Fatehpur Sikri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fatehpur Sikri
Emri amëtar
Hindi: फ़तेहपुर सीकरी
Hyrja e Fatehpur Sikrit
Llojiqytezë
VendndodhjaDistrikti i Agras, Uttar Pradesh, Indi
Qyteti më i afërtAgra
Koordinatat27°05′28″N 77°39′40″E / 27.091°N 77.661°E / 27.091; 77.661
Themeluar më1569
ThemeluesAkbari

Fatehpur Sikri (Hindi: फ़तेहपुर सीकरी, është një qytet në Distriktin e Agras në Uttar Pradesh të Indisë. Qyteti u themelua në vitin 1569 nga perandori mogul Akbar dhe shërbeu si kryeqyteti i Perandorisë Mogule nga viti 1571 deri në vitin 1585, kur u braktis. Pas fitoreve të tij ushtarake mbi Chittor-in dhe Ranthamboren, Akbari vendosi ta zhvendoste kryeqytetin e tij nga Agra në vendndodhjen e re 37 km në drejtimin perëndim jug-perëndim mbi kreshtën Sikri, në nder të shenjtit sufi Salim Chishti. Këtu ai filloi ndërtimin e një qyteti të rrethuar me mure, që mori pesëmbëdhjetë vitet në vijim për tu planifikuar dhe ndërtuar, me një sërë pallatesh perandorakë, haremesh, oborreth, një xhami, lagje private dhe ndërtesa të tjera shërbimi. Ai e emërtoi atë Fatehabad, ku fjala perse me origjinë arabe fateh do të thotë "fitimtar". Më vonë u quajt Fatehpur Sikri. Në Fatehpur Sikri sipas legjendës lindën dhe oborrtarët e famshëm të Akbarit, nëntë xhevahiret ose Navaratnat. Fatehpur Sikri është një nga shembujt e ruajtur më mirë të Arkitekturës Mogule në Indi.

Sipas historianëve bashkëkohorë, Akbari pati një interes të madh në ndërtimin e Fatehpur Sikrit dhe me gjasa diktoi dhe stilin e tij arkitekturor. Duke u përpjekur të ripërtërinte shkëlqimin e oborrit persian të bërë të famshëm nga paraardhësi i tij, Timuri, Akbari e planifikoi kompleksin mbi parimet perse. Por u ndikua edhe nga stilet vendase nëpërmjet zbukurimeve tipike indiane. Gjetja e lehtë e gurit të kuq ranor në zonat e afërta të Fatehpur Sikrit bënë gjithashtu që të gjitha ndërtesat e tij të ndërtoheshin nga ky gur i kuq. Kompleksi perandorak i pallateve përbëhet nga një numër pavijonesh të pavarura të orgnizuara në formë gjeometrike mbi një terren të një niveli, një model i rrjedhur nga tendat e fushimit arabe dhe aziatiko-qendrore. Në tërësi, në këtë mënyrë monumentet në Fatehpur Sikri pasqyrojnë gjeniun e Akbarit në përshtatjen e ndikimeve të ndryshme rajonale arkitekturore brenda një stili unik të vetin.

Kompleksi perandorak u braktis në vitin 1585, pak pas përfundimit të tij, për shkak të shterjes së liqenit të vogël të ushqyer nga burimi që furnizonte qytetin me ujë dhe afërsia me Rajputanan, me të cilën Perandoria Mogule ishte në shpesh në luftë. Kështu kryeqyteti u zhvendos në Lahore në mënyrë që Akbari mund të kishte një bazë në pjesët pak të qëndrueshme të perandorisë, përpara se të vendosej përsëri në Agra në vitin 1598, ku e kishte nisur sundimin e tij pasi e zhvendosi vëmendjen e tij në rajonin e Dekanit. Në fakt, ai nuk u kthye kurr në qytet përveç një kohe të shkurtër në vitin 1601. Në historinë e mëvonshme mogule u zu për një kohë të shkurtër nga perandori mogul Muhammad Shah (mbr. 1719 -1748) dhe regjenti i tij, Sayyid Hussain Ali Khan Barha. Një nga vëllezërit e Syed u vra këtu në vitin 1720. Pallatet u zunë nga sunduesit marathas pas pushtimit të Delhit, pastaj u vendos nën ushtrinë britanike, që përdori kompleksin e fortifikuar si një qendër administrative dhe barraka. Nën drejtimin e Lord Curzon sitit filluan ti bëheshin restaurime.

