi, Çu, Vei, Yan, Han dhe Zhao ishin relativisht të mëdha dhe u quajtën “7 fuqitë ndër Shtetet Ndërluftuese”. Dhe ndër ata “7 fuqitë”, shteti Çin në Kinën Veriperëndimore rriti shpejt fuqinë e tij shtetërore për arsye se kishte realizuar më herët reformën në fushën ushtarake dhe bujqësore.

Në vitin 247 para erës së re, Ying Zheng 13 vjeçar trashëgoi fronin të shtetit Çin. Me të filluar të ushtronte realisht pushtetin personalisht në moshën 22 vjeçare, ai nisi të zbatonte strategjinë e tij ambicioze për aneksimin e 6 fuqive të tjera dhe për bashkimin kombëtar. Ai rekrutoi gjerësisht njerëz të talentuar dhe i ngarkoi ata me detyra të rëndësishme. Për shembull, detyrën për hapjen e një kanali ujitës ai ia dha inxhinierit Zheng Guo, i cili ishte dërguar nga shteti Han si agjent për spiunazh në shtetin Çin. Por kanali u inaugurua brenda afatit dhe mori emrin “Kanali Zheng Guo”. Në sajë të inaugurimit të asaj vepre të madhe hidraulike, 40 mijë hektarë toka të kripura të shtetit Çin u shndërruan në toka pjellore me prodhim të sigurt edhe në vitet me thatësirë ose me lagështirë të tepërt, gjë e cila krijoi për shtetin Çin kushtet e nevojshme materiale për ta bërë realitet bashkimin e Kinës.

Brenda 9 vjetëve, nga viti 230 para erës së re deri në vitin 221 para erës së re, Ying Zheng zhduku njëri pas tjetrit 6 fuqitë e tjera: shtetet Han, Zhao, Vei, Yan, Çu dhe Çi, duke i dhënë fund gjendjes së ndarjes në historinë kineze dhe duke kryer kauzën e tij të madhe për bashkimin e Kinës. Ying Zheng krijoi dinastinë Çin me pushtet të unifikuar, autokratik dhe të centralizuar qendror dhe ai vetë u bë perandori i parë në historinë kineze. Në histori, ai u quajt “Shi Huangdi”, që do të thotë “perandori i parë”.

Me bashkimin e Kinës, perandori Çin Shi Huang dha kontribut shumë të rëndësishëm në historinë kineze. Në fushën politike, ai anuloi sistemin e ndarjes së vendit në principata dhe zbatoi sistemin e ndarjes në qarqe dhe distrikte, duke e ndarë gjithë vendin në 36 qarqe administrative, dhe secili prej qarqeve kishte disa distrikte; zyrtarët dhe funksionarët e organeve qendrore dhe lokale zgjidheshin, emëroheshin ose hiqeshin personalisht nga perandori dhe jo me të drejtën e trashëgimit. Sistemi i ndarjes në qarqe dhe distrikte, i krijuar nga dinastia Çin, u bë sistem i përcaktuar në historinë mbi 2000 vjeçare të shoqërisë feudale kineze, bile deri më sot shumë distrikte në Kinë ruajnë emrat që ua vuri dinastia Çin para më se 2000 vjetëve. Një kontribut tjetër i rëndësishëm, që dha dinastia Çin pas bashkimit të Kinës, është unifikimi i shkronjave kineze.

Në periudhat para dinastisë Çin, secili shtet në tokat kineze kishte shkronjat e veta, gjë që kishte penguar shkëmbimet kulturore, megjithëse ato shkronja kishin pasur të njëjtin burim dhe ishin të përafërta. Pas bashkimit të Kinës, hieroglifët e kaligrafisë së stilit të ish-shtetit Çin u përcaktuan si shkronjat e standardizuara kineze që janë të përdorshme në mbarë vendin. Që nga ajo kohë, evolucioni i hieroglifëve kinezë filloi të bëhet sipas normave të përcaktuara, gjë që pati rëndësi të pallogaritshme për shënimin e historisë kineze dhe për trashëgimin e kulturës kineze.

Në kohën e dinastisë Çin, u unifikuan edhe njësitë e matjes, vëllimit dhe peshës, sepse në periudhat e mëparshme, ato njësi në shtetet e ndryshme nuk kishin qenë njësoj dhe kjo gjë pengoi zhvillimin e ekonomisë. Në përputhje me kërkesat e reja, perandori Çin Shi Huang unifikoi edhe monedhat dhe ligjet, gjë që krijoi kushte për zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcoi mjaft pozitën e pushtetit qendror.

Për të forcuar sundimin autokratik në fushën ideologjike, në vitin 213 para erës së re, perandori Çin Shi Huang dha urdhrin që të digjeshin veprat klasike konfuciste dhe librat historiografikë të ish-shteteve të tjera, përveç librave me titull “Historia e Çinit”, bile të varroseshin gjallë ata persona që i ruanin dhe i përhapnin ato vepra klasike.

Për mbrojtjen nga trazirat e pakicave kombëtare në veri, perandori Çin Shi Huang dha urdhrin që të riparoheshin muret mbrojtëse të ndërtuara nga ish-shtetet Çin, Zhao dhe Yan, dhe të lidheshin ato në një të tërë, dhe kështu u formua Muri i Madh Kinez 5000 kilometra i gjatë, që fillon në perëndim nga shkretëtira dhe mbaron në lindje në bregdet.

Perandori Çin Shi Huang bëri ndërtime në përmasa të mëdha. Ai rekrutoi më se 700 mijë punëtorë nga fshati dhe shpenzoi një sasi të madhe parash për ndërtimin e varrezës së tij në Lishan. Sot varreza e perandorit Çin Shi Huang dhe terakotat e ushtarëve dhe kuajve pranë varrezës janë bërë trashëgimi kulturore botërore.

Duke bashkuar vendin, perandori Çin Shi Huang i dha fund gjendjes së ndarjes, themeloi një perandori të madhe dhe të fuqishme feudale shumëkombëshe me popullin e fushave qendrore si forcë kryesore dhe hapi një faqe të re të historisë kineze.