Shko te përmbajtja

Ekrem Rexha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ekrem Rexha
Nofka"Komandant Drini"
Lindi14 Gusht 1961
Vdiq8 Maj 2000
Përkatësia
Vitet e shërbimit1998 – 2000
GradaKomandant
NjësiaBrigada 121 "Ismet Jashari" (Pashtrik, Kosovë)
KomandatZona Operative e Pashtrikut, Kosovë
Betejat / luftëratLufta e Kosovës
MirënjohjeUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Ekrem Rexha (14 Gusht 19618 Maj 2000) i njohur si Komandant Drini, ishte një komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe figurë politike. Gjatë Luftës së Kosovës, ai ishte komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe në atë kohë mori pjesë në Betejën e Pashtrikut. Lindi më 14 gusht 1961 në fshatin LubizhdëKomunës së Prizrenit dhe u vra në rrethana të dyshimta më 8 maj të vitit 2000 afër shtëpisë së tij në Lubizhdë. Pas vdekjes, ai u shpall Hero i Kosovës.

Ekrem Rexha u lind më 14 gusht 1961 në fshatin LubizhdëKomunës së Prizrenit, në Kosovë. Prindërit e tij ishin të dhënë pas zejes së uniformave, prandaj në këtë familje u shkolluan pothuajse të gjithë në këtë drejtim. Por Ekremi ishte më i dalluari nga ata. Shkollën fillore e kreu në Prizren e më pastaj i kreu të gjitha shkollat ushtarake dhe shkollën e lartë të shkencave për politikë ndërkombëtare. Për shkak të konflikteve dhe krizës së njohur, ai në fillim të viteve 1990 u demobilizua nga ish-Armata Popullore Jugosllave. Që pas krismave të para për liri, Ekremi u angazhua në radhët e UÇK-së së pari si epror në Vërri të Prizrenit e më vonë si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, zonës më të madhe në Kosovë. 

Gjatë kësaj kohe ishte ndër komandantët më të rrallë të karrierës, që kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe stabilitetin e një eprori të matur, të urtë dhe dinamik në ide dhe përpilime planesh luftarake. Në Prizren e quajnë ndryshe çlirues, sepse ai në bashkëpunim me komandantin e parë të Brigadës së KFOR-it Gjerman të Jugut, gjeneralin Fritz Fon Korff, arriti që qyteti buzë Lumëbardhit të jetë qytet i lirisë. Fliste 7 gjuhë botërore, e më së miri komunikonte në gjuhën angleze. 

Lufta e Kosovës 

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekrem Rexha-Drini, duke ndjerë thirrjen e atdheut dhe duke parë zhvillimet e fillimvitit 1998, në shkurt mësynë Sarajevën për të rënë në kontakt me oficerë të tjerë shqiptarë dhe për ta kordinuar organizimin e luftës çlirimtare. Pas arrestimit të tij në Zvornik, me preteks të armëmbajtjes pa leje, ai dënohet nga Gjykata e Uzhicës me dy vjet burg, por me të drejtë mbrojtjeje në liri. Kështu, Drini duke e dashur atdheun më shumë se jetën, kthehet në Prizren dhe vëhet në shërbim të çlirimit të atdheut. Ai nuk ka pritur urdhëra qeverish për t'u vënë në shërbim të luftës çlirimtare! Ndoshta, është kjo njëra nga simptomet që më së tepërmi i ka penguar qarqe të njohura, që luftën e UÇK-së e dëshiruan të quhet "dorë e zgjatur e Serbisë dhe luftë e disa grupeve, barinjsh e të pashkollësh!"

Fillimisht, pasi bie në kontakt me Njësitin e Kabashit, kyçet në radhët e UÇK-së në fillimmajin e vitit 1998. Ishin ngjarjet e Likoshanit e Epopeja e Jasharajve, që Drinin e sinjalizoi për domosdoshmërinë e angazhimit dhe kontributit të tij. Ai më shumë e donte lirinë e Kosovës, se "mrizet" e perëndimit, këtë e dëshmoi me punën e tij të madhe, deri në vdekje. Në qershor, emërohet Komandant në Shtabin e Vërrinit dhe arrinë të tubojë rreth vetit shumë atdhetarë. Ai ishte përherë i respektuar dhe i dashur për bashkëluftëtarët e tij. Duke parë nevojën e madhe të furnizimit të formacioneve të UÇK-së me armatim, ai me një kontigjent luftëtarësh shkon në Shqipëri, më 7 shtator 1998. Edhe atje nuk qëndron duarkryq. Atje angazhohet në stërvitjen e luftëtarëve të rinj, të cilët këtu kishin ardhur për t'u armatosur, e për të kapërcyer Bjeshkët e Nemuna dhe për t'ju bashkangjitur luftës çlirimtare.

Më 14 dhjetor 1998, Ekrem Rexha nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë qëndrimit të tij në fshatrat e komunës së Therandës dhe drejtimit të luftës nga ana e tij, atje ai kishte krijuar raporte të shëndosha në mes popullates dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe kështu ai kishte admirimin e gjithë banorëve dhe luftëtarëve të kësaj ane, që edhe sot atje kujtohet me pijetet. Drini ia rriti admirimin edhe UÇK-së me sjelljet e veta.