Për shkak se zona e pallatit kishte qenë pothuajse vazhdimisht në përdorim, shumë nga kompleksi perandorak që shtrihet gati 2 milje gjatësi dhe 1 milje gjerësi zona është përgjithësisht e paprekur. Ajo është akoma e rrethuar nga një mur pesë mije i gjatë, i ndërtuar gjatë fillimisht në tre krahët e qytetit. Megjithatë përveç kompleksit të ndërtesave perandorake dhe xhamisë madhështore, që vijon të përdoret, nga qyteti ka mbijetuar pak. Siti i mëparshëm i qytetit është kryesisht shterp, përveç rrënojave të pazareve të qytetit të vjetër pranë Naubat Khanas, hyrja për në Rrugën e Agras. Qyteza moderne gjendet në skajin perëndimor të kompleksit, që midis viteve 1865 to 1904, ishte një bashki dhe më vonë u bë një zonë nagar panchayat (vendbanim i ndërmjetëm midis qytetit dhe fshatit) që në vitin 1901 kishte një popullsi prej 7 147 banorësh. Për një kohë të gjatë vijoi të ishte e njohur për muratorët dhe skalitësit e gurëve, megjithëse në kohën e Akbarit ishte e njohur si edhe si 'fabrika e leshit' dhe 'tjerrjes së mëndafshit'. Në afërsi të tij ekziston akoma fshati i Sikrit.

Duke i bazuar argumentet e tij te gërmimet nga Archaeological Survey of India në vitet 1999-2000 në Chabeli Tila, gazetari i vjetër i Agras Bhanu Pratap Singh tha se objeket e vjetra, statujat dhe strukturat i përkasin një kulture dhe qendre fetare të braktisur më shumë se 1000 vjet më parë. “Gërmimet dhanë një sasi statujash xhainiste, qindra prej tyre, duke përfshirë themelet e një tempulli. Statujat ishte një mijë vjeçare të Bhagwan Adi Nath-it, Bhagwan Rishabh Nath-it, Bhagwan Mahavirës dhe Jain Yakshinëve" – tha Swarup Chandra Jain, lideri i vjetër i bashkësisë Xhainiste.[1][2][3] Një kodrinë 400 m2 u hap pranë fshatit Nagari, rreth gjysëm kilometri nga ledhet e fortesës së shekullit të XVI, u gjet një dhomë prej guri ranor, e mbushur me idhuj pa koka dhe të shkatërruar të tirthankarëve xhainistë.[4]

Arkitektura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Plani i përgjithshëm i qytetit të Fatehpur Sikrit në 1917

Fatehpur Sikri qëndron mbi një kurriz shkëmbor, 3 km të gjatë dhe 1 km të gjerë, ku qyteti pallat është i rrethuar nga një mur 6 km nga tre krahë, ndërsa në të katërtin kufizohet me një liqen. Arkitektët e tij ishin Tuhir Das dhe Dhruv Chawla që e ndërtuan duke përdorur parime indiane. Ndërtesat e Fatehpur Sikrit tregojnë një sintezë të shkollave të ndryshme rajonale artizanale arkitekture si ajo e Guxharatit dhe Bengalit. Kjo pasi për ndërtimin u përdorën artizanë nga këto rajone. Ndikimet nga Arkitektura hindu dhe xhainiste shihen krahë për krahë me elementet islamike. Materiali ndërtimor i përdorur në të gjitha ndërtesat në Fatehpur Sikri, kompleksi i pallatit qytet, është guri i kuq ranor i nxjerr në vend, i njohur si 'gurë ranor Sikri'. Ai hyhet nëpërmjet portave përgjatë murit fortifikues 8 km të gjatë, përkatësisht Porta e Delhit, Porta e Lal-it, Porta e Agras, Porta e Birbalit, Porta e Chandanpal-it, Porta e Gwalior-it, Porta Tehra, Porta Chor dhe Porta e Ajmerit.

