Eliza Manningham-Buller
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Elizabeth Lydia Manningham-Buller, lindur me datë 14 korrik 1948 është drejtoresha e përgjithshme e MI5, shërbimin anglez të sigurimit të brendshëm, e emëruar në këtë detyrë në tetor 2002.
Fëmijëria dhe shkolla
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ajo është vajza e dytë e Reginald Edward Manningham-Buller 1st Viscount Dilhorne (Viskonti i parë i Dilhornit). Reginald Edward Manningham-Buller e përfundoi karrierën e tij si Attorney General dhe Lord Chancellor. Elizabeth ndoqi mësimet në shkollat Northampton High School dhe më vonë Benenden School. (Benenden School është një shkollë private vetëm për vajza)
Pas përfundimit të shkollës së mesme ajo filloi të studionte gjuhë dhe letërsi angleze në Lady Margaret Hall, Oxford gjatë periudhës 1971-1974. Mendohet se MI5 i propozoi që gjatë viteve të shkollës që ajo të fillonte të punonte në shërbimin e sigurimit. Ajo e refuzoi këtë propozim dhe punoi për 3 vjet si mësuese e gjuhës angleze në Queen's Gate në Londër.
Karriera në MI5
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ajo avancoi shpejt në detyrë nga zbardhja e bisedave të përgjuara mes diplomatëve të vendeve të Traktatit të Varshavës tek puna e mirëfilltë e kundërspiunazhit. Në përfundim të Luftës së ftohtë ajo kryente detyrën e shefes së seksionit të kundërzbulimit për Bashkimin Sovjetik. Ajo ishte një nga 5 agjentët të cilët kishin dijeni mbi aktivitetin e Oleg Gordievskij si agjent i dyfishtë. Zyrtarisht Oleg Gordievskij punonte si zëvendësshef i KGB në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Londër. Gordievskij do të përmendte gjithmonë se aftësia e Manningham-Buller për të ruajtur sekretet i shpëtoi atij jetën. Më vonë u zbulua se 2 nga asistentët e Manningham-Buller, të cilët kishin dijeni mbi aktivitetin e Gordievkij punonin në të njëjtën zyrë me Michael Bettany, i cili për vite me radhë kishte punuar si agjent i dyfishtë për KGB. Kuptohet se çfarë fati do të kishte pasur Gordievskij në qoftë se Bettany do të kishte nuhatur diçka rreth Gordievskij.
Gradualisht, Eliza do të kalonte nga kundërspiunazhi në drejtimin e veprimtarisë së anti-terrorit. Ajo ishte një nga figurat kryesore në zbulimin e rrethanave rreth shpërthimit të Pan Am Flight 103 mbi Lockerbie nga agjentë libianë në vitin 1988.
Gjatë periudhës së Luftës së Parë të Gjirit ajo shërbeu si agjente ndërlidhjeje mes shërbimeve sekrete angleze dhe atyre amerikane e stacionuar në Washington, D.C.. Pas kësaj detyre ajo u kthye në Londër ku nga viti 1992 mori përsipër drejtimin e seksionit të kundër-terrorizmit irlandez. Në këtë kohë përgjegjësia kryesore për anti-terrorizmin iu hoq Metropolitan Police dhe iu kalua MI5.
Më vonë ajo do të kryejë detyrën e anëtares së Bordit Drejtues të Shërbimit të Sigurimit dhe drejtore e survejimit dhe operacioneve teknike (përgjimet elektronike etj).
Ajo u emërua nëndrejtore e përgjithshme në vitin 1997 dhe në vitin 2002 ajo zëvendësoi në detyrë Sir Stephen Lander si drejtore e përgjithshme e MI5. Ajo është gruaja e dytë që drejton MI5. E para grua që drejtoi MI5 ishte Stella Rimington. Stella Rimington e përgëzoi atë pas emërimit dhe e vlerësoi si "shumë e zgjuar, me shumë eksperiencë dhe një njeri i këndshëm". Megjithatë nofka e saj që nga ditët e shkollës është "Bullying manner".
Në shtator 2005 ajo mbajti një fjalim në të cilin ajo shprehu nevojën për një debat mbi të drejtat dhe liritë civile në kohën e terrorizmit ekstrem duke sugjeruar se Britania e Madhe duhej të përcaktonte se cilat liri dhe të drejta janë të shenjta dhe të paprekshme dhe cilat mund të kufizohen në qoftë se shihet e domosdoshme.
Vëllai i saj është John Manningham-Buller, 2nd Viscount Dilhorne.
Martesa dhe jeta private
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Asaj i pëlqejnë fjalëkryqet dhe të gatuajë mish të pjekur të furrës çdo të dielë! Eliza Manningham-Buller është e martuar me David, mbiemri i të cilit nuk është bërë asnjëherë i njohur. Ata nuk kanë fëmijë nga martesa e tyre, por David ka 5 fëmijë nga një martesë e mëparshme. David thuhet se është djali i nënkoloneli në ushtrinë angleze dhe i cili ka dhënë leksione në filozofinë e moralit në St Andrews University, Edimburgh, Skoci. Thuhet se vitet e fundit ai punon si karpentier. Ai është irlandez katolik dhe thuhet se në rininë e tij ishte radikal i majtë. Sipas miqve të tyre ai nuk e dinte se çfarë detyre kryente gruaja e tij e ardhshme gjatë periudhës "së njohjes".