Duke parë nevojën e përgatitjes së stafit komandues, për të gjitha zonat e luftës dhe duke parë përgatitjen e shkëlqyeshme në lëminë e artit ushtarak, komandant Drini, me urdhërin e SHP të UÇK-së, emërohet Drejtor i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së. Në këtë dëtyrë të lartë pranë SHP të UÇK-së ka qëndruar deri në përfundimin e luftës, kur ai duket se nuk ishte i kënaqur me kushtet e marrëveshjes për transformimin e UÇK-së dhe kishte vendosur që t'i kthehet jetës civile.[1]

Karriera Politike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas luftës, Ekrem Rexha kaloi në një rol civil si drejtor i mjedisit dhe sigurisë për Komunën e Prizrenit me diplomë në Shkenca Politike, edhe pse shprehu pakënaqësi me marrëveshjen e pasluftës që përcaktonte transformimin e UÇK-së në një entitet civil.

Midis KFOR-it dhe UNMIK-ut, Ekrem Rexha konsiderohej si partneri më i rëndësishëm në Rajonin e Prizrenit dhe komandanti më bashkëpunues i UÇK-së, për shkak të pikëpamjeve të tij të moderuara politike. Gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe fakti që Ekrem Rexha punoi për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve, e bënë atë një shënjestër urrejtjeje për shumë nga ish-shokët e tij të luftës. Pavarësisht rënies së popullaritetit të tij midis shqiptarëve, Ekrem Rexha kishte shanset më të mëdha për të fituar zgjedhjet e ardhshme për kryetar komune në Prizren.

Ai ishte një i moderuar i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ishte kundër Hashim Thaçit. Kjo i bëri disa të supozonin se Thaçi ishte pas "vrasjes politike". Disa muaj pas vdekjes së tij, u mbajtën zgjedhjet lokale të vitit 2000 në Kosovë dhe gjatë fushatave një zyrtar i OKB-së deklaroi se nëse Ekrem Rexha do të ishte gjallë dhe do të kandidonte për kryetar komune, ai me siguri do të kishte fituar. Ai luajti gjithashtu një rol jetësor në themelimin e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së dhe filloi përgatitjet për studimet e doktoraturës në Kanadë.

Në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, Ekrem Rexha u qëllua dhe u vra para shtëpisë së tij në Prizren. Rreth orës 8:15 të mëngjesit, ndërsa Ekrem Rexha përgaditej të nisej për në punë dhe e pa njërën gomë të shfryrë në makinën e tij, një person i panjohur iu afrua dhe e qëlloi disa herë nga afër me një kallashnikov, duke e goditur tetë herë në trup dhe një herë në kokë pasi Ekrem Rexha u rrëzua në rrugë. Pas ekzekutimit, sipas policisë së Kombeve të Bashkuara, vrasësi u arratis nga vendi i ngjarjes me një makinë pa targa.

Vdekja e tij dhe vrasjet serike që pasuan dhe vdekjet e dyshimta të ish-figurave kyçe të UÇK-së, si Tahir Zemaj dhe Besim Mala në fillim të viteve 2000 pas Luftës së Kosovës, mbeten një enigmë e pazgjidhur në historinë e hershme të Kosovës nën Administratën Ndërkombëtare.

Për të sqaruar vrasjen e tij, nën drejtimin e Administratës Ndërkombëtare, u zhvilluan dy seanca gjyqësore në Prizren, por për shkak të mungesës së provave, të akuzuarit ish-anëtarë të UÇK-së dhe miq të "Drinit" u liruan.

Procesi për zgjidhjen e vrasjes u zhvendos më vonë në gjykatat më të larta në Prishtinë, ku në një proces tjetër, një ish-shok lufte, i quajtur Sali Veseli, i cili mbante gradën e Gjeneralit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, u akuzua për bashkëpunim në vrasje. Në shkallën e parë, gjykata në Prishtinë e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burg më 24 mars 2003. Më 27 shkurt 2004, Gjykata Supreme e Kosovës, e udhëhequr nga gjyqtarët e UNMIK-ut, në mungesë të provave, e liroi Sali Veselin nga të gjitha akuzat.

Vdekja e tij shkaktoi një pikëllim publik, ku mijëra njerëz dhe ish-bashkëluftëtarë të UÇK-së shprehën hidhërimin dhe zemërimin e tyre. Të gjitha bizneset në qytetin e tij të lindjes u mbyllën përkohësisht dhe gati 50,000,000 njerëz u mblodhën për të vajtuar vdekjen e tij. Funerali i tij u krye me nderime të larta ushtarake, siç ishte një përshëndetje me armë zjarri dhe një fjalim nga Komandanti i TMK-së Agim Çeku, i cili së bashku me komandantin tjetër të UÇK-së dhe mikun e ngushtë të Ekrem Rexhës, Ramush Haradinaj, nderuan kontributet e tij në Luftën e Kosovës.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributet e tij, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dha Ekrem Rexhës pas vdekjes titullin "Hero i Kosovës" dhe Medaljen Presidenciale Jubilare për Pavarësi. Çmimet iu dhanë gruas së tij Hajrijës, e cila ishte dëshmitare e vrasjes së burrit të saj dhe në atë kohë ishte shtatë muajshe shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë, dhe dy djemve të tij, Ekremit dhe Drinit, të cilët morën çmimet në emër të tij.

Në vitin 2018, Komuna e Prizrenit njoftoi planet për të ngritur një Kompleks Memorial kushtuar Ekrem Rexhës. Kompleksi do të vendoset përpara një shtëpie të quajtur “Shtëpia e Bardhë” dhe brenda një parku pranë hyrjes së saj.

Në vitin 2024, Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, e përshkroi Ekrem Rexhën si një patriot besnik të përkushtuar ndaj idealeve të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Vjosa Osmani gjithashtu pranoi se puna e Ekrem Rexhës ishte thelbësore në bërjen realitet të lirisë së Kosovës.

  1. Kush ishte Komandant DRINI Marrë 29 Tetor 2017