Buland Darwaza, hyrja 54 m. e lartë për në kompleksin e Fatehpur Sikrit

Disa nga ndërtesat e rëndësishme të këtij qyteti, si fetare ashtu dhe shekullore janë:

  • Buland Darwaza: E vendosur në murin jugor të xhamisë së mbledhjes kongregacionale, Xhama Masxhidi në Fatehpur Sikri është 55 m. e lartë, nga jashttë, duke bërë një kalim gradual në një shkallë njerëzore në brendësi. Porta u shtua rreth pesë vjet pas përfundimit të xhamisë rreth vitit 1576-77 si një 'hark fitoreje', për të përkujtuar fushatën e suksesshme të AkbaritGuxharat. Ajo përmban dy mbishkrime në harkadë. Portiku qendror përfshin tre hyrje harkore, me më të madhen prej tyre në qendër, të njohur si në vend si Porta Patkua, sipas zakonit të vendosjes së patkonjve në derën e madhe prej druri për fatmbarësi. Jashtë shkallëve gjigante të Buland Darwazas, në të majtë ndodhet një pus i thellë.
Xhama Masxhidi, Fatehpur Sikri
  • Xhama Masxhidi: Është një Xhami Xhama që nënkupton se është një xhami kongregacionale dhe ndoshta ishte një nga të parat që u ndërtuan në kompleks, pasi mbishkrimi i saj jep vitin 979 hixhra (1571-72) si datë të përfundimit të saj, me një hyrje të stërmadhe përballë oborrit, Buland Darwaza e shtuar rreth pesë vjet më vonë. Ajo u ndërtua sipas stilit të xhamive indiane, me iwan-ë përreth një oborri qendror. Një veçori dalluese është radha e çhatrive mbi shenjtërore. Në secilën prej shtatë kamareve ndodhen tre mihrabë, ndërsa mihrabi qendror është i mbuluar nga një kupolë, është dekoruar me zbukurime mermeri të bardhë, në forma gjeometrike.
Varri i Salim Chishtit në oborrin e Xhama Masxhidit, Fatehpur Sikri
  • Varri i Salim Chishtit: Një varr prej mermeri të bardhë të mbyllur i shenjtit sufi, Salim Chisti (1478–1572), brenda oborrit të Xhama Masxhidit. Struktura një-katëshe është ndërtuar përreth një dhome qendrore katrore, brenda të cilës ndodhet varri i shenjtit, nën një tende druri të zbukuruar me mozaikë guackash. Përreth tij ndodhet një korridor për cirkumambulacion, me xhali të skalitur, ekrane të shpuar guri përreth me dizajne të stërholluara gjeometrike dhe një hyrje në jug.

Varri është ndikuar nga mauzoleumet më të hershëm të fillimit të shekullit të XV të Periudhës së Sulltanatit të Guxharatit. Karakteristika të tjera të rëndësishme të varrit janë kllapat serpentine prej mermeri të bardhë, që mbështetin strehët e pjerrta përreth parapetit. Në të majtë të varrit, në lindje, qëndron një varr guri të kuq ranor të Islam Khan-it I, djalit të Shaikh Badruddin Chistit dhe nipi i Shaikh Salim Chishtit, që u bë një gjeneral në ushtrinë mogule gjatë mbretërimit të Jahangirit. Varri është i kryesuar nga një kupolë dhe tridhjetë e gjashtë çhatri të vegjël me kupola dhe përmban një numër varresh, disa të pa-emra, të gjithë pasardhës meshkuj të Shaikh Salim Chishtit.

  • Diwan-i-Ami: Diwan-i-Ami ose Salla e Takimeve Publike, është një tip ndërtese që gjendet në shumë qytete ku sunduesi takonte publikun e gjerë. Në këtë rast, ai është një strukturë me shumë-ndarje drejtkëndore si pavijon përballë një hapsire të madhe të lirë. Në jug-perëndim të Diwan-i-Ami dhe pranë Shtëpisë së Sulltanës Turke ndodhen Banjat Turke.
  • Diwan-i-Khasi: Diwan-i-Khasi ose Salla e Takimeve Private, është një ndërtesë e thjeshtë katrore me katër çhatri në çati. Megjithatë ajo është e famshme për kolonën e saj qendrore, që ka një bazë katrore dhe një trung tetëkëndor, të dy të skalitur me fasha dizajnesh gjeometrike dhe lulëzore, përveç tridhjetë e gjashtë kllapave të saj serpentine që mbajnë një platformë rrethore për Akbarin, që është e lidhur me secilin kënd të ndërtesës në katin e parë, me katër shëtitore guri. Këtu Akbari takonte përfaqësues të feve të ndryshme për të diskutuar rreth besimeve të tyre dhe kryente takime private.
Panch Mahali, Fatehpur Sikri
  • ‘’Ibadat Khana’’: (Shtëpia e adhurimit) ishte një shtëpi takimi e ndërtuar në vitin 1575 nga perandori mogul Akbar, ku u vendosën themelet e një besimi të ri sinkretik, Din-e-Ilahi.
  • ‘’Anup Talao’’: Anup Talao u ndërtua nga Raxha Anup Singh Sikarwar-i. Një pellg zbukurues me një platformë qendrore dhe katër ura që të çojnë te ai. Disa nga ndërtesat e rëndësishme të kompleksit perandorak janë përreth saj, ku përfshihen Khwabgah (Shtëpia e Ëndrrave), rezidenca e Akbarit, Panch Mahali, një pallat pesë katësh, Diwan-i-Khasi (Salla e Takimeve Private), Ankh Michauli dhe Selia e Astrologut, në këndin jug-perëndimor të Oborrit Pachisi.
  • ‘’Hujra-i-Anup Talao’’: Thuhet se ka qenë rezidenca e gruas myslimane të Akbarit, megjithëse kjo është vënë në dyshim për shkak të përmasave të saj të vogla.
  • ‘’Pallati i Mariam-uz-Zamani’’: Ndërtesa e grave raxhputase të Akbarit, duke përfshirë Mariam-uz-Zamanin, tregon ndikime guxharatase dhe është ndërtuar përreth një oborri, me kujdesin e veçant për të siguruar privaci.
Minarja Hiran, Fatehpur Sikri
  • ‘’Naubat Khana’’: e njohur edhe si ‘’Naqqar Khana’’ që do të thotë shtëpia e tamburëve, ku muzikantët luanin tamburët për të shpallur mbërritjen e perandorit. Është e vendosur përpara Portës Hathi Pol ose Porta e Elefantit, hyrja jugore e kompleksit, që sugjeron se ishte hyrja perandorake.
  • ‘’Oborri Pachisi’’: Është një katror i shënuar si një dërrasë loje e madhe, pararendësja e lojës moderne ‘Ludo’, ku njerëzit shërbejnë si gurë loje.
  • ‘’Panch Mahali’’: Është një strukturë pallatore pesë-katëshe, me nivele që zvogëlohen gradualisht në madhësi, deri në nivelin fundor, që përbëhet nga një çhatri i madh me kupolë. Fillimisht façata kishte ekrane të shpuara guri dhe me gjasa e ndante po ashtu interiorin, duke sugjeruar se ishte ndërtuar për zonjat e oborrit. Katet mbahen nga kolona të skalitura në mënyrë të stërholluar në çdo nivel, duke arritur në 176 kolona në tërësi.
  • ‘’Shtëpia e Birbalit’’: Është shtëpia e ministrit të parapëlqyer të Akbarit, që ishte i besimit hindu. Veçori të rëndësishme të ndërtesës janë tendat e pjerrta horizontale ose çaxha dhe kllapat që i mbajnë ato.
  • ‘’Minarja Hiran’’: Minarja Hiran, ose Kulla e Elefantit, është një kullë rrethore e mbuluar me projeksione guri në formën e çatajve të elefantit. Tradicionalisht mendohej se ishte ndërtuar si një përmendore për elefantin e parapëlqyer të perandorit Akbar. Megjithatë, me gjasa u përdor si një pikë nisjeje të miljes pasuese.[5]

Gërmimet e fundit të bëra nga ASI në vitin 2000 çuan në zbulimin e një qyteti të lashtë xhainist shumë afër kompleksit të fortesës. Ndërtesa të tjera përfshinin Taksali (vendi i prerjes së parave), Daftar Khana (Zyrat e Regjistrave), Karkhana (Punishtja mbretërore), Khazana (Thesari), Hamami (Banjat Turke), Lagjet e Daroghas, stallat, Karvan sarai, Lagjja e Hakimit etj.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fatehpur Sikri ka një popullsi prej 28 757 banorësh. Meshkujt përbëjnë 53% të popullsisë ndërsa femrat 47%. Fatehpur Sikri ka një nivel alfabetizmi prej 46%, më e ulët se mesatarja kombëtare prej 74%; alfabetizmi i meshkujve është 57%, ndërsa i femrave 34%. Në Fatehpur Sikri, 59% e popullsisë është nën moshën 6 vjeçare.

Administrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fatehpur Sikri është një nga pesëmbëdhjetë qendrat e blloqeve në distriktin e Agras. Ai ka 52 fshatra panchayat në përbërje.

Fatehpur Sikri është një zonë elektorale e ‘Lok Sabha-s’, dhomës së ulët të Parlamentit Indian dhe përfshin gjithashtu pesë segmente ‘Vidhan Sabha’ (asamble legjislative): Agran Rurale, Fatehpur Sikrin, Kheragarh-un, Fatehabadin dhe Bah-un.

Në tërësi pranë fortesës së Fatehpur Sikrit në distriktin e Agras ndodhen 12 fshatra të raxhputasve Sisodia. Ata janë Daultabadi, Nayavasi, Satha, Korai, Behrawati, Byara, Undera, Kachora, Singarpuri, Vidyapuri, Onera dhe Arrua.

Transporti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fatehpur Sikri ndodhet rreth 39 km nga Agra. Aeroporti më i afërt është Aeroporti i Agras (gjithashtu i njohur si Aeroporti Kheria), 40 km largë Fatehpur Sikrit. Stacioni më i afërt hekurudhor është Stacioni Hekurudhor i Fatehpur Sikrit, rreth 1 km nga qendra e qytetit. Ai është i lidhur me Agran dhe qendrat e fqinje me rrugë, ku funksionon shërbimi i rregullt i autobusave të qeverisë së Uttar Pradeshit shpesh, përveç autobusëve të turistëve dhe taksive.

Galeri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Fatehpur Sikri, that Mughal emperor Akbar established as his capital and is now a World Heritage Site, was once a "flourishing trade and Jain pilgrimage centre", a new book says.", India Times, 17 korrik 2013 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Fatehpur Sikri was once a Jain pilgrimage centre: Book", Zee News, 27 shkurt 2013 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Fatehpur Sikri was once a Jain pilgrimage centre", The Free Press Journal, 28 shkurt 2013 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "Excavation at Akbar's fort at Fatehpur Sikri reveals flourishing Jain and Hindu habitation", India Today, 28 shkurt 2000 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 14 qershor 2021. Marrë më 19 shkurt 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lexime të mëtejshme